E shtune, 27.04.2024, 07:23 AM (GMT+1)

Mendime

Eugjen Merlika: Përse duhet shkelur standarti i “revolucionit gjuhësor” në Shqipëri

E premte, 19.09.2008, 08:06 PM


Eugjen Merlika
Përse duhet shkelur standarti i “revolucionit gjuhësor” në Shqipëri

Nga Eugjen Merlika*

Kohët e fundit, është rrahur një temë me shumë interes për Bashkësinë shqipfolëse, për sot e për t’ardhmen. Eshtë folur për gjuhën e shkruar dhe konceptin e saj të drejtshkrimit.
Janë shprehur mendime të ndryshme, shpesh dhe të kundërta, e me pjerrje polemike të forta. Problemi është zgjuar nga gjumi letargjik, disa dhjetëvjeçar, nga gazeta e Prishtinës “Java”.
Nisja më duket e mirë dhe, ndoshta, pasqyron një farë rishqyrtimi, në kah vetëqortues, të qëndrimeve të mbajtura nga pjesa intelektuale e akademike e shoqërisë asaj treve të botës shqiptare mbas Kongresit të Drejtshkrimit të zhvilluar në Tiranë më 1972.

Çështja, së cilës i janë kushtuar mjaft faqe të shtypit , është ajo e gjuhës letrare të unjisuar, i ashtuquajturi “standard”, që është një tërësi rregullash morfologjike, e detyrueshme për t’u zbatuar në gjuhën zyrtare dhe kryesisht në atë të shkruar.
Shkolla, mjetet e informacionit, letërsia, administrata shtetërore janë sferat në të cilat standardi duhet të gjejë zbatimin e tij të plotë. Deri në vitin 1991 ai ishte i plotfuqishëm në kufijtë e Shtetit shqiptar dhe kishte pushtuar madje dhe insitucionet arsimore e kulturore të trevave shqiptare në ish Jugosllavinë.

Në vetvete dukuria shprehte një domosdoshmëri të jetës shqiptare, të kulturës e institucioneve të saj. Një gjuhë e njësuar është tregues i identitetit e gjallërisë së një kombi, është baza mbi të cilën ngrihet dhe përcillet kultura dhe përvoja e tij, është mjeti i ndërlidhjes së qytetarëve të një brezi e të vetë brezave me njëri tjetrin.

Shqipja është një gjuhë, sa e lashtë aqë dhe e re. E lashtë, sepse është gjuha e folur e një populli që, historikisht, ka banuar në këto troje që në agimet e qytetërimit evropian, por që, fatkeqësisht, nuk na ka lënë asgjë të shkruar.
Gjuha autoktone e bashkësive ilire, që ishin organizuar në shtete, herë herë dhe të fuqishme, e që përballoheshin ose ndërmerrnin me Fuqitë e mëdha të kohës si Maqedonia apo Roma, nuk na është përcjellur në mijëvjeçarë.
Eshtë një dukuri në kufijtë e të pabesueshmes fakti që këto popullsi, në trojet e të cilave lindën dhe u zhvilluan disa nga qendrat më të njohura të qytetërimit të lashtë greko-romak, që nuk u tretën nga asnjë lloj pushtonjësi i huaj, nuk na kanë lënë gjuhën e tyre që duhet të ketë qenë arma më e fuqishme që ata kanë përdorur kundër këtij rreziku...

Për t’arritur tek shqipja e shkruar duhet të futemi në Mesjetën e vonë, në shënime të ndryshme të udhëtarëve e kryqtarëve që kalonin nëpër Arbëri e të ndalemi tek Formula e Pagëzimit, për të arritur tek libri i parë. “ Meshari” i Gjon Buzukut u botua në mesin e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, kur Evropa kishte një mori universitetesh e Rilindja e saj kulturore paralajmëronte kohët e reja.
Pesëqind vjet pushtimi otoman, pa një sistem arsimor në gjuhën e vendit, sigurisht patën pasoja rrënuese dhe në atë drejtim. U desh fundi i qindvjetës nëntëmbëdhjetë e fillimi i të njëzetës, me përpjekjet titanike të një grushti atdhetarësh e dijetarësh, që shqipja të dilte nga “anonimati” e të kërkonte vendin e saj në trungun e gjuhëve indoevropiane, si një gjuhë e veçantë, pa lidhje farefisnore me asnjë nga grupet e mëdha të gjuhëve evropiane.

Si një gjuhë e re, në kuptimin e palëvrueshmërisë së saj, që nuk kishte në themelin e saj një Dante apo një Shekspir, do të bazohej në kriteret fonetike, në gjuhën e folur, për të nxjerrë prej saj rregullat që do të përcaktonin strukturën e saj. Por gjuha e folur ndryshonte nga një krahinë në tjetrën.
Jeta e mbyllur, mungesa e rrugëve dhe mjeteve të ndërlidhjes, mendësia patriarkale e palëvizshmëria e sistemit shtetëror otoman bënë që në pesë qindvjetorë marredhëniet ndërmjet krahinave të ndryshme, në nivel popullsie, të ishin tejet të pakta e, për pasojë, gjuha e folur të ishte dialektale e të mos kishte prirje afrimi e njësimi.
Dialektet kryesore ishin ata: Gegë në veri të Shkumbinit e Toskë në jugë të tij. Në këto të folme, që kishin nëndarjet e tyre, lindën dhe hodhën shtat letërsia e kultura e re shqiptare. Ato patën zanafillën në Rilindjen, kryesisht në kolonitë shqiptare jashtë vendit e tek Arbëreshët, por morën formën e plotë në Shqipërinë e pavarur, që nga fillimi i shekullit të shkuar.

Lindja e kësaj kulture theksoi domosdoshmërinë e paraqitjes së saj, pra të shkrimit të një alfabeti të përbashkët e të pranuar. Kongresi i Manastirit, më 1908, nuk qe në gjendje të marrë një vendim të prerë e la në fuqi dy alfabete: atë me shkronja latine që përdorej në veri e atë të përzierin që ishte përdorur më shumë në jugë. Koha bëri zgjedhjen e saj dhe alfabeti latin mbeti alfabeti i vetëm i gjuhës shqipe.
Alfabeti mori formën e tij të përherëshme, por dialektet vazhduan të lulëzojnë e të shërbehen të gjitha prej tij.

Krijimi i Shtetit dhe institucioneve të tij, ngritja e shkollave dhe zhvillimi i arsimit, përhapja e kulturës dhe letërsisë në hapësirën mbarëshqiptare nxirrnin si detyrë të dorës së parë trupëzimin e gjuhës letrare kombëtare.
Në dhjetëvjeçarët e parë të qindvjetorit të shkuar, deri në ardhjen e regjimit komunist, kjo detyrë ju besua hulumtimeve vetiake të lëvronjësve të gjuhës më shumë se sa një nisme institucionale në atë drejtim.
Vetëdija se dukuria kërkonte kohën e saj të nevojshme për t’u arrirë, bënte që të mos kishte një shtysë të posaçme nga ana e Shtetit. Në vitin 1940 u thirr në Tiranë Konferenca e parë e studimeve albanologjike, në të cilën pati një vend mbizotëronjës rrahja e mendimeve mbi këtë çështje, por pa marrë vendime të prera.

Shumica dërmuese e opinioneve cilësore të studjonjësve shqiptarë e të huaj përkonte jo në mbizotërimin e një dialekti kryesor, gegërishtes apo toskërishtes, në gjuhën kombëtare letrare, por në vënien e nëndialektit të Shqipërisë së mesme, më saktë të Elbasanit, në bazën e saj.
Kriteri zgjedhës i këtij nëndialekti mbështetej në një sërë arsyetimesh. Ai shihej si urë lidhëse mes toskërishtes e gegërishtes, shkodranishtes apo asaj të dy anëve të Drinit e, në këtë vështrim, më lehtë i kuptueshëm e i tretshëm si prej popullsive veriore ashtu dhe prej atyre jugore.
Gjuhëtarët kompetentë, që do të punonin mbi projektin, do të merrnin çdo gjë të dobishme të dy dialekteve kryesore e do t’ja shartonin trungut kryesor që, në rastin e dhënë, ishte gjuha e Kristoforidhit.

Logjika shkencore e këtyre opinioneve nuk u mbajt parasysh në çastin kur u muar një vendim i përcaktuar për problemin. Më 1972 Kongresi i Drejtshkrimit vendosi toskërishten si gjuhë letrare e zyrtare.
Ishte një vendim politik, në të cilin shkenca gjuhësore dhe kriteret e saj të përcaktimit të gjuhës letrare kombëtare i nënështroheshin vullnetit “sipëror” të Partisë e të drejtuesit të saj. Ishte rrjedhimi logjik i një politike tridhjetvjeçare terrori ndaj gegërishtes, kulturës e historisë së saj.
Ajo njehsohej, në pjesën dërmuese të saj, me “fashizmin”, “klerikalizmin”, “patriarkalizmin”, “obskurantizmin”, “shovinizmin”, “antikomunizmin” e sa izma të tjera, që synonin të shtrembëronin e të varrosnin të vërtetat historike, për t’i përdorur në dobi të padronëve sllavë apo të interesave të kastës.

Ju dha një formë “shkencore” vendimeve politike, duke arritur deri në marrëzinë e zhdukjes së paskajores, një mënyre zgjedhimi të foljes që e hasim në të gjitha gjuhët e njohura të Evropës, vetëm sepse toskërishtja nuk e kishte.
Krijimi i standartit u trumbetua si një sukses i madh i shkencës gjuhësore shqiptare, u pranua “unanimisht” në Shqipëri e kjo ishte e kuptueshme, por dalngadalë gjeti të drejtë qytetarie dhe në Kosovë e vise të tjera shqiptare në Jugosllavinë e Titos që atëhere, për arsyet e tij, po zbatonte një politikë liberalizimi ndaj banorëve shqiptarë të tyre.

Pranimi nga ana e institucioneve arsimore e kulturore të shqiptarëve përtej kufirit të standartit e “ ligjëroi” në planin mbarëshqiptar “revolucionin gjuhësor” të Tiranës komuniste. Cilatdo të kenë qenë motivet e këtij pranimi, ato nuk kanë qenë as shkencore as atdhetare. Nëse gjuhëtarët shqiptarë, ndërmjet të cilëve kishte shkencëtarë të rrafshit evropjan si Çabej apo Domi, kishin gojën të “qepur”nga mundësia e përfundimit në qeli apo në varr, gjuhëtarët kosovarë duhet të kishin patur ndershmërinë e kurajon të kundërshtonin vendimin e Tiranës zyrtare e jo shkencore, për t’i imponuar me forcë shqiptarëve e kulturës së tyre të folurën e më pak se një të tretës së tyre. Argumentat e shkoqitura atëherë, çuditërisht nga ndonjeri dhe sot, mbi dëmin që do të pësonte çështja kombëtare në një rast të tillë, janë krejt pa baza e shërbejnë për të mbuluar verbërinë shkencore e politike që sillte si pasojë servilizmin pa parim ndaj komunizmit të Enver Hoxhës.
Nëse fëmijët e Kosovës apo të malsive të veriut kanë vështirësi të kuptojnë tekstet e shkollës, mbasi gjejnë një gjuhë të ndryshme nga ajo që ju flet nëna në shtëpi, duhet t’ja u dijnë për nder baballarëve e gjyshërve të tyre që dikur përgjëroheshin për “Bacë Enverin” dhe bëmat e tij.

Tashmë këto i përkasin një të shkuare që nuk kthehet më, por si çdo e tillë në histori, vjen një çast që të paraqet llogarinë.
Ne duhet të mendojmë për të ardhmen që nesër të mos pendohemi për të sotmen. Duhet t’i vemë vehtes synimin që në gjuhën tonë letrare, e cila është një nga treguesit më të spikatur të individualitetit tonë si komb, të gjejnë diçka nga vetvetja të gjithë ata që flasin shqip.
Sipas mendimit tim duhet të kryejmë, nëpërmjet një evolucioni të kundërt me vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit të 1972, atë rrugë që do të çonte në realizimin e idesë që kishte gjetur kaqë shumë përkrahës në dhjetëvjeçarët e parë të qindvjetorit të shkuar.
Rruga do të jetë e gjatë dhe jo e lehtë, mbasi për natyrë jemi një popull konservator që e pranon me vështirësi të renë. Që t’i arrihet kësaj ndërmarrjeje duhet një punë serioze dhe e thellë e një grupi studjuesish të gjuhës shqipe brënda e jashtë Shqipërisë zyrtare, i drejtuar nga një personalitet shkencor i fortë e pa paragjykime, nën kujdestarinë eprore të Kryetarit të Shtetit e atij të Akademisë së Shkencave, të bindur plotësisht në dobinë e nismës duke patur të qartë përfundimin e dëshiruar. Ky grup duhet të mbështetet mirë financiarisht nga Shteti, por pa u kushtëzuar në asnjë drejtim.
Herë mbas here duhet të paraqesë rezultatet e punës së tij para një mbledhjeje të gjërë punonjësish të gjuhës, mësuesish të ardhur nga të gjitha krahinat shqiptare. Këto mbledhje do të jenë kudhrat në të cilat do të farkëtohet gjuha letrare kombëtare shqipe, të hapura për të gjitha mendimet e vërejtjet e ndryshme. Puna mund të vazhdojë me vite, mbasi do të studjohet në imtësi e gjithë struktura e pritme, por nëse i arrihet qëllimit që të gjithë fëmijët shqiptarë “qysh prej Tivarit deri n’Prevezë” t’a nxenë me ëndje, kur ajo të ketë marrë formën e saj përfundimtare, mund të themi me plot gojën se kemi bërë një investim me vlerë për kombin dhe të ardhmen e tij.

Shumëkush mund të verë në dyshim ligjshmërinë e kësaj pune, duke e paraqitur si një nismë që kërkon të shkatërrojë një godinë, të ngritur me mund e që në tridhjetë vitet e jetës së saj ka marrë formën e plotë e ka në arkivin e saj vepra letrare e përkthime me vlerë.
Tridhjetë vite janë pak ose aspak në historinë e gjatë të një kombi e nëse mbajmë parasysh se ata shënuan një periudhë të zezë të asaj historie, që na detyroi me dhunë të flisnim një lloj gjuhe, të mos luteshim në objektet e kultit, të mos shprehnim atë që mendonim e të mos bënim atë që dëshironim, do të thosha se çdo mall për të dhe realizimet e saj më duket jo bindës. Kjo nuk do të thotë se së bashku me ujin e pistë duhet hedhur dhe fëmija.
Gjuhëtarët do të bëjnë një vlerësim shkencor e të saktë të asaj që duhet ruajtur e të asaj që duhet ndryshuar pa paragjykime e komplekse të asnjë lloji. Sa për veprat e shkruara në gjuhën e sotme, ato mbeten pasuri e kombit njëlloj sikurse veprat e shkruara në dialektin gegërisht.
Jetëgjatësia e tyre do të varet nga masa në të cilën do të jenë në gjendje t’i bëjnë ballë kohës dhe kërkesave të brezave të ardhshëm.

Gjuha letrare kombëtare që do të dilte nga kjo punë do të ishte si një pemë që e mbjellim sot për t’i marrë frytet mbas dy brezash. Kështu do të jemi të qetë në ndërgjegjen tonë dhe në peshoren e historisë, që do të na gjykojë jo vetëm për ato që bëjmë, por dhe për ato që duhet t’i kishim bërë e nuk i bëmë.

Ndërkaq, mendoj se do t’ishte e udhës t’i hapej drita jeshile dhe shkrimeve në gegërishte në organet e shtypit. Muri, që një pjesë e mirë e tij ka ngritur kundrejt këtyre shkrimeve, më duket se nuk i shërben as projektit t’ardhshëm të gjuhës e as idesë liberale të shoqërisë e të Shtetit.
Ajo mbetet një trashëgimi e diktaturës dhe si e tillë është mirë të shmanget.
Përsa i përket gjuhës së institucioneve shtetërore e dokumentave që lidhen me ta, mendoj se duhet të vazhdojë të përdoret standarti deri në miratimin përfundimtar të gjuhës së re letrare kombëtare.

Uroj që mendësia e trashëguar nga komunizmi të mos vazhdojë të mbajë peng gjuhën e kulturën, siç bëri me ekonominë me pasoja tepër të rënda për banorët e Shqipërisë.
Uroj që të kenë mbaruar diktatet politike në këto fusha që nuk i përkasin një brezi apo një epoke, por kombit e përjetësisë sepse, sido që të vërtitemi në këtë botë që ndryshon çdo ditë, do të kemi gjithmonë një gjuhë, një flamur, një komb.

*Autori është nipi i Mustafa Merlikës



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora