Kulturë
Mira Meksi: Një vepër e rrallë që ndriçon thelbin e letërsisë dhe poetikat e saj
E diele, 16.08.2020, 07:00 PM
“Postmodernizmi” i Floresha Dados
Një vepër e rrallë që
ndriçon fort thelbin e letërsisë dhe poetikat e saj
Nga
Mira Meksi
Të
udhëtosh labirinteve të teorisë së letërsisë, labirinteve të studimit shkencor
të letërsisë, që e trajton këtë të fundit si një fenomen kulturor, por jo
vetëm, nuk është punë e lehtë. Aq më shumë për një krijuese letrare, në rastin
tim, që shkrimësisë, letërsisë pra, i qaset më e shumta intuitivisht. Ose
krejtësisht intuitivisht, dhe që në poçarinë e krijimit ka vetëm baltë shpirti
dhe një barrë eksperience zëmre për të ndërtuar veprën. Porse ka raste kur një
udhëtim i tillë bart aventuratë mrekullueshme... Është aventura e përballjes së
alkimisë me shkencën, e përzierjeve okulte të elementeve, e realiteteve
paralele, e spekulimeve metafizike, mistike, magjike me studimin e rreptë, të
saktë, erudit, përcaktues… Dhe poçari i shkrimësisë gjendet ballë pasqyrës së
teorisë së letërsisë, që herë i jep një imazh të shformuar si portretet e
Bacon-it , ku ai gjithsesi e rinjeh veten, dhe herë një imazh aq të qashtër, sa
i mbetet vetëm të mbyll sytë fort që mos verbohet… Ia vlen barra qeranë.
Një
aventurë të tillë përjetova këto kohë me leximin e një vepre të jashtëzakonshme
që ka dalë në qarkullim kohët e fundit, botim i Akademisë së Shkencave:
Monografia shkencore “Postmodernizmi-poetikë e antirregullit”, vepra më e
fundit e studiuese së shquar erudite të teorisë së letërsisë, Floresha Dados.
Leximi i saj më shtyu të bëja disa hulumtime në lidhje me studime të këtij
lloji te ne, për të pasur një tablo më të plotë në këtë drejtim.
Do
të përpiqem të bëj një prezantim modest dhe sa më shpjegues të kësaj vepre të
madhe, diturake, të shkruar mrekullisht bukur, për të qenë sërish një këmbanëz
vlerë- treguese në kaosin e vlerave-antivlerave që mbizotëron tek ne. Një
këmbanëz, e cila me tringëllimën e saj mëton të tërheqë vëmendjen leximore të
profesionistëve të fushës, mësuesve të letërsisë, studentëve që janë të
detyruar të “gëlltisin”vetëm punimet, më së shumti mediokre, të pedagogëve të
tyre, kritikëve të letërsisë ( Medet sa të paktë dhe sa të pavaditur janë
shumica!) apo mëtonjësve-kritikë letrarë, të shkrimtarëve, lexuesve…
“Postmodernizmi-poetikë
e antirregullit” vjen për herë të parë në një rrokje të gjerë, sa teorike, aq
dhe interpretuese të veprave të letërsisë shqipe, në lidhje me poetikën
postmoderniste, një dukuri kjo e pa trajtuar në përmasa kaq të gjera në studimet
letrare shqiptare.
Shfaqja
e estetikës postmoderniste në letërsinë shqipe, sidomos pas viteve ’90, nuk
perceptohet thjesht si një kureshti, shkërbim apo si një proces
krijues në kushtet e lirisë së krijimit, por si shpërfaqje e një ndërgjegjeje
dhe intuite të re krijuese , por edhe i
një marrëdhënieje të ndryshme me lexuesin. Bindja e kësaj teoricieneje
është e qartë që në krye të herës: nëse kjo estetikë do të mbetej në
parapëlqimet e një krijuesi, do të bëhej fjalë për një dukuri individuale, por
nëse ajo shfaqet si prirje në krijimtarinë e disa shkrimtarëve, atëhere bëhet
fjalë për një risi në procesin letrar, e cila ka shkaqe të jashtme dhe të
brendshme.
Thelbi
metodologjik i qasjes shkencore të studiueses është se, interpretimi i postmodernizmit
në romanin shqiptar nuk mund të kuptohet si një proces letrar i mëvetësishëm,
pa shtratin filozofik dhe teoriko-letrar mbi të cilin zhvillohet. Andaj
struktura e kësaj vepre ngrihet mbi dy
boshte themelore: teorik dhe
praktiko-letrar.
Duke
kaluar nëpër këto dy plane, autorja ngre një varg pikëpyetjesh që i dalin
nga përballja me disa trajtime të
teoricienëve të huaj, që janë marrë posaçërisht me këtë dukuri, si edhe me vetë
raportin e disa romaneve të pas viteve ‘90 me letërsinë në përgjithësi dhe
veçanërisht me lexuesin. Studiuesja ka bindjen se letërsia ndjek destinin e
vet, por detyra e kritikut letrar është të depërtojë në thelbin e lëvizjes
letrare, për të kuptuar raportin midis importimit të saj skematik dhe të qenit
produkt i natyrshëm i intuitës krijuese, si kusht për të interpretuar se ç’është kjo lloj
letërsie dhe cila mund të jetë perspektiva e lëvrimit të saj. Andaj ndalja
në mëdyshjet e kritikës mbi letërsinë postmoderniste është
tepër e rëndësishme për autoren, sepse, sipas përcaktimit të saj, kritiku i
romanit postmodernist hyn në një strukturë jashtëzakonisht delikate
marrëdhëniesh ndërsubjektive, pozicione ligjërimore dhe tekstore që ndërlikojnë
perceptimin artistik.
Ndonëse
në thelbin e vet kritika mbi tekstin postmodernist përpiqet të ndjekë qasjet që
ekzistojnë ndërmjet tekstit dhe sistemit, midis tekstit dhe teorisë, ndonëse
midis veprës dhe kritikës ekziston një ballafaqim i dy ndërgjegjeve, i dy
ligjëratave, i dy metodave etj, ajo konfirmon parime të reja, që burojnë nga
vetë thelbi i letërsisë që interpreton. Është tepër interesante pikëpamja e
F.Dados, sipas së cilës, roli i kritikut dhe natyra e kritikës ndryshojnë dhe
përshtaten, çka nxit trazirë opinionesh në mjedisin letrar dhe kulturor. Duke
pohuar faktin se në kritikën postmoderniste kemi përpjekje për të braktisur
mënyrën sistemike të analizës dhe për të vlerësuar qasjen “anti rregull”,
autorja vë në dyshim pikëpamjen se mendimi i qëllimshëm i autorit nuk mund të
dihet saktësisht. Kritika e thyerjes së
rregullave sjell mëdyshjet : ç’lloj kritike kemi sot ? A ndodhet në krizë
kritika letrare ? Sipas mendimit të autores së Monografisë analizat tona
kritike për këtë lloj romani, kanë një lloj njëtrajtësimi, që buron nga
vështrimi kryesisht sipërfaqësor i teknikave formale dhe fare pak merren me
efektin që ushtrojnë ato te lexuesi. Këtë ajo e konsideron si “krizën”
themelore të mënyrës se si lexohet
romani ynë postmodernist dhe shkallës së mundësisë për t’u shpjeguar ai.
Natyrshëm del mëdyshja tjetër: a është e mundur të shpjegojmë një roman
postmodernist, i cili është i paparashikueshëm, me raporte të çuditshme të
brendshme dhe të jashtme?
Çështja
më interesante me të cilën merret studiuesja, mendojmë, është teza, e hedhur nga disa teoricienë të huaj
mbi vdekjen e teorisë dhe kritikës postmoderniste. Kjo ndodh sepse, siç vëren
Dado, në studimet letrare vetë teoria postmoderniste nuk është konsoliduar në
mënyrë përfundimtare.
Studiuesja
duke iu referuar shumë veprave të botuara në letërsinë shqipe përgjatë tri
dekadave të fundit provokon disa sfida që i dikton kjo teori, por sidomos vetë
krijimet letrare të autorëve tanë.
Kështu, problemi i thyerjes së kufijve gjinorë në romanin e sotëm
postmodernist krijon diskutim mbi atë që
duhet të përcaktojmë se në ç’masë një vepër përfaqëson gjininë e
romanit, apo të hetojmë se sa romani i sotëm postmodernist zgjeron strukturën
formale të gjinisë, duke krijuar një identitet të ri ?
Në
studimin “Postmodernizmi-poetikë e antirregullit’” referuar boshtit teorik, kapitujt
kushtuar tipareve të modernizmit dhe postmodernizmit, përballjes me realizmin,
parë në plan përqasës, nuk janë konceptuar si informacion i ri, por si shtrat
që kanë krijuar mundësinë e analizave
origjinale të veprave, mbas viteve ’90 (R.Qosja edhe më parë), ku tiparet e
estetikës postmodertniste shfaqen në forma dhe përmasa të ndryshme. Është e
jashtëzakonshme, e admirueshme puna dhe qëmtimi që i ka bërë studiuesja Dado
prurjeve ndër vite në letrat shqipe . Ajo interpreton në mënyrë mbresëlënëse një
numur shumë të gjerë romanesh ku qëmton dhe nxjerr në pah një sërë aspektesh
postmoderniste të narracionit, të mënyrës
si janë konceptuar personazhet, të raporteve kohore dhe hapsinore, të
trajtave të paparashikueshme ligjërimore, të dukurive intertekstuale dhe të
shumë teknikave postmoderniste që trajtohen për herë të parë në një rrokje kaq
të gjera.
Tejet
interesante shfaqen në këtë studim pikëpamjet e autores mbi prishjen e kufijve
dhe specifikave gjinore në romanin shqiptar postmodernist. Apo diskutimi nese
kjo formë e re narrative shënon shkuarjen drejt fundit të narracionit në prozë,
apo bëhet fjalë për një zhvillim kalimtar, që do të shkojë drejt zbehjes ? Nëse
futja e shumë citime, arsyetimeve teorike mbi letërsinë dhe shumë çeshtje të tjera,
e cënon vlerën artistike të romanit postmodernist ? Çfarë lloj poetike kemi në
këtë rast ? A krijon shqetësim mënyra se si konfigurohet personazhi në romanin
postmodernist, etj.
Vlera
e padiskutueshme origjinale e studimit të F.Dados qëndron në faktin se nuk
ndalet thjesht në aspekte teorike dhe në interpretime konkrete te letërsisë së
sotme, por shtron para lexuesit profesionist pikëpyetje dhe sfida për diskutim.
Duke vëzhguar faktin se në letërsinë tonë poetika postmoderniste u shfaq më
vonë se lulëzimi i natyrshëm i postmodernizmit në letrat botërore, autorja ka
synuar të na japë tiparet specifike, të qëndrueshme apo të variueshme të
poetikës postmoderniste tek autorët shqiptarë.
Përpos
kësaj, në klimën e opinioneve të ndryshme te teoricienëve të huaj autorja guxon
të pyesë: çfarë nuk shkon me postmodernizmin, në përgjithësi në letërsinë e
sotme? A është zhvillim letrar që shpreh një filozofi të pranueshme ? A mund të
quhet vlerë prirja e disa veprave të letërsisë së sotme drejt
copëzimit, përkohësisë, paqartësisë, mohimit, mëdyshjes...?
Sfida
e thekshme e studiueses janë vetë
pyetjet që ajo ngre: a erdhi natyrshëm kjo praktikë letrare në romanin shqiptar
të tri dekadave të fundit ? A ishte imitim trendesh poetike që Evropa i kish
kaluar më parë, apo ndikime intuitive mbi kuptimin e realitetit dhe të
letërsisë, në qasje të reja, në kontekste të reja ?
Ndonëse
sfida më e mprehtë që ndërton F.Dado është çeshtja se për kë shkruan shkrimtari
postmodernist dhe ç’lloj lexuesi parakupton? Sa e tërheq në të vërtetë ky
roman lexuesin e sotëm ?
Studiuesja
guxon të polemizojë me teoricienë të huaj lidhur me dilemën e madhe të
shekullit XX dhe XXI mbi kuptimin e artit në përgjithësi, me pikëpamjen se “nuk ekziston një përkufizim i vetëm mbi
artin”. Specialiste e teorisë së letërsisë ajo ka dhe shpreh një vizion të
qartë lidhur me këto pikëpyetje dhe dilema.
Përsa
i përket të ardhmes së postmodernizmit, autorja na njeh me faktin se
teoricienët nuk kanë arritur ende të përcaktojnë nëse ky proces letrar ka
përfunduar tanimë, apo se kur mund të përfundojë. Por, përsa i përket letërsisë shqipe, ajo shpreh
bindjen se poetika postmoderniste nuk është në apogjeun e lulëzimit të vet;
fakti që një pjesë e shkrimtarëve i janë rikthyer poetikës realiste, simboliste,
realizmit magjik e më gjerë, tregon se kjo letërsi nuk i ka të përcaktuara
njëherë e përgjithmonë tiparet e saj. Gjithsesi, me një formim të qartë teorik
mbi thelbin e letërsisë F.Dado shpreh konceptin teorik se “letërsia është
gjithnjë në lëvizje dhe kërkim të vazhdueshëm; jo thjesht si trill, por nën
ndikimin që rrethana të caktuara të jetës së shoqërisë shkaktojnë përjetime,
kundërshti, jo thjesht dhe vetëm në aspektet përmbajtjesore të saj, por edhe në
sistemin e konfigurimit”.
Vepra
e çmuar “Postmodernizmi-poetikë e antirregullit” ndonëse si monografi shkecore
ka objekt një çeshtje themelore, postmodernizmin në romanin shiptar, ajo në të
vërtetë zhvillon një sistem të tërë teorik, që ka të bëjë me thelbin e
letërsisë dhe poetikat e saj. Po e ritheksoj atë që thashë në krye të herës:
pikërisht për këtë specifikë kaq me vlerë, ajo i shërben formimit teorik të
kritikëve, mësuesve të letërsisë, studentëve, shkrimtarëve…