E enjte, 01.05.2025, 07:22 PM (GMT+1)

Mendime

Ardian Muhaj: Rezistenca e Postribës, ngjarje që i bën nder kombit

E marte, 09.09.2008, 08:56 PM


Rezistenca e Postribës, ngjarje që i bën nder kombit

Nga Ardian Muhaj
 
Sot, më 9 shtator përkujtohet një nga ngjarjet më të rëndësishme të rezistencës antikomuniste jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë. Sot mbushen plot 62 vjet nga dita kur burrat e Postribës të prirë nga idealet atdhetare u hodhën në një përpjekje të armatosur kundër regjimit diktatorial, në atë që njihet si Kryengritja e parë me përmasa të mëdha kundër komunizmit në Shqipëri dhe në Europën Lindore. Mbas instalimit të këtij regjimi në Shqipëri, intelektualët antikomunistë shkodranë me synimin për të ndaluar shkretimin komunist nisën menjëherë kontaktet me burrat e parisë, si në fshat ashtu edhe në qytet. Që në janar të vitit 1945 Rasim Boksi ndodhej në Postribë për të propaganduar rezistencën antikomuniste. Në këtë kohë ai vjen në shpinë e Çel Muratit në Boks prej ku vihet ne lidhje me burra te tjere postribas. Në Boks në shpinë e Shaban Hysenit vijnë vëllezrit Jup dhe Zenel Kazazi ku marrin vesh se forcat e sigurimit kishin rrethuar shtëpinë e Isen Ahmet Licit ku ndodhej i strehuar Rasim Boksi. Mbas këtyre ngjarjeve arrestohet Çel Murati, Ram Isufi, Shaban Hyseni nga Boksi, Isa Nuzi nga Kullajt, Hajdar Smajli e Sylo Turku nga Domni, Isen Ahmeti nga Rrekali dhe Isuf Hasani nga Ura e Shtrenjtë. Pakënaqësia gjithnjë e në rritje dhe revolta kundër diktaturës komuniste merr formë më të plotë. Në këtë klimë revolte e pakënaqësie të përgjithshme në korrik të vitit 1946 mbahet një kuvend i parisë së qytetit në shpinë e Cin Serreqit, ku plani i një kryengritjeje të përgjithshme bëhet më i detajuar. Për këtë dërgohen nëpër zonat e Shkodrës emisarë që të propagandonin rezistencën. Mbështetja e gjithanshme dhe pa rezerva e burrave të Postribës u jep intelektualeve shkodrane kurajo për të organizuar një kuvend më të gjerë në Kratul. Në këtë kuvend morën pjesë përfaqësues prej të gjitha fshatrave të Postribës. Nga ana e vet edhe sigurimi komunist e kishte rritur gjithnjë e më shumë vigjilencën. Situata ndërkombëtare ishte në favor të kryengritjes. Forcat angleze që patrullonin në detin Adriatik ishin një rreze shprese se mbështetja e aleatëve perëndimorë nuk do të vononte të vinte në ndihmë të rezistencës shqiptare. Në këtë situatë të tensionuar nuk vonon edhe provokimi i rradhës nga komunistët. Në fillim të shtatorit pushteti komunist shpalli mobilizimin ushtarak, me synimin të pengonte pjesmarrjen në kryengritje të djemve të Postribës. Situata ishte e tillë që duhej marrë medoemos një vendim. Dhe vendimi u mor ashtu sic u takonte burrave të një zone të shquar ndër shekuj për burrëri e trimëri. Duhej shpejtuar organizimi i Kryengritjes. Më 8 shtator në Boks mblidhet Kuvendi i përgjithshëm i Postribës ku ishte i pranishëm në rolin e koordinatorit me qytetin, Murat Haxhia. Kryengritësit u njohën edhe me planin e kryengritjes, sipas të cilit barrën kryesore të operacioneve ushtarake do ta merrnin burrat e Postribës, mbasi vetëm kjo zonë ishte plotësisht e mobilizuar për kryengritje. Plani i kryengritjes parashikonte bashkimin e forcave antikomuniste të Shkodrës ku intelektualët më të shquar ishin gati të merrnin në dorë jo vetëm mbrojtjen e qytetit nga trupat ushtarake komuniste, por parashikohej që kryengritja të merrte përmasa më të gjera në rast suksesi. Forcat e Postribës simbas planit do të ndaheshin në tri pjesë. Një pjesë do të sulmonte kazermat e ushtrisë në lagjen Rus. Një pjesë tjetër do të sulmonte Prefekturën me qëllim marrjen e qendrës operative komuniste. Pjesa tjetër do të sulmonte burgun e qytetit që ishte plot me luftëtarë të rezistencës. Priteshin përforcime edhe nga zona të tjera, por përveç qytetit të Shkodrës si dhe një kontingjenti luftëtarësh të rezistencës nga zona e Gurit të Zi, të cilët u ndaluan në përpjekje me forcat komuniste pa hyrë në qytet, nuk u arrit të mobilizoheshin forcat e zonave më të gjera. Kryengritësit ia dolën që të futen brenda në qytetin e Shkodrës, me qëllim çlirimin e qytetit dhe më pas të bëheshin përpjekje për shtrirjen e valës kryengritëse në krejt Shqipërinë. Nga Tirana që më përpara ishin dërguar përforcime të shumta, si dhe u grumbulluan forcat ushtarake që mbaheshin në zonën kufitare të Koplikut. Mbas disa orë luftimesh në kazermat e ushtrisë, forcat e rezistencës u detyruan të tërhiqen dhe të ripozicionohen në kodrat e Postribës ku kishin mundësi më të mira mbrojtëse. Dëshmori i parë nga forcat e rezistencës ishte Elez Bazi, që ra në luftimet e kazermave të Rusit. Në këto luftime u vra edhe Jonuz Salja. Pjesa e forcave të rezistencës e ngarkuar për marrjen e Prefekturës, mbas disa orë luftimesh u tërhoq për të mos mbetur të izoluar nga pjesa tjetër. Këtu u shqua intelektuali Qazim Rroji i cili u vu në mbështetje të kryengritësve. Në këtë kryengritje u vunë re shembuj të një trimërie e vendosmërie heroike, që të kujtojnë tregimet epike shqiptare, sic ishte rasti i Osman Hysenit, te cilin e lidhin mbas makinës ashtu të plagosur dhe e tërheqin zvarrë deri në fshatin Mes, ku e pushkatojnë. Në fshatin Kullaj Sait Duli në përpjekje për të mbuluar luftëtarët e tjerë të rezistencës, u del përpara forcave komuniste i mbarohen fishekët dhe plagoset. Mbas disa ditësh pushkatohet në hyrje të qytetit të Shkodrës, pa iu ditur varri kurrë. Gjatë luftimeve që pasojnë kryengritjen e 9 shtatorit 1946 vriten apo pushkatohen nga forcat komuniste këta trima të rezistencës antikomuniste: Ymer Beqiri nga Boksi; Avdi Zeqiri nga Kosova; Idriz Ibro; Halit Meti. Mustafë Elezi. Më 12 shtator sillen nga burgu i Shkodrës dhe pushkatohen në fushën e Shtojit shtatë luftëtarë të rezistencës nga Postriba: Sylo Gjetja; Metush Alia; Rexhep Idrizi, Brahim Selimi; Reshit Beqiri; Halili Dauti; Imer Zeneli, e bashkë me ta edhe Qazim Rroji. Pak ditë më pas në Dragoç pushkatohen Hysni Velushi e Ahmet Zeneli; në Drisht Hajdar Dani. Vdes në burg si pasojë e torturave Muho Fetahi nga Kullaj. Nga paria e Shkodrës vriten Zenel Kazazi, Dulo Kali, Caf Dragusha, Murat Haxhia, Jup Kazazi, Cin Serreqi, Kolë Ashiku, Rifat Kopliku, Paulin Pali si edhe Rasim Boksi e Rasim Gjyrezi. Gjatë gjithë atij viti, burgosen e torturohen dhjetra burra të kësaj zone. Rreth 35 shtëpive iu vu flaka. Nga zona e Postribës dënohen me burgim të përjetshëm Osman Haxhia, Abdullah Saiti, Myrto Dani, Selim Raci, Jakup Dani, Imer Ademi. Historiografia komuniste përveç shtrembërimit të fakteve për të propaganduar vijën së Partisë, ka përdorur edhe metodën e asgjësimin të kujtesës historike të kësaj ngjarjeje në mesin e popullit. Me këtë strategji u shtjellua historia e kryengritjes së Postribës nga sundimi komunist. Përmasat e saj në fakt ishin në përpjestim me frikën e pushtetit komunist që një revoltë e tillë të mos përsëritej. Edhe historiografia komuniste e pranonte se kjo kryengritje ishte llogaritur të shërbente si pikënisje për ndërhyrjen ushtarake të jashtme. Kjo ndërhyrje e jashtme nuk kishte nga ku të vinte përveç se nga forcat angleze që patrullonin në Adriatik dhe në Jon. Organizatorët e kryengritjes ishin të bindur se mbas sukseseve të para nuk do të vononte ndihma e premtuar nga anglezët, prandaj synohej çlirimi i qytetit të Shkodrës me rrethina dhe prej këtu të niste mësymja e përgjithshme antikomuniste në mbarë Shqipërinë. Kjo kryengritje antikomuniste, e para me përmasa të tilla në të gjithë Evropën Lindore i bën nder jo vetëm pjesmarrësve të saj por është amanet dhe përgjegjësi edhe për brezat e sotëm. Kjo kryengritje i ka bërë nder kombit tonë, duke e rreshtuar ndër vendet e para të rezistencës antikomuniste në Evropën Lindore. Prandaj me plot të drejtë Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, pritet ta nderojë sot Komunën e Postribës me titullin Nderi i Kombit. ...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx