Kerko: a
Thanas Gjika: Fotaq Andrea, frankofoni shumëdimensional
E enjte, 14.05.2020, 05:22 PM
Fotaq Andrea, frankofoni shumëdimensional
Një
profil mbi karrierën si përkthyes, studiues dhe zbulues në fushën
albanologjike, antologjist e diplomat i njohur…
Nga
Thanas L. Gjika
Në
Shqipërinë e shekullit të XX-të, si edhe në vendet e tjera ballkanike, gjuha
frënge ka qenë gjuha më e përhapur si gjuhë e politikës shtetërore.
Këtë
pozitë frëngjishtja nuk e humbi as kur gjuha ruse u bë gjuha e huaj më e njohur
midis pushtetarëve komunistë të formuar në Bashkimin Sovjetik dhe as kur gjuha
italiane u bë gjuha e huaj më e përhapur, për shkak të televizionit italian që
shihej fshehtas në Shqipërinë e etur për Perëndimin gjatë regjimit komunist.
Mirëpo, me gjithë këtë privilegj që kishte frëngjishtja mbas Luftës së Dytë
Botërore (LIIB), frankofonët e shquar nuk ishin shumë. Midis njohësve të thellë
të frëngjishtes dhe përkthyesve cilësorë dalloheshin Jusuf Vrioni me përkthimin
në frëngjisht të romanit Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur të I. Kadaresë që në
vitet ’60, si dhe më pas, të krejt veprës së këtij autori të shquar shqiptar;
Vedat Kokona me Fjalorët e tij dhe me përkthimin e një vargu autorësh klasikë
francezë; Misto Treska, me përkthimin në shqip, ndër të tjera, të romanit Të
Mjerët të Viktor Hygoit; Hamit Kokalari e Kolë Luka, në sektorin e përkthimeve
albanologjike e letrare, etj.
Në
vitet ’70, do të shfaqej një brez i ri përkthyesish në ekipin e Jusuf Vrionit,
që përkthenin nga shqipja në frëngjisht. Ndër ta dhe Fotaq Andrea, një djalosh
i lindur në Delvinë më 1953 dhe i rritur në Laprakë të Tiranës në familjen e
një mjeku infeksionist. Ky filloi të shquhet
këta dy dhjetëvjeçarët e fundit edhe si studiues e gjurmues në fushën
albanologjike, krahas hartimit të veprave antologjike në përmasa të mëdha, si
Libri i artë i prozës franceze, Arbëreshët e Italisë dhe Pena të arta franceze
për shqiptarët. Zbulimet dhe studimet e tij i ka përqendruar kohët e fundit
rreth jetës e veprës së Faik Konicës dhe Dora d’ Istrias, duke nxjerrë në dritë
dimensionet sa më të vërteta të këtyre dy figurave të shquara, të Dora d’Istras
si princeshë e kulturës evropiane dhe të Faik Konicës si shkrimtarin e
mendimtarin modern të letërsisë shqiptare.
Gjithçka
që ka arritur Fotaq Andrea janë rezultat i punës së tij këmbëngulëse si
studiues i palodhur e i talentuar dhe i dashurisë së tij për Letrat franceze
dhe albanologjinë.
* * *
Pas
disa përmbledhjesh të vogla antologjike për moshat e reja, si Mrekulli
njerëzore – përralla fabula, legjenda nga bota, që njohu sukses te brezi i ri
shkollor me një tirazh tepër të lartë, kur u shpërngulën në Shqipëri së bashku
me prindërit rreth 300 mijë fëmijë nga Kosova gjatë Luftës. Andrea botoi
antologjinë e tij të parë në përmasa të mëdha Libri i artë i prozës franceze,
që njohu dy botime, në vitet 2000 dhe 2002. E veçanta e këtij libri me 430 faqe
është se përmbledh mbi 150 autorë francezë të të gjitha periudhave historike,
shkollave dhe rrymave letrare, nga rrëfenjat popullore dhe fabliotë e famshme
franceze të Mesjetës, me Kalorësit e Tryezës së rrumbullakët dhe Tristani e
Izolta në qendër, deri të autorët modernë, si Marsel Prust, Andre Malro,
nobelisti Zhan Mari Lë Klezio, filozofi Alan (Emil Ogyst Shartrier), Zh. P.
Sartrë dhe Albert Kamy, duke kaluar nëpërmjet krejt plejadës së shkëlqyer të
shkrimtarëve klasikë dhe iluministë francezë, ku bien në sy emrat e ndritur të
Hygoit, Balzakut, Lamartinit, Apolinerit, Mopasanit, Alfons Dodesë,
Shatobrianit, Panjolit, Bodëlerit, etj. etj. Për vetë ndërtimin e antologjisë
me 10 kapituj, që përbëjnë në vetvete 10 libra, me një diapazon të gjerë
interesi letraro-kulturor për tërë moshat shkollore, kjo antologji do të bëhej
që në fillim mjaft e dashur për të rinjtë dhe do të njihte sukses kur 26
gjimnazistë të “Petro Nini Luarasit” do të mbanin një sesion të posaçëm letrar
dhe do të botonin më 2003, referatet dhe kumtesat e tyre në librin Përballje me
Librin e artë të prozës franceze. Botimi i këtij libri me 180 faqe nga të
rinjtë gjimnazistë për vlerat e antologjisë së Fotaq Andreas shënonte një
ngjarje të veçantë te rinia shkollore e kryeqytetit. Por siç shprehet vetë
studiuesi Andrea, suksesin më të madh, ai do ta njihte në promovimin që i bëri
librit të tij te shkolla 8-vjeçare “Ramazan Jerani” në prani të drejtorit të
shkollës, poetit Jorgo Papingji. Një vajzë 14-vjeçare kishte zgjedhur për
recitim në takimin e autorit me nxënësit prozën poetike Nderim tërë nënave të
botës. Me zë të dridhur artistik, nxënësja filloi të recitonte: Bij të nënave
që i keni ende gjallë, mos harroni se nënat tuaja do vdesin një ditë… Qofshi
çdo ditë të ëmbël me nënat tuaja. T’i doni ato më shumë se ç’ kam dashur unë
vetë nënën time. Dhurojuni çdo ditë nga një gëzim, këtë po ua them unë, në emër
të dhembjes sime, me keqardhjen më të thellë në këto çaste të zisë sime… Nderim
për ju, nëna të të gjitha vendeve… Nëna të mbarë tokës, Zonja të nderuara nëna,
ju përshëndes të dashurat e mia flokëthinjura. E teksa nxënësja recitonte,
Fotaqit iu mbushën sytë me lot dhe do t’i vinin në mendje çastet tepër të
dhembshme kur përkthente këto rreshta duke ngashëryer për humbjen tragjike të
nënës së tij dhe kur shpirtërorja pleksej ngushtë me profesionalen tek i
rrëshqisnin gishtat mbi tastierë si lotët në faqe. Përkthimi del nga shpirti,
shprehet Andrea, andej nga buron vetë arti.
Jusuf Vrioni, mentor i
Fotaq Andreas
Kush
pati rast ta njihte Jusuf Vrionin, intelektualin europian të niveleve të larta,
nuk mund të harrojë elegancën e tij të shumanshme: në pamje e sjellje, në
biseda e përkthime dhe në çdo hap të jetës, me të cilat ai na pushtonte që në
lidhjet e para. Jusuf Vrioni ishte një i burgosur dhe i internuar gjatë
regjimit komunist, por për shkak të aftësive të tija si frankofon, iu imponua
diktatorit. Duke qenë se ai ishte numëri një, që mund të përkthente me nivel të
lartë veprat e diktarit në frëngjisht, ky u deturua ta shkelete parimin e
luftës së klasave ndaj frankofonit Vrioni dhe ta emëronte përkthyes të veprave
të tij në frëngjisht.
Fotaq
Andrea ka pasur fatin e mirë të punonte në vitet 1975-1980 në sektorin e
përkthimeve nga shqipja në frëngjisht në Shtëpinë Botuese 8 Nëntori bashkë me
mjeshtrin Jusuf Vrioni. Përveç aftësive të tija personale dhe zotërimit të
thellë të frëngjishtes, kur lexon veprat e Andreas të përkthyera nga
frëngjishtja, ose të hartuara drejtpërderejt në shqip, nuk ka si të mos dallosh
ndikimin e elegancës Vrionase, të cilën ai e ka përvetësuar gjatë bashkëpunimit
me mentorin e tij.
Kjo
elegancë bie në sy në punën Fotaqit si antologjist, ku e përzgjedh dhe e
ndërton veprën si një buqetë lulesh të shumëllojshme, ku plekset brenda një
emri edhe autori, edhe përkthyesi. Andrea, pasi përktheu me sukses tre libra të
Albert Kamysë dhe Shkrime rreth dënimit me vdekje të Viktor Hygoit, e në mënyrë
të veçantë një ndër kryeveprat e Letrave frënge, Gargantua-në e klasikut të
madh frëng Fransua Rable, do t’i hynte përgatitjes së antologjisë Pena të arta
franceze për shqiptarët (1332-2007), botuar më 2007 dhe ribotuar më 2009. Këtë
antologji, ai e çel me përkushtimin: Në nderim të kujtimit të Mjeshtrit të Madh
të përkthimeve në frëngjisht dhe Përçuesit të vlerave shqiptare nëpër botë,
Jusuf Vrionit. Librin e mbyll po ashtu me shkrimin Mirëdita fisniku Jusuf
Vrioni, ku i thur himn karakterit fisnik të mentorit të tij, të cilin e quan me
respekt profesor, duke e portretizuar me dashuri si një përkthyes erudit, me
potencial të fuqishëm intelektual e profesional, me shije të hollë, si njeri i
Letrave dhe i Kulturës në shkallë sipërore. Dhe për të dytën herë, Andrea do
t’i rikthehet, pas disa viteve, kujtimeve për profesorin e tij Vrioni, me
shkrimin: Ai ishte i pari, ai ishte mbi të gjithë ne, botuar në librin e Eshref
Ymerit Përkthimi – një histori pasioni.
Këtë
radhë Fotaqit i shfaqet figura e Mjeshtër Vrionit si një ikonë, shembull
profesionisti të përkryer dhe Njeriu fisnik, që na çeli, – vë në dukje ai –
dritaren e lirisë shpirtërore, portat e dashurisë për gjuhën frënge, për të depërtuar
në thelbin e saj, në vetë qelizat e brendshme të kulturës dhe të qytetërimit
frëng. Diplomën e përkthyesit, thotë Fotaqi, e mora në Universitetin Vrioni, me
të cilin punova e bashkëpunova për vite të tëra. Dhe vetë Vrioni do t’ia
shpërblente Andreas, aq ngrohtësisht, tërë atë punë të përbashkët kur i dhuroi
librin e tij Botë të Fshira – Kujtime të një Europiani, me përkushtimin: Për
Fotaqin, këtë libër të gjorë, që thotë aq shumë pak gjëra, në kujtim të çasteve
aq të ngrohta vëllazërore gjatë një pune shpesh tepër delikate, Vëllazërisht e
atërisht, – Jusuf Vrioni, Paris, 10 nëntor 1998. Kjo lidhje e dy brezave, siç e
përshkruan me hollësi Andrea, ishte mbi të gjitha shpirtërore, kur në halle e
vështirësi, përkthimi bëhej në të tëra kohërat, për një kategori të caktuar
intelektualësh, mjeti shpëtimtar, duke ndjekur postulatin “Je traduis, donc je
vis” (Përkthej, pa jetoj) .
-Ti
tani, je një përkthyes i talentuar, mos iu ndaj përkthimit! – ishte këshilla
atërore e Vrionit për Fotaqin që në vitet e para të demokracisë, dhe nxënësi
ndoqi këshillën dhe rrugën e mësuesit të tij, pa iu ndarë një çast pasionit për
përkthim dhe pasionit për hulumtim e zbulim.
Antologjia
Pena të arta franceze, me dy ribotimet e saj, do të gjente jehonë të gjerë
brenda vendit dhe në diasporë. Në Wikipedia u theksua që në fillim: Pena të
arta franceze për shqiptarët, përbën kulmin e tij (të Fotaq Andreas) në lëmin e
zbulimit dhe publikimit të muzave dhe temave me substrat shqiptar tek krijuesit
francezë. Është një vepër e vlerësuar nga një radhë akademikësh vendas ndër më
të njohurit dhe mbi të gjitha, një vepër e formatit akademik, që mund të ishte
tipik produkt i një institucioni shkencor e jo thjesht i një individi. Është
një vepër me përmasa kombëtare, që hap një portë deri dje gjysmë të hapur në
raportet shqiptaro-franceze në fushën e krijimtarisë letrare dhe të historisë
dokumentare.
Në
promovimin e librit mes studentëve të Fakultetit Histori-Filologji (nëntor
2009), ku ishte i ftuar edhe konsulli francez Z. Chaffaurt, autori lexoi dy
letra që kishte marrë nga Ministri i Jashtëm i Francës Bernard Kouchner dhe nga
prof. Sami Repishti, të cilët ngrinin lart vlerat e kësaj vepre që përbën një
pasuri kombëtare në Letrat shqipe të përkthyera. Po ashtu, autori theksoi se
kjo vepër përmban ajkën historike të letërsisë frënge për kombin shqiptar dhe
se atij i ishin dashur shtatë vjet punë hulumtuese e këmbëngulëse në rreth
njëzet burime arkivore dhe biblioteka, duke fotokopjuar rreth 8.000 faqe.
Konsulli francez nga ana e tij, duke u ndalur gjatë në vlerat e librit,
përfundoi me buzëqeshje: kjo vepër do duhej tashmë edhe për publikun francez kështu
siç është përgatitur në shqip, apo me fjalë të tjera “do duhej “përkthyer” në
frëngjisht…
E
veçanta e antologjive të Andreas është se ato janë të gjitha të ilustruara dhe
përbëjnë në vetvete edhe një lloj albumi me vepra artistike e grafike; dhe kjo
për vetë faktin se Andrea është edhe koleksionist i grafikës historike me temë
shqiptare. Mjaft të kujtojmë këtu se ai ka hapur deri tani në Shqipëri e Itali
tre ekspozita me tematikën Shqiptarët në shekuj, duke bashkëpunuar ngushtë me
koleksionistin e antikuareve Dritan Muka në Kanada. Nga ana tjetër, vlen të
theksohet se në të gjitha rastet, autori e ka bërë promovimin e librave të tij
mes nxënësve e studentëve, për ta afruar kështu sa më shumë librin te një
publik i gjerë. Nga vetë mënyra e ndërtimit, me tematikë të larmishme dhe
shkrime koncize, antologjitë e tij janë të këndshme, lexohen me një frymë, nuk
kanë moshë e publik të përcaktuar, janë sa shkencore dhe popullore, për më
tepër që janë të huajt, emra të nderuar që flasin për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Pas
antologjisë Pena të arta franceze për shqiptarët do të pasonte, si një vëllim i
dytë i saj, antologjia tjetër e përmasave të mëdha Arbëreshët e Italisë,
1413-2007 (me 75 autorë francezë), botuar më 2012 me rastin e 100 vjetorit të
Pavarësisë nën kujdesin e profesorëve Francesco Altimari, Luan Malltezi e
Sherif Delvina. Ky libër i kushtohet diasporës shqiptare në Itali, e cila
ruajti me fanatizëm gjithçka të vyer historike shqiptare, thelbin e vetëdijes
kombëtare, gjuhën, kulturën dhe kujtimin e epokës së lavdishme skënderbejane.
Andrea e promovoi librin në Kozenca të Italisë, ku çeli ekspozitën e tij
“Shqiptarët në shekuj”, ndërkohë që në Muzeun Historik Kombëtar çeli për 100
vjetorin e Pavarësisë ekspozitën “Arbëreshët në histori” me rreth 450 riprodhime
veprash artistike që shfaqin botën historike shqiptare në Itali që me
stradiotët e parë të gardës skënderbejane.
Andrea, hulumtues,
zbulues e studiues
Për
vite me radhë, Andrea ka qenë mjaft aktiv në mediat shqiptare, brenda dhe
jashtë vendit, duke i furnizuar me artikuj e ese pas hulumtimeve në fushën
albanologjike, të cilat nuk kanë reshtur një ditë. Këto ditë shtëpia botuese
EDFA po përfundon botimin e librit të tij Gjurmime shqiptare në Letrat
franceze, vëllimin e parë, ku përfshihen një pjesë e këtyre shkrimeve si dhe
përkthime nga albanologë të shquar francezë. (Në parantezë, veprën Kujtime nga
Shqipëria e Epërme të Alexandre Degrand (1901), i cili pati zbuluar që në
shekullin XIX Kulturën e Komanit, Andrea parapëlqeu ta përkthejë të plotë, dhe
sot e ka dorëzuar për botim). Në veprën e tij Gjurmime shqiptare në plan të
parë shfaqet zbulimi madhor: objekti i pestë fizik që ka qenë në pronësi të
drejtpërdrejtë të Kryeheroit shqiptar dhe të familjes Kastrioti, pas shpatës,
përkrenares dhe dy kodikëve të njohur: Libri i Uratave dhe enciklopedia Libri i
Skënderbeut. Ky zbulim, që u krye në bashkëpunim të ngushtë me Dritan Mukën,
përqendrohet rreth kodikut Libri i Petrarkës, i cili përmban dy emblema
kastriotase të dëmtuara, ku bie në sy simboli i luanit ngritur në këmbë, po ku
është shuar përballë tij (me dashje e paragjykim) simboli i shqiponjës
kastriotase me yllin e Davidit mbi krye. Mbështetur në argumentet shkencore të
prof. Robert G. Calkins të Universitetit Cornell të Itakës (USA), që hedh, që më
1972, idenë se ky kodik duhet të ketë qenë në pronësi të Skënderbeut, Andrea
shkon edhe më larg në argumentet e tij historike e heraldike, duke vërtetuar
idenë madhore të Prof. Kristo Frashërit se Figura e Skënderbeut nuk duhet parë
ngushtë si figura e një Luftëtari me beteja të lavdishme, por si figura e një
Burri shteti, me kancelari të zhvilluar në nivele europiane, me diplomaci të
gjallë, rrethuar nga bashkëpunëtorë e humanistë të shquar, e domosdo edhe me
bibliotekë të pasur, duke u nderuar me kodikë të rrallë të kohës dhe emra të
nderuar të Rilindjes europiane, siç ishte Francesco Petrarka, libra që domosdo
Skënderbeu i lexonte, si ato rreth artit ushtarak të kohës së tij, ashtu dhe
Pirron e Plutarkut apo vargjet më të bukura të poezisë së Petrarkës. Këtë
zbulim, Andrea e paraqiti në Konferencën shkencore të Institutit Alb-Shkenca,
që u botua në shqip nga ANASH, Approching Science më 2008, si dhe në frëngjisht
në revistën prestigjioze Studia Albanica të Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë.
Në
fillim të vitit 2012, me rastin e çeljes në forumin Zemra Shqiptare të rubrikës
“Shqipëria bën pa secilin nga ne, po nuk bën dot pa Gjergj Kastrotin”, krahas
emrave të nderuar që do të shpreheshin me zjarr për figurën e Skënderbeut, si
Ismail Kadare, Neki Lulaj, Enver Bytyçi, Ilia Karanxha, Lis Bukuroca, Ndue
Ukja, Sami Repishti, Fahri Xharra, Gjon Keka, Kozeta Zylo, Visar Zhiti, etj.
Fotaq Andrea, duke goditur pseudo studiuesit që përpiqen të “çmitizojnë”
figurën e Kastriotit të madh do të shkruante: Identiteti i kombit shqiptar
është i lidhur ngushtë me figurën emblematike të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
Në tërë kohërat, Shqiptarët e vërtetë kanë për flamur lavdie, krenarie dhe
shqiptarie emrin e tij… Në ka pasë, në ka e në do ketë komb shqiptar, ai është
i lidhur historikisht e përjetësisht si mishi me thoin me figurën e
Skënderbeut, Heroit tonë kombëtar, është i mishëruar njëherë e përgjithmonë në
vetëdijen tonë shqiptare, si dy krerët dhe dy flatrat e shqiponjës sonë, Gegëri
e Toskëri, me dy dialektet e tyre kryesore të gjuhës shqipe, që bëjnë një e
vetëm një… Po e përfundoj, vijon Andrea, me revoltë kundër atyre që cenojnë
Heroin tonë kombëtar, nderin dhe lavdinë tonë, me fjalët: të gjithë ata që
mohojnë Skënderbenë tonë janë të tredhur, të pjerdhur, antishqiptarë, pemë pa
kokrra, gomarë pa koqe. Një revoltë e tillë u komentua gjatë nëpër forume.
Zbulime
të tjera po aq të rëndësishme të hulumtuesit Andrea ishin disa portrete të
panjohura të Skënderbut nga piktorë të shquar botërorë, si Skënderbeu i
Giorgiones, i Ticianit, Guercinos, Landon-it, C. Weigel, J. Schrenck, Seltener,
Charles Guenot, Paul Nocquet – ky i fundit, me porosi të Faik Konicës, zbukuroi
ballinën e revistës Albania me portretin e Skënderbeut në një stil mjaft
origjinal (sot këtë ballinë të revistës Albania, Fotaq Andrea e disponon me
ngjyra në një riprodhim të bukur). Por në mënyrë të veçantë Skënderbeu i
Rembrandit ishte një nga zbulimet e tij më pasiononte, kur shkoi drejt e në
Muzeun e Nansisë për ta parë nga afër dhe për të vërtetuar tërë hipotezat e
ngritura. Studimi i tij i hollësishëm për këtë vepër të shquar u përkthye në
disa gjuhë dhe u botua nga mjaft revista shkencore e forume interneti.
Gjurmime
shqiptare përmban edhe një mori shkrimesh mjaft interesante, artikuj e studime
që kanë bërë jo pak bujë, si “Grurë nga Vlora për popullin e uritur të
Parisit”; “Orientalet” e Viktor Hygoit dhe figura e Ali Pashë Tepelenës”;
“Fustanella shqiptare përfaqëson nderin, dinjitetin dhe krenarinë tonë
kombëtare – Letër Presidentit të Republikës Alfred Moisiu”; Figura e bukuroshes
arbëreshe në disa vepra të artit evropian; Albanuaja, kapela historike
shqiptare dhe stradiotët shqiptarë në shekujt XV-XVII (Andrea vë në dukje se
këtë kapele shqiptare e kanë mbajtur dy mbretër të Francës, Henri II dhe Henri
IV, duke sjellë ilustrimet përkatëse). Po ashtu, artikuj të tjerë mund të
përmendim: Origjina shqiptare e trotuareve të Parisit; Shqiptari, ky Sizif –
Fat tragjik në mbijetesë shekullore; Amazonat shqiptare; Festa e luleve për
Skënderbeun; Shqipëria në NATO, një kontribut me zanafillë të lashtë; Edit
Durham, Xhonturqve, në gusht 1911: Ju e humbët përgjithnjë Shqipërinë; Rekord
botëror në tatuazh në shekullin XIX – Shqiptari Gjergj Aleksandër Kostandini;
Një kryevepër e bukurisë femërore shqiptare pas një historie të rrallë; Moj
Shqiptarka këmbëlehtë – romancë franceze e vitit 1833, etj. Tërë këto shkrime
kanë stil të këndshëm, gjuhë të pasur me figuracion artistik dhe mbi të gjitha
kuadër të caktuar historik që ngre lart vlerat shqiptare nëpër botë.
Fotaq Andrea dhe Faik
Konica
Kulmi
i zbulimeve të Andreas do të arrihej në dhjetor të vitit 2010, kur piketon,
gjen dhe vërteton praninë e dy romaneve të panjohura të Faik Konicës, shkruar
rreth viteve 1908-1909 në frëngjisht dhe botuar më 1911 me pseudonimin Jean de
Kroïa (Gjoni i Krujës), titulluar Martesa e Lejlës dhe Sotiri e Mitka. Fillon
në këtë mënyrë për Andrean, nga viti 2011, aventura Konica. Për të vërtetuar
gjithçka në mënyrë shkencore, ai i hyn studimit me hollësi të revistës Albania,
të epistolarit të gjerë të Konicës, artikujve dhe veprave që rilindësi i madh
kishte botuar në gjuhë të huaja, hulumton në Arkiva e biblioteka të Francës e
Belgjikës, hyn në lidhje të ngushtë me studiuesin Sherif Delvina, pinjoll i
familjes Konica-Delvina, i cili, me personalitetin e tij, me erudicionin dhe
vizionin modern që ka për shoqërinë shqiptare, fiton simpatinë dhe miqësinë e
ngushtë të Andreas. Prof. Delvina e orienton tanimë Andrean në shumë drejtime,
e ndihmon me zbulimet që kishte bërë ai vetë, duke i dhënë edhe pemën
gjenealogjke të familjes Konica-Delvina.
Nga
kjo periudhë, zbulimet e Andreas për Konicën nuk do reshtin: vërteton me
dokumente arkivore praninë e djalit të Konicës që quhej Henrik Lohengrin bej
Konitza, duke botuar edhe një letër të tij drejtuar Fan Nolit; nxjerr në dritë
fakte të reja nga jeta shoqërore e Konicës, miqësinë e tij me Apolinerin, Paul
Nocquet e veçanërisht me shkrimtarin amerikan Benjamin de Casseres, duke
vërtetuar se si Konica u bë përçues i letërsisë dhe i kulturës avanguardiste
europiane në Amerikë; po ashtu, Andrea zbulon fakte nga jeta private e Faikut,
bashkëjetesën e tij me dy mikesha, në kohë dhe vende të ndryshme; rrethanat e
konvertimit të papërfunduar të Faik Dominik Konicës; zbulon, përkthen dhe boton
në shqip esenë e Konicës Mbi Edukimin, artikullin e tij të parë Shqipëria dhe
Turqit; zbulon dhe boton Hartën koniciane të trojeve shqiptare në gjuhën
shqipe, si harta e parë në llojin e vet; ngre lart vlerat e mini-enciklopedisë
Kalendari i Maleve,(1900-1901) si vepër më vete po e Faik Konicës. Nga ana
tjetër, Andrea ndërton dhe përgatit për botim, me një hyrje të gjatë, Letrat e
Faik Konicës drejtuar Apolinerit (libër në proces), çel te Tirana Observer
rubrikën Fletore Koniciane, duke botuar gjer tani 20 numra me fakte të reja nga
jeta dhe vepra e Konicës, si dhe rubrikën Faik Konica dhe realiteti ku Andrea
boton me pseudonimin Monet Maneshi mbi 30 shkrime të Konicës, paraprirë nga
kritikë e ashpër politiko-shoqërore për zhvillimet e sotme në Shqipëri, etj.
Tanimë
për Andrean, Konica është një minierë e vërtetë ari, kur ai sheh tek
personaliteti i tij, te jeta dhe vepra e tij, mendimtarin modern dhe eruditin
shqiptar të paarritshëm, gjithëpërmasor e novator, që ka ëndërruar e punuar për
një shtet e komb modern shqiptar të prirë drejt Europës perëndimore të
zhvilluar. Dhe sa më shumë punon në këtë drejtim, ky studjues bindet që shpesh
Konica është paragjykuar e keqinterpretuar nën optikën brutale “bardhë e zi”,
shkëputur nga “fryma e kohës”, ose duke rendur drejt “ekzotikes koniciane”, nuk
është depërtuar në thelbin e mendimit politiko-shoqëror konician.
Në
shkrimet për Konicën, Andrea larton figurën e rilindasit nën shembullin e
Apolinerit, i cili, duke përdorur një figurë të shkëlqyer mitike e ka quajtur
Faik Konicën një kolos që mishëron në vetvete dyfishimin e Argusit me Briareun
, që do të thotë të bashkosh gjigandin mitologjik Argus me njëqind sy, nga të
cilët pesëdhjetë i rrinin hapur përherë, me gjigandin Briare, i cili kishte
njëqind krahë dhe pesëdhjetë koka. I ndërgjegjshëm se është mjaft e vështirë
për të përcaktuar përmasën enciklopedike të Konicës, dobësinë apo prirjen
parësore që ai kishte për këtë a për atë fushë, për letërsinë, artet,
historinë, gjuhësinë, kritikën letrare, bibliografinë, përkthimologjinë, folkloristikën,
gazetarinë, e gjer te shkencat shoqërore e humane, si psikologjia, sociologjia,
pedagogjia etj., studiuesi Andrea ngulmon për ta parë Faik Fisnik Konicën, siç
e quan ai, si gur themeli dhe nismëtar të guximshëm në tërë këto fusha të
lëvruara me sukses prej këtij Rilindasi të Madh, i cili zbuloi flamurin e
Skënderbeut dhe solli të gjallë kujtimin e tij për të mbrujtur shqiptarët me
patriotizëm dhe me ndjenjën e lirisë e të pavarësisë. Dhe jo vetëm kaq, por
Andrea nxjerr në pah se tërë këto lëndë të bukura, Konica do t’ ishprehte me
gjuhë të bukur shqipe, e mbi të gjitha, duke na i shfaqur në nivele
bashkëkohore, me hapin e mendimit estetik e filozofik të kohës dhe me një
botëkuptim të përparuar perëndimor.
Shpallja
e vitit 2016 VITI FAIK KONICA prej shoqërisë “Vatra” të Amerikës në kuadrin e
120-vjetorit të themelimit të revistës madhore Albania, ishte nismë e nxitur
prej studiuesit Andrea, të cilin Vatra do ta ketë të pranishëm në gjirin e saj
për të promovuar dy romanet e panjohura të Faik Konicës zbuluar prej tij, si
dhe për të çelur një ekspozitë me faksimile dokumentesh dhe vepra arti të veçanta
kushtuar figurës së Konicës.
Andrea dhe Dora d’Istria
Prej
vitesh Andrea ka arritur të mbledhë një material të pasur bibliografik e
artistik për Dora d’ Istrian, duke përkthyer gati krejt esetë e saj për popujt
e Europës, si dhe duke qëmtuar në epistolarin dhe në librat e saj gjithçka për
shqiptarët, për historinë, kulturën dhe gjuhën e tyre, e në radhë të parë për
origjinën e hershme shqiptare të familjes së madhe Gjika. Andrea e ka trajtuar
figurën e saj me disa ese e artikuj, duke filluar nga viti 2007 dhe aktualisht
ka paraqitur për botim vëllimin e parë të veprave të saj titulluar Dora d’
Istria, princeshë e kulturës evropiane, që zënë rreth 800 faqe libër, të cilat
po pasohen nga një vëllim i dytë me shkrime të Dora d’Istrias kryesisht për
shqiptarët. Andrea ka botuar gjer tani dy jetëshkrime të Dora d’Istrias shkruar
prej Armand Pommier dhe Charles Yriarte, ka marrë pjesë në Sesionin shkencor të
Fondacionit Saadi Shirazi (shkurt 2009) me kumtesën Dora d’ Istria dhe bota
perse, po ashtu, në Sesionin shkencor Dora d’Istria dhe përmasa evropiane e
kulturës shqiptare, organizuar në Tetovë në maj 2011, ku Andrea mbajti kumtesën
Përmasa europiane e veprës së Elena Gjikës si dhe përshëndeti këtë sesion me
artikullin Moda Dora d’Istria në Paris dhe disa episode të panjohura nga jeta e
Elena Gjikës. Ai solli në këtë mënyrë fakte të reja nga jeta e kësaj
humanisteje të shquar europiane, bashkëpunimin e saj me Garibaldin dhe
arbëreshët, duke shfaqur edhe idenë e qarqeve politike franceze të shekullit
XIX për të zgjedhur Dora d’Istrian si kryetare të “Federatës ballkanike” (ide
që mbeti në gjendje projekti të parealizuar). Në bashkëpunim me piktorë
shqiptarë në zë, si Anastas Kostandini, Artan Shabani, Vehap Kokalari, Llazar
Taçi, i ndjeri Milto Jorgji, Agim Janina, etj. studiuesi Andrea ka ngulmuar për
një paraqitje artistike sa më tipike e sa më shqiptare te kësaj figure erudite,
duke kërkuar që ajo të ilustrohet artistikisht në takimin e saj me De Radën, me
poetin amerikan Longfelow, me Humboldin
e madh dhe me mbretin e Prusisë, etj. Janë nga veprat më të bukura
artistike që ilustrojnë shkrimet e Andreas për figurën e Dora d’ Istrias, vepra
të artistëve shqiptarë që janë përdorur jo vetëm në sesione shkencore, por në
radhë të parë në dokumentarin Elena Gjika – Dora d’ Istria, pararendëse e Europës pa kufij,
realizuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë nga regjizori Engjëll Ndocaj,
ku Andrea pasqyron gjatë jetën dhe veprën e humanistes shqiptaro-rumune.
Fotaq Andrea si diplomat
Në
shtator 1997, Andrea emërohet Përfaqësues i Përhershëm shqiptar në Këshillin e
Europës (KiE) – organizata më e vjetër
evropiane me seli në Strasburg, ndërkohë që profesori i tij Jusuf Vrioni
emërohet Përfaqësuesi shqiptar pranë UNESCO-s në Paris.
Vitet
1997-2000, ishin tepër të ngjeshura në ngjarje të mëdha, në Shqipëri e Ballkan.
Në diplomacinë europiane shumëpalëshe, sidomos në KiE ku Andrea u emërua
ambasador, duhej përmirësuar mbi të gjitha imazhi i Shqipërisë pas rënien së
shtetit më 1997. Në atë kohë përfaqësuesi rus “me të drejtën e shtetit të madh
kontributor në KE këndonte këngën e gjelit për të denigruar shqiptarët e
Shqipërisë e të Kosovës dhe për të mbrojtur si përherë serbët. Shpejt pasuan
ngjarjet e rënda të vitit 1998 me vrasjen e Azem Hajdarit, përplaset e egra,
deri edhe me armë, të klasës politike shqiptare dhe më pas Lufta e Kosovës dhe
ndërhyrja ushtarake e NATOS.
Puna
në këto vite pranë KiE-së ishte jo vetëm me përgjegjësi, por edhe shumë e
ngjeshur dhe e tensionuar. Dëshmojnë në këtë drejtim mbi 1.500 fakse të
protokolluara në Ministrinë e Punëve të Jashtme dërguar prej ambasadorit
shqiptar, që raportonte me hollësi për mbledhjet politike të Komitetit të
Ministrave të KiE-së, ku ai e merrte fjalën në emër të Shqipërisë dhe hidhte
poshtë akuzat sidomos ruse që e konsideronin UÇK-në si organizatë terroriste. Njohja e thellë e
gjuhës frënge dhe bagazhi i gjerë në fushat socio-kulturore e etno-historike e
ndihmonin atë të ishte mjaft aktiv e me vizion të veçantë diplomatik. Krahas
mbledhjeve politike 2-3 herë në javë në Komitetin e Ministrave, ambasadori
Andrea mbante dhe konferenca në Universitet, jepte intervista, bënte takime në
krejt zonën e Alzasës, organizonte fushata për mbledhje ndihmash për Kosovën,
ndërkohë që këmbëngulte për nënshkrimin dhe ratifikimin nga ana e Shqipërisë të
mbi 30 Konventave dhe Protokolleve europiane. Gjatë kësaj periudhe, në cilësinë
e ambasadorit të Shqipërisë në KiE, Andrea shquhet si ideator për krijimin e
grupeve të punës lidhur me hartimin e “Strategjisë kombëtare për Fëmijën, Gruan
dhe Kulturën në Shqipëri”, mbështetur nga Komiteti i Ministrave të KiE-së; si
koordinator për reformat e institucioneve demokratike në Shqipëri; për decentralizimin
e pushtetit lokal nëpërmjet një serie seminaresh e konferencash; për realizimin
e tryezave të punës lidhur me Paktin e Stabilitetit në Evropën Jug-lindore,
konkretisht në Shqipëri e Kosovë; si iniciator për futjen e Shqipërisë në
Fondin e Zhvillimit Social të KiE-së, në GRECO e në marrëveshje të tjera të
Këshillit të Evropës; si organizator për grupet e punës në Komitetin e
Ministrave të KiE-së lidhur me krizën e Kosovës, si dhe të konferencave
rajonale në Alzasë e Lorrenë për sensibilizimin e opinionit publik francez
lidhur me çështjen e Kosovës. Nga ana tjetër, ky ambasador i Shqipërisë do të
ndërmerrte drejtpërdrejt nismën lidhur me disa veprimtari kulturore në
Strasburg dhe në Këshillin e Europës për propagandimin dhe vizibilitetin e
vlerave shqiptare, konkretisht çeljen e
ekspozitës për Nënë Terezën nga tre piktorë shqiptarë, organizimin e një vizite
pune të Jusuf Vrionit në Komisionin e Venecias, të vizitës së veteranëve
frankofonë shqiptarë në Strasburg, të vizitës së nxënësve të një shkolle
tetëvjeçare fshati në KiE, si dhe të një ekipi futbolli të të rinjve “Iliria
Viking”, etj.
Por
mbi të gjitha, ambasadori Andrea shquhet për përgatitjen e dosjes së plotë
drejtuar Presidentit Meidani lidhur me heqjen e dënimit me vdekje në Shqipëri,
si kusht i ndërkombëtarëve për realizimin e angazhimeve dhe detyrimeve të
Shqipërisë ndaj Këshillit të Europës. Në këtë drejtim, ai u angazhua
drejtpërdrejt duke përkthyer e botuar gjatë atyre viteve librin Para gijotinës
të Albert Kamy-së, me parathënie të Bronislav Gueremek – ish ministër i punëve
të jashtme të Polonisë. Ky libër përmban edhe një vlerësim publik të Lord
Russell Johston (ish-Kryetar i Asamblesë parlamentare të KiE-së) për
ambasadorin Andrea . Këtë vlerësim publik të një personalitetit të lartë,
Andrea e konsideron me të drejtë si një diplomë më shumë për të në fushën e
diplomacisë. Ky vlerësim publik për punën e tij në fushën diplomatike u
kurorëzua edhe me Pllakën e argjendtë që iu dha ambasadorit Andrea nga Komiteti
i Ministrave, në mirënjohje për punën e kryer në KiE. Heqja e dënimit me vdekje ishte një
çështje tepër delikate për kushtet e Shqipërisë në fund të shekullit XX, kur
lulëzonte krimi dhe në psikologjinë e popullit e të pushtetarëve mbisundonte
mentaliteti se “dënimi me vdekje në Shqipëri nuk mund të hiqet për shkaqe
historike, si gjakmarrja”. Në këtë mes, duke respektuar Konventat evropiane dhe
politikën e KiE-se për heqjen pa kushte të dënimit me vdekje, ambasadorit tonë
iu desh shpesh herë të përplasej egër me autoritetet e vendit të vet, të cilët
nuk e honepsnin kundërshtimin dhe deklaronin hapur në KiE se kriminelët do
varen në shesh të Tiranës. E megjithatë, në Shqipëri, dënimi me vdekje u hoq.
Aktivizimi
shumë i gjallë i ambasadorit tonë në Komitetin e Ministrave të KiE-së, bëri që
ky organ i lartë i organizatës më të vjetër evropiane të diplomacisë
shumëpalëshe ta zgjidhte Fotaq Andrean, që në muajt e parë të veprimtarisë, në
funksionin e Raporterit për shoqërinë civile europiane dhe për Organizatat Jo
Qeveritare (OJQ-të) kombëtare e ndërkombëtare, detyrë të cilën ai e kreu me
sukses përmes takimesh me shoqërinë civile në disa vende të Europës.
Në
kulmin e veprimtarisë së suksesshme diplomatike, kur ende nuk i kishte mbushur
tre vjet në detyrë si afati minimal për tërheqjen e një ambasadori, ambasadorit
Andrea iu komunikua nga Tirana kthimi në Ministrin e Punëve të Jashtme në një
detyrë të re, sepse zëvendësohej me dikë tjetër. Kuptohej që dikush i kishte
vënë syrin postit të tij. Eprorët duhej të plotësonin hatëret dhe interesat e
ngushta meskine, kur administrata dhe klasa politike shqiptare as që pyeste për
meritokraci e dinjitet shtetëror. Në rastin e tij, nuk respektohej as
minimalisht statusi i nëpunësit, pale i diplomatit. Sigurisht, shumëkush u
habit nga një zëvendësim i tillë i papritur, e mbi të gjitha vetë administrata
e lartë e KiE-së që nuk mungoi të interesohej e të kundërshtonte, por Tirana
zyrtare e mashtroi se gjoja kishte nevojë për Fotaq Andrean në detyrën e re:
emërohej Drejtor i Arkivit të M.P.J.-së– një sajesë e kotmëkotshme, për ta
hequr qafe. Dhe nuk ishte vetëm rasti i tij në këtë heqje aq të papritur.
Hiqej, po në atë periudhë, nga detyra e ambasadorit shqiptar në Madrid eruditi
i madh Zef Simoni, i vlerësuar aq shumë nga bota dhe njerëz të letrave si
Kadareja. Politika dhe administrata shqiptare e drejtuar nga palo politikanë të
rinj e të papërgjegjshëm, që nuk kishin punuar asnjë ditë në administratën
shtetërore, por që nga bankat e shkollës u emëruan politikanë e shtetarë të
zotë, filluan e vijuan të masakronin gjithçka shtetërore e administrative për
interesa të ngushta vetjake, duke parë vetëm mbushjen e shpejtë të xhepave nga
pseudo-kapitalistë të rinj “afaristë”, të pasuruar edhe këta me vjedhje e krim
dhe që kërkonin, jo vetëm të mbanin e të kontrollonin medoemos tërë fijet e
pushtetit për të shtuar si e si fitimet, por edhe poste diplomatike për
përkrahësit dhe këpucëlëpirësit e tyre. Kështu, ambasadori Andrea u viktimizua
dhe u detyrua të ulte kokën e t’i rikthehej përsëri profesionit të përkthyesit,
profesion që kishte mbajtur në mbijetesë edhe Isuf Vrionin, Zef Simonin, Aristidh Ristanin, etj.
Andrea publicist e
përkthyes
Pa
u ndalur gjatë në fushën e publicistikës, ku Andrea ka qenë mjaft aktiv në
mediat e shkruara dhe në revistat shkencore Sociologjia dhe Perla, theksojmë se
ai ka botuar rreth njëqind artikuj me tematikë të larmishme si dhe ka hedhur në
internet dy përkthime : Për Europën, nga Robert Shuman, njëri nga baballarët e
themelimit të Europës së Bashkuar, si dhe librin Jodhuna, një shpjegim për
fëmijët e mi, nga Jacques Semlin. Në të njëjtën kohë, përkthimi dhe botimi nga
ana e tij i librit Korrupsion të Pierre Lascoumes (2002), shoqërohet nga një
parathënie e gjatë e studiuesit Andrea, që merr në analizë korrupsionin në
Shqipëri si dukuria më tipike e shoqërisë dhe e klasës politike shqiptare gjatë
tranzicionit demokratik.
Ashtu
si disa shokë të tij me të cilët ka punuar e bashkëpunuar si Edmond Tupja e
Viktor Kalemi, Fotaq Andrea, është një përkthyes që dallon për përkthime nga
shqipja në frëngjisht dhe nga frëngjishtja në shqip. Krahas antologjive që
përmendëm më sipër dhe dy antologjive të reja që kanë parë dritën e botimit
kohët e fundit Përralla perse e arabe – 2 vëllime dhe Antologji e përrallës
frënge, Andrea ka përkthyer e botuar edhe romanin historik Shqiptarka dhe
urrejtja e saj të Pierre Chanlaine, si dhe romanin tjetër historik të Leon
Cahun Hasan Jeniçeri – historia e një shqiptari më 1516. Kjo vepër – të cilën e
botoi më 2005 –, përbën edhe pikënisjen e studiuesit Andrea për t’u orientuar
drejt Faik Konicës, i cili që herët kishte huazuar si pseudonim emrin e
personazhit kryesor të këtij romani: Thrank Spirobeg, duke qenë mik i ngushtë i
orientalistit të shquar Cahun, me të cilin kishte bashkëpunuar në Paris për
vite të tëra. Por vetë Andrea, nëse do të shtrëngohej të vinte gishtin mbi
përkthimin e tij më të mirë në shqip, do të përzgjidhte romanin Gargantua të
Rabëlesë, libër tepër i vështirë që e përktheu nga gjuha e vjetër frënge e
vitit 1534. Në përkthimin e kësaj vepre, Andrea i vuri si qëllim vetes të
pasqyronte gjuhën e bukur të Rablesë, këtij klasiku të Letrave frënge, cilësuar
si Mjeshtri i saj hyjnor, me një gjuhë shqipe disi të vjetër, por të bukur e të
pasur për të përballur këtë kryevepër të letërsisë botërore. Po ashtu, edhe
përkthimi i tij i fundit Legjendat e Mesjetës, që kanë në qendër “Kalorësit e
Tryezës së rrumbullakët të mbretit Artur”, karakterizohet nga një bukuri dhe ëmbëlsi
e veçantë e shqipes së tij.
Në
përkthimet nga shqipja në frëngjisht, Fotaq Andrea që herët ka dhënë
kontributin e tij kur punonte si përkthyes në Shtëpinë botuese me ekipin e
Jusuf Vrionit, por më pas, i prirë për t’i hyrë më të vështirës në përkthime,
ai dha në frëngjisht librin me fabula të fabulistit të talentuar Ferit Lamaj
Dhelpra e Trojës, libër që u vlerësua me çmimin ndërkombëtar Çmimi La Fonten.
Tek mori pjesë në Konferencën Eposi i kreshnikëve, monument i trashëgimisë
kulturore shqiptare, Prishtinë, gusht 2010, me kumtesën e tij Vështrim historik
i këngëve heroike shqiptare në Letrat franceze, Andrea u zotua të përkthente në
frëngjisht dokumentarin Lahutari i fundit në kuadrin e përgatitjes së dosjes
Eposi i Kreshnikëve, vlerë e trashëgimisë botërore gojore për t’u marrë nën
mbrojtje nga UNESCO. Andrea kujton këtu vështirësitë tepër të mëdha që hasi në
përkthimin në frëngjisht të këtij filmi, kur detyrohej të përkthente një gjuhë
gegërishte mjaft të rëndë në gojën e pleqve 80 vjeçarë, që flisnin me dialekt
të lashtë plot hundorëzime, si të shëmbeshin, thotë Fotaqi, vetë shkëmbinjtë e
moçëm nga lartësitë e maleve të Rugovës. Andrea ia arriti edhe këtij qëllimi
dhe filmi u shfaq gjithandej, deri edhe në Pekin. Këtë vështirësi në përkthim,
Andrea e hasi po ashtu edhe te Përrallat shqiptare në frëngjisht, një antologji
që ai ndërtoi me përralla të zgjedhura nga visaret e kombit tonë, të cilën e ka
në fazë të fundit përpunimi. Vështirësia përkthimore në gjininë e
folkloristikës e të fabulës është e njohur nga të gjithë, dhe kërkon vullnet e
durim, këmbëngulje e pasion të veçantë për t’ia dalë mbanë.
Ndërkaq,
në prill 2015, ai botoi në Francë librin Guri i shpirtit – Kronika shqiptare,
një përmbledhje me 14 tregime të tij të zgjedhura, shkruar gjatë viteve
1997-2004. Këtu ai pasqyron periudhën e tranzicionit të dhimbshëm demokratik
shqiptar. Kohët e fundit, duke analizuar një për një këto tregime të tij në
frëngjisht, prof. Anton Papleka, me një ese të gjatë, e krahason stilin e
Andreas me stilin e Migjenit tek shkruan: Fotaq Andrea, vazhdues i traditës
migjeniane.
Një
kontribut më vete përbën përkthimi i tij i librit të Sami Repishtit Dialektika
e rendit dhe e rebelimit tek Andre Malraux (Onufri 2011), ku Andrea, me një
shkrim përmbledhës për vlerat e veçanta të kësaj vepre rinore të profesor
Repishtit, shfaq potencialin e fuqishëm intelektual të këtij personaliteti të
shquar të botës shqiptaro-amerikane që na mahnit me freskinë dhe forcën e
mendimit të tij… E në këtë forcë të madhe shpirtërore – vijon Andrea -,
Repishti student i ngre himn nënës së vet dhe gjithë nënave të përvuajtura të
Shqipërisë, që me dashurinë e tyre mbanin të ndezur flakadanin e jetës dhe vetë
optimizmin për të.
Si
intelektual me interesa të gjera Andrea bashkëpunon dhe me shkollat e larta të
Shqipërisë për përkthime veprash për programe mësimore si libri i historianit
të shquar amerikan Moses Finlay Demokracia e lashtë greke dhe demokracia
moderne.
E
mbyllim këtë ese për Fotaq Andrean me projektet e tij për të studiuar së
shpejti jetën dhe veprën e rilindasit Sotir Kolea, pa iu ndarë Konicës, Dora d’
Istrias, përkthimit të veprës së Rablesë Pantagrueli si dhe hulumtimeve në
fushën e albanologjisë.
Do
të shtonim se Andrea është studjuesi e hulumtuesi më i përgatitur për të
gjurmuar e mbledhur dhe shkrime të penave franceze për arbërorët e Greqisë, të
cilët ashtu si arbëreshët e Italisë kanë vlera të mëdha për kulurën tonë
arbërore-shqiptare. Një vepër e tillë si volum i dytë i antologjisë Arbëreshët
e Italisë, 1413-2007 duhet kryer sa më parë sepse arbërorët e Greqisë janë
drejt asimilimit të plotë dhe nuk mbrohen e nuk studjohen nga institucionet
shkencore të shtetit grek.