E enjte, 12.12.2024, 11:33 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: 100 metra qef durrsak

E marte, 18.08.2020, 06:55 PM


100 metra qef durrsak

Nga Edison Ypi

Agjenci udhëtimesh që të çon ku ta dojë kokrra e qefit. Kaq makina qefi sa ka në këto 100 metra qef durrsak nuk i sheh në Prishtinë dhe Shkup së bashku. Në të dy anët e rrugës apartamente qefi me çmime sa të Londrës. Butik me veshje të shtrenjta. Piceri. Dyqan bulmeti me pafundësi djathrash, qumshtash, gjalprash. Tjetër butik. Agjenci imobiliare. Disa kafene më elegante se kafenetë e Milanos dhe Romës. Nga një rrugicë anësore vjen zhurma e një matrapiku që po hap kanale për fibra optike. Tjetër piceri. Një grek gjysëm i dehur tërheq përdore duke i bërtitur një fëmijë grindavec me qyrra nëpër turi. Disa të rinj emigrantë flasin një italishte skadente që të shkrin së qeshuri. Dy të rinj nordikë nga ata që i bien rrotull botës me çanta të mëdha në kurriz nguten të marrin tragetin për në Çinmaçin, Çinbyçin, Çinpidhin. Celulari tregon se tek “nearby places”, pra tek lokalet aty rrotull, po hanë, kanë ngrënë, ose thjesht kanë qënë, ca miq të Fejsbukut, ata më të budallejt, në fakt. Një Benz i madh xhiron rrotat duke i kallur tmerin miletit me tym e fëshkëllima. Nga ana tjetër e rrugës dy ndërtesa të larta kanë vënë në mes një hotel me 4 yje sikur e kanë arrestuar dhe po e shoqërojnë në Komisariat. Duhma parfumesh të shtrenjta si në qëndrat e metropoleve të botës. Kalojnë me ngut vajza të bukura barkzbuluara me xhinse frikshëm të shkurtëra të ngushta e të puthitura që dëshmojnë me përpikmëri rrënqethëse një nga gjërat më të bukura që ka bërë Zoti, vithet e femrës. Disa minimarkete ku mund të gjesh gjithçka që humanoidët hanë e pinë. Sherrin për një parkim vjen e qetëson një polic i shkolluar. Tre vajzave të abronxuara me flokë të lëshuara të kapura përdore u ka zënë rrugën një Casanova i papërmbajtur. Qefliu po u thotë vajzave me zë të dridhshëm; Dëgjoni vajza, më çmendët me këto kërthiza si kratere vullkanesh të heshtura. Fundshpinat tuaja më bëjnë të dridhem si purteka. Më mpihet truri kur përfytyroj çfarë mbulojnë kanotierat tuaja. Secila prej jush është një Univers me zgavra, tunele, male, kodra, brigje, pllaja, rrafshulta, rrafshnalta, shkurre, pyje, përrenj, lumenj, ujvara, qiell, det, dritë, Por ka një problem. Mungon gjysma pa të cilën gjithai qef nuk funksionon. Ku janë ata, ata të nguturit, ata të paduruarit ? Ku j’u çon mushka e qefit të butë pa meshkujt e ashpër ? Perritë me pantallonat si breçka dhe gjysmat e sisëve përjashta shpërthejnë në një niagarë të qeshurash, dhe zhduken mes dritave dhe reklamave. Kalojnë me zhurmë tre motocikleta të mëdhaja të çakërdisura me nga një djalë dhe një vajzë me skafandra. Një halabak e ka lënë Tojotën skiç dhe ka ikur. Dikush që ngutet për diku, ndoshta në ndonjë takim sentimental, shan dhjetë breza rrugaçin e Tojotës që i ka bllokuar daljen e makinës. Në një restorant një këngëtare me nam po këndon “Baila Morena” me zë të pjerdhur.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora