E premte, 19.04.2024, 02:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Kumtar nga shpellat e vetmisë (7)

E enjte, 14.05.2020, 12:44 PM


KUMTAR NGA SHPELLAT E VETMISË

(Roman me një frymë, në vazhdime), 7

Nga Prend BUZHALA

Në sfondin elektronik të telefonit tim ora ma tregon kohën në katër vende, në Canbera të Australisë, në Teheran, Milano dhe Nju Jork. Mandej ma tregon motin, nivelet e temperaturës, kurse në tabelën tjetër, më dalin vende kryesore të të gjitha kontinenteve. Kur jam në lëvizje, çuditërisht, më tregon saktësisht se ku gjendem.

1.

Por çudia po ndodh edhe sa gjendem i izoluar. Sfondi i kohës dhe i motit e tregon edhe gjendjen time të brendshme: nëse mendja ime bredh diku nëpër Afrikë, atëherë më dalin qytetet e mëdha të këtij kontinenti: Antananarivo e Madagaskarit, Bujumbura e Burundit, Xhibuti, Adis Abeba e Etiposië, Akra e Ganës, Dakar e Senegalit. Kur gjendja ime është e shqetësuar, sfondi errësohet, kur jam në meditime, del një ngjyrë e kafes, kur jam i ishulluar me ndjesinë se gjendem në mesin e një shkretëtire, më shfaqet e gjelbra. Ndjesia e dyshimit, e shpërqendrimit, e hallakatjeve të brendshme mi shfaq ngjyrat blu, kuq-bardh me do yje që shkëndijëzojnë e lëvizin nëpër sfond.

Më dalin edhe do shenja të tjera, krejtësisht të pakuptueshme, do kriptograme, sikur më vijnë nga planetët tjerë.

Por po ndodh që shpesh edhe të dridhet, sikur po më thërret dikush. Alo...askush nuk paraqitet në telefon, por më doli kriptograme, që, kur i deshifrova, më dalin që unë qenkam në halucinacione, në ëndërrime të pasakta, në kundërshtim me të vërtetën.

2.

Kësisoj, kur në mëngjes zgjohem dhe i shtroj vetes pyetje:

- Çka ke ëndërruar sonte?

- Asgjë, ama hiç, asgjë, - i përgjigjem vetes.

- Ama dukesh i shqetësuar, - i them vetes.

- Po, e ndiej veten të shqetësuar, - i përgjigjem vetes.

- Atëherë ke parë një ëndërr të keqe, - i them vetes,.

- Nuk më kujtohet asgjë, - përgjigjem prapë vetes.

- Por një makth e paske kaluar, - them vetes.

- Po, mu duk se isha duke kaluar në një rrugë, - i përgjigjem vetes.

- Dhe ke menduar që ajo rrugë që e ndjek, qenka e vetmja, të tjerat nuk bën t'i ndjekësh se nuk kanë rrugëdalje, - përgjigjem vetes.

- Je ndjerë i pambrojtur gjatë atij udhëtimi, - i them vetes.

- Po, por isha këmbëngulës. Nuk dëshiroja të ndërroj qëndrimet e mia, - i përgjigjem vetes.

- Dukej sikur dikë e urren, - i them vetes.

- Po, por ishe ti që ma mbaje frymën të gjallë, - tash nuk e di, a i përgjigjem vetes apo Bletës.

- Mendoje pandërprerë, shumë-shumë, - i thashë vetes.

- Mu duk që ai zë më thoshte se do të largohej nga unë dhe u futa në shqetësime të thella, - i përgjigjem vetes.

- Ishe i mbërthyer nga një magji që të shtang, - i them vetes.

- Mund të jem shtangur, kur ti më the që nëse më merr për dore e më dërgon në shtëpi, nuk po largohem, - tash nuk e di, a i përgjigjem vetes apo Bletës.

- U duk sikur shtangia e magjisë kaloi përtej teje,- i them vetes.

- Kur ti ndjeheshe e pafuqishme, më the që të mos jesh e lirë nga unë, por e bërë një me mua, - tash nuk e di, a i përgjigjem vetes apo Bletës.

- Dukej sikur luhateshe dhe dëshiroje t'i ngulej këmbët fort për tokë, - i them vetes.

- Ti vura krahët për të të mbajtur që të mos më shqiteshe, të mos ndjeheshe e lirë, për të mos u shkërmoqur, - tash nuk e di, a i përgjigjem vetes apo Bletës.

- Ke pëshpëritur se dikush po qante,- i them vetes.

- Ishe ti tejet e lodhur, e sfilitur, sikur të kish kapluar një hije e kuqe, e rrumbullakët., tash nuk e di, a i përgjigjem vetes apo Bletës.

- Është frika nga humbja, frika se mos po ta rrëmbejnë të sëmurët e shtrirë në spital, - ia shpjegoi vetes ëndrrën.

- Ishte vërtet një ëndërr që nuk e duroja dot. Kur u zgjova, dhe hodha sytë kah lajmet në kompjuter, çuditërisht, situatat e realitetit iu ngjanin saktësisht atyre të ëndrrave. Dhe, për dreq, kur po thellohem nëpër tituj e lexime, fragmente-fragmente, nuk e di se a gjendem në ëndërr apo në zhgjëndërr, - i përgjigjem shpjegimit të vetvetes.

- Ëndrra shfaq shqetësimet e ditës. Dhe ta tregon rrugëdaljen: dyert e jetës e të realitetit nuk janë mbyllur. Edhe mediat iu ngjajnë ëndrrave të këqija - e sqaroja veten.

- Po, po, po... makthet e gjejnë shtegun e tyre për të depërtuar, për t'u kanalizuar, - - i përgjigjem sqarimit të vetvetes.

- Prandaj, posa u zgjove, e ke ndjerë veten të çliruar, dhe ke marrë frymë thellë, - i them vetes.

- Eh, nuk ishte e këndshme ajo që pashë në ëndërr. Por e pakëndshmja po vazhdon edhe gjatë ditës. Nuk kam si t'i shpjegoj ndryshe dëshirat e çmendura e anti-jetë të disa figurave të jetës sonë politike, mediatike e intelektuale, fobi kundër realitetit të përditshëm, armiqësi ndaj së bukurës, urrejtje ndaj dritës e rrezeve të diellit që lind në agim, - i përgjigjem vetes.

- Por diellin nuk mund ta ndalojë askush të mos agojë a të mos perëndojë për të na i shfaqur bukurinë e yjeve dhe pushimin e natës, - i them vetes.

3.

Në atë çast më ndërpreu trokitja e ziles në derë, kur shfaqet Bleta për të m'i sjellë ilaçet dhe ushqimin. Mbante rrobat e bardha të infermieres, maskën e bardhë dhe dorëzat e bardha në duar. Dukej si një perëndeshë diellore.

Këmbyem fjalët e zgjimit, lumturisë, besimit, zemrës që nuk ishte thyer.

- Të pashë në ëndërr sikur je zgjuar para agimit, pa lindur dielli, - më thotë Bleta.

- Kam parë makthe për ty. Por këto ankthe ma kujtojnë mirësinë tënde, bukurinë e jetës e të dashurisë, - përgjigjem Bletës.

- Dashurisë? E kur më ke ftuar, së paku për një darkë, - më pyet Bleta, si në qortim.

- Darkën e parë do ta hamë së bashku, po sa të dalim nga ky makth izolimi.

Iku duke u harlisur me një të qeshur si një përgjigje se më kishte zënë në faj.

Nuk e di, në mos jam i hershmi apo i vonuari te shprehja e dashurisë ndaj Bletës.

Kurse ajo luan me mua.

Dhe unë e pranoj me kënaqësi këtë lojë lozonjare.

(Prend N. Buzhala, 29 prill 2020)

Pjesët në vazhdim i gjeni në faqen e autorit: https://www.facebook.com/prendb2



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora