E enjte, 01.05.2025, 11:12 PM (GMT+1)

Mendime

Rama dhe Gramozi nuk mund ta blejnë të shkuarën e tyre

E diele, 14.09.2008, 06:22 PM


Bledi KASMI

"Kush flet vdes" është një ligj i mafies, i cili na u kujtua dje nga Gramoz Ruçi, një prej udhëheqësve "legjendarë" më parë të PPSH, pastaj të vullnetarëve të Enverit dhe së fundi i politikës së re të Ramës. Të thëna nga goja e një prokurori apo të një funksionari të drejtësisë, ligjet e mafies kanë një domethënie krejt të ndryshme nga ato të Gramoz Ruçit, për të cilat është e vështirë të kuptohet se ku fillon interesi i Gramozit dhe ku mbaron ai i mafies. Eshtë e vështirë të kuptohet se në emër të kujt flet Gramozi, pasi prej vitesh ka qenë zëdhënës i klaneve më kriminale dhe, ashtu si më parë, lëshoi dje mesazhet e dykuptimta nga podiumi i të njëjtës forcë politike që i lëshonte edhe tre vjet më parë.

Është e paqartë nëse Gramozi, me ligjin që citoi, kishte si qëllim që të na bënte ekspertizën e mafies, njohës i së cilës është deri në perfeksion, apo kërkoi të lançojë me të madhe një mesazh mafioz kërcënues për shoqërinë, për t'i kujtuar asaj se ai është aty ku ka qenë edhe më parë. Ndërsa tre vjet më parë i ndryshoi "emrin" PS, duke huazuar një tjetër epitet të mafies dhe duke e quajtur atë si "familja e madhe...", dje doli para mediave dhe na kujtoi një ligj tjetër të kësaj mafie, "kush flet vdes". Misioni i tij është i njëjtë, flet gjithnjë me gjuhën e mafies dhe ai mbetet një hallkë mjaft e rëndësishme lidhëse e të vjetrës me të renë në PS. Është kjo gjuhë e mafies, e cila është përdorur sistematikisht gjatë tetë viteve të mëparshme për të tkurrur shtetin përmes imponimit të frikës, përmes atyre frazave, të cilat i dëgjuam sërish dje.

Duhet të na thotë Gramozi se, është edhe një ligj tjetër i mafies, që kërkon të dekurajojë shoqërinë, duke i përsëritur shpesh asaj (kështu bëhet me konferencat e shtypit në selinë e PS) se e kanë të pamundur të fitojnë në betejën me krimin dhe korrupsionin, t'i bëjë ata të humbasin shpresat tek institucionet, sepse vetëm kështu i hapet rruga rikthimit të besimit tek perandoria e deridjeshme e "Gramozëve" dhe e "Edvinëve". A nuk u vranë për këtë qëllim, të dekurajimit të shoqërisë në betejën kundër krimit dhe mafies, edhe prokurorët anti-mafie në Itali, Falkone dhe Borselino? Të na shpjegojë zëdhënësi i ligjeve të mafies se, duke u bërë sufler i tyre ka si qëllim të vetëm jo qetësimin dhe sqarimin e opinionit, duke iu referuar të vërtetës, por përmes mashtrimit të ngrejë mjegullnaja për t'i shërbyer sa më shumë ujqërve.

Aksidenti tragjik ku humbi jetën biznesmeni Kosta Trebicka është një ngjarje e dhimbshme dhe është e turpshme dhe kriminale që të mundohesh të ngresh strategji politike që bazohen tek vdekja, është e palejueshme që të fshihesh pas imunitetit politik dhe të përdhosësh kufomën. Në një kohë që ende familjarët e viktimës nuk kishin bërë identifikimin e trupit në morg, kryetari i PS doli para mediave duke paraqitur platformën e përsëritur politike të ngritur mbi vdekjen, duke mos lejuar asnjë institucion të specializuar të këtij vendi, madje as ekspertë të huaj, që të ishin ata të parët që të flisnin.

Rama dhe Gramozi kanë një të kaluar të hidhur, dhe një pjesë e historive të tyre me mafien janë bërë të njohura, ndërsa të tjera do të zbardhen. Duke pasur këtë të shkuar si një njollë të zezë që rëndon mbi shpatullat dhe karrierën e tyre politike, Rama dhe Gramozi po mundohen që ta shfrytëzojnë aksidentin tragjik të biznesmenit Kosta Trebicka, që ta vënë në shërbim të tyre, duke dalë sa më shumë para mediave dhe duke dhënë leksione në dukje kundër mafies, duke kërkuar në këtë mënyrë një pastrim mediatik të imazhit të tyre të nxirë si bashkëpunëtorë të saj. Janë paradokse që i ngjanë praktikave të shumë viteve më parë, të atyre që natën të vrisnin dhe ditën të qanin, që bënin edhe vrasësin, por edhe viktimën.

Në prag të zgjedhjeve lokale të 18 muajve më parë, një bombë e çuditshme shpërtheu pranë një lokali ku darkonte Rama, pronë e një individi me probleme me drejtësinë, dhe më pas u mbajtën tre ditë konferenca shtypi për "atentatin" ndaj kreut të PS, në një kohë që të gjithë deputetët e PS dhe njerëzit që kanë qenë dëshmitarë të asaj nate thonë se, ajo ishte një lojë si ato të vjetrat me ambasadën sovjetike për të gjetur grupe armiqësore kudo ku janë kundërshtarët politikë.

As Rama dhe as Gramozi nuk mund ta blejnë të shkuarën e tyre me asnjë çmim dhe me asnjë tragjedi. Dosjet e kreut të PS për lidhjet dhe aferat me organizatën kriminale të Hakmarrjes për Drejtësi janë në sirtaret e prokurorisë italiane, por janë të afishuara edhe në median shqiptare dhe nuk mund të zhduken kollaj ato nga memoria e opinionit me shfaqje karnavalësh hipokritë duke treguar barcoleta moraliteti në konferenca shtypi mbi mafien, që ngjajnë me atë se "ujku, ujku, por çakalli bën kërdinë". Janë të identifikuar me mafien nga raporte ndërkombëtare dhe sado që të ulërijnë kundër saj nuk i beson kush.

A mund të jetë i besueshëm Gramoz Ruçi, në një kohë që për të ende rëndon akuza e masakrës së 2 prillit në Shkodër dhe ai tregohet me gisht në atë qytet si arkitekti i asaj masakre? Kanë mbetur pa përgjigje sot një sërë pyetjesh që lidhen me vrasjen e një biznesmeni të hekurit. Ajo vrasje ende sot nuk është zbardhur plotësisht për të kuptuar se cilët ishin vërtet njerëzit që fshiheshin pas saj, ndonëse media me investigimin e saj prej kohësh e ka dhënë një version. Dhe këtë e ka lexuar edhe Gramozi.

Nuk janë lot krokodili ato të Ramës dhe të Gramozit për fatin e keq të biznesmenit Kosta Trebicka, janë vetëm lojra të ndyra politike që synojnë të pastrojnë veten nga mëkatet e kryera, duke kërkuar të blejnë të shkuarën e tyre, ta pastrojnë atë me fatkeqësi njerëzore. Është e papranueshme për një shoqëri që një lider politik të këmbëngulë me manipulime dhe mashtrime të nxjerrë përfitime politike nga vdekjet duke i bërë hesapet e tij me fatkeqësitë. Dhe ky është kreu i PS, i cili deri një vit më parë na përsëriste çdo ditë thirrjet për përsëritje të '97, e cila nuk ishte gjë tjetër veçse një rebelim me kosto njerëzore. Të njëjtën gjë bëri edhe me Gërdecin duke mos lejuar as funeralin e viktimave dhe duke u prerë rrugën atyre me protestues mercenarë.

Politika e re e Kryetarit të PS përgjatë gjithë këtyre viteve ka pasur dhe ka vetëm një pikë referimi dhe ato janë vdekjet. Nuk gjen sot asnjë vend në glob, ku forca të caktuara politike të kenë referenca të tilla. Ato funksionojnë vetëm në rradhët e grupeve të terroristëve dhe kamikazëve, të cilët janë e vetmja kategori që mendon se nga vdekjet e njerëzve të pafajshëm mund të nxjerrësh përfitime politike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx