Kulturë
Fatmir Halimi: Fehmi Berisha - Guri pikon fjalë
E marte, 18.08.2020, 07:20 PM
VËSHTRIMI PËR LIBRIN POETIK “GURI PIKON FJALË”, I AUTORIT FEHMI BERISHA
Nga
Ma. Sc. Fatmir HALIMI
Libri poetik “Guri
pikon fjalë”, i poetit dhe atdhetarit të madh Fehmi Berisha vjen para lexuesve
tanë këtë vit pas një pune të gjatë të autorit dhe pas disa librave të tjerë të
tij, të cilat i ka botuar pas çlirimit të vendit. Përmbledhja
poetike “Guri pikon fjalë”, si titull nga diskursi kritik mund të konceptohet
apo të interpretohet në dy rrafshe të mëdha, në atë letraro-artistik dhe në
këtë rrafshin tjetër historiko-politik. Nga aspekti apo rrafshi letrar, ky
titull na del shumë fiksional, si togfjalësh krejt i figurshëm, që në vete bart
figurën qendrore stilistike metaforën, e cila nga studiuesit e stilistikës
llogaritet si mbretëreshë e tropeve dhe figurave në letërsi. Pra vetë fjala
gur është një metaforë e madhe, e cila përsëritet shumë herë përgjatë
gjithë librit, prandaj mund të them se libri i Fehmi Berishës është komplet i
ndërtuar nga figurat dhe tropet letrare. Autori përmes këtij togfjalëshi Guri
pikon fjalë paraqet qëndresën historike të individit, apo edhe të
kolektivit se nga shtypja e madhe, nga reprezalja, përbuzja e poshtërimi mund
të flas e të pëlcas edhe guri, pra ngjashëm si foli e pëlciti populli ynë, i
cili nuk duroi më robërinë por u rreshtua në luftë të UÇK-së, (pjesë e të cilës
ishte edhe vetë autori në fjalë) për çlirimin e vendit.
Kurse nga
interpretimi i dytë, historiko-politik mund të venerojmë se autori Berisha
përgjatë librit të tij ka shkruar një numër të veçantë të poezive, të cilat
trajtojnë historinë dhe lashtësinë e popullit tonë, duke u nisur nga Zoti, që
ilirët e quanin Zeus-Zo(s)t, mandej duke përmendur edhe qytetet tona të lashta
si Durrësin, Apollonin, Ulqinin, apo edhe Shkodrën e sotme, të cilat vetëm
përmes fjalës së gdhendur në gur, fjalës shqipe dëshmuan dhe i sfiduan të
gjithë shkruesit e historisë botërore se shqiptarët janë autokton në trojet e
veta dhe në gjithë Gadishullin e Ilirisë, se ilirët, pellazgët janë vetëm
paraardhësit tanë, për të cilët autori flet e poetizon me krenari.
Tema dhe motivet
Temë qendrore e
poezive të përmbledhjes poetike të poetit F. Berisha është atdhedashuria. Shumë
poezi trajtojnë edhe luftën e fundit për çlirim të vendit, por një pjesë e
madhe e tyre merret edhe me paraqitjen e dukurive negative të shoqërisë sonë të
pasluftës, siç janë: servilizmi ndaj të huajit, grabitja e pasurisë dhe
varfërimi i popullit nga politikanët e sotëm, e shumë të tjera. Motivet, siç
vërehet edhe nga renditja e poezive në vepër rrjedhin spontanisht, varësisht
nga situatat dhe pozita emocionale, dhe koha nëpër të cilën kalon autori. Me
këtë rast duhet të theksojmë se poezitë e F. Berishës brenda veprës si tërësi
janë unike, si në formë e po ashtu edhe në përmbajtje. Sa i përket formës, si
një varg i vetëm, si një strofë apo edhe si një poezi e vetme nuk mbetet jashtë
sistemit të veprës, pasi që si poezia, por edhe vepra në tërësi ka një gjuhë të
njëjtë e të figurshme, ka një stil të veçantë të ndërtimit të figurës dhe
shprehjes stilistike letrare, ku do të veçoja disa poezi që lexuesi t’i shohë
dhe t’i ndjejë drejtpërdrejt vargjet artistike të poetit, si:
(RRËNJËT)
“Barbarët erdhën me hekur e zjarr
rrënjët e lashtësisë sime t`i shkulnin,
nuk i gjetën.
Ishin thellë në tokë,
në gjak ishin
në tehun e shpatës së Gjergjit,
në gurin e kullës në Janinë
e në Kukë të Vraninës,..”
Poezi kjo, ku
paraqitet fuqia e heronjve tanë kombëtarë, por edhe dashuria e madhe e poetit
ndaj atdheut të tij dhe ndjenja patriotike, të cilën rrallë kush e paraqet kaq
fuqishëm nga krijuesit tanë, pasi që autori Berisha edhe si intelektual, por
edhe si personalitet politik e kishte dëshmuar vetën ndër vite për kauzën tonë
kombëtare. Mandej si poezi të realizuara bukur po paraqesim edhe këto:
(ZANA VAJTON
DARDANINË)
“Kambanat e zemrës rrahën
dashuria u kall mbi tri shkronja
UÇK morën atdheun në gji e ia krisën
Sytë shkreptimë qielli
shigjetuan zjarr mbi hasmin
prishën gardhin prej telash me gjemba...”
Ose edhe poezia
tjetër:
(HESHTJA E
FRIKËSHME)
“Frikësohem nga heshtja
jetoj në makth,
nga kjo përbuzje e përulje
e detit pa dallgë
e zemrës pa flakë...”
Poeti Berisha,
përveç dashurisë kolektive për atdheun i këndon edhe dashurisë për gruan,
shokun apo individin, poezi këto të cilat para lexuesve sjellin plot lirizëm,
plot emocion dhe ndjenja. Këto poezi janë të mbështjelluara me shprehje të
bukura letrare, me gjuhë të pastër, pa banalitete, me figura stilistike të
afërta me ato të oralitetit tonë popullor, siç është poezia, Mbeti vetëm
melodi:
(MBETI VETËM
MELODI)
“derisa ajo përtueshëm
u largua e lehur prej qenve…
si nuk u shter ky lumë,
as prajti kjo valë,
frikë e peng mbeti fjala
e nuk u bë këngë...”
Krejt për fund
libri “Guri pikon fjalë” i poetit Fehmi Berisha është një prurje e re,
është një vetëdije dhe një pjekuri e lartë artistike e stilistike në letërsinë
tonë.
Autorit Berisha i
urojmë të mos ndalet së shkruari, që edhe në të ardhme të na sjellë vargje të
veçanta, me kaq ndjesi e frymëzim të ri.