E premte, 24.05.2024, 12:17 AM (GMT+1)

Mendime

Lavdrim Lita: Një këndvështrim së brendshmi për racizmin

E hene, 08.09.2008, 12:01 PM


Një këndvështrim së brendshmi për racizmin

Nga Lavdrim Lita

Shpesh, në bisedat tona të përditshme, na bie fjala të dëgjojmë për diskriminimin racist që u bëhet shqiptarëve anekënd nëpër Oksident, apo kudogjetkë nëpër botë. Jam sipërkonshient se si ndonjëherë jo vetëm shqiptari, por dhe banorë të tjerë të kësaj bote, janë viktima të paditurisë së ksenofobisë njerëzore. Por në këto radhë, më duhet të them qartshëm, një të vërtetë paksa të sikletshme, që shpesh e injorojmë midis nesh, sepse përpara se të protestojmë ligjërisht për diskriminim që u bëhet shqiptarëve nëpër botë, duhet të shohim fillimisht njëherë “oborrin tonë”; ku pa një, pa dy, jemi dëshmitarë të gjallë të damkosjes leksikore që i bëjmë: malokut, labit, evgjitit, gabelit, kaurrit, çamit, kosovarit, çeçenit, gollobordasit, katundarit dhe new entry taleban, etj. Aman, një pasuri lemash damkosëse, që na e kanë zili dhe fqinjët. Atëherë si shpjegohet ky fenonen epitetesh tipike, alla shqiptare? Së pari: ndoshta sepse jetojmë në një kohë tranzicioni kur epitetet, damkat, sociale përdoren si shkurtore kategorizuese, të tipit folkloristik. Kuptohet vetiu se injoranca sjell agresivitet, një lloj impotence fizike që kanalizohet në zhargon e përditshëm. Së dyti: ndoshta sepse duke u kategorizuar në leksik sikur mbahet larg “prishja e gjakut”, dukuria e stigmatizimit racial ndër-shqiptarë fillon ahere kur nevoja ma së shumti egocentrike, ekzorcizohet nga komuniteti vendas (denbabaden!). Së treti: ndoshta sepse, nga përcaktimi i krahinës, i gjinisë, i racës, i kulturës, i besimit së ndryshme nga e vetmja nuk është vështirë të kalohet në përcaktimin e tyre si inferiorë, dhe kjo, nga njëra anë i ngushëllon të gjithë ata që nuk janë të asaj krahine, kulture, gjaklidhje e nga ana tjetër krijon terrenin për kundërvënie e konflikte të tipit social. Simbas mendimit tim, jemi katandisur në një problem teatral, në një tip situate absurde të përditshme, karakteristike vetëm për strukturat tregimtare folklorike, ku protagonistët (aktorët jemi ne!) identifikohen në bazë të një tipari unik. Shqipfolësit do të thoja që janë njëfarësoj racista ndaj njeri tjetrit dhe kur janë të tillë, nuk besoj se do kishte vështiresi të jenë ksenofobë edhe ndaj të huajve: për më shumë shih opinionin tonë për grekun apo serbin. Bashkëqytetarët tanë janë të pakontrollueshëm me ligj për ato që thonë në publik dhe lumturisht fatkeqë, ka ardhur një kohë që fare mirë mund të analizojmë të keqin dhe të mirin. Disa herë ka pasur edhe politikanë, plus pastaj sharlatanë që i kanë fryrë ketij flamuri për qëllime elektorale kinse për t’u mbrojtur pronat e tyre nga ligji 7501, duke damkosur si çeçenë veriorët apo të ardhurit rishtas në Tiranë, Durrës etj. Ka një gjë të vërtetë se lëvizjet e emigracionit të brendshëm realisht thyen barrierat hapsinore që edhe ngurtësisht qenë përligjur nga sistemi komunist, i cili pati vënë bllokadën reale në zhvendosje apo lëvizjen e lirë brenda tabanit shqiptar, sepse lypej gjoja mbrojtja e kufirit verior apo jugor nga hordhitë e armikut alien. Një frymë propagandistike që zgjati rrënjët e veta deri në demokraci, ku vendasit, të pamësuar, të paditur, të pagjesdisur nga mbipopullimi i komunitetit të tyre nisën dhe përgojuan tiparet e tjetrit, të të huajit, të fqinjit verior/jugor si vandalë përdhunues, kulturëprishës, të trashë e fanatikë të pazëvendësueshëm. Fanatikë dokesh prapakohore, sic është vlerësimi i virgjërisë së një vajze përpara martesës. Është thjesht një diskriminim gjinor e shoqëror, njësoj si kërkesa që burri të jetë asket deri ditën e martesës. Por nuk është vendi në këto radhë, sepse shpresoj t’i trajtoj në një shkrim të veçantë, për të cilësuar diskriminimin gjinor në Shqipëri, ku femra jo rrallëherë shihet si inferiore në punë, shoqëri apo jetën publike. Pulsi i një shoqerie matet edhe me bashkërendimin e cilësive personale dhe vetisë së faktorit gjinor. Besoj se po të ulemi e të gjykojmë objektivisht mbi çështjen se, ku ka më shumë racizëm shoqëror: shqiptarët në Oksident apo në vendin e tyre; me siguri do të na dalë se ata qe thonë se në Oksident diskriminohet nga vendasit, në vendin e tyre e diskriminojnë dy herë më shumë tjetrin, fqinjin, shokun a mikun e tyre. Mjafton të shikosh sesi ne trajtojmë komunitetin rom në Shqipëri do të vinte për të qarë në krahasim me racizmin internacional, ku asnjë politikë integruese nuk është berë për afrimin e fëmijve lypës, ku asnjë ndihmë sociale jepet për varfërinë tejmase të tyre. Edhe vetë kryebashkiaku kinse kozmopolit ndoqi politikën e pastruesve të rrugëve vetëm me njerz që vijnë nga komuniteti rom. Asnjë studim serioz shtetëror apo individual është bërë për gjurmimin e kulturës nomade në Shqipëri. Ja ku po e them troç, është një sjellje pastërtisht diskriminuese. Veç shtini nëpër mend për një moment familjen tuaj.Vëllai ose motra juaj do të martohej me një jevg apo gabel. Si do ndiheshim? Cili do të jetë reagimi ynë? ...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora