E shtune, 05.10.2024, 01:21 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Fejsbuk te Guri i Gomares

E marte, 25.08.2020, 11:06 AM


Fejsbuk te Guri i Gomares

Nga Edison Ypi

Dy të parët i kapa në Çermë duke ikur mbi biçikleta drejt Divjakës.

-A jeni në Fejsbuk ?

-Po.

-Nga sa miq keni ?

-Unë kam pak, nja 400. Ky ka më tepër, mbi 700.

-A ka të tjerë që janë në Fejsbuk ?

-Të gjithë jemi në Fejsbuk.

Në Dushk shitësi i sharqinjve, një karrocier, një djalosh me BMV, një tjetër që po ikën me vrap, mburren që janë në Fejsbuk ku kanë me qindra mikesha njëra më e bukur se tjetra.

Në një restorant në të dalë të Lushnjes shtatë a tetë myzeqarë hanë e pinë duke treguar hollësira nga fejsbuqet e tyre. Në një tavoline po shajnë qeverinë. Pranë pjatave male me 10 mijë lekësha lidhur me llastik.

-Hani pini si derrat, keni pare, toka, prona, makina, udhëtoni, të gjithë jeni në Fejsbuk, dhe shani qeverinë ?!

-Qeverinë nuk e shajmë kot. Qeverinë e shajmë se ka ca kohë nuk po na ngrihet, thotë me gojën plot me mish një barkderr, dhe qesh me të madhe duke përhapur gjithandej cikra mishi dhe pështyme.

Krutje, Zhym, Mërtish, Ngurrëz, Bubullimë, Goriçaj, Këmishtaj, të gjithë fshatrat kanë Internet Kafera me nga 6 deri në dhjetë kompjutera ku të gjithë shetisin në Fejsbuk.

Ndanë një are një bujk me të birin nja 20 vjeç.

-A je në Fejsbuk ? i them të birit.

-Po, jam. Kam 594 miq, 375 dashnore, mbi 800 fotografi, 440 selfie, marr pjesë në 23 forume, 54 interesime, 37 aktivitete...

-Hë mo, i drejtohem të jatit, ç'ke që rri turivarur ? Shtëpi të re po, arë për të punuar po, djali në Fejsbuk me gjithato dashnore dhe aktivitete po, ç'kërkon më nga jeta ti ?

-Halli im është që s'kam asnjë hall, tha babai i atij çunit, dhe e qepi.

Diku afër Kolonjës, në një kioskë pranë një restoranti, një mesoburrë me kafe dhe raki përpara.

-Ç'më rri ashtu sikur të janë mbytur vaporrët o Lal Myzeqeje që s'kishe bukë të haje ?!

-Më ka zënë një taksirat. Nuk mund të fle më tepër se 3 orë në 24 orë. Dhe nuk do fle më tepër se aq deri sa të bëj milionin e parë të Euros.

Në një tjetër lokal një tip rreth të tridhjetave që s'duket si myzeqar, as si shqiptar, por si parizien, londinez, milanez, me kafe ujë të gazuar përpara, thotë se ka mbaruar dy fakultete, bujqësor dhe juridik, dhe natyrisht është në Fejsbuk. Metropolitani myzeqar llafoset shtruar për Tiranën, Lushnjen, ekonominë, politikën, Fejsbukun, etj. I them milanezit fusharak se mund ta kuptoj prezencën në Fejsbuk të ndonjë hallexhiu të ngeshëm në emigracion apo të një studenteje të vetmuar shqiptare në një vend skandinav. Mirkuptoj dhe mëshiroj edhe një emigrant që i shtyn ditët e netët në ndonjë bodrum, por s'mund ta kuptoj kurrsesi Fejsbukun e kaq shumë myzeqarëve. Përgjigjet me një psherëtimë patetike, sipas tij kuptimplote, por në fakt sterile.

Pak më tutje më ndal pronari i një restoranti ku veç mishit të derrit aq i preferuar në këto anë, ka dhe mish pate, rose, bibe, dhe mish zhabe. Ky, që me sa duket më pat' parë në distancë tek bëja muhabet me parizienin myzeqar, më thotë;

Ai me të cilin sapo u ndave ra në dashuri në Fejsbuk me një shalgjatë pejane kosovare fierake. Familja e saj nuk deshi. Ai lojti. Tani pi kafe dhe bën muhabet. I kanë ngritur këngë;

Ç'ësht ajo që rri te porta

E vështron e tërë bota

Po vajton të vetmin djalë

Që Fejsbuku ja ka marrë

Me rradhë disa zhabaxhinj anës kanaleve. Zhabat ua shesin restoranteve. Zhabaxhinjtë Ndoni, Mondi, Sergei, Sokoli, Fatmiri, Loni, Kristi, edhe ata janë në Fejsbuk. Më tregojnë me rradhë numurin e miqve, fotografive, dashnoreve.

Ku ta gjej një myzeqar pa Fejsbuk ? pyeta një dhëmbërënë me kasketë anës rrugës.

Myzeqar pa Fejsbuk ke vetëm në fund të detit, zhytu gjeji, tha.

Nisem drejt Divjakës.

Nja dhjetë a pesëmbëdhjetë që takova deri prapa kodrave ku nis e duket Karavastaja, të gjithë ata po se po por edhe familjarët dhe të njohurit e tyre, janë të gjithë në Fejsbuk.

Një prift që desh më iku në një kthesë kishte qënë 17 vite kuzhinier në diktaturë. Me urdhër të Perëndisë u dhashë për të ngrënë të internuarve dhe të uriturve, tha prifti.

Pak përtej kodrave rruga kalon përmes një fshati.

Si quhet ky fshat ?

-Guri i Gomares.

-A ka te Guri i Gomares që janë në Fejsbuk ?

-Te Guri i Gomares të gjithë janë në Fejsbuk.

Në kafenenë e fshatit dy polica në një qoshe dhe ca djem pranë banakut me birra dhe kafe përpara. Të gjithë ulur. Më këmbë vetëm unë dhe një i moshuar me qylaf myzeqar në kokë. Djemtë, pasi rradhitën numrin e miqve, të dashnoreve, të fotografive, thanë edhe me se merren. Njëri tha se merrej me drogë, tjetri me trafik, tjetri me kurva, me hashash, me kanabis. Dy prej tyre treguan gjith qef raste kur djemtë venë foto vajzash në Fejsbuk dhe e kundërta, kur vajzat venë foto djemsh, si dhe ndërlikime të tjera me sfond seksual.

Një çapkën që sapo hyri dhe dëgjoi për çfarë po flitej, tha; Unë nuk e di se ku jam tjetër veçse në Fejsbuk.

Fejsbuku e kishte përdhunuar keqas Gurin e Gomares. U mbajta gurgomarasve një fjalim moralistik;

-Fshati juaj është i madh. Mos e bëni sa Fejsbuku. Ju jeni të shëndetshëm, mos u sëmurni. Ju jeni të pasur, mos u varfëroni. Duke shtuar numurin e miqve dhe mikeshave virtuale humbni miqtë dhe mikeshat reale. Shiheni fjalën Mik në fjalorin e Gjuhës së bukur Shqipe, dhe përmbajuni. Kalifornia nuk është më e bukur se Myzeqeja, Shqipëria aspak më e varfër se Amerika. Ju jeni shkaba që nuk duhet të lejoni të ktheheni në milingona. Dilni nga internet kafenetë. Mos e zëvendësoni perëndimin e magjishëm të diellit të Karavastasë me ngjyrat e rrejshme të kompjuterave.

Boll Gurit i Gomares. Te Rrasa e Derrit, Plasa e Ariut, Kodra i Dhelprës, Çuka e Maçokut, nuk vajta të shoh ç'bëhet me Fejsbukun.

Duke u kthyer, në Maminas u përmbysa me gjithë makinë në një kanal.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora