Kulturë
Albert Zholi: Kur poeti thyen heshtjen me librin “Mbrapa heshtjes”
E shtune, 15.08.2020, 12:00 PM
Kur poeti thyen heshtjen me librin “Mbrapa heshtjes”
Nga Albert
Z. ZHOLI, Shkrimtar-publicist
Poeti Fani Duro vjen
para lexuesit me librin e tij të parë me poezi dhe esse “Mbrapa heshtjes”.
Kisha dy vjet që e lexoja në “Facebook”, Fanin dhe kur ai se besonte,
shumë herë i shtyrë nga tematika e poezisë së tij, vargu i thjeshtë dhe i bukur
i botoja shumë herë poezi. Se ç’kishin një ndjesi shpirtërore të paqtë
poezitë e tij. Poezi mërgimtari! Poezi malli! Poezi loti! Poezi plot
dashuri njerëzore, sinqeritet malli, thjeshtësi njerëzore, vargje me motive
popullore por edhe filozofike popullore, ku ai mbështet tërë krijimtarinë e
tij. Në këtë vëllim me poezi dhe esse, libri ndërtohet mbi tri themele sa
të veçanta dhe thekëse po aq dhe të lidhura në ide, në fabul, po aq të afërta
në mesazh, sa të ndërlikuara emocionalisht aq të lidhura në idetë e
fabulës së zgjedhur. Brenda librit gjen poezi dashurie, poezi
mall-atdhedashurie, dhe ese, apo poezi me tematikë të larmishme sociale. Një
poet që qëmton ndjesitë shpirtërore, bukurinë e rëndësisë së fjalës,
thjeshtësinë e dialogut, sinqeritetin e krahasimit, pastërtinë e deklarimeve
varguese, sinqeritetin e shprehjes së vargut për çdo temë, tendencën për
të qenë vetvetja pa fyer njeri dhe pa marrë merita që si takojnë. Poezia
e tij është mall, lot, dashuri, këshillë, ndjesë, falje, përgjegjësi, pastërti,
besnikëri, të gjitha të harmonizuara dhe plot muzikalitet. Por ajo që më jep
një emocion ndryshe në këtë libër është titulli “Mbrapa heshtjes”. Heshtja!
Sa e ëmbël është heshtja dhe sa bukur flet ajo….Sipas shkencëtarëve vetëm dy
orë heshtje në ditë, ndihmon të formohen qeliza të reja në një zonë të trurit
që janë përgjegjëse për aftësinë e të mësuarit, kujtesës dhe emocioneve. Si
rezultat i të qenit në heshtje, ne arrijmë të bëhemi më kreativ dhe më aktiv në
aktivitet tona. Heshtja krijon atë që fjalët nuk mund ta krijojnë. Krijon
personalitetin e karakterin tënd. Sa më fat janë ata që posedojnë heshtjen, ah
sa zili duhet të ju kemi atyre personave. Njeriu qe flet shumë nuk posedon
diçka të veçantë, pasi përmes llafeve krijon disa fjalë në të
shumtën e rasteve të pakuptimta. Po sjell një dialog në mes të një mjeku dhe të
nderuarit Dr. Ibrahim El Fekij në librin “Strategji të të menduarit” ku
mjeku i tregon zotit Fekij se kolegët e tij qeshin me të se ai në të shumtën e
kohës është në heshtje e nuk flet. Ji krenar që posedon këtë dhunti i
përgjigjet Z. Fekij, jo të gjithë mund ta kenë. Prandaj ju “dështak me fjalë të
shumta” mos i quani të dobët e të pa guxim ata që posedojnë heshtjen.
Përkundrazi ata janë të veçantë, të ditur, të sinqertë dhe plot fantazi.
Libri hapet konkretisht me poezinë që libri ka si titull. Një poezi ku
autori abstragon me veten, kohën, ambientin, rrethanat, situatat. Heshtja sipas
autorit ka limite, por është dhe domosdoshmëri. Limitet e heshtjes duhen thyer
kur ka gjëra të rëndësishme, kur në mes është dashuria dhe shprehjet e zemrës
duhet të dalin në pah. Pra rëndësia që I jep heshtjes por dhe ekuilibra me s
heshtjes dhe dialogut janë në qendër të vargut në këtë poezi kur dhe heshtja
duhet ët thuhet në emër të një lidhjeje, të një të ardhmeje, të një gjetje
gjuhe të përbashkët. Abstraktimi ka nëntekst që heshtja sa me vlerë është po aq
dhe delikate, ku duhet të ruhet simetria mes heshtjes dhe thënies së
fjalëve të shpirtit.
Mbrapa heshtjes, frik i
vrarë u end zhgënjimi,
Përbaltja e një shpirti
që frymë do të marr,
Absurdi i një kohe ku
vdekja ish fillimi,
Shpresa edhe jeta,
mbetën duke qar!
Kur heshtja e kalon
masën, sipas autorit “Shpresa edhe jeta, mbetën duke qar!”.
Një nga ese-të që më
mbërtheu në libër është:
“Më
mungon baba”
Ambienti ku autori është
edukuar është tjetër nga ambienti ku edukohen fëmijët e tij në emigracion. Në
vendlindje ke pasur farefisin, anëtarët e familjes dhe fqinjët, të cilët kanë
ndihmuar në kujdesin, rritjen, miqësinë dhe edukimin e fëmijëve. Dikur në
fëmijërinë e tij në fshat, autori rrëfen se fëmija ka pasur mundësi të mirë të
marrë shembuj dhe udhëzime të mira nga të rriturit e ndryshëm. Modeli i babait
është përcjellë nga brezi në brez thekson autori. Si në shtëpi ashtu edhe në
fqinjësi ka ekzistuar një shqyrtim i njëjtë i edukimit të fëmijëve. Por babai
mbetej shtylla e shtëpisë. Ai shihej si perëndia, drejtësia, fortësia,
korrektësia, besimi i madh në familje. Një thënie nga Mark Tuain për
babain e tij...: “Kur isha 14 vjeç, mendoja se babai im ishte kaq i paditur,
saqë më vinte turp të rrija pranë tij...Por, kur mbusha 21 vjeç unë mbeta i
habitur se sa shumë i ditur ishte ai”. Por, nga ana tjetër ja si shprehet
autori: “Më mungon shumë, më mungon një zë, një baba, një shok. Imazhi jot
ndodhet kudo...Më dëgjon kur flas, kur eci, kur teshti, më zgjatet si një dorë
të më përkëdhelë, të më mbrojë. Imazhi jot si një pasqyrë ku unë shoh veten dhe
them: Sa dua të të ngjaj!. I dua gjurmët e tua të eci mbi to, si një baba i
mirë, siç më mësoje të isha, i denjë për veten dhe familjen time. Më bëhet
ndonjëherë sikur zëri jot dëgjohet nga bahçja, në oborr, lartë në soletë sikur
më thërret të luajmë një dorë letra. Më mungon baba!”...
Një baba i jep fëmijës
së vet shumë mësime, në lidhje me çfarë është jeta, familja, puna, karakteri,
sinqeriteti, sakrifica… Babai ofron një kuptim esencial dhe
portretizon në sytë e rinj që pulisin përpara tij, jetën duke mësuar sesi
ajo duhet të trajtohet në çdo hap.
Malli
për atdheun...
Duke qenë në emigracion,
poeti ndjen një mall të pashoq për atdheun, fshatin e lindjes, kopshtet,
shtëpitë e vjetra, oborret e zhurmshme, fqinjët, bukën me sheqer, varfërinë,
miqësinë, lojërat, çdo gjë që e lidh me atdheun. Sinqeriteti i tij është i
pashoq, ndaj atij si vjen turp të thotë të vërtetën, varfërinë, thjeshtësinë,
problemet e kohës që shoqëronin atdheun po kjo nuk e bën atë ta përçmojë dhe ta
mohojë ATDHEUN. Në poezitë e tij aty në mërgim duket se lulet nuk kanë erë,
ngjyrë dhe asgjë s'ka shije. Të gjitha këto ndjesi vargëzon poeti i kemi lënë
aty, në atdheun e dashur. Njëherazi ai përcjell natyrshëm se
mërgimi duket se është një ilaç popullor shumë i mirë për ndërgjegjësimin, pasi
të bën të duash dhe të respektosh edhe ata që deri dje nuk ke folur. Të
merr malli për gurët e rrugës. Sa herë dëgjon fjalën Shqipëri, të mbushen sytë
me lot e zemra plot me dhimbje. Shumë shqiptarë u larguan nga atdheu për arsye
të ndryshme, nga gjendja ekonomike e politike. Këto i detyruan të iknin nga
vendi i tyre i dashur, i pakrahasueshëm dhe i pazëvendësueshëm dhe që tani nga
larg i bën më krenarë për atdheun e tyre. Ja si shprehet ai:
Vendlindjes
sime
Nuk jam nga ata,
Që të duan por shtiren,
Që shajnë e bërtasin,
Thërrasin dhe çirren.
Të dua kështu siç je,
Por dhe siç ke qenë,
Kudo dhe në çdo vend,
Një fjalë ta kam thënë:
I nënshtruar do mbetem,
Gjithmonë me ty,
Si një simbiozë e jetës.
Ne jemi dy!
Të gjithë shqiptarët që jetojnë larg kanë
mall për Shqipërinë, aq mall kam sa të gjitha ëndrrat i shohin me atdheun,
vendlindjen. Por ka edhe disa syresh që e mohojnë, i tremben të evidentohen si
shqipatrë aty ku jetojnë. Ndryshe ndodh me autorin….Ai ka mall dhe ky
mall sa vjen e shtohet, është mbi të gjitha mallet. Malli është një nga
vështirësitë më të mëdha që shqiptarët ndeshin në mërgim. Mërgimi është vuajtje
shpirti, ëndërr për mirëqënie por dhe zhgënjim njëkohësisht kur ndeshen
me racizëm. “Dashuria për atdheun është
topi që shkatërron kalatë më të forta dhe kalaja që mund t’u qëndrojë topave më
të fortë”- thotë Sami Frashëri.