E premte, 02.05.2025, 02:26 AM (GMT+1)

Mendime

Bashkim Kopliku: Gjykatësit e komunizmit, fajtorë si të nazizmit

E premte, 05.09.2008, 05:34 PM


Bashkim Kopliku
Gjykatësit e komunizmit, fajtorë si të nazizmit
 
Nga Bashkim Kopliku

Disa nga firmëtarët e varjes së poetit Havzi Nela, kanë mbushur gazetat këto ditë, duke u justifikuar për krimin e tyre, sepse paskëshin qenë “shërbëtorë të ligjit”, apo se “Havzi Nela nuk duroi dot komunizmin”. Atyre, gjykatësve që e vranë, sot ju ardhka keq, por në 1988, ishin fare në rregull, sepse thjesht po “zbatonin ligjet me saktësi”. Mendoni, veç disa muaj më vonë, veç disa qindra kilometra larg nesh, pushkatohet në Rumani, sekretari i parë i vendit, Çaushesku. Natyrisht, gjykatësit e komunizmit duhet t’ua dinë për nder karrierat e tyre pas vitit 1991, kolegut të tyre në parti, sekretarit të partisë komuniste (kryeministri i sotëm!), Sali Berisha, si dhe disa shokëve të tij, sepse përndryshe, së paku do t’i linin funksionet, në mos do t’u duhej të përgjigjeshin para ligjit, njësoj si u përgjigjën në gjyqet e Nurembergut, gjykatësit nazistë.
Teoria e nxjerrjes të pafajshëm të gjykatësve (por edhe shumë pushtetarëve të tjerë të komunizmit), me kusht që ata të kenë zbatuar ligjet e kohës, ka qenë varka e shpëtimit, më e diskutueshmja në fillimet e viteve ’90. Këtë teori e induktonin me intensitet shumica e pushtetarëve komunistë me të cilët filloi të mbushet PD-ja, sidomos pasi fitoi zgjedhjet e 22 marsit 1992.
Kështu, rekomandohej të ndiqeshin “gjykatësit, apo hetuesit komunistë” që kishin shkelur ligjet e kohës. P.sh., thuhej: “Hajde të gjejmë ata që kanë dhënë dënime më të rënda sesa kërkonte ligji”, apo “hajde të gjejmë ata që kanë rrahur dhe torturuar në hetuesitë”, sepse edhe ligji komunist nuk i lejonte këto. Kjo bëhej qëllimisht për të mos dalluar njeri prej tyre, qoftë sepse shumica kishin vepruar sipas ligjeve perverse komuniste, qoftë sepse dokumentet e arshivuara, ishin përpiluar sikur vërtetë të ishte zbatuar ligji komunist, edhe në rastet kur ai ishte shkelur me të dy këmbët. Kush mund t’iu kthehej me mijëra proceseve gjyqësore dhe të identifikonte shkeljet e ligjit?! Ishte një absurditet ta mendoje se mund të realizohej dot.
Krahu tjetër i PD-së, që anatemohej si radikal, kërkonte që të kufizoheshin të drejtat e atyre gjykatësve, në karrierën në shtetin post-komunist. Bëhej fjalë për ata gjykatës që kishin dhënë dënime politike të rënda në komunizëm (si dënime me vdekje, apo me shumë vite), pavarësisht se ishin bërë “konform ligjeve dhe rregullave të kohës” së komunizmi.
Sa për ata që edhe i kishin shkelur ligjet e kohës, ata duhej të gjykoheshin dhe të dënoheshin reptësisht. Nga sa lexuam në dëshminë që Gazeta Shqiptare i kishte marrë policit që kishte plagosur poeti Nela, si dhe në vendimin e gjykatës, duket sikur prokuroria ka rastin të fillojë një procedurë për krimin e vrasjes. Kjo sepse duket sikur plagosja e policit është kryer në kushtet e tronditjes së lartë psikike, dhe jo siç shprehet vendimi i gjykatës, me paramendim e “pikërisht tek polici si njeri me uniformë”. Jo, sepse personi tjetër që ishte prezent kur kish ndodhur incidenti, kishte qenë kushëriri i poetit, e jo një kushdo, siç shkruhej në vendim. Nejse, me hollësitë le të merret zonja prokurore e përgjithshme.
Natyrisht që kërkesa e “radikalëve” të PD-së, ishte tejet njerëzore dhe e butë, për sa u përket gjykatësve që nuk i kishin shkelur fare ligjet e kohës. Thjesht “radikalët” kërkonin që këta gjykatës komunistë vrasës, të ndaloheshin me ligj që të punonin në gjykata, apo të mos lejoheshin të zinin pozita shtetërore. Vende të tjera, shumë më demokratike se ne, kishin pushkatuar dhe dënuar me mijëra vite burgim, gjykatës që kishin zbatuar ligjet e vendit, por që këto ligje nuk kishin qenë demokratike.
Shembulli që është përmendur sa e sa herë, kanë qenë gjyqet e Nurembergut (12 gjyqe), pas luftës së dytë botërore, që u zhvilluan në periudhën 1945-49 (por që u përgatitën dhe u ndoqën në periudhën 144-51). Një nga gjyqet e famshme, është ai i 16 gjykatësve, prokurorëve dhe zyrtarëve të ministrisë naziste të drejtësisë (The Justice Trial), ku 4 prej tyre u dënuan me burgim të përjetshëm. Gjykatësit nazistë u konsideruan me përgjegjësi penale (kriminale) sepse “zbatuan ligje të pamoralshme” (enforced immoral laws). Është krejt i qartë qëndrimi perëndimor krejt i kundërt me qëndrimin shqiptar post-komunist.
Ata që zhvilluan gjyqet e Nurembergut, ishin kampionët e demokracisë, si Amerika, Anglia dhe Franca. Pothuaj të gjithë hitlerianët që u pushkatuan apo u dënuan rëndë nga ajo gjykatë, kishin zbatuar ligjet e kohës, ligjet e nazizmit. Edhe shumë prej atyre nazistëve, pas rënies së nazizmit u vinte keq për sa kishte ndodhur. Por megjithatë, ata u pushkatuan.
U dënuan rëndë në Nuremberg, pavarësisht se kishin zbatuar ligjin, sepse ligji që zbatonin ishte i keq, dhe ata nuk duhet ta zbatonin. Ishin ligje që shkelin arritjet njerëzore të kohës, pra që zbatoheshin në vende të tjera të botës së lirë, në fushën e lirisë së njeriut.
Ky mesazh vlente edhe për ofiqarët tanë komunistë, e aq më tepër për juristët, të cilët e dinin mirë, kur pushkatonin njerëzit sipas urdhrave të hierarkëve komunistët tanë, se ligjet që po zbatonin, ishin krejt anti-demokratike. Për gjykatësit tanë komunistë, edhe sot ia vlen të përsërisim thënien e famshme të kryeprokurorit të Nurembergut, Robert Xhekson (Rober Jackson): “Do të dënojmë ato akte, të cilat janë konsideruar kriminale, që nga koha e Kainit, dhe që janë pjesë e çdo kodi ligjor të vendeve të civilizuara”.
Tani lind pyetja: kush e ka gabim, gjykatësit tanë të komunizmit në post-komunizëm, politikanët tanë që i përkrahën, apo gjykatësit amerikanë, anglezë e francezë në vitet 40 të shekullit të kaluar, kur i dënuan soziat e gjykatësve tanë komunistë, ata nazistë. Ne themi se e kanë keq tanët.
Por puna nuk ishte fare në një tolerancë të z. Sali Berisha me shokë. Jo, puna ishte se atij, z. Berisha, i duheshin këta njerëz të përlyer rëndë me komunizmin, sepse kishin të gjithë, një veti shumë të çmuar për diktatorin e ri që po i vinte Shqipërisë. Ata ishin të bindur deri në servilizëm, deri në mohimin e moralit elementar, ndaj udhëheqësit të partisë. Atyre thjesht u dilte detyrë që në mendjen e tyre të zëvendësonin Enver Hoxhën me Sali Berishën, dhe të tjerat bëheshin automatikisht.
Mjerimi thellohet sot, kur këta gjykatës komunistë po i dekorojnë edhe të klasifikuarit si anti-komunistë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx