E enjte, 24.07.2025, 08:30 PM (GMT+1)

Mendime

Feti Zeneli: Vrasja dhe veprat e shekullit

E enjte, 11.09.2008, 06:01 PM


Vrasja dhe veprat e shekullit

Nga Feti Zeneli
 
Në dhjetëvjetorin e “Vrasjes së Shekullit”, siç është cilësuar nga gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare, vrasja e liderit historik të Lëvizjes Studentore në dhjetor ’90, deputetit Azem Hajdarit, Shqipëria bën bilancin e arritjeve qeverisëse të demokraëve qysh pas ardhjes në pushtet në fillim vjeshtën e vitit ’05; disa prej të cilave, me të drejtë, mund të cilësohen si “Vepra të Shekullit” për shqiptarët e të gjthë trojeve, brenda dhe jashtë kufijeve të vendit tonë. Ato janë homazhi më i mirë që demokratët mund t’i bëjnë sot veprës së ndritur heroike të Azem Hajdarit. Po i renditimin në mënyrë kronologjike këto ngjarje të shënuara në historinë e sotme të vendit tonë. Nuk kanë kaluar më shumë se tre vjet nga ndryshimi i mazhorancës qeverisëse dhe Shqipëria nën qeverisjen e demokratëve ka shënuar disa arritje historike për kombin shqiptarë. Brenda tre muajve të parë të saj, qeveria "Berisha" nënshkroi Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me BE-në, e cila për 3 vite me radhë, qysh nga çelja e negociatave, ishte peng i krimit dhe korrupsionit majtist. Rreth 15 muaj më parë Shqipëria u bë pritësja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh, Ë Bush, e para vizitë historike në vendin tonë e një presidenti amerikan në detyrë, ndërkohë që gjatë tetëvjeçarit të qeverisjeve majtiste disa herë vizitat e politikanëve të lartë ndërkombëtar shtyheshin për motive të ditura pasigurie në minutën e fundit. Në 17 shkurt të këtij viti u shpall pavarësia e Kosovës, ku një rol përcaktues ka luajtuar edhe stabiliteti politik dhe progresi ekonomik i Shqipërisë, si një argument diplomatik i kancelarive perëndimore përballë sllavizmit çetniko-energjitik. Në prill ’08, në saj të reformave të ndryshme mbreslenëse të qeverisë “Berisha”, Shqipëria arriti të marrë konsensusin e vendeve anëtare të Aleancës për anëtarësimin brenda vitit të ardhshëm në NATO. Një ngjarje tjetër e rëndësishme që po përgatitet në kuzhinën e kancelarive perëndimore është edhe liberalizimi i plotë i vizave me Bashkimin Europian dhe dhënia e statusit të vendit kantidat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, pas përfundimit, këto muaj, të ratifikimit të MSA-së nga parlamentet e këtyre vendeve. Arritje të tilla kanë në bazë mirëqeverisjen e vendit tonë në këto tre vitet e fundit, duke luftuar sistemin e korrupsionit dhe krimit majtist; duke reformuar administratën fiskale në funksion të rritjes me miliarda dollarë të të ardhurave buxhetore; duke ndërtuar rrugë, vepra energjitike, shkolla, spitale e vepra të tjera publike; duke përmirësuar ndjeshëm klimën e biznesit dhe nxitjen e interesit të dhjetëra kompanive të njohura perëndimore për të investuar në vendin tonë, etj. Me pak fjalë qeveria “Berisha” po bën realitet ëndërrën e Azem Hajdarit dhe Dhjetoristëve të tjerë për “ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”. Në këto kushte, politikanët dhe qveritarët e djathtë kanë se si ta kujtojnë e nderojnë Heroin e Demokracisë dhe Pluralizmit shqiptar, Azem Hajdarin. “Vetëm ata që guxojnë të humbasin shumë, mund të arrijnë shumë”, thotë Robert F. Kenedi. Me vrasjen e Azem Hajdarit, demokratët nuk humbën pak, por miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij e shndërruan këtë humbje në forcë për të ecur më me vendosmëri përpara në rrugën e forcimit të demokracisë dhe shtetit ligjor, duke u ndeshur me praktikat staliniste të social-komunistëve shqiptarë. Nëpërmjet “revolucionit demokratik të vonuar”, siç i cilëson Rexhep Qosja me një cinizëm të paparë antishqiptar ngjarjet e dhunshme të rrebelo-komunistëve shqiptarë, synohej goditja dhe eleminimi fizik i pushtetit dhe udhëheqjes politike të demokratëve, sipas skenarëve ogurzinj të ish- Sigurimit të Shtetit. Disa atentate rresht të organizuara për eleminimin fizik të Sali Berishës dhe Azem Hajdarit në vitet ’97-’98, të cilat kulmuan me plagosjen e rëndë në Parlament të deputetit Azem Hajdari përgatitën “Vrasjen e Shekullit”, të liderit historik të Dhjetorit ’90, në 12 shtator ’98. Vendi kishte mbi një vit që qeverisej nga social-komunistët, pas kallash-zgjedhjeve të 29 qershorit ’97, por siguria dhe stabiliteti qëndronin nën nivelin zero. Politikanët e majtë ishin të interesuar të mos e ndryshonin situatën deri sa të realizonin qëllimin e tyre të mbrapsht “për shndërrimin në shoqatë të Partisë Demokratike” dhe shtimin e popullaritetit të tyre nëpërmjet strategjisë së Komiteteve të Shpëtimit Kombëtar. Mbi të gjitha ata donin t’i krijonin avantazh vehtes që të zgjasnin, ndoshta edhe për një 45 vjetësh tjetër, sundimin e pushtetit majtist, duke mbjellë frikë, pasiguri e terror për kundërshtarët e tyre politik dhe qytetarët e thjeshtë, si dhe duke konsoliduar në mënyrë mafioze pushtetin e tyre ekonomik sipas skenarëve abuziv të ekonomisë së tregut. Këtu e kishte bazën dhunimi sistematik i demokratëve të shumtë që manifestonin në mbështetje të programit ndryshues të Partisë Demokratike dhe forcave të tjera të djathta. Megjithatë pushteti i tyre represiv nuk arriti t’i ndrydhte forcat dhe energjitë e demokratëve për liri dhe progres kombëtar. Në këto kushte majtistët, strategjinë e dhunimit fizik e kombinuan me metodologjinë e manipulimit elektoral të zgjedhjeve, për të mbërritur në mesin e vitit ’05 të cilësuar si, “arkitekt të sistemit të korrupsionit dhe krimit të organizuar” në Shqipëri, e të braktisur jo vetëm nga shumica e popullsisë shqiptare por edhe nga tërësië e institucioneve ndërkombëtare. E drejta triumfoi, duke u përleshur jo pak me meskinitetet politike të social-komunistëve, të cilët sado të përpiqeshin nuk mund të realizonin misionin e zhvillimit dhe integrimit të vendit sipas kërkesave demokratike të ekonomisë së tregut dhe shtetit ligjor. Të punosh e qeverisësh me këto parime, përveç energjive fizike duhen koncepte bashkëkohore dhe një mentalitet krejt i ri politik. Por Partia Socialiste, grupimi kryesor politik i të majtëve, si trashgimtare e Partisë së Punës, përveç koncepteve monokratike ka trashëguar nga e kaluara edhe shumë politikanë konservatorë, që përbëjnë një pengesë reale për kohën e sotme. Për ta, “vazhdimësia historike me të kaluarën nuk është detyrë, është vetëm një nevojë”, sikundër thotë Oliver Uendelll Holms, i riu. Kjo tendecë është vënë re qysh në ditët e para të pluralizimit, kur deputetët majtist filluan t’i kundërshtonin me radhë iniciativat reformuese të të djathtëve për instalimin e ekonomisë së tregut dhe shtetit ligjor, të cilat kulmuan me ngjarjet e’97-ës për rrëzimin me dhunë të rendit kushtetues në vend, pavarësisht se fshiheshin pas rreshtave histerikë të Komiteteve të Shpëtimit Kombëtar. Tashmë gjithë shqiptarët e dinë që kush qëndronte pas Caushëve me shokë, sikundër e dinë se kush qëndron prapa atentatorëve të Azem Hajdarit. Nga ana tjetër, majtistët nuk kanë koncepte të drejta edhe për pronën private, opozitën historike të këtij vendi, kombin dhe çështjen kombëtare, pasi i trajtojnë ato ende sipas mentalitetit leninist. Kjo lloj psikologjie i ka shtyrë dhe i shtyn ata të shikojnë vetëm plotësimin e interesave të tyre personale apo grupimeve politike që përfaqësojnë në dëm të interesave të vendit dhe popullit. Nga gojët e tyre ka dalë thënia: “Sali Berisha i vuri zjarrin Shqipërisë për Kosovën”, sikundër i përket pushtetit të tyre njolla e turpit për mosndërtimin e Rrugës Durrës-Kukës apo arterieve të tjera rrugore në jug të vendit, duke u shërbyer indirekt interesave sllavo-greke për moszhvilimin e vendit tonë. Këto janë fakte konkrete që s’mund të injorohen dhe anashkalohen. Demokratët vendosën t’i ndëshkojnë me arritje suprizuese këto veprime të turpshme të social-komunistëve shqiptarë, ndonëse me pasoja të rënda ekonomiko-shoqërore për vendin dhe kombin tonë. “Asnjeri nuk mund të shkatërrohet përveçse nga vetvetja”, thotë Tomas Bentlej. Tregues i këtij vetshkatërrimitek majtistët është politika banale dhe demagogjia bajate e tyre, duke dalë jo vetëm kundër qeverisjes por edhe ndërkombëtarëve për vlerësimin e realitetit shqiptar. Vetëm një budalla mund të marrë në konisderatë shpifjet e tyre për korrupsion dhe moszhvillim ekonomiko-shoqëror në këto 3 vite të qeverisë “Berisha”, ndërkohë që lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe kryerja e reformave të ndryshme integruese janë kushte krysore të ndërkombëtarëve për nënshkrimin dhe ratifikimin e MSA-së, marrjen e ftesës për natarësimin në NATO, liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian, përfitimin e fondeve nga Sfida e Mijëvjeçarit, shtimin e investimeve të huaj, etj. Askush nuk e ka të vështirë ta prek ndryshimin e ndodhur, me përjashtim të atyre politikanëve apo mediatistëve mjeranë që duan t’i shumëzojnë me zero këto arritje të shënuara që do të kujtohen brez pas brezi sikundër përkujtohet sot pavarësia e Shqipërisë. Ata asgjë s’fitojnë përveçse humbasin besueshmërinë përpara opinionit qytetar dhe e rreshtojnë vehten përkrah forcave regresiste të këtij vendit. Nuk ka diskutim që në themel të këtyre veprave është dhe gjaku i Azem Hajdarit, për të cilin populli patriot nuk e ka kursyer as vlerësimin dhe as këngën: “...Krisma t'kqia kanë kris n'Tiranë/ Pa nji djal mbet Shqipnia nanë/ Qan Shqipnia e qan Kosova/ Për kët' djal o nga Tropoja/ Rrallë kësi burrash o ka vatani/ Burrë mbi burra Azem Hajdari…”. Por ky fakt i njohur botërisht pritet të provohet edhe juridikisht, për t’u dhënë kështu mundësi qytetarëve shqiptarë, jo dhe aq për të rritur vlerësimin për Heroin e Demokracisë dhe “Veprat e Shekullit” të qeverisë “Berisha”, se sa po për të shtuar përçmimin dhe denigrimin publik ndaj atentatorëve politik të “Vrasjes ë Shekullit”… ...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx