Kulturë
Resmi Osmani: Haxhiu i Frakullës në kërkim të lumtirisë
E merkure, 13.05.2020, 01:42 PM
HAXHIU I FRAKULLËS NË KËRKIM TË LUMTURISË
Po
ah…kjo drita e bardhë e dashurisë
së
parë është posi rrezja e yllit të ditës:
duket
në qiell e mbush botën me dritë.
Jakov Xoxa
Esse nga Prof. Dr. Resmi Osmani
Vath
Koreshi ( Lushnje 7 maj 1936-Itali 2 shkurt 2006) është emër ndër më të
shquarit e letrave shqipe në gjysmën e dytë të shekullit që lam pas dhe në
dhjetvjeçarin e parë të shekullit që kemi hyrë. Personalitet i shumanshëm:
romancier, novelist, tregimtar,skenarist
e gazetar, veprimtar shoqeror, ministër, deputet.Por mbi të gjitha
prozator cilsor i veçantë, stilist igjuhës së bukur,njohës i thellë i ndjenjave
dhe shpirtit njerëzor.I thjeshtë e modest, dashamir dhe i vëmendshëm ndaj
talenteve të reja. Trashëgimi letrar që na ka lënë, dhe që s’është i pakët,në
çdo aspekt që ta shohësh, i takon letërsisë elitare, leximi i së cilës veç kënaqësisë
estetike për të bukurën në art, për aspekte të veçanta të jetës njerëzore,
humanizmin, thellësinë e njohjes të shpirtit dhe psiqikës, dëshirën për jetë,
dashuri e lumturi, në trazimet dhe vështirësitë e shkaktuara në dallgët e detit
të jetës dhe, forcën e personazheve për përballimin e tyre. Krijimtaria e tij është
një univers i jetës shqiptare, të së shkuarës dhe të së tashmes. Si i tillë ai
meriton të jetë në panteonin e letrave shqipe, dhe këtë s’jam unë që e them i
pari.
Është
për të ardhur keq, por mesa di, pas ikjes së tij nga jeta, librat e tij nuk janë
ribotuar dhe mungojnë nga stendat e librarive. Disa syresh, i kam gjetur te
bukinistët. Ka ardhur koha, që vepra e tij të botohet e plotë.Më mirë se kushdo
,mund ta bejnë trashëgimtarët e tij me
Shtëpia Botuese Onufri, drejtor i së cilës, për pesë vite ka qënë
shkrimtari.
Haxhiu
i Frakullës, u shkrua në vitin 1979, po në atë vit u shkrua dhe edhe Dasma e
Sakos, që për nga tematika, është një binjakëzim i Haxhiut të Frakullës:njeriu
në kërkim të dashurisë dhe lumturisë, por në
kohë
tjetër e në të tjera kushte. U botuan më 1980. Autori e quajti novelë, por ajo
përmbush gjithë kushtet për t’u klasifikuar si roman. Së pari u përfshi në
librin ”Dasma e Sakos”,1980, tok me dy novela të tjera dhe një tregim. Më pas,u
perfshi në librin”Pelegrinët e Samarkandës”, bashkë me dy novela të tjera,2002.Në
botimin e Onufrit,2004, në gjallje të autorit, si gjini u përcaktua roman. Pati
edhe një botim në Shkup, nga Logos-A, këtë herë si roman më vete. Botimet dhe
ribotimet, janë dëshmi e vlerave të romanit dhe interesimin e lexuesve për të.
Përmbajtja e romanit është
e thjeshtë: në qytetin e Beratit, kalon udhëtari turk Serdar Ali Hani,mik i
sulltanit(ashtu si dikur Evlija Çelebiu). Me vete ka të bijën çupëlinë
Meremxhe, turkeshë me bukuri të rrallë.Në darkën që japin për mysafirin e
shquar autoritetet vendore, thërrasin për të dëfryer miqtë,poetin dhe këngëtarin
e ri Haxhiun e Frakullës. Në këtë darkë, dy të rinjtë pëlqehen dhe
dashurohen.Serdar Ali hani largohet dhe e merr me vete Meremxhenë. Ajo i dergon
Haxhiut, me mikun e tij lulishtarin Bukri, si peng dashurie unazën dhe i premton
se do ta presë pesë vjet në qytetin e Samarkandës.Pjesa e dytë është odisea e
Haxhiut,kuturisja e pashëmbullt, që zgjat tri vite deri në Samarkandë, dhe
pjesa e tretë çgënjimi dhe kthimi në Atdhe,që zgjat 21 vjet!
Disa
studjues,Haxhiun e Frakullës, e rendisin në zhanrin e romanit historik. Nuk jam
i të njëjtit mendim, pasi romanet historikë, bazohen mbi ngjarje historike dhe
persona historikë, kurse te ky roman, historisë i takojnë vitet e shtjellimit,veshjes
së subjektit të ngjarjes dhe jo vetë ngjarja. Autori nuk na e thotë se në cilët
vite zhvillohen ngjarjet e romanit, por mund të hamendësojmë se duhet të jetë
mesi I shekullit të XIX, kur Shqipëria ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane.
Por përse shkrimtari zgjodhi këtë kohë dhe atë ngjarje? Jam i mendimit se ishte
një mundësi për të dalë jashtë suazës së metodës zyrtare të realizmit socialist
me kufizimet e ngushta dhe kanunet e saj të ngurta. Ishte kjo një hapësirë
lirie krijuese, ku shkrimtari mund të shpaloste talentin e tij pa kufizime
ideore. Si metodë krijuese, ky roman-fiksion i takon relizmit, gërshetuar me
nuancat e realizmit magjik, e që na kujton krijimtarinë e Kutelit.
Ajo që tërheq vemendjen në këtë roman por edhe te
Dasma e Sakos dhe Balada e Kurbinit, që mund të konsiderohen si një trilogji
nga pikpamja tematike, është trajtimi nga shkrimtari i fatit të individit në kërkim
të bukurisë, dashurisë dhe lumtuurisë. Më e spikatur kjo është te Haxhiu i
Frakullës. Këto dukuri jetësore, mund ti
paraqisim si një ekuacion sintezë:
Bukuri + Dashuri=
Lumturi
Bukuri- dashuri = Mjerim
Le
t’i marrim në analizë dhe ti shtjellojmë të dy barazimet, sesi janë parashtruar
dhe shtjelluar në roman.
Bukuria. Shkrimtari që e gjen dhe
e qëmton bukurinë kudo në jetë e në natyrë, e trajton bukurinë njerëzore si një
dhuratë dhe vlerë, si kategori estetike, si tërësi harmonike, si më e mira e mundshme, e
elementëve të veçantë përbërës të tipareve dhe pamjes së individit, që janë në
harmoni me njëri-tjetrin, në aspektin fizik. Kjo bukuri, e kundërta e shëmtimit,rroket
nga syri, që është porta e shpirtit dhe bën që e bukura të jetë objekt
admirimi, pse jo edhe dëshirë zotrimi. Syri ja përcjell pamjen psiqikës, ajo
shndrrohet në alkiminë e ndjenjave, në një forcë grryese e cila prushëron zemrën
dhe gjakun, që lindin atë tërheqje magnetike të papërballueshme që është
dashuria. Dhe Meremxheja, vashëz e përkëdhelur,kanakare dhe gjithë teka, është
vetë bukuria. Një bukuri orientale, e ndryshme, e pakrahasueshme me vajzat e
Beratit që kishte parë Haxhiu. Shkrimtari nuk i kursen ngjyrat dritën dhe shkëlqimin
në portretin e Meremxhesë, ishte ndër krijesat më të bukura: e hollë dhe e
brishtë, me një lëkurë të bardhë e të lëmuar, me dy sy të mëdhenj rrëziëllitës
me mijëra shkëndija që vezullonin nën harqet e vetullave të holla, bukuri
shtangëse, fytyra e saj ndrinte si të
ishte ndezur në të një dritë me shkëlqim farfurie. Haxhiu patakset: O zot, ç’ishte
ajo, perri? Nuk kishte parë herë tjetër
një bukuri të tillë. Ai,Haxhiu vazhdonte që para asaj bukurie të ishte si në ëndërr.
Fjalët dhe e qeshura e saj, ishin kumbuese si tinguj argjendi. Shkrimtari,
zotron deri në përsosje paraqitjen e bukurisë femërore. Shpesh, me të veçantën
dhe simbolet jep të tërën. E bukur,e kolme, me ca sy në bojën e luleve të lirit
e të manushaqes, që i dukeshin aq të kaltër e që në brendësi kishin një si
hije, një si thellësi uji, një si dritë….me flokë të rëndë është edhe Sela te
“Dasma e Sakos”,me bukuri të spikatur e të mëvetshme është edhe Dodekaja te
“Balada e Kurbinit”. Secila një bukuri më vete, goditëse, të parezistyeshme.
Po
Haxhiu? Bukurinë e tij shkrimtari na bën ta shohim me sytë e të tjerëve. I
hijshëm, me tipare të ndezura nga një prushërim i brendshëm, baluket e errëta
pendë korbi, i binin në shtegun e ballit të bukur.Bukuria e djalit e godit
Meremxhenë si rrufeja, aq sa ajo,e fisme,aristokrate, krenare, s’e zotron dot
veten dhe i drejtohet atij:Sa i mirë qënke! Sa të bukur që e paske zërin; sa i bukur që
je! A ta kanë thënë vajzat këtë? Të dy ,jo vetëm çmojnë pamjen e njeri-tjetrit,
por magjepsen e verbohen nga dukja e saj. Diçka paksa magjike e romantike, e
çfaqur si e shkrepur rrufeje.
Gjithë
këto bukuri rrëzëllitëse, që shkrimtari
i ve përball njëra-tjetrës, në rastin e dhënë gati i ngre në kult dhe i shënjtëron.
Ajo përbën tharmin nxitës të zhvillimit të ngjarjeve, që bëhet shkak ngazëllimi,
përjetimi të vrullshëm të gjendjeve shpirtërore shpërthyese, të asaj drite
verbuese që çart mendjen, trondit e vrundullon zemrën e që molis shpirtin. Jo vetëm për të motivuar dashurinë
e beftë të dy të rinjve, por edhe për ta bërë atë të besueshme e të pranueshme
për lexuesin, që ai të jetë pjesmarrës në atë që ndodh dhe ta përjetojë
emocionalisht. Dhe e arrin.
Dashuria. Ka aq shumë të thëna e
përcaktime për dashurinë sa nuk do të mjaftonte një libër I tërë, ndaj ne do ta
shohim nga një këndvështrim tjetër: si e paraqet shkrimtari këtë ndjenjë
sublime në romanin “Haxhiu i Frakullës”. Dashuria, është e lindur, është pjesë
e ndjenjave njerëzore, një instikt ndjenjësor, që rri i strukur brenda
individit, qoftë vajzë apo djalë. Vjen një kohë, vjen një moshë, kur ajo
zgjohet dhe shfaqet si një mirazh me fytyrën e një vashe apo të djalit. Një
ndjenjë e vetvetishme, pjesë e qënies, në pritje të rrethanave dhe ngacmimeve të
jashtme e të brendshme për tu zgjuar dhe shpërthyer si dalldi marramendëse ,
turbulluese , si një ethe e ëmbël e vezulluese. Kështu i ndodh Haxhiut edhe pa
njohur Meremxhenë. Edhe pa shkak, ndjente zemrën ti rrihte me vrull. Diçka përshkënditej
thellë vetes së tij, një si dritë, një si zjarr. I përhitej me vegullim, me një
ngulm vrashpirtës shtati i një vajze që shndriste nga mijëra pikëzime hije dhe
drite. Mosha thërret dashurinë, prushëron gjakun. Por kjo ishte vetëm një ëndërr
flurore e përbërë nga ajri dhe drita. Por gjithsesi, në zemër është gatitur
trualli ku ka mbirë lulja e dashurisë, e kuqe si gjaku, dehese si vera, me aromë
trëndafili e jasemini. Edhe Sakos, djalë fare i ri, në novelën “Dasma e Sakos”
kësisoj i shfaqet dashuria, si mirazh, vegim abstrakt, mes dritës dhe tisit të
ndritur të mjegullës, vasha myzeqare, nusja e pritur, e bukur si në përrallë.
Dashuria,
Erosi mitologjik, i bukur e hyjnor, perëndi e dashurisë, fluturon me krahët e
artë mbi tokë e dete, në dorë mban një hark të florinjtë dhe në shpinë kukuren
plot me shigjeta. Me ‘to qëllon gjithnjë në zemër. Shigjetat e tij ngjallin gëzim
e lumturi, por shpesh edhe vuajtje dhe tortura dashurie. Këto shigjeta e
shigjetuan zemrën e Haxhiut të Frakullës dhe Meremxhesë, vajzës së Serdar Ali
Hanit. Janë sytë, dritaret e shpirtit që shitohen nga bukuria e ndërsjellë, që
flasin me dritë, japin e marrin kumtet, atë që se thonë fjalët, nis ai dialog
memec me nojma drite që i thotë të gjitha ç’ka dhe ç’dëshiron zemra, dhe lind
ajo që quhet dashuri me një të parë. Haxhiu i Frakullës, këndon në darkën e
shtruar për miqtë e shquar.Një këngë malli. Për Meremxhenë, zëri i tij është si zëri i sirenave, me forcë tërheqëse
të parezistueshme. E bukur kënga, më i bukur këngëtari. Ajo i afrohet atij si
flutura e natës dritës së qiririt. Bukuria etij e goditi si rrufeja, dhe ajo,
tekanjoze, e lirshme, që s’njeh pengesa në veprimet e saj, e tërheq Haxhiun në
lulishten e pallatit, mes trëndafilave, borzilokut e manxuranit, nën harkun e
ylbertë të piklave të shatervanit, nën kupën e qiellit me dritë hëne dhe yjësive.
Haxhiu trulloset, ngurtësohet, hutohet, nuk di si të sillet. Meremxheja, lirshëm,
pa droje, por edhe e dëshiruar, e kapluar nga ndjenja e beftë dhe me përdëllim
i pëshpërit djalit, fjalë dashurie që ai si kishte menduar kurrë: ”Kurrë s’kam
dashur një njeri si ty. Pa ty do të vdes.Do të qash ti për mua? Do të bësh një
vjershë. Martohu me mua- I lutet ajo,-mos u bëj zemërgur,përgjigju një vajze që
u bë e mjerë sapo të pa.” etj. E gjithë kjo romancë befasuese dashurie vuloset
me të puthurën mjaltë. Ishte vërtet kjo dashuri, apo një trill, një sjellje
lojcake. E nga ta dinte Haxhiu këtë? Ai dyshon, kur brenda syve të saj sheh një
ftohtësi e shikim si presë thike, njëfar dyzimi midis asaj që thoshte dhe asaj
që vërtet ndjente.Ta kishte ajo vërtet shpirtin po aq të bukur sa edhe pamjen?
Pas
një nate parajsore një ditë e skëterrshme.Takimi në kafenenë e poetëve.Meremxheja
e ftohtë,si të mos njiheshin.I ftuar për të recituar një vjershë, Haxhiu i
tronditur, nuk mundet. Bëhet objekt shpotish dhe ikën. I ati që e kishte
ndjekur në fshehtësi gjendjen e të birit, e ndjen veten të poshtëruar dhe të
çnderuar. Ai në zemrim e sipër e rreh Haxhinë egërsisht sa ai lëngon në jatak
ditë të tëra. Ëndërra Meremxhe, tretet si vesa e mëngjesit, shtillet si
mjegulla nga puhia e erës. As dashuri, as lumturi, veç mjerim. Vuan shpirti,
dhemb trupi, lëngon zemra. Shkrimtari, përshkruan mjeshtërisht me kontraste dhe
antiteza të fuqishme, kalimin nga njera gjendje në tjetrën. Meremxheja ikën nga
Berati, si një yll që shkëputet nga qielli i dashurisë, duke lënë pas vazhdën e
saj të ndritur, për të vijur udhëtimin me karvanin e të atit. Haxhiu, nga
dritarja e ndjek me sy i trishtuar e i pikëlluar,atë që ishte dashuria e tij e
parë, deri sa ajo humbet në largësi, duke e lënë atë në mjerimin e tij.
Por-gjithnjë ka një por-Haxhiut I vjen një kumt nga Meremxheja, me Bukriun,
lulishtarin, shokun e Haxhiut: Ajo e dashuron Haxhiun deri në vdekje. E pret
pesë vjet në Samarkandë, dhe si peng dashurie i dërgon unazën e saj me gur të
çmuar.
Pelegrini i Samarkandës. Kaqë e fortë është
ndjenja e dashurisë dhe etja e lumturisë që buron sish, saqë Haxhiu i Frakullës
vendos të marrë udhët e botës, ta gjejë,
ta marrë dhe ta sjellë në Berat!“Unë do të nisem. Zere se vdiqa. Zere se shkoi
jeta ime. Nuk rri dot” Jeta pa të dashurën është njësoj si vdekja. Më e fortë
se vdekja. Dhe ai niset, fill i vetëm. Tri vjet udhë. Tri dimra, tri vera, ec e
ec e s’ka të sosur. Raskapitje, veshur me lecka, ngrënë e pangrënë. I munduar
nga të ftohtit, i përvëluar nga zhegu, i tharë për një pikë ujë. Mijëra
kilometra, fshatra, qytete, fusha e male, shkretëtira, veç ik e ik, me një
synim: Samarkandën. I shtrenjtë ky çmim i dashurisë dhe kërkimi i lumturisë. Ka
një forcë që e shtyn përpara: dashuria. Gjithë bota e pafund që ai përshkon është
mbushur me dritën e Meremxhesë, ai nuk shihte kurkund gjë të errët përpara. Më
në fund, ah më në fund, Haxhiu i Frakullës arrin në Samarkandë. Që të arrinte
aty, i dukej se kishte shkelur gjithë dherat e botës, gjithë rrugët që nuk mund
t’i përshkonin gjithë brezat….dhe mund të binte e të vdiste në çast,sikur të
mos kishte një shpresë në zemër, sikur para syve të mos kishte një dritë, që si
ai mirazhi që u shfaqet udhëtarëve në shkretëtirë, e ftonte vazhdimisht: eja,eja.Ja
dhe pak dhe mbërrite. Kjo dritë ja hiqte lodhjen dalëngadalë sapo nisej për
rrugë.
Samarkanda.
Ky qytet që kishte qënë mirazhi i tij, iu shfaq i pluhurosur, i djegur nga
dielli. Mbrritja aty, i jepte fund mundimeve të udhëtimit, sido që të qe, ai
ishte qyteti i Meremxhesë. Më në fund, kjo mbritje, ishte çlirim nga ankthet dhe makthet, prehje
shpirti, orë lumturie. Lumturia e kishte emrin meremxhe. Ajo tashmë sishte më
një mall që s’shihej dot, një kujtim. Edhe disa orë dhe ai do ta shihte sesi do
të zgjeroheshin sytë e saj nga habia, si do të rendte ajo drejt tij, si do të dëgjonte
përsëri zërin e saj dhe gudulisjen e shtatit të saj me erë jasemini. Haxhiut i
qe mbushur me gaz fytyra dhe ndjeu në trup një energji djaloshare.
Vetëm
ca orë lumturi e qetsi shpirtërore. Një lumturi efemere, zhgënjim i hidhur si
vdekja. Serdar Ali Hanin dhe vajzën e tij Meremxhe, askush se njeh në Samarkandë,
askush s’ka dëgjuar për të! Haxhiut i kthehet bota përmbys, zhgënjimi i hidhur.
Kupton, ose dyshon që ka rënë viktimë e një mashtrimi se me të kanë lozur e janë
tallur. Ska Meremxhe, dashuria mbetet një kujtim, njëplagë shpirti e pambyllur,
lumturia një ëndërr. Pelegrini merr udhën e kthimit. Pas njëzetenjë vjetëve
arrin në vendlindje, në Berat. I veshur me një dolloma të vjetër e të arnuar,
me një trastë udhëtari, i dërrmuar, i sfilitur, i thinjur, i plakur.
Kështu
mbyllet romani.Autori mund ta kishte mbyllur edhe me fund të lumtur, por ky do
të ishte një artific. Ka shumë arsye që e pamundësojnë. Para nisjes së Haxhiut,
i ati, poeti Nezim, shoku i tij Bukriu, ja bëjnë të qartë se midis shtresës së
tyre shoqërore dhe asaj të udhëtarit turk,është një det I thellë që i ndan. Se
ata janë fukarenj dhe njerëz që shohin hallin e tyre, se gjysh stërgjyshi, aty
kanë lindur e aty do të vdesin, se s’jemi ne për zonja të tilla. Ka nuse Berati
plot, të mira janë dhe ato, nuse për shtëpi. Ajo nuk është për ty. Jemi
fukarenj ne….Por Haxhiu niset drejt një ëndërre, në kërkim të lumturisë, sepse ja
që i tillë është gatuar njeriu, ka të drejtë të ëndërrojë dhe ta kërkojë gjith
jetën lumturinë, paçka që ëndërrat kthehen në çgjendërra, shpresa dhe dëshirat
në çgënjim, se etja për dashuri dhe dëshira për lumturi është më e fortë se
vdekja.
Tiranë,më 13.05.2020