Kulturë
Liri Pone Bele: Zoga
E diele, 23.08.2020, 02:45 PM
ZOGA
Nga
Liri Pone Bele
Zoga
lindi në janarin e vitit të shtatë të shek. XX në fshatin Mbrostar, fare pranë
qytetit. Ishte njëra nga tre fëmijët e familjes: vëllai, katër vjet më i madh
dhe motra tjetër, gjashtë vjet më e vogël se Zoga. Prindërit e tyre ishin tepër
të përkushtuar në punët e bujqësisë dhe po ashtu në mbarështimin e blegtorisë.
Të pesë anëtarët e familjes njihnin angazhimin e përditshëm në punë,
gatishmërinë për të, sforcimin fizik.
Të
gjitha këto arsye nuk lejonin asnjë mundësi zgjedhjeje për fëmijët, të cilët iu
nënshtruan kushteve reale të jetës, duke u privuar dhe nga argëtimet e moshës,
sepse e tillë ishte jeta. Në ara shkonin çdo ditë, mbasi fusha e paracaktuar
për t’u mbjellë me grurë, tërshërë apo misër në sezonin e vet, e kishte të domosdoshme pastrimin paraprak.
Kështu, hapeshin brazdat e thella nga parmenda e drejtuar prej dy buajve të
mëdhenj pune: një person i dytë pas parmendës, me kokën ulur dhe shikimin e
përqëndruar në vazhdën e porsahapur, nuk shkëputej as një moment e nuk i
largohej vijës së thellë.
Muajt
kalonin dhe specifikat e punëve bujqësore pasonin njëra-tjetrën. Filizat e
hollë dhe të gjelbër kërkonin ndihmën e një dore të kujdesshme, duheshin
prashitur e ujitur, duheshin hapur dhe kanalizimet përmes ugarit. Edhe muaj të
tjerë, deri në çastin e shumëpritur të korrjes, filizat kanë nevojë për shikime
ledhatuese, shprese e admiruese të panumërta, deri në ditën e shënuar të të
korrave. “Puna e burrave”, thënë
ndryshe, babai i shoqëruar hap pas hapi nga djali ende i parritur mirë,
përmblidhte edhe përkujdesin e tufës së
dhënve në kullotat jashtë fshatit. Nëna
mundohej të ishte një amvisë e mirë brënda hapësirës së shtëpisë, në
organizimin dhe përfundimin e detyrave të përditshme e të zakonshme, ndërsa
proceset e përpunimit të leshit, pambukut dhe lirit e detyronin të shoqërohej
dhe ndihmohej nga dy bijat e saj, Zoga dhe Sena.
Pamja
e jashtme e prindërve tërhiqte vëmendjen së largu: babai me një gjatësi
mesatare, por konstrukti i veçantë qëndronte në shpatullat e gjera; muskuj të
spikatur si në kraharor, krahë e parakrahë dhe veçanërisht te kofshët dhe
kërcinjtë që përfundonin në këmbët e gjëra, saqë me vështirësi përshtateshin
brënda opingave të mëdha. Pothuajse të njëjtën shëmbëlltyrë rrezatonte i biri,
por ishte tepër i gjatë, me pamje burrërore gati të parakohshme, me një shikim
të thellë, që dukej sikur të dinte saktësisht mendimin akoma të pashprehur të
bashkëbiseduesit dhe të përgatitej për t’i dhënë përgjigjen e duhur e të mënçme. Aktiviteti fizik i teskajshëm i
kishte dhuruar konstruktin e fuqishëm e të bukur, si të gdhendur nga dora e një
skulptori mjeshtër.
Nëna
prezantonte pamjen e një gruaje të heshtur, të qetë dhe, në tërësi, tiparet e
fytyrës së saj shprehnin mirësi e dashuri për njeriun. Edhe dy vajzat e reflektonin prejardhjen e
bukurisë prindërore. Zoga kishte trup të zhdërvjellët e të gjatë, fytyrë paksa
të gjerë, ku spikatnin sytë e errët me shikim zhbirues, rrethuar nga qerpikë të
gjatë, vetulla të trasha gështenjë, mbi të cilat, balli i lartë me ravijëzime
të mezikapshme të dy-tri vijave horizontale treguese paraprake të rrudhave të
parakohshme, si dëshmitare e jetës së vuajtur që do ta shoqëronte në të
ardhmen. Flokët e Zogës ishin të dëndur dhe të gjatë, të mbledhur në dy
gërsheta që zgjateshin prapa shpatullave, gati-gati afër belit të hollë, hunda
lehtësisht e ngritur në fundin e saj, buzët me ngjyrë të trandafiltë dhe qafa e
hollë që lidhte këndshëm trupin e bëshëm dhe të derdhur.
Vajza
tjetër, Sena (nëna ime), vinte më e vogël në trup, por me fytyrën tërheqëse, ku
spikaste shikimi i ëmbël, ledhatues dhe i mënçur , në të njëjtën kohë,
rrezatues i dëlirësisë njerëzore në më të lartën shkallë; një buzëqeshje e
lehtë pasqyruar në fytyrë dhe ngulitur në të, edhe kur pothuajse asnjë muskul
nuk bënte më të paktën lëvizje. Sena kishte konstruktin e një gruaje të kalitur
nga puna e përditshme në pa mundësi të zgjedhjes apo shmangies, edhe nëse puna
e tejkalonte kapacitetin e një femre në moshë të re. Tiparet e saj linin gjurmë
te çdokush, pamvarësisht se mund ta takonte për herë të parë. Natyra njerëzore
i kishte dhuruar cilësi të rralla: fliste pak, jepte përgjigjen e zgjuar, pasi
mendimi të ishte i përpunuar thellë në mëndje, por i shprehej bashkëfolësit
qartë, sikur të kishte marrë aprovimin prej një komande të brëndshme, supreme,
të panjohur prej askujt. Gjykimi i saj përherë pranohej dhe ishte e vështirë të
gjeje argumente kundërshtuese. Një tjetër cilësi e veçantë e prezantimit të
motrës së dytë tërhiqte vëmëndjen: dorëdhënësia, dëshira për t’i dhuruar një
tjetri sendin e munguar, domosdoshmërisht duke e shoqëruar me ndjenja të
sinqerta që jo rrallë i kalonin përmasat e së zakonshmes, shpesh mbi mundësitë
reale. Mirëkuptimi, afërsia shpirtërore dhe ndihma e ndërsjelltë i shoqëroi
përgjatë gjithë jetës së tyre. Duhet përmendur një fakt i rëndësishëm: motra,
nënë e shumë fëmijëve, falë ndihmës modeste (jo rrallë duke i kapërcyer
mundësitë ekonomike të Zogës) të pandara nga botëkuptimi i gjërë, zgjuarsia e
natyrshme dhe bujaria e saj, mundësoi përfundimin e shkollës së lartë të
fëmijëve në fakultete të ndryshme. Pra, të gjithë nipërit e mbesat e Zogës,për
çka ajo kishte ndihmuar, i ishin pafundësisht mirënjohës, e donin dhe e
respektonin, i bindeshin si nënës së vet. Shkollimi i lartë në ato vite ishte
pothuajse në skajin e të pamundurës për fëmijët e prindërve punëtorë në varfëri
ekstreme që kishin të vetmen detyrë para tyre: të mësonin dhe vetëm të
mësonin.
Çuditërisht, të dyja motrat rrezatonin bujari, mirësi në më të lartën
shkallë dhe me të njëjtën brëndësi, por me këndvështrim të dyfishtë: Zoga
shtrëngoi në gjirin e saj një fëmijë jetim, i fali jetë e dashuri; e motra
arriti pikën kulmore në vitet pas martese, kur i dhuroi kunatës së vet (që Zoti
nuk i fali një fëmijë), pa asnjë grimcë pendese njërin nga gjashtë fëmijët, vajzën
e vogël, kur kjo e fundit sapo mbushi një vjeç.
Sikur iu shkëput diçka nga shpirti i saj, në zemër pothuajse ju krijua
një plagë e thellë, deri në fund të jetës, si një përballje e rrallë, tepër e
vështirë midis dëshirës për t’i falur mirësi njeriut të afërm, por,
njëkohësisht duhej të pranonte pa kushte e në mënyrë të ndërgjegjshme se
vuajtja e shpirtit do të ishte përhere e gjallë sikurse, ashtu ndodhi.
Po.
Dhurimi i një fëmije, qoftë edhe më të afërmit njeri pranë vehtes, ka qënë e
mbetet akti më sublim për të hedhur rreze drite, ngrohtësi në zemrën e
pikëlluar të dikujt, episode përherë e më të rralla në ditët tona. Qëndrimi i
barabartë i dy motrave, sigurisht jo i rastësishëm, tregon saktë
trashëgueshmërinë e tipareve njerëzore të veçanta prej prindërve, tepër të respektuar.
U
mbajt mënd gjatë mendimi i një të afërmi të të dyja palëve që, duke vlerësuar
si sublim faljen e një fëmije pikërisht në ditën e shënuar të ndërprerjes së
qumështit nga gjiri mëmësor, arriti në konkluzion se më e lumtur ndihej
dhuruesja Sena, sesa e kunata, e cila pikërisht në ditët e
ardhshme, do ta shtrëngonte në duart e veta vogëlushen e ëndërruar, do shijonte
gëzimin e pakufijshëm dhe do t’i përulej me mirënjohje dhurueses. Mirëkuptimi i
motrave, ndihma reciproke në çastet e vështira, bindja pothuajse absolute e
motrës së vogël ndaj të madhes, i shoqëroi përgjatë gjithë jetës dhe sigurisht
ishte një nga gurët themeltarë të qëndresës së tyre, përballimit të cilësdo
situate të vështirë që do të hasnin përgjate gjithë viteve njeri pas tjetrit .
Puna
në fshat, së bashku dhe e mirëkuptuar prej të gjithë anëtarëve të familjes,
përcaktonte boshtin qëndror të saj. Në aspekte të tjera, ajo paraqitej
specifike, si punë që mund ti kryenin
vetëm burrat, sikurse kishte edhe procese pune vetëm për gratë, qartasi të
përcaktura .
Një
nga më të veçantat prej tyre ishte përpunimi i leshit të dhënve që sigurohej
nga tufa e deleve të shumta dhe të mirëmbajtura në kullota të lira, ndryshe nga
lopët, të cilat ushqeheshin në luadhe duke i
mbajtur lidhur me litarë, sikur t’u kontrollohej me saktësi hapësira e
lejuar për t’u shkelur nga këmbët e tyre ,lëvizjet e trupit apo të kokës. Leshi i dhënve, pasi të dy
burrat i kishin shëndoshur e kujdesur prej disa muajsh, niste një rrugë të
gjatë e të mundimshme, sepse duhej të kapërcente etapa të shumta të lidhura
midis tyre si hallkat e një zinxhiri të stërzgjatur, në përfundim të së cilës
pëllëmbët e duarve ashpërsoheshin, krijonin plasaritje të përhapura aq sa, në
prekje të tyre, pa i vështruar, të
krijohej përshtypja se po shtrëngoje një gorgë dheu nga ugari. Tufat e leshit
të deleve të qethura nga dy burrat i merrnin gratë, të cilat i lanin me duar,
me trupin të përkulur thellë përgjatë ditëve të tëra në govatën e madhe prej
dërrase pranë pusit në fund të oborrit, gjë tepër e vështirë për nënën,
kryesisht bijën e madhe e disi më lehtë për vajzën më të vogël në familje .
Më
tej vinte shkrifja në grumbuj të mëdhenj, aq sa nuk ishte e vështirë ta
shquanin së largu edhe kalimtarët në rrugën kryesore të fshatit. Shtëllungat
bardhoshe nisnin procesin e krehjes, të pasuar me tjerrjen në fije të
trashësive të ndryshme; pastaj ngjyrosja e litrave të trashë të shtrirë në
kazane që i vendosnin mbi këmbjet e hekurta sipër zjarreve përshkënditës dhe të
fuqishëm në mes të kasolles, siguruar nga drutë e lisit në përmasa të
pazakonshme, prerë në pyllin e përbashkët të fshatit. Ngjyrat bazë të
preferuara ishin e kuqja, e gjelbra, ngjyra blu, si dhe nuanca të ndërmjetme.
Angazhimi i përditshëm i tri femrave të shtëpisë fillonte herët në agim, sepse
me litrat e shumta formonin lëmshenj të madhësive të ndryshme, të gatshëm të
shpështilleshin në kërriga apo shtiza. Pjesa më e madhe e litrave i nënshtrohej
procesit të endjes në tezgjahun shumëvjeçar, pronë e hershme e shtëpisë, i
vendosur pranë dritares dykanatëshe e të gjerë në dhomën që shërbente si
grumbulluese dhe ruajtëse e sendeve të vlefshme.
Procesi
i endjes në tezgjah zgjaste me javë e muaj dhe pastaj shiheshin rezultatet
mahnitëse e gati të paimagjinueshme, të shprehura në formë motivesh
nënkuptuese, figura gjeometrike të përsëritura, shëmbëlltyra të luleve të
bukura e të porsaçelura. E gjithë lodhja dhe koha e harxhuar nuk llogaritej më.
Gjithçka ishte arritur falë lëvizjes së shpejtë, kërcitëse dhe të zhdërvjellët
nga e djathta në të majtë dhe anasjelltas të një sovajke të vogël, të cilës i
mohohej edhe çasti më i shkurtër i pushimit. Kështu prodhoheshin dhe qilima me
pamje artistike, si të ishin krijime të rralla antike, marrë në ndonjë
ekspozitë punimesh mesdhetare. Midis shumë prodhimeve të endura, gjeje edhe
formate të veçanta. Ishin “qilimat me flokë”, siç i quanim, që kishin veçanti
si nga dëndësia e stukturës, ashtu dhe nga sasia e përmbajtjes së leshit, ndër
më të vlerësuarit dhe ndër më të përdorshmit në praktikën e përditshme. Po
ashtu, tezgjahu siguronte thurjen e mbulesave të trasha, velenxa, të cilat i
japin ngrohtësi trupit të njeriut, nëse mbulohet me të gjatë stinës së ftohtë.
Një tjetër produkt i punës në tezgjah, ishin përparëset e gjata apo neçe, veshje tipike për femra në Myzeqe,
deri poshtë gjunjëve, që shkonin deri në kufirin e sipërm të çorapeve të
leshta. Gjithashtu, në tezgjah prodhohej dhe shalli që përdorej për të
mbështjellë gushën a për ta vendosur sipër kokës në ditët me shi (atëherë
ombrella ishte objekt i panjohur). Ndërsa shajaku, edhe ky produkt i endjes së
leshit ne tezgjah, përfaqësonte materialin bazë të veshjes së meshkujve si për
xhaketa, dhe për pantallona apo “qillota”, mjeshtërisht të puthitura pas
kërcirit, deri në lartësinë e gjurit, me një radhë kopsash. Pikërisht në
pozicionin e gjurit, ato zgjerohen konsiderueshëm përgjatë kofshës në funksion të ecjes dhe
lëvizjeve të trupit. Të leshta ishin edhe kapelet me strehë të gjerë, të qepura
me një gjilpërë të posaçme nga duart e nënës dhe vajzave. Sigurisht makina
qepëse mungonte, por veshja e ngrohtë dhe natyrale ishte e vetmja mbrojtëse e
sigurt ndaj uljes së temperaturës, lagështisë së pranishme dhe ngricës
tejzgjatur të stinës së dimrit në Myzeqe. Përgjatë muajve të ngrohtë e të
nxehtë të vitit, përdoreshin veshje të linjta, të pambukta, edhe këto prodhuar
përmes një sforcimi fizik të të gjithë pjesëtarëve të familjes. Zoga dhe e
motra ndihmonin nënën e tyre dhe pikërisht kjo ishte arsyeja që ato njohën qysh
në fëmijërinë e hershme mbilodhjen, gatishmërinë, angazhimin e përditshëm në
punë, pa pasur asnjë mundësi tjetër zgjedhjeje dhe duke e ndërgjegjësuar nënshtrimin ndaj
kushteve reale të jetës në fshat, çka i detyronte të pranonin mohimin e kohës
së lirë. Jeta ishte e vështirë dhe e mundimshe, sidomos pas largimit nga
shtëpia të djalit të vetëm. Pra, e gjithë familja fillonte punën këmbëngulëse,
lindur dhe forcuar jo pa vështirësi në po ato ngastra toke, rrethuar nga
rreshta kallamash, ferra të dëndura e të pakapërcyeshme, sapo dielli përhapte
në horizont rrezet e para vezulluese.
Po
e njëjta gjë dhe në ditë të tjera me rè të errëta të përhapura në qiellin e
pamatë, shoqëruar me mjegull të dëndur, që lëvizte pa drejtim midis tij dhe
tokës, duke penguar depërtimin e asaj drite jetëdhënëse, por jo punën e nisur,
sikur të donte t’i përshëndeste me dashamirësi dhe t’u uronte mbarësi, si të
respektonte përkushtimin e tyre të pamasë, përballjen me cilëndo situatë,
shpesh të paparashikueshme. Puna mund të përfundonte jo përherë pas perëndimit
të diellit, a thua ishte arritur një marrëveshje e ndërsjelltë, se pas disa
orësh do të shiheshin sërish midis tyre ,do të përshëndeteshin duke uruar punë
të mbarë.
Teksa
vitet ndiqnin njëri-tjetrin, Gori la pas fëmijërinë dhe gjatë adoleshencës
mësoi të lexonte në mënyrë autodidakte. Shpejt nisi të kishte dhe të shprehte
mendime përparimtare për kohën, por edhe të rrezikshme, po të kihet parasysh
sistemi i kohës. Ishin mendime që binin ndesh me shumicën, por që gjenin
mirëkuptim me disa djem në moshë të re banues në fshatrat pranë. Ata u përpoqën
së bashku të zgjeronin rrethin e pjesëmarrësve në takimet e organizuara me
kujdes. Këto pikëpamje të guximshme, shoqëruar edhe me veprime pozitive,
tërhoqën vëmëndjen e drejtuesit të fshatit, i cili në zbatim të rregullores dhe
në bashkëpunim me xhandarmërinë, pas një periudhe vëzhgimi dhe përndjekjeje të rreptë, nxori
vendimin e prerë ta burgosnin. Gori e gjykoi realisht me durim dhe
mendjemprehtësi situatën e krijuar. Përpara tij shiheshin qartë dy rrugë: e para, të dënohej dhe, për
ta shlyer atë, duhej të qëndronte pas hekurave për shumë e shumë vjet, por
fundi mund të ishte i paparashikueshëm; e dyta, të largohej pa rënë në sy, sa
më shpejt dhe sa më larg në një vend të panjohur, udhëtim i cili mund të
shoqërohej me probleme të shumta e jo pak të rrezikshme. Njëkohësisht, ai po
përjetonte në shpirt dhëmbjen e thellë, hidhërimin pa kufi, plagët në zëmrën e
nënës, babait dhe motrave, kur të
mësonin se biri i dashur i familjes, i shtrenjti vëlla, nuk do të ulej ditëve
të ardhshme në sofrën e shtruar pranë vatrës së ngrohtë së bashku me ta. Ai nuk
do të ishte pjesëtar në punët e përbashkëta apo i atyre të veçanta. Kush do të
shkurtonte drutë e zjarrit, kush do të korrte grurin dhe misrin në ara, kush do
të mbante mbi supe thesin e rëndë me bereqet për ta bluar në mullirin e gurtë
dhe për të gatuar brumin në magje, më pas tava e madhe e pjekur mbi zjarr nën kupolën e hekurt të çerepit çudibërës
shoqëruar me aromën e këndshme të bukës
së ngrohtë? Ah, po mullarët me kashtë apo barin e kositur prapa shtëpisë me të
cilin siguronin ushqimin e domosdoshëm për bagëtitë gjatë dimrit?
E
sa e sa të tjera punë…. por mbi gjithçka qëndronte shpirti i plagosur i të dyja
palëve dhe për asnjërën nga pyetjet e shumta nuk mund të përgjigjej. Nga ana
tjetër, e kishte të pamundur të parashikonte se si do t’ia dilte i vetëm jetës
së panjohur në një vënd të huaj, nuk ishte i sigurt nëse do të rikthehej pranë
familjes një ditë dhe sa kohë do të kalonte pa u parë me njëri-tjetrin. A do të
mundnin t’i rezistonin ndarjes? Mendime të shumta e ndjenja të pështjelluara…
Koha
kalonte, asnjë mënyrë komunikimi me familjen, për disa arsye, por më kryesorja
ngaqë ai njihej si person i përndjekur nga regjimi i kohës. Situata mbeti tejet
e vështirë, shpresat për t’u kthyer e për t’u takuar me njerëzit e çmuar u
venitën, vendlindja u kthye në një ëndërr të përsëritur ditën e natën. Para
vetes nuk shihte as më të voglën mundësi ndihme, sepse rrethanat e krijuara e
kishin detyruar të largohej me kujdes e në fshehtësi, aq sa nuk dihej prej
askujt vëndqëndrimi i tij. Vitet radhazi ndiqnin njëri-tjetrën. Kaluan kështu
disa dekada dhe koha bëhej përherë e më pikëlluese, shtypëse dhe enigmatike për
të dyja palët. Shumë kohë më vonë, familja mësoi se djali jetonte në Amerikë,
por asnjë informacion më tepër për shëndetin e tij, mënyrën e jetesës dhe
mundësitë e përballimit të saj. Gjithë kjo bënte që pikëpyetjet të ishin të
panumërta dhe shqetësuese. Më pas u shpërngul në Maqedoni, me shpresën e
pashuar të jetonte sa më afër atdheut, duke mos i ndërprerë përpjekjet për të
realizuar takimin me prindërit dhe motrat, çka fatkeqësisht mbeti e
parealizuar. Deri në fund të jetës nuk mundi t’i shihte, t’i përqafonte
njerëzit më të shtrenjtë , të shkelte me hapa tashmë burrërore, rrugëzat e
shtruara me gurëz të vegjël të fëmijërisë, të hipte në arrën e madhe
shumëvjeçare dhe nga maja e saj të shihte me kënaqësi pamjen tërheqëse të
fushave të gjelbra në formë katrorësh të stërmëdhenj. Soditjen e këndshme e
shoqëronin edhe disa çaste të sjelljes çapkëne, si fërshëllima e ngjashme me
atë të zërit të bilbilit apo kur me disa arra të mëdha të përzgjedhura godiste
kalimtarët e rastit që ngrinin kokën të habitur, sepse pema kishte njëfarë
largësie nga rruga kryesore. Por shpejt mërzitja u zëvendësohej me buzëqeshjen
sapo merrnin disa syresh në njërën dorë, duke e pasuar me ngritjen lart të
tundjes së lehtë të dorës tjetër, si një përshëndetje miqësore.
Dëshira
për t’u kthyer në familje apo thjesht një takim fare i shkurtër, shoqëruar me
rrahje zëmre të shpejta, me përqafime dhe shtrëngime në gjoksin e prindërve
shoqëruar me rrëshqitjen e lotëve në faqe dhe ngashërimet e thella, mbetën
ëndrra të parealizuara. Nëna e Gorit, gjithë viteve të jetës së saj të gjatë,
pas largimit të të birit, çdo natë para gjumit i falej me sy të lagur nga lotët e me një frymëmarrje
të mekur një fotografie të tij, puthitur në një kornizë të vjetëruar e të
vendosur në anën e djathtë të oxhakut, rreth 1 metër lart, pikërisht mbi
shtratin e drunjtë. Shikimit të saj të përvuajtur e të përqëndruar i dukej
sikur kishte para vehtes shëmbëlltyrën e një shenjti, sepse pamja shprehte në
të njëjtën kohë lutje nga thellësia e shpirtit, urime të sinqerta sikundër
zëmra e nënës uron birin e shtrënjtë, shpresën e pashuar se do ta përqafonte në
një çast të vetëm të jetës së saj të brengosur. Fatkeqësisht, dëshira nuk u
plotësua, lutjet e panumërta nuk u dëgjuan kurrë. E njëjta gjëndje shpirtërore,
hidhërim i tejskajshëm, kishte zaptuar edhe babanë e Gorit, aq sa bisedat e
tyre u zëvendësuan thjesht me pyetje-përgjigje. Harruan të buzëqeshnin, takimet
me të tjerë njerëz të afërt dhe bashkëfshatarë u rralluan, porta pothuajse e
shkatërruar hapej më të rrallë. Tashmë, pesha tepër e rëndë e jetës së familjes
u përqendrua tërësisht mbi supet e vajzës së madhe, edhe pse e motra nuk
shmangej.
Kështu,
Zoga, akoma adoleshente, shumë shpejt njohu vështirësitë e punëve bujqësore
(profilin e leshpunueses e kishte përvetësuar vite më parë), sakrificën dhe
dashurinë për njerëzit e afërt në lidhje gjaku apo thjesht bashkëfshatarë. Ajo,
në këtë mënyrë po plotësonte ato detyra që babai i saj, i tjetërsuar mbas
humbjes së djalit, e kishte të pamundur t’i vazhdonte më tej. Nga dita në ditë,
Zoga prezantohej në jetën e fshatit si një vajzë praktike, e papërtuar, e
sjellshme, korrekte, shpirtërisht e pasur, me ndjenja e me një karakter të
fortë, i paraprirë nga një pamje e jashtme që binte në sy që së largu. Njohja
dhe vlerësimi i këtyre tipareve kapërcyen kufijtë e fshatit të lindjes e
banimit, duke e paraqitur atë si një person të kërkuar për shoqe jete jo vetëm
brënda banorëve të Mbrostarit, por edhe nga djem të tjerë me banim në qytetin
tonë. Pozicioni i veçantë në të cilin ndodhej, si një kujdestare e familjes, e
ndërgjegjësonte Zogën ndaj një vendimi të tillë. Ajo i shpërfillte propozimet e
shumta për martesë, pasi largimi nga të afërmit për të filluar një jetë të re,
do të shtonte vështirësitë në familjen e saj, që e kishte aq të domosdoshme
ndihmën e Zogës.
Një
ditë erdhi momenti kur kërkesat e përsëritura nga një familje fisnike fierake
morën miratimin e saj. Zoga u mirëprit në mjedisin e ri e të panjohur më parë
me përzemërsi dhe respekt, si një nuse e re, e bukur, e papërtuar, fjalëpakë.
Ajo ishte e gatshme të kryente çdo punë që i dilte përpara saj, pavarësisht
mungesës së mëparshme të eksperiencës, madje edhe kur ndonjë punë kishte
specifikën e vet disi më ndryshe nga ato të shumëllojshmet të kryera prej
vitesh në shtëpinë atërore.
Jeta
bashkëshortore, e lumtur dhe me ecuri të natyrshme, i fali vajzën e parë dhe
tre vjet më vonë ajo mori dhuratën përrallore: një motër e vogël lëkundej në
djepin e bukur, gati artistik, falë një punimi me mjeshtëri të një pikture në
pjesën ballore, tepër mbresëlënëse. Gjithçka shkonte mbarë, derisa një ditë
sëmundja e kolerës, në mënyrë krejt të papritur e pa më të paktin informacion
të banorëve rreth prezantimit, mjekimit dhe pasojave të saj, po përhapej me
shpejtësi brenda qytetit tonë, duke marrë jetën e një numri jo të vogël
qytetarësh, pa dallim moshe e gjinie. Një nga mizoritë e ditëve të para ishte
ndarja nga jeta e vajzës së parë të Zogës, e cila atë javë sapo kishte mbushur
7 vjeç. Dhëmbja shpirtërore e nënës ishte e tejskajshme, e papërshkrueshme dhe
në ditët në vijim ajo mori një vendim të rëndësishëm: të lutej e t’i falej
Shenjtit për ruajtjen e shëndetit të vajzës së dytë, në kishën e njohur të
qytetit fqinj. Çuditërisht, pikërisht atje i pëshpëritën se të njëjtën moshë me
motrën e madhe do të kishte edhe vajza tjetër kur do të ndërronte jetë krejt
papritur, gjë që ndodhi realisht nga një tjetër shkak i cili mbeti i panjohur
në atë periudhë kohe, një fatalitet i
pashmangshëm që e përjetuan disa familje fatkeqe padrejtësisht, pasojë e
nivelit mjekësor diagnostikues të ulët.
E
vetme, Zoga përjetonte vuajtje të
thella, çnjerëzore, të pamerituara të cilat arritën lartësi qiellore kur pak
kohë më vonë i shoqi, me profesion ndërtues, ndërroi jetë aksidentalisht, pas
një goditjeje të fuqishme të një trari të shkëputur nga çatia e një godine në
ndërtim e sipër në qendër të qytetit. Gjithçka u vlerësua si gabim njerëzor,
një pakujdesi e një tjetër punëtori. Pas kësaj humbjeje tragjike, jeta e Zogës
u bë e zbrazët, e zbehtë dhe e vajtueshme. Flinte pak, aq sa nuk mund të
kuptonte nëse do të mund të qetësohej, të largonte lotët gjatë atyre pak orëve
kur trupi i saj qëndronte shtrirë në vetmi në shtratin bashkëshortor, që tashmë
i dukej i stërmadh në atë dhomë të akullt të zhytur në heshtjen pikëlluese.
Shpesh i dukej se në dhomë shihte siluetat e të bijave, duke lëvizur brënda
saj, veçmas apo dhe duke luajtur midis tyre; herë pas here i bëhej sikur vajzat
grindeshin kush t’i rrëmbente tjetrës nga dora topin apo kukullën më të bukur,
ato kukulla që i kishte stisur vetë Zoga nga copa basmash të zgjedhura e me
ngjyra të spikatura… Pastaj i krijohej ndjesia sikur të bijat kërkonin ndihmën
e saj dhe ngrihej me vrull duke vrapuar nëpër dhomë, kthente kokën e trupin në
drejtim nga i bëhej se dëgjonte zërat engjëllorë… Pastaj heshtja tinëzare
zaptonte gjithçka me shpejtësi, duke lënë pas premtimin e vakët se sërish
motrat, pas pak, do të shkonin përmes dhomës dhe zërat e tyre të gjallë, me atë
të tingull aq të ëmbël dhe melodioz, do
të mbushnin dhomën e përmes dritareve të hapura do të ngriheshin mbi pemët e
shumta në oborr duke lëkundur lehtë gjethet e freskëta, si të ishte duke ardhur
ai flladi i këndshëm dhe çlodhës pranveror. Por të gjitha ishin vegime të një
jete tanimë të përmbysur…
Çaste
të tilla ishin rraskapitëse veçanërisht përgjatë natës, kur gjumi mund ta zinte
rreth dy orë pasi ishte shtrirë në shtrat. Bënte një gjumë të trazuar dhe
shpesh nuk përcaktonte dot nëse, ishte zgjuar apo ndodhej mes një ëndrre të frikshme e tronditëse.
Ndihej e zhytur thellë në botën e pikëllimit, pa mundur të shihte një rreze
dielli tej në horizontin e paanë, pa mundur të jetonte normalisht e duke
harruar se ç’ishin gëzimi dhe shpresa. Pas përvjetorit të tretë të vdekjes së
bashkëshortit, ajo gjykoi se duhej të ecte me hapa të ngadalshëm sadopak
përpara si gjithë njerëzit e tjerë. Pikërisht për këtë arsye pranoi të martohej
me një burrë rreth të pesëdhjetave, me profesion mekanik. Ai ishte njeri
punëtor, një bashkëfshatar i saj i dikurshëm dhe qe treguar më këmbëngulës se
të tjerët në kërkesën e për t’u martuar me Zogën. Por shumë shpejt Zoga do të
pendohej për hapin e ri të hedhur në jetën e saj, aq të rrënuar shpirtërisht.
Ajo konstatoi me keqardhje se gjithçka kishte ndryshuar, pa e kuptuar as vetë,
dhe qe transformuar në një tjetër grua. Ndjenjat i ishin mekur dhe ajo nuk mund
të përfaqësonte më tej, bashkëshorten. Ndonëse përpiqej, e kishte të pamundur
të jetonte normalisht dhe nuk arrinte të gjente asnjë thërrime lumturie në
familjen e re. Sa të vështirë e kishte të përshtatej! Mosmarrëveshjet me
bashkëshortin po shtoheshin dita-ditës. Zoga ishte e ndërgjegjshme për
përgjegjësinë personale në grindjet e shpeshta, ndërsa i shoqi mundohej të mos
bënte shamatë. Marrëdhënia e tyre u zvarrit rreth dy vjet, me shpresën se do të
ndryshonin dhe do të normalizohej gjithçka, por qe e pa mundur, sepse ditët e
zymta ndiqnin njëra-tjetrën me të njëjtën pamje e përmbajtje.
E
vetmja grimcë gëzimi dhe zbavitjeje ishte periudha e kohës së vizitave në shtëpinë prindërore, përherë e më të
shpeshta. Ato çaste e qetësonin, i krijonin disi një shkëputje të shkurtër nga
hidhërimi tashmë i shumëfishtë. Ndodhej në mesin e moshës së një jete të
venitur. Rrethanat e detyruan të rikthehej në shtëpinë e mëparshme, në lagjen
“Belik”, njëra nga më të vjetrat dhe themeluese e qytetit, ku vite më parë pati
zbritur nga pajtoni si nuse e re. Shtëpia e vjetër sikur u gjallërua sapo Zoga
hapi derën e korridorit të errët e aq të ngushtë, saqë mund të krijonte vetëm
lidhjen e dy dhomave. Papritmas u shtang dhe u detyrua të qëndronte një çast në
pragun e ngritur dy-tre gjishtërinj, sepse drita e dëborës së rënë ditë më parë
nxori në pah mjerimin dhe vobektësinë në mënyrë të pamëshirshme. Ishte një
boshësi e tejskajëshme, si të donte të fshihte ato pak gjurmë dhe kujtime të
bukura të viteve të shkuara. Në mes të atij mjedisi të mirënjohur për të, Zoga
nisi të arsyetonte me gjakftohtësi. Iu duk se në thellësi të shpirtit njohu një
parandjenjë që në ditët e mëvonshme jeta do t’i dhuronte grimca gëzimi. Mos
vallë po përballej me parimin e njohur, sipas të cilit në vdekjen e së vjetrës
fshihet kurdoherë lindja e së resë?
Ajo
e kishte vështruar jetën në sy, kurdoherë duke e pranuar atë me tërë hidhërimet
dhe sfidat e saj. Në të njëjtën kohë, përballja me këtë skamje reale nxiti te
Zoga njërën nga tiparet përkatëse të saj: dëshirën për punë dhe qëndresën ndaj
vështirësive. Pa vonesë, iu përkushtua rregullimit të shtëpisë, brenda e jashtë
saj. Pas një pune sforcuese, e pa të arsyeshme të takohej me mikeshën e vjetër,
banuese në fundin e rrugicës. Me të mirëkuptohej dhe, për më tepër, ajo i
kishte qëndruar shpirtërisht pranë Zogës në momentet kulmuese të dëshpërimit.
Lena, amvisë e përkryer dhe e së njëjtës moshë me Zogën, ndonëse tepër e zënë
si rrobaqepëse (profesioni i garantohej nga një makinë qepëse e drejtuar me
dorën e djathtë të saj), atë pak kohë të lirë ia përkushtonte Zogës. Sikur të
ishte e mundur që cilësitë pozitive të dy grave të shkriheshin në një trup të
vetëm, atëherë me siguri do të formohej figura e gruas së përkryer. Ato
plotësonin njëra-tjetrën në sjellje, mendime dhe veprime.
Një
tjetër problem i vështirë ishte gjendja reale e prindërve, të cilët, me kalimin
e viteve, nuk po mundeshin të punonin në ara si dikur, as të përpunonin leshin
e pambukun. Ata kanoseshin nga varfëria, ndonëse vajza e dytë bënte të
pamundurën të siguronte një jetesë të thjeshtë për familjen, me ndershmëri dhe
djersën e ballit.
Dihet
mirë se njeriu punëtor e kërkon vetë punën, kudo të jetë, në çfarëdo forme të
prezantohet ajo: e tejzgjatur në kohë, e shoqëruar me mbilodhje, në stinën
përvëluese të verës apo dhe dimrit të akullt. E vetmja mundësi para Zogës ishte
punësimi si rrobalarëse në një familje me shumë anëtarë diku pranë shtëpisë.
Shumë shpejt ajo filloi të punonte dhe në të tjera familje që banonin në të
njëjtën rrugë, me ndihmën e të vetmit mjet larës cilësor të kohës, finjën, një
produkt i fituar nga përpunimi i hirit mbas djegies së druve, sidomos atyre të
lisit. Ndihmësja e vetme ishte një karrocë dore që transportonte rrobat e
vendosura në kanistra zhuke të përpunuara mjeshtërisht, duke mundësuar edhe
shpërlarjen e tyre në ujin e pastër e të rrjedhshëm të lumit Gjanicë. Zoga
zbriste bashkë me amvisa të tjera në rrugëzën e pjerrët e me dredhka, në anën e
djathtë të Gjanicës. Rrjedha e qetë e lumit, me pasqyrimin e këndshëm të
nuancave të ngjyrës së gjelbër në afërsi të bregut me shkurre apo kaltërsisë së
ëmbël të qiellit dhe retë e bardha me forma të shumta, bëheshin nxitëse të
imagjinatës. Bukuria e pamjes së papërsëritshme dhe mjegulla e dëndur nuk e
pengonin aspak diellin të prekte me rrezet e tij të ngrohta rrjedhën e ujit, si
të përshëndeste e të mirëpriste me bujari gratë punëtore dhe fëmijët që mësonin
notin dhe zhvillonin shpesh gara, midis tyre.
Koha
kalonte. Një kthesë e vogël në jetën monotone të Zogës e bëri të fortë, të
ndihej e ripërtërirë, e dobishme dhe me forca të reja, në përputhje të plotë me
zemërgjerësinë e saj, tashmë të mirënjohur. Ajo mësoi se një fëmijë, ende pa
mbushur një vjeç, diku në periferi të qytetit, mbeti pa prindër, për shkak të
një fatkeqësie. Sapo njohu ngjarjen, Zoga vendosi ta birësonte, t’i dhuronte
dashurinë e nënës dhe të krijonte një familje të re me atë fëmijë. Ishte vajzë
dhe Zoga e pagëzoi me emrin Ana. Përkushtimi shpirtëror dhe kujdesi i
përditshëm për vogëlushen dukej se po ndriçonin lehtësisht jetën e saj të
mbyllur e të heshtur, duke u shkrirë në një objekt konkret e të vetëm, të
ngrohtë e të rëndësishëm, shpirtërisht të prekshëm, pjesëza të jetës së
dikurshme, të kaluara me mbresa të këndshme ,aktuale.
Po,
tashmë Zoga mbante në duart e veta një fëmijë të shtrenjtë, e shtrëngonte fort
në kraharor dhe ndjesia e rrahjeve të shpeshta e përkëdhelëse pranë zemrës së
saj e lumturonte dhe njëkohësisht e lejonte të hidhte vështrime në të ardhmen.
I dukej se e shkuara kishte mbetur pas, një largësi e dobishme, sado e vogël në
dukje.
Mundësia
e fillimit të punës si pastruese në njërën nga shkollat e qytetit u vlerësua
prej saj si një dhuratë e rrallë, sepse dita kalonte e këndshme mes gjallërisë
së nxënësve të shumtë në shkollën 7-vjeçare.
Gjatë
kohës kur zhvillohej mësimi, Zoga pastronte korridorin e gjatë, në dy anët e të
cilit renditeshin klasat fillore, pastaj vijonte me shkallët dhe katin e dytë,
ku zhvillonin mësim klasat nga e pesta në të shtatën. Shkolla numër 2 kishte
mjedise të shumta: palestra e kompletuar dhe frekuentuar paradite e pasdite,
oborri rrethues me përmasa të gjera ku Zoga ujiste lulet dhe pastronte gjethet
e rëna nga pemët e vogla – pra, të gjitha kërkonin përkujdesjen e saj. Dhe Zoga
ishte e përkushtuar, e papërtuar dhe e vëmendshme gjer në detaje për gjithçka
që kishte të bënte me punën e saj.
Ndërkohë,
gjendja shëndetësore e babait të moshuar tregonte shënja jo të mira. Zoga e
ndiente për detyrë t’i shihte më shpesh prindërit dhe t’u shërbente në kohë më
të zgjatur. Këtë gjë duhej ta bënte pas mbarimit të punës, atëherë kur dita
zëvendësohej shpejt me orët e natës. Rruga drejt Mbrostarit nuk kishte as më të
voglin ndriçim dhe vetëmbrojtja ishte një nga treguesit e zgjuarsisë së Zogës.
Ajo vishej me një kostum burrash, për t’u dukur së largu si një kalimtar
mashkull, vendoste një kordon në formë laku mbi supin e djathtë, në lartësi mbi
dy pëllëmbë shihej një shufër hekuri me fund të dyfishtë dhe e mbështjellë me
një copë të errët, që e mbante për të krijuar së largu përshtypjen e një
dyfeku. S’kishte si të vepronte ndryshe një grua që ecte në rrugicat e errëta
në ato orë të natës, për t’u mbrojtur nga ngacmimet e mundshme të kalimtarëve
të vonuar. Jeta vazhdonte, por ndryshe nga vitet e shkuara, tashmë ishte e
mbushur me episode të bukura dhe të gëzueshme, falë vogëlushes, që, sapo
dëgjonte zhurmën e hapjes së portës, vraponte t’i hidhej në qafë së ëmës, e
shtrëngonte fort me të dyja duart, e puthte me dashuri dhe, duke folur shpejt e
pa pritur përgjigje për pyetjet e shumta që bënte, ashtu e pashkëputur nga
krahët e saj, e shoqëronte kudo nëpër shtëpi.
Ana e ndiente, e përjetonte përparësinë e pranisë në shpirtin e Zogës,
faktin e padiskutueshëm se ishte duke plotësuar mungesën e padrejtë të
lumturisë në zemrën e një nëne të vuajtur. Orët e mbrëmjes, pas darke, i
pasonte gjumi i qetë në shtratin e përbashkët, shtrënguar përherë në krahët e
njëra-tjetrës.
Vitet
kalonin njëri pas tjetrit. Ana e rrethuar me dashurinë e një nëne të vërtetë,
shoqëruar edhe me atë të të afërmve rreth saj, po rritej nga dita në ditë, duke
u shfaqur një vajzë e bukur me sy të zinj, lehtësisht të zgjatur anash, me një
shkëlqim të ëmbël, si të rrezatonin edhe nuancën gri vezulluese. Kurora e
flokëve kaçurrela, po ashtu te zeza, rrethonin hijshëm ballin e lartë dhe të
gjerë dhe zgjateshin shpërndarë nga mbrapa kokës e mbi shpatulla, duke u
lëkundur këndshëm, sidomos kur flladi i erës i përhapte sa djathtas e majtas.
Po aq të tërhiqnin me bukurinë e tyre dy gërsheta të trashë, rreth dy pëllëmbë
poshtë supeve. Hunda e drejtë dhe e mprehtë harmonizohej në fytyrën e bardhë me
lëkurë të lëmuar. Faqet kishin një nuancë rozë; në të djathtë i krijohej një
gropëz e vogël sa herë që shqiptonte rrokjen e parë të fjalës. Buzët e fryra
tregonin natyrshëm formën e tyre lehtësisht harkore dhe buzëqeshja e ëmbël i
nxirrte në pah dhëmbët e bardhë dhe rrezëllitës. Shtati i saj ishte i gjatë,
supe të ngritura dhe këmbë të holla, si të gdhëndura mjeshtërisht. Ishte
tërheqëse dhe kujtdo që do ta shihte, do t’i mbeteshin në mendje tiparet e
fytyrës vezake dhe ecja e lehtë, aq e ngjashme me fillimin e një valsi të ëmbël
të mbrëmjeve rinore…
Ana
tregohej e zellshme në mësime, kishte zgjuarsi të natyrshme dhe shumë shpejt u
vlerësua si një nxënëse e shkëlqyer, duke merituar vendin e parë në tabelën e
nderit të klasës. Vitet ia linin radhën njëri-tjetrit dhe Zoga lumturohej tek e
shihte të rritej me një bukuri të rrallë. Edhe Ana ndihej mirë me fizikun e vet.
Por koha sjell ndryshime. Pak nga pak, ajo qetësia e fillimit, harmonia dhe
konsolidimi i familjes së krijuar nga Zoga dhe Ana, nuk ish më e
dikurshmja. Një marrëdhënie e re po
krijohej mes tyre. Nëna, përherë e dhëmbshur, zemërbutë, që bëhej copë të plotësonte
çdo dëshirë të Anës gjer atëherë, nisi të tregohej e ashpër, e pushtetshme dhe
kontrolluese në veprimet e vajzës, kudo: në shkollë dhe jashtë saj.
Mospërputhjet
në mendime po shtoheshin, sepse Zoga dëshironte me shpirt të rriste një vajzë
të edukuar, të sjellshme në shoqëri, të lexonte njërin pas tjetrit gjithë
librat e përzgjedhur në bibliotekën e qytetit, duke qënë njëra nga anëtaret e
rregullta të saj, të kishte një horizont të gjerë dijesh dhe kulture, duke
hapur para vetes rrugën e sigurt të shkollimit të lartë në profilin e preferuar
prej saj. Në punët e shtëpisë, Ana pothuajse nuk e ndihmonte fare nënën.
Edhe nëse ishte e gatshme në pritje të
këshillave praktike dhe zbatimit të tyre në punët e kuzhinës, trokitjet e
përsëritura të shoqeve në portën e oborrit
jepnin sinjalin se do shëtisnin apo do të shkonin në kinemanë verore të
qytetit, për të parë filmin e fundit që shfaqej. Një mbasdite, Zoga qe kthyer e
lodhur në shtëpi nga një punë shtesë që kishte bërë. Ajo i kërkoi Anës që ta
ndihmonte në bërjen e finjës për të larë, por vajza, për shkak të mungesës së
prakticitetit dhe zellit të pakët, nuk e realizoi dot në cilësinë e duhur.
Atëherë nëna e qortoi ashpër, gati me fjalë fyese, duke i kujtuar se si mund të
ishte nxënëse e dalluar në mësime, kur nuk dinte të përfitonte më të thjeshtin
mjet praktik për larjen e teshave. Në moment, vajza e prekur thellë
shpirtërisht, u përball e qetë me vërejtjen, por edhe u vetëmbrojt me zgjuarsi,
duke mos e shkëputur shikimin nga sytë e nënës:
-
Në shkollë mësoj mirë dhe dihet që jam e para e klasës… Ne atje lexojmë,
shkruajmë e mësojmë dhe nuk lajmë rroba…
Zoga
ia ktheu me një ton ironik, për më tepër me përmbajtje nënkuptuese të thellë:
-
Po më lë pa mend! Çudi e madhe! Kur ti nuk je e zonja për një punë kaq të
thjeshtë në shtëpi, ndërsa në shkollë vlerësohesh si e para nga shoqet dhe
shokët e tu, medet, ata qenkan fare për t’u lidhur me litarë…
Pastaj
pllakosi heshtja. Ana uli kokën dhe e pa të arësyeshme të mos debatonin më tej,
sikur ta ndjente se diçka trishtuese mund të pasonte. Thjesht po përpiqej të
kuptonte se ndoshta mosmarrëveshjet midis tyre ishin shfaqur për shkak të
kërkesave të vajzës për veshje të kushtueshme, gjë që mundësitë ekonomike të
familjes nuk mund ta përballonin. Nga ana tjetër, ai nivel dhe ajo mënyrë
jetese po bëhej e vështirë për vajzën.
Në
vitet e adoleshencës, bukuria e Anës po spikaste dhe nisi të tërhiqte vëmendjen
përherë e më tepër. Rastësisht po dilte në pah diçka e panjohur më parë. Një
ditë, mësuesi i muzikës e vlerësoi zërin e Anës si një talent të rrallë, kur
ajo kërkoi në mënyrë të papritur të
këndonte me dëshirën e saj një këngë të njohur qytetare në një ambient festiv
të klasës së pestë, pas së cilës u bë pjesëtare e korit të shkollës, ku e
mirëpritën shokët dhe shoqet e tjera.
Viteve
pasardhëse të shtatëvjeçares, “unike” e etiketonin dikur, për të u interesuan
punonjësit e Shtëpisë së Kulturës së qytetit dhe pothuajse papritur Anën e
vlerësuan dhe e pranuan të këndonte me zërin origjinal, të përsosur,
mbresëlënës (pa pasur as më të paktën
njohuri rreth muzikës më parë) në formë dueti, me zërin e dytë, së bashku me
këngëtaret e mirënjohura dhe të papërsëritshme të qytetit. Kështu, vajza në
moshë të njomë u pranua debutuese në Estradën Profesioniste, që dikur
konsiderohej e vetmja mundësi prezantuese për talentet e reja dhe aktivitetet
kulturore.
Zemërmadhësia
e Zogës dhe mikpritja e saj nuk kishin të krahasuar, edhe pse ndodhej në nivel
ekonomik të ulët. Ajo mbajti për shumë vjet në shtëpinë e saj tri nga vajzat e
kushërirave të para, që banonin në fshatra të largëta, duke mundësuar
shkollimin profesional të të rejave, si mësuese dhe infermiere. Kështu, e
udhëhequr nga gërshetimi i ndjenjave me gjykimin e shëndoshë, Zoga u siguronte
të mbesave shtratin portativ, shtresa dhe mbulesa nga punimet e hershme ne
tezgjahun e dikurshëm. Përsa i përket ushqimit, pjesa dërrmuese prodhohej në
bahçe, duke u shoqëruar me sardele dhe përpunimin e organeve të kafshëve të
therura e të shitura fare lirë në thertoren e qytetit. Pothuajse shumica e të
afërmve me banim në fshat e njihnin zemrën e Zogës, pasi ajo i kishte ndihmuar
në rast nevoje, edhe përtej mundësive të saj. Në shumë raste, kur kishin ardhur
nga fshati në qytet për probleme të
ndryshme, ata kishin gjetur një strehëz të ngrohtë te Zoga, e cila i kishte
pritur me gjithë bujarinë dhe dashurinë e saj njerëzore. Shtëpia e saj qe
vërtet e vogël, por mikpritëse dhe dera e saj
hapej me trokitjen e parë. Shumë njerëz vlerësonin me të drejtë shtëpinë
e saj të ngjashme me një vatër bamirësie.
Dashuri
mëmësore, përkushtim, kujdes dhe sakrifica për të birësuarën, por, nga ana
tjetër, vajza po shihte që nëna e saj përherë e më tepër i prezantohej tepër
autoritare, duke marrë pozicionin e komandës supreme, gjë që Ana, me rritjen në
moshë, ndërgjegjësimin dhe besimin në vetvete se do të bëhej një artiste me të
ardhme premtuese, po tentonte ta kundërshtonte butësisht. Fillimisht e bëri me
fjalë të pakta, ndërsa më vonë me veprime konkrete, duke u përpjekur të
tregonte se saktësisht kishte mësuar prejardhjen e vërtetë, që rridhte nga një
familje “aristokrate”. Përgjatë viteve, me logjikën e saj të shëndoshë, Zoga e
mendonte shpesh, pa mundur t’i jepte drejtim, e përjetonte shpirtërisht këtë
problem delikat. Ajo e kishte të vështirë të vendoste nëse duhej ta informonte
vajzën e birësuar, t’i tregonte se cilët kishin qënë prindërit e saj
biologjikë, të njohur si njerëz të ndershëm e punëtorë, por që fatkeqësisht
ishin larguar nga jeta para kohe, pa e gëzuar atë. Për Zogën nuk ishte aspak e
lehtë, ndodhej në dilemë, nuk dinte si të vepronte dhe kjo situatë e ngarkonte
psikologjikisht. Linja në të cilën përvijohej ecuria e detyruar e jetës së saj, çuditërisht
përcaktohej midis dy piketave të ngulitura thellë në tokë: logjika e ftohtë,
akull, dhe zemra e nxehtë, shpuzë, herë të
larguara në maksimum midis tyre apo dhe lehtësisht pranë, por në asnjë moment nuk ishin në përputhje, në një
harmoni që do t’i shërbente si nënës dhe të bijës. Në të njëjtën kohë, Zoga, me
logjikën e ftohtë, kishte tentuar të hapte bisedën e të sqaronte se veprimi i
kryer prej saj kishte vlerë të shumëfishtë, por kuptonte në moment që fjalët
nuk mund të pasonin njëra-tjetrën dhe mendimi e rrjedha e bisedës do ta humbnin
fillin. Ja pse pohimi i realitetit prej saj përballë vajzës së birësuar nuk u
realizua, edhe për faktin se atë e trishtonte thellë paqartësia e përgjigjes së
Anës, reagimi i saj.
Zoga
ishte e njohur dhe e respektuar për
drejtësinë e mendimit. Në asnjë rast të vetëm ajo nuk kishte përgojuar askënd,
madje, shpesh mes shoqesh, ardhja e saj e papritur shprehte çuditërisht si të
thuash një urdhër të pashprehur për ndërprerjen e bisedave pa përmbajtje që,
për shumë njerëz, janë mjet zbavitjeje, kalim kohe e mbushje zbrazëtie. Për më
tepër, kur rasti e sillte të shihte qartazi në mjedisin përreth ndonjë veprim a
qëndrim të papëlqyeshëm që mund të ishte dhe i paqëllimshëm, Zoga përpiqej ta
zbuste dhe ta shmangte ndikimin negativ të tij, edhe pa qënë e përfshirë vetë
brënda ngjarjes. Ajo ishte gjithmonë e pushtuar nga mirësia dhe kjo sjellje e
veçantë ndaj të tjerëve e bënte vërtet të respektuar kudo ndodhej.
Gjithçka
në shërbim të vajzës, por diferenca midis kërkesave të saj dhe mundësisë së
realizimit të tyre, sa vinte e theksohej. Si një reagim kundërshtues, vajza po
u kushtonte më pak kohë e më pak vëmendje mësimeve dhe detyrave shtëpiake. Ajo
nisi të frekuentonte aktivitete jo përherë të organizuara nga shkolla, shëtiste
me shoqe e shokë me orë të gjata rrugës kryesore të qytetit dhe përherë e më
tepër koha e kthimit në shtëpi po bëhej më e vonë, jo rrallë afër mesnatës.
Shpesh ndodhte që Zoga, e shqetësuar sa s’ka, të qëndronte në heshtje rreth dy
orë, ndonjëherë e lagur nga shiu dhe në të ftohtë, pa bërë as lëvizjen më të
vogël, prapa portës së bashkëmoshatareve të saj që banonin në po atë lagje. Veç
të tjerash, dashuria për Anën e bënte Zogën që të përpiqej që njerëzit të mos e
merrnin vesh këtë sjellje të papëlqyeshme të së bijës. Dhe ashtu rrinte duke
pritur e përgjuar kthimin e saj, me shpresën e zemrës së pikëlluar se do ta
gjente aty te bashkëmoshataret, por në çast njihte keqardhjen e thellë në sytë
e tyre, ndonjëherë të shoqëruar me pëshpëritje të pakuptueshme për të dhe
kthehej në shtëpi me plagë në shpirt.
Episode
të tilla u shpeshtuan. Vajza nuk po mundohej ta fshihte mënyrën e
papërshtatshme të sjelljes së saj, ndonjëherë të egër, nuk kërkonte të
falur edhe kur qartazi e shihte se
kishte gabuar duke pasur përgjegjësi. Herë pas here Ana pyeste vehten se si
jeta po merrte këtë pamje, si mund të mos e priste si dikur e lumtur çastin e
hyrjes së Zogës në shtëpi e, pasi ta mbante një çast të përqafuar dhe të
shtrënguar fort, me zë të lartë e gazmor t’i tregonte se si kishte vepruar në
mungesë të saj. E pastaj ta shoqëronte gjer te divani i gjerë, të qëndronte
pranë saj dhe të plotësonte me kënaqësi çdo kërkesë të nënës… Sigurisht që koha
bën të vetën, por situata e re, fatkeqësisht krejt ndryshe nga ajo e
mëparshmja, po përjetohej ndjeshëm nga të dyja, me të vetmin ndryshim se Ana
kohën para saj e kishte të mbushur me të tjera programe dhe përherë e më tepër
po njihej me njerëz të rinj, kurse Zoga para vehtes shihte dhe kishte vetëm të
bijën, e cila përbënte thelbin e jetës së saj.
E
detyruar të plotësonte nevojat ekonomike përherë në rritje të familjes, Zoga
pranoi të punonte si rrobalarëse në dispanserinë e qytetit tri herë në javë.
Njëkohësisht punonte si pastruese kundrejt një shtese në pagë. Procesi i
larje-zierjes së çarçafëve, më tepër se 6 orë, dezinfektimi i teshave të të
sëmurëve të shtruar, ishin vetëmohim dhe tregonin karakterin e fortë,
këmbënguljen dhe dashurinë e saj për njeriun, pa asnjë interes, si dhe
gatishmërinë për të ndihmuar të tjerët me çiltërsi e ndershmëri. Dhe të gjitha
këto i bënte me një këmbëngulje admiruese.
Puna
vullnetare, një nga karakteristikat e kohës, e përfshiu edhe Zogën, duke
ndihmuar në sektorin e kuzhinës gjatë muajve të verës në ndërtimin e hekurudhës
Durrës-Rrogozhinë. Ajo u vlerësua me fletë lavdërimi, një stimul për të si
njeri punëtor, e përkushtuar dhe me ndërgjegje.
Mbas
mbarimit të shkollës 7-vjeçare, sikundër çdo nënë, edhe Zoga dëshironte ta
arsimonte të bijën në një të mesme profesionale dhe të përzgjedhur, jashtë
qytetit. I sugjeruan dhe e ndihmuan ta regjistronte në një nga shkollat e
Beratit, njëkohësisht e sistemuan në konviktin përkatës. Rezultatet e vitit të
parë ishin nën nivelin mesatar dhe jo premtuese për vitet e mëtejshme.
Një
ngjarje që duhet veçuar, ndodhi një pasdite gushti. Ana qëndroi gjatë në kopsht
nën hijen e fikut gjethemadh, e përqëndruar dhe me laps në dorë. Ajo përfundoi
së shkruari katër-pesë fletë të mëdha dhe pastaj i vendoste të palosura në
zarfat e vegjël, por pa mbyllur asnjërin. Sigurisht, nëna kureshtare donte të
dinte rreth këtyre letrave, ndaj ndihej e shqetësuar dhe e habitur. Me buzë në
gaz, e bija iu përgjigj se ato letra të parashkruara do t’ia postonte nënës çdo
muaj, pasi të kishte vendosur në fundin e faqes datën përkatëse të njërit prej
muajve të ardhshëm. Pra, kishte gati letrën e muajit dhjetor me urimet e Vitit
të Ri, ndërsa akoma jo nuk kishte hyrë muaji shtator… Ishte gjë e padëgjuar më
parë një letërkëmbim i tillë midis bijës dhe nënës. Brendia e letrës do të
përmbante mendime të parashkruara larg kohës së lindjes së tyre, ngjarje të
supozuara dhe një ndjenjë malli ende të paprovuar… E ku qëndronte vlera e atyre
letrave?! Zoga u ligështua teksa po e
dëgjonte Anën të shpjegohej. Së jashtmi, dukej se po shihte në dritën e diellit
një ndjenjë respekti, një ndjenjë dashurie, interesim për shëndetin e saj, një
sjellje të pa imagjinueshme, por në esencë gjithçka ishte e stisur,
sipërfaqësore, cinike.
Marrëdhëniet
nënë e bijë po zbeheshin e po bëheshin më të largëta nga dita në ditë. Zoga
mundohej të mbante drejtimin e familjes dhe të ishte autoritare, gjë që vajza
nuk e pranonte, ndaj dhe nuk bindej, duke dashur të ishte e pavarur me çdo
kusht, të merrte në duart e veta fatin e saj, ndonëse ende nuk i kishte mbushur
të 16-at. Përherë e më shpesh nisi të kthehej në shtëpi natën vonë, pa u dhënë
përgjigje pyetjeve e shqetësimeve të nënës, aq sa një mbrëmje e ëma u inatos në
kulm e nuk ia hapi derën gjatë gjithë natës, as në agimin e ditës së re.
Pikërisht ajo, Zoga, që e kishte pritur kaq herë pa vënë gjumë në sy, gjithmonë
e brengosur, pa ditur se ku ndodhej dhe e shqetësuar për fatin e mëtejshëm të
vajzës. Pas kësaj ndodhie, vajza nuk po kthehej më në shtëpi.
Kaluan
ditë, javë e muaj, por Zoga priste më kot. Dhimbja dhe vuajtjet e saj ishin të
pamatshme dhe nuk mund të shpreheshin me fjalë. Tërësisht e dërrmuar, më në
fund Zoga u bind se nuk mund të kishte më shpresa dhe se lidhja e saj me Anën
ishte këputur përfundimisht. E pranoi mes lotësh dhe shpirtit të plagosur
situatën e krijuar.
E
vetmja rreze drite në horizont ishte shpresa e pashuar e mundësisë së takimit më vëllanë e larguar
prej disa dekadash. Përpjekjet e panumërta donin të plotësonin edhe amanetin e
prindërve, të cilët, në fundin e jetës së tyre të gjymtuar, e këshilluan të mos
ndalej së kërkuari dhe të bënte çmos për ta takuar. Nëna dhe babai i Zogës as
zërin nuk mundën t’ia dëgjonin birit të shtrenjtë, Gorit, e jo më ta shihnin me
sy, qoftë dhe një çast të vetëm. Besohej se të njëjtën brengë me përmasa
ekstreme përjetonte edhe vëllai, që jetonte me fëmijët dhe gruan sllave në
Maqedoni. Ai mbante shpresa të pashuara se një ditë do t’i shihte e do t’i
përqafonte të afërmit e tij, se do të hapte me dorën e vet portën e shtëpisë ku
njohu fëmijërinë dhe rininë mes aq shumë problemesh, të shkelte mbi tabanin e
lyer me baltën e përpunuar, të shihte gjelin e pjekur në mes të tavës nga ku
fillonte të ndante për secilin dora e nënës, e ashpër dhe e rrudhosur nga puna
e pamatë, të mbushte kovën me ujin e ftohtë të pusit, me ndihmën e çikrikut, që
mblidhte e shpështillte litarin e thurur prej liri (dikur edhe me ndihmën e
tij)…
Kërkesat
e përsëritura të Zogës në Degën e Brendshme për lejën e kalimit të kufirit në
shtetin fqinj zgjatën rreth 25 vjet, por pa rezultatin e pritshëm. Ajo arriti
tepër vonë. Mundi vetëm të derdhte lot të nxehtë pikëllues në gurin e varrit
dhe të puthte foton e njeriut të shtrenjtë, vëllait të saj, të vendoste një
tufë lule të freskëta, të ndizte disa qirinj, si të plotësonte amanetin e
prindërve.
Pas
largimit të Anës, koha për Zogën mori të tjera vlera e përmasa. Ditët pothuajse
të boshatisura e rikthyen në amvisën shembullore, ku spikaste kujdesi ndaj
luleve të shumëllojshme, kryesisht zymbylat e kaltër dhe zambakët e bardhë,
trëndafilat me ngjyra të ndryshme, aroma e këndshme e të cilëve ndihej sapo i
afroheshe gardhit rrethues, të gjerë e të lartë me manaferra, që kishin vlerë
jo vetëm në kohën e pjekjes, por edhe në cilësinë mbrojtëse të tij, i sigurt ndaj cilitdo. Hyrja në oborr sigurohej
nga porta e drurit, njëkanatëshe, e lartë, pas së cilës qëndronte llozi i
hekurt me gjatësi sa gjerësia e saj. Zoga dëshironte dhe përpiqej të zbuste
sadopak plagën tashmë të ngulitur në thellësi të shpirtit. Sa për argëtime, as
që bëhej fjalë. Të afërmit i qëndronin pranë çdo çast, të gatshëm ta ndihmonin
me gjithçka që i nevojitej.
Disa
vjet më vonë, vajza tentoi të rindërtonin marrrëdhëniet e mëparshme. Ajo i
kërkoi të falur për sjelljen e dikurshme. Këtë gjë e bëri përmes dikujt tjetër,
jo drejtpërdrejt, por ato të dyja nuk u pajtuan. Zoga, me karakterin e fortë,
krenare dhe dinjitoze, nuk mund ta anashkalonte dhe ta harronte kollaj
nëpërkëmbjen që i pati bërë Ana, nuk gjente arsye serioze ta justifikonte
sjelljen e saj dhe prerazi ia refuzonte kërkesat për pajtim, sigurisht me shumë
brengë e dhëmbje, duke u mbyllur gjithnjë e më shumë në vetvete. Komshija,
njëkohësisht mikja e saj e mirë, mendonte se, pavarësisht ftohtësisë së
jashtme, Zoga ndiqte me kujdes e në heshtje jetën rinore të vajzës, për të cilën
mendonte në çdo moment. Sigurisht kjo gjë nuk bisedohej me askënd, veçse
zgjuarsia e Lenës dhe kujdesi i pareshtur i saj e diferenconte gjëndjen e Zogës
asaj dite të veçantë kur mund të kishte parë së largu Anën. Pas këmbënguljes
dashamirëse të komshjes, Zoga pranoi të tregonte me zë të ulët dhe të
përvuajtur ngjarjen:
-
Po, tani e di se ku jeton vajza ime. Ka krijuar një familje, por së largu nuk
mund të mësoj më shumë hollësi për mënyrën e jetës së saj. E kam ndjekur pas
një gardhi shikimin e lumtur të Anës drejtuar vogëlushes shtrënguar në krahë
dhe pikërisht në ato momente isha gati ta ktheja pas të kaluarën, t’i flisja
duke i përqafuar të dyja me dashurinë e flakëruar në zemrën time, por Ana
qëndroi gjatë e përkulur mbi fytyrën e engjëllit të saj, pa e kthyer kokën
mbrapa… Unë po ndieja dobësi të trupit, përpëlitje të zëmrës, që akoma më
vazhdojnë edhe tani. Gjeta diku një vënd të qetësohesha dhe… ja, siç më sheh e
ku më sheh… një njeri të humbur… Më vjen shumë keq se… ky çast kur unë u
dorëzova... nuk mund të përsëritet. E
njoh mirë veten time….
Po,
më se e vërtetë që jeta njerëzore ka shembuj të panumërt kur, pikërisht në një
moment, vendimi i marrë mund të hapë rrugën e një jete të lumtur apo të
kundërtën, me të cilën njihesh, por nuk mund ta kthesh pas. E çfarë të mire
fitoi Zoga duke mos e falur të bijën? Duhet përmendur edhe një hollësi e
natyrës së saj, zgjuarsia e shoqëruar me humorin e këndshëm, të hollë e
tejkalues i përmasave të zakonshme. Ja disa raste:
Po
festonin një ditë fejesën e nipit me një vajzë nga Lushnja. Erdhën krushq, burra
e gra, aq sa vëndet e një vagoni nuk mjaftuan për t’u ulur. Shumë syresh
qëndruan në këmbë, sigurisht të gëzuar për vetë motivin e udhëtimit, por dhoma
e madhe e të zotit të shtëpisë u tejmbush aq sa Zoga e shumë të tjerë të afërm
mbetën në korridor dhe flisnin midis tyre me zë të lartë, pa mundur të
shiheshin. Papritur krushqit kuptuan se sa ishte tejkaluar numri optimal në
pozicionin e mysafirëve në vizitën protokollare dhe sa e tepërt ishte prania e
tyre. Në moment, duke buzëqeshur e duke dashur të përmirësonte situatën e
krijuar, Zoga u shpreh se përgjegjësia ishte e krushkut fierak, që përmasat e
dhomës mikpritëse ishin 4 x 4, duke mos e paramenduar se një ditë do ta
respektonin aq shumë krushq…
Një
tjetër episod, dikur, vite më parë, për të blerë qumështin në dyqanin e
bulmetit. Qytetarët zinin radhën që pa gdhirë, sepse sasia e pakët e bulmetit
nuk plotësonte kërkesat e shumta, gjë që i detyronte banorët të ishin atje
pranë njëri-tjetrit pas mesnate. Ankesat e shumta në Këshillin e Lagjes sollën
një urdhëresë të re, sipas së cilës banorët do të ishin në radhë mbas orës 6.00
të mëngjesit. Rastësisht, dhoma e gjumit të Zogës ishte pranë dyqanit, gjë që
nuk i mundësonte as dy-tri orë gjumë, për shkak të bisedave me zë të lartë të
banorëve, si e vetmja mundësi e kalimit të orëve të gjumit në radhë, kur
padrejtësisht shtrati i ngrohtë zëvëndësohej me ajrin e ftohtë, shpesh
shoqëruar me brymën e natës. Ishin pikërisht bisedat e zakonshme me
njëri-tjetrin që i ndihmonin natyrshëm këta njerëz të kalonin orët e natës.
Zoga ndihej në pozitë të vështirë. Nuk ishte fjala për një natë të vetme dhe,
pasi njohu udhëzimin e fundit të Këshillit të Lagjes, një natë ajo doli nga
shtëpia e saj, e veshur me një përparëse tepër të madhe. U afrua ngadalë te
banorët e lagjes, të cilët, sapo e njohën, i ndërprenë bisedat. Zoga i pyeti
thjesht:
-
A mund të më tregojë ndonjëri prej jush se sa është ora tani?
Përgjigje
të shpejta edhe nga disa persona që nuk kishin pasur fatin ta shihnin kurrë
orën në duart e veta (përkulnin lehtë kokën, tërhiqnin fundin e njërës mëngë të
xhaketës me kujdes, si të ndiqnin poshtë saj akrepat në lëvizje e sipër). Sipas
tyre, ora tregonte rreth 5 e mëngjesit, me luhatje të vogla në minuta.
Pikërisht, në momentin që u duk se shifrat ishin të padiskutueshme e të
përafërta midis njëra-tjetrës dhe, kur të pranishmit po buzëqeshnin duke e parë
me një nënkuptim shpotitës, Zoga ngriti me shpejtësi fundin e përparëses tepër
të gjatë dhe të gjithë sa ishin mbetën të habitur. Para syve shihnin një brez
të trashë ku qëndronte varur një orë muri e përmasave ekstreme, e shoqëruar me
një lavjerrës, lëvizjet e të cilit përshkonin një kënd të përafërt 180 gradë
dhe qartësisht ora ishte 1 pas mesnate. Diskutimet nuk kishin më vlerë. Në
heshtje pranuan se Zoga kishte të drejtë. Pas pak, dikush pyeti me kureshtje:
-
Po, si ka mundësi të kesh një orë të tillë të paparë në dyqanet tona?!
Radha
ishte për Zogën. Thjesht tregoi se kjo orë ishte gjendur në njërën nga
magazinat e braktisura pas largimit të ushtarëve në mbarim të Luftës së Parë.
Kur në dyert e hapura tejpërtej njerëzit vraponin duke tërhequr thasë me
produkte të ndryshme ushqimore, atëherë Zoga, që ish veç një vajzë adoleshente,
me shikimin e saj, përfshiu orën e varur në murin kundrejt dhe shpejtoi mes
turmës përpara, drejt murit të lartë, arriti të ngjitej në dritare e të mbahej
në hekurat e saj, mori dhe shtrëngoi në duart e veta një send të rrallë, vlera
e të cilit u njoh shpejt…
Nga
jeta e saj do të veçonim edhe një moment tjetër. E motra tepër e afërt me
Zogën, tregoi se njëra nga vajzat e saj, pas njohjes me një djalosh të
profilizuar në mjekësi, vendosi të kishte një lidhje serioze e të martohej, por
në pozicionin e nënës ndihej tejet e shqetësuar për faktin se djaloshi,
bukurosh, një mjek i ri, do të kishte pranë femra të tjera, të bukura e kështu
mund të bëhej një “vagabond”. S’i dihet punës me femra, është e vështirë dhe..
mund të vuante e mbesa. Zoga kundërshtoi saktë dhe prerë: “Djali nuk ka asnjë
përgjegjësi në këtë mes! Fajtore janë vetë femrat që me çdo mënyrë përpiqen t’i
joshin e t’u marrin mendjen djemve, t’u afrohen sa më pranë. Për sa të them,
jam e sigurt, se kam punuar në spital dhe shihja… Po shihja e dëgjoja shumë…
Këto po t’i tregoj se je motra ime”. Kështu i tha Zoga së motrës.
Në
njërën nga ditët kur mosha e saj po thyehj pak nga pak, e shoqëruar edhe me një
sëmundje të zemrës që po përparonte, Lena, tepër e trishtuar, mendonte se
duheshin siguruar veshje të reja, realisht të munguara deri atëherë për t’i
veshur sikundër është zakoni i krahinës, në respekt të njeriut që largohet nga
jeta. Përgjigjja befasuese e Zogës ishte:
-
E dashur Lenë, të falënderoj për sa ke bërë e vazhdon të më ndihmosh përditë.
Jam dakord për një kostum, por nuk dua të më blini këpucë të reja për së
gjalli. Në pritje të vdekjes, ato kanë forcë të zgjatin jetën, sikundër ndodhi
me nënën time, që jetoi edhe 5 vjet të tjera pasi i bleva këpucët… Në atë kohë
unë u lumturova, isha një nga pasardhësit e saj, por nuk dua të përsëritet i
njëjti veprim me mua! Cili është ai apo ajo trashëgimtare që i gëzohet zgjatjes
së jetës sime?
Në
çast sytë iu mbushën me lot dhe u kthye nga ana e murit duke ngashëryer…
Jeta
e shumëvuajtur solli një përfundim të shpejtë. Në çastet e fundit kur lidhjet
me jetën po shkëputeshin nga momenti në moment, një grua e pashme, në moshë
mesatare, hyri në dhomë. Ishte e panjohur për gjithë ne, sa ndodheshim aty
brënda. E sapoardhura ecte me kokën ulur drejt shtratit, pa mundur të përmbante
rrëshqitjen e lotëve përgjatë faqeve. Iu afrua shtratit, u përkul thellë, duke
pushtuar me të dy krahët këmbët e Zogës. Frymëmarrjen e kishte të thellë, zërin
të ulët dhe të ndërprerë nga ngashërimet:
-
Nënë! Nënë! Jam unë! Erdha të të shoh, të përqafoj, të pajtohemi! Të lutem, më
fal! Të kërkoj të bashkohemi! Nuk të kam harruar, je në thellësi të zemrës sime
dhe askush nuk e ka zënë vendin tënd në shpirtin tim… E pranoj që nuk jam
sjellë mirë me ty, nuk jam sjellë ashtu siç ti e meriton…
- Cila je ti? Nuk po më shohin më sytë, po me sa po të dëgjoj zërin… -
Jam vajza jote, Ana. Jam penduar! Disa ngjarje u zhvilluan pa dashjen time.
Zoga pëshpëriste me zë të ulët dhe e kishte të vështirë t’i shqiptonte qartë
fjalët. E pengonin dënesat dhe frymëmarrja po i shpeshtohej: -
Të dyja vajzat e mia janë larg, shumë larg prej meje, prehen në qiell. Një
tjetër vajzë që unë e rrita, kam kohë pa e parë dhe nuk e di nëse do ta njihja
po ta shihja! -
Nënë! Nënë! - klithi Ana, që tashmë ishte edhe vetë një nënë. - Ja, më shih
tani, erdha të të përqafoj me mall, me shumë dashuri! Më faaal… Të dua me shpirt!
Ti dhe vetëm ti je nëna ime! Jam për ty… - Po, e
ndiej afërsinë tënde. Po dëgjoj rrahjet e zemrës sate, por fatkeqësisht nuk po
mundem të të shoh me sy… Sa do të doja të kisha takuar ditëve më parë duke
mbajtur vesh se ti do të hapje portën e oborrit apo të kaloje përsipër saj, si
dikur… E pati të pamundur të fliste më.
Zëri po i shuhej ngadalë, fytyra tejet e zbehtë, sytë të ngrirë, me një
shkëlqim të errët pikëllues me dy vijëzime lotësh drejt mjekrës dhe… Fymëmarrja
iu ndërpre. Gjithë sa ishim po përjetonim një trishtim dhe dhimbje të
parrëfyer. Ajo po na dukej e ngurosur, si të kishim para syve një luftëtare të
kohës së lashtë, që ishte duke bërë gjumin fisnik në varrin e vjetër dhe, sapo e
zbuluam, Zoga na u shfaq në rrezet e diellit, e hijshme dhe ende një grua e
fortë.