E marte, 28.05.2024, 11:59 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ndreca: Prej njohjes tek mohimi: Kosova dhe vendet islamike

E hene, 08.09.2008, 07:43 PM


Ardian Ndreca
Prej njohjes tek mohimi: Kosova dhe vendet islamike

Nga Ardian Ndreca

Para gati nji viti nuk ia kursyem kritikat, në thelb konstruktive, ministrit dhe zv.ministres së jashtme të asaj kohe dhe qeverisë në përgjithsi për gjoja punën që po bahej për njohjen e Kosovës prej vendeve antare të Konferencës Islamike. Deklaratat e Kajros, fjalët e mëdhaja, premtimet boshe - dolën ashtu siç e parashikonim: nji bluff. Qysh prej shpalljes së Pamvarsisë së Kosovës e deri më sot prej 46 vendeve që kanë njohtë pamvarsinë e Kosovës vetëm Turqia dhe Afganistani janë me shumicë myslimane. Ky asht rezultati konkret i disa vizitave në Katar, Arabi Saudite, Emiratet Arabe, Pakistan, Egjipt. Diplomatët e politikanët tanë u kthyen me dy fiq në nji qerr, siç thotë populli, e gjithë politika e jashtme shqiptare për me kërkue aleanca me vendet arabe për njohjen e Kosovës nuk pati rezultate. Në këto kushte mund të bajmë nji pyetje të ligjshme: e kujt ishte mendja e ndritun që dha ato ide dhe pse u ndoqën aq verbnisht? Deklaratat e fundit prej jashtë flasin për nji provokim që i vjen Kosovës prej të vetëshpallunit shtet indipendent të Abkhazisë, i cili simbas shtypit asht gati me njohtë pamvarsinë e Kosovës. Së pari Abkhazia nuk asht shtet, por asht provincë e Gjeorgjisë, dhe në qoftë se vendi ynë apo Kosova do të banin marrinë me njohtë këtë provincë që mbahet në kambë me tanksat e Moskës, do të banin nji autogol të pashoq! E sot kosovarët e pamvarun, e shohin qartë se kush janë miqte dhe kush janë anmiqtë e tyne. Ata me të drejtë kanë mbetë të zhgënjyem, jo prej arabëve, por prej politikës që i ka shty me besue në lidhje që nuk ekzistojnë, në aleanca pa baza. Kurse indinjata e atyne që thonë se nuk na kanë njohtë “vëllezërit tanë arabë” asht absurde dhe e çmendun. Kah na dolën “vëllezën” arabët? Cila shkencë na nxjerr ne vëllezën me ta? As gjuha, as raca, as etnia nuk na bashkojnë me ta. Ndoshta nji pjesë e shqiptarëve i bashkon feja, por besimi asht çeshtje subjektive e siç e ka tregue historia edhe mund të ndryshojnë (ata që dje mbanin krezhmë, sot mund të agjërojnë – e anasjelltas), por etnia, raca, gjuha, kombsia – mund të bdaren e të humbin - por nuk ndryshojnë si cilësi! Rezultati i gjithë kësaj historie asht se nuk mund të ecim ma si pula pa krye tue kërkue aleanca boshe, të cilat vetëm na damtojmë – siç na kanë damtue, pse ndihmë prej tyne s’na ka ardhë kurrë. Kemi nevojë për nji frymë të re në politikë, për ndryshime ma rranjësore. Kemi nevojë për nji revolucion të vogël në kampin demokrat, për mënjanimin e figurave kote, që me peshën e tyne pupël kanë mbajtë peng dikastere të tana në këto vite. Me zgjedhjet politike na ndan nji vit, e ka ardhë çasti me kuptue se në qoftë se PD-ja nuk reformon vetveten nuk mund të reformojë as vendin. Triumfalizmi asht nji plagë e së kaluemes së palavdishme, ne sot kemi nevojë që forca ma përparimtare e vendit, PD-ja, të losin rolin që i përket. Mos të harrojmë se qytetarët shqiptarë diskutojnë ende sot mbas gati dy dekadash demokraci nëse mund të shkojnë pa vizë deri edhe në Maqedoni? Qytetet tona vuejnë për energji elektrike, ujë të pijshëm, tregjet tona kanë çmime të papërballueshme prej konsumatorit shqiptar, politika e integrimit ec me hapa shumë të ngadaltë, reformat në drejtësi ende nuk janë zbatue... Këto janë sfidat e vërteta e këtyne sfidave duhet t’u përgjegjet qeveria, nuk duhet të humbin ma kohë tue kërkue aleanca boshe, nuk duhet të ujisim me sentimentalizëm anakronik hurma që s’bajnë kokrra! ...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora