Kulturë
Shyqyri Fejzo: Ndodhin në kohë pandemie
E marte, 11.08.2020, 06:51 PM
Ndodhin në kohë pandemie
Nga Shyqyri Fejzo
Për
lexuesin e dashur po sjellim bisedën , pa krunde e hime, pa gjeth e dushk, të dy grave të fshatit tim, ashtu si e bënë
ato midis tyre në kohën kur hanko korona budit ngado per rreth.
Xhezmia
atë ditë të nxehtë korriku ujitëte fasulet. Kur afroi ora që transmetohej
telenovela turke në televizor, nuk po e mbante vendi. Hodhi shatën pranë një
kumbulle dhe i thirri komshijes që punonte në arën pranë.
-Hajde,
Sulltane. Lere tani të flamosurën se vajti ora e telenovelës-. Të dyja shplanë
duar e këmbë në një vijë uji dhe u nisën
nga shtëpitë.
-Sot
a e përmbyte arën si para një jave?-pyeti gruaja me emrin Sulltana.
-A,a,a!
Sot nuk e mora telefonin me vete të angarisesha me të në ndonjë hije dhe ta
lija ujin të ikte hergjele, si javën e parë që bëra namin. E lashë vërtet në
palën e rrobave, po mendjen atje e kisha-ja ktheu Xhezmia.
-Unë
ja kam lënë çupes dhe ja kam merakun mos katranos ndonjë gjë që të mbahet mend
në fshat.-Pastaj duke prekur kuptim
plotë rrylin e shoqes vazhdoi.
-Moj
korba, moj qyqja si më ndodhi mua dje. Mblodha bamje në kopshtin tim.I
përgatita të bëj një turli të mirë, se kisha dhe mish viçi. E di ti, nga ai
mishi atij viçit që theri Veseli se ishte fryrë e bërë kacek se kishte ngrënë
shumë jonxhë të njomë. Telefonin nuk e hoqa nga dora, se po lexoja në fecbuk
një mesazh interesant që më vinte mua. Lexo e kthe përgjigje,shokut të
fecbukut. Po aty ndodhi ajo që nuk e prisja. I kisha shtirë tri herë kripë
gjellës. Turlia ishte bërë helm. I hodha
disa herë ujë e ta zieja përsëri, po jo. Kripa po hyri nuk del më. Sherr me
burrin, sherr dhe thumba nga vjehrra. Gjellën ja hodha këlyshit pasatj. Po edhe
ai nuk e hëngri.
-E,e.e!
Ti nuk e di ç’më ndodhi mua para tri ditësh. Burri dhe djali kërkuan të mbledh
fasule të reja dhe të ziej për herë të parë nga ato të rejat sivjet. Shkova, i
mblodha, mbusha mësallën. Erdha i shkoqa kokërr më kokërr. Puno dhe shiko
fecbukun. I futa në tenxhere pasi i hodha ujin, vaj ulliri.
-Dhe
ti i dënde dy tre herë në kripë si unë?
Jo,
moj jo. Pastaj duhej qepa. E griva dhe atë, me sytë nga fecbuku. Më erdhi pak
çudi se qepa nuk më dogji. E vura në tenxheren me presion. Burii, vjehrra dhe
djali fërkonin duart kur po hapja tenxheren. Apo nuk do e shoqëronim me lakër
të regjur! Kur hapa tenxheren, fasulet skuqnin si gjak e flamur. Çfarë të
shikoje. Kisha grirë një kokërr panxhar të kuq në vend të qepës. Ec e dëgjo
vjehrrën e burrin pastaj. Vetëm djali nuk bëri zë se kishte ulur kokën në
fecbuk.
-Ti
nuk e di çfarë i ndodhi Sadijes aty një ditzaj. Kishte frugulluar një goxha
tenxhere me pilaf. Tenxherja ishte skuqur e bërë zjarr.Mirë që nuk mori zjarr
guzhina. Ajo e la telefonin vetëm kur guzhina u mbush me tym. Orizi ishte nxirë
e bërë qymyr. As pulat nuk ja hëngërn. Sadija ndiqte fecbukun e po jetonte me
të. Pilafi u bë allasojçe atë ditë. Ajo ka dhe burrin sherret të madh. E fshehu
telefonin në palën e jorganëve se ta kishte gjetur i shoqi, e sikterrisi në
tenxheren e pilafit dhe telefonin.
-Po
çupes Esmasë, komshijes time, e di si i ndodhi?-Tha Sulltana.
-Jo,
nuk e di. Ma trego.
Veç
lopës tç lidhur për brirësh me një litar të gjatë, që e kulloste në livadh, ajo
kishte marrë dhe telefonin dhe ndiqte me shumë pasion nje telenovele turke. Kur
hodhi syte pas ndonjë ore të shikonte çfarë bën lopa, pa se kishte mbetur vetëm litari dhe huri ku
ishte lidhur. Xegali, ky insekt i vogël dhe bezdisës, ishte bërë sevda vendit poshtë bishtit të lopës, ku kishte
ngulur thumbin e tij zeherr, dhe ajo ja kishte dhënë vrapit, me keq e më fort
se ata demat në Spanjë që kishte parë në internet një ditë më parë. Duke
kërkuar lopën vajza dëgjonte në apartin e saj të çmuar refrenin e këngës “më dërgoj babaj me
shqerra”...
-Kot
nuk thonë: “Më mirë dy të shqitura këmbësh se një e shqitur e gjuhës”.Mirëpo
pozicionet, që kur ka ardhur kjo pandemia, kanë ndryshuar. Edhe në qoftë se do
vërtet të të shqasin këmbët, nuk e ke mundësinë. Se hanko korona po na bën burg
pa vendim gjykate. Ksisoj nga këmbët po zihemi ulok, ama gjuha. Unë shpëtova
dhe nga burri- ja pati Sulltana krenare e me supa të ngritura lart, e syrin e
djathtë mbyllur paq.
-Po
si ja bëre moj ditë zezë?-pyet Xhezmija tërë sy e veshë.
-E
shtiva dhe atë në brazdë. Një ditë, si me lezet, kur i kishin hipur keq
kacabunjtë se unë nuk shkëputesha nga telenovela “Lotë në detin e Zi”, ju luta që
pas një ore të shikojë një seri interesante të filmit “Lugina e Ujqërve”.Nga që
është dhe gjahtar, i pëlqeu titulli. Prit e prit të dilte ndonjë ujk, derr apo
ari dhe personazhi të qëllonte, por nuk lëvizte gjë. Kur e pa gjer në fund
serinë, i pëlqeu ai Polat Almendari. Natën e dytë drejt e tek seria tjetër.
Shikonte a nuk shikonte Polatin. Unë nuk bëja zë. Vetëm shikoja serinë e filmit
“Lot në detin e Zi”. Kështu tani ai nuk ndahet nga telenovela, nga Polati. I
poqi ylli me të. Dhe ti moj motër, kështu gjeja anën. Po u futën në ato filma
ata nuk shkëputen më. Bëhen më keq se ne gratë.-
-E,e,e!
Me fecbukun në fillim unë desh e bera hatanë. Mu qep një djalë i ri dhe
dergonte ne mesenxher gjithnjë fjalë të ëmbla. Mirpo nga fjalët e ëmbla dalkan
dhe punë të tharta. Burri ishte emigrant në Greqi. Ai ma pati sjellë telefonin,
kur erdhi ne vjeshtë. Unë vazhdoja të merrja mesazhe të ëmbla nga ai i
panjohuri. Më në fund për “gallatë” i ktheva një përgjigjë të butë si kadife
dhe shpresëdhënse për të. Por mesazhin gabimisht ja kisha çuar tim shoqi.Hajde
moj e keqe, hajde! Çfarë nuk sajova për atë “trimin” që më gostitëte me
mesazhe, të cilat mua mi donte buza. Më në fund, burri besoi se ai është djali
i një halloje që ka ikur në Stamboll. I premtova se do e njoh me të. Aty burrit
i ra vala e xhelozisë. Bën, ç’bën dhe pyet për atë “djalin e hallos” që banon
në Stamboll.
-Eh!
Moj motër çfarë kohe ka ardhur! Më duket se po ja marrim bulmetin, po është
bylmet hudhrash ama- ja kthen shoqja, kur kishin arritur afër avllive të
shtëpive. Dëgjohet një zë.Ishte vajza e Sulltanës që hap kanatat e portës dhe
bërtet e tmerruar.
-“Shpejt
mama.Të gjejmë ca batanije e përkovaçë se në ashef ra zjarri.” Sulltana hapi
sytë si të kaut.
-Çfarë
zjarri moj tu mbulltë me ferra.?”
-Ah!
Mama po skuqja speca po në vend të vajit përdora shishen me raki që babai
kishte lënë aty afër.
-
Të ngrëntë mortja. Ai nuk kishte vend tjetër po e la shishen e rakisë afër
petrogazit! E shplaftë mortja. Po sytë
moj ku i kishe? Apo në telefon? –i hakërrohet e ëma.
-Në
dorë e kisha mama. Mos u bëj merak për të se nuk e lëshoj unë.- përgjigjet e
bija.
-E
di, të ka mami xhan, e di. Në këtë shtëpi nuk është një, epo nuk ka gjë se një
është. Këtu u bënë të tërë...tu këllasësh flamën...-
Hamburg, Korrik 2020