E premte, 02.05.2025, 02:41 AM (GMT+1)

Mendime

Lorenc Rabeta: Tirana, Athina dhe shkollat shqip ne Greqi

E diele, 07.09.2008, 12:03 PM


Tirana, Athina dhe shkollat shqip ne Greqi

Nga Lorenc Rabeta

Kushdo që i dëgjoi fjalët e thëna, përpara pak ditësh, nga ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, zonja Arta Dade, lidhur me mungesën e plotë të angazhimit të Tiranës zyrtare për gjetjen e gjuhës së përbashkët me Athinën, në kërkim të mundësisë së shkollimit të emigrantëve shqiptarë në gjuhën mëmë, nuk mund të mos sillte ndër mend episodin e shumëpërfolur të Odise Cenajt, nxënësit shqiptar me rezultate të shkëlqyera në mësime, të cilit në vitin 2003 iu mohua e drejta të marshonte me flamurin helen në dorë, ditën e festës kombëtare në shtetin fqinj. Tradita e shkollave greke do që gjatë kësaj dite gjimnazistët të marshojnë të prirë nga nxënësi me rezultatet më të mira në mësime, që ia jepte shqiptarit këtë të drejtë, por që nuk iu lejua me agresivitet nga shokët e shkollës, prindërit e tyre dhe opinioni grek në përgjithësi, për shkak se adoleshenti nuk ishte i kombësisë greke.

Dhe nuk është episodi i vetëm, një vit më pas, nxënësja shqiptare, Sonila Metushi, e cila jetonte prej dhjetë vjetësh në Greqi, qe caktuar nga këshilli drejtues i shkollës për të mbajtur flamurin grek në ditën e paradës, më 28 tetor. Por, nuk kanë qenë aspak dakord me këtë bashkëmoshatarët e saj, të cilët protestuan, madje ndërprenë edhe mësimin për t‘i kërkuar heqjen e privilegjit. Ndërhyrjes së autoriteteve greke, prindër e fëmijë iu përgjigjën duke kërcënuar se do vazhdonin të bojkotonin mësimin, deri në çastin kur këshilli drejtues i shkollës të hiqte dorë nga ai vendim.

Ndërsa një situatë edhe më e papranueshme u krijua në rastin e një gjimnazi në Kalithea të Athinës, ku 16-vjeçarja Maria Kendella vendosi të parakalonte me flamurin helen, por u sulmua nga një grup ekstremistësh grekë, të organizatës "Agimi i Artë". Ndaj ngjarjes së fundit reagoi edhe ministrja e atëhershme e Arsimit e Greqisë, e cila deklaroi se "flamuri nderon flamurtarin dhe jo flamurtari flamurin", në kërkim të mirëkuptimit të opinionit helen, duke e konsideruar reagim të pafalshëm.

Emigrantët shqiptarë në Greqi janë lënë që në fillim të herës jetimë dhe në mëshirë të fatit nga shteti i tyre: janë bërë subjekte fshesash periodike, keqtrajtimesh nga ana e policisë dhe e ekstremistëve grekë, në kufi vihen rregullisht në radhë katër-pesë kilometërshe ditët e pushimeve apo festave, të cilat vendosin t‘i kalojnë në Shqipëri, u grisen flamurët e atdheut të tyre para syve, rrihen madje edhe vriten në çastin kur Kombëtarja shqiptare e futbollit mund Kombëtaren greke. Të gjitha këto pa thuajse asnjë reagim nga Tirana zyrtare. E megjithatë, tragjedia e vërtetë shfaqet në çastin kur subjekt i mungesës së çdolloj vullneti të Tiranës për të mbrojtur të drejtat e nënshtetasve të vet bëhen fëmijët.

Politikani dhe diplomati, Pëllumb Xhufi, gjatë një interviste dhënë për gazetën "Shqip", lidhur me këtë temë, risolli në kujtesë marrëveshjet mes dy shteteve në këtë kuadër, të cilat janë nënshkruar mes dy palëve, por kanë funksionuar vetëm për interesat e hapjes së shkollave greke në Shqipëri. "Greqia, tha ai, e ka për detyrim të krijojë kushtet për të mundësuar mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e qytetarëve shqiptarë".

Dhe vërtet, numërohen një seri shkollash greke në vendin tonë - jo vetëm aty ku gjendet komuniteti me kombësi greke - kur numri i popullsisë së interesuar për të mësuar në këtë gjuhë është disa herë më i vogël se numri i emigrantëve shqiptarë me banim në Greqi, të cilët dëshirojnë të gjithë t‘u mësojnë fëmijëve shqip. E megjithatë, siç vërejnë me të drejtë, Dade e Xhufi, nuk ekziston asnjë shkollë shqipe në Greqi, e cila, si vend anëtar i Bashkimit Evropian është edhe nën detyrimin e krijimit të kushteve që qytetarët, të cilët jetojnë e banojnë aty, të kenë mundësinë jo vetëm të shkollimit në gjuhën amtare, por edhe të ushtrimit të besimit përkatës fetar. Sa për të sjellë një shembull, Parlamenti italian miratoi në vitin 1999 ligjin nr. 482, për efekt të dispozitave për mbrojtjen e pakicave të garantuara nga Këshilli i Evropës, falë të cilit komuniteti arbëresh në Itali gëzon të drejtën të ketë shkolla, ku të mësohet në gjuhën shqipe, madje edhe një ekran televiziv të vetin (tani për tani është në fazë eksperimentale). Është me vend të vërehet se komuniteti i arvanitasve të Greqisë as mund ta shpjerë në mend një luks të tillë, përkundrazi, ndonjë zë i veçuar që dëgjohet tek-tuk mbytet me agresivitet të skajshëm nga opinioni grek.

Më 29 gusht gjithë Këshilli i Bashkisë së qytetit të Këlnit - me përjashtim të përfaqësuesve të Kristian-Demokratëve dhe një grupi ekstremist të pagëzuar "Pro-Këlnit" - miratoi ndërtimin e xhamisë më të madhe në Gjermani. Është financuar nga rreth 8 qind grupe myslimane apo pro myslimane në këtë vend, do të kushtojë 15-20 miliardë euro, dhe (gjë që shihet si më e keqja për ekstremistët e djathtë) do ngrihet në qytetin ku gjendet kisha më e famshme gotike në Gjermani. Motivi për të cilin autoritetet votuan pro ndërtimit të xhamisë është i thjeshtë, në qytet kontribuon një komunitet shumë i madh mysliman, të cilët kërkojnë garantimin e së drejtës për të mësuar në gjuhën mëmë e për t‘iu falur Zotit të tyre.

Por, duhet vërejtur se dashamirësia ndaj komunitetit mysliman nuk mund të shpjegojë e vetme vullnetin e këtij shteti për ta bërë të ndihen sa më mirë në Gjermani. E vërteta është se gjermanët, si pak të tjerë, po heqin dorë nga hipokrizia lidhur me emigracionin: janë prurjet e të huajve ato që po i garantojnë lokomotivës ekonomike evropiane forcën punëtore për të ecur përpara, por njëherësh edhe për ruajtjen e raporteve demografike. Eksperti i njohur Herwig Birg vërente para dy vitesh se me këtë ritëm të plakjes së popullsisë shpejt, Gjermania nuk do qe ajo që njihej, se numri i të moshuarve joproduktivë do shtohej frikshëm, krahasuar me atë të popullsisë produktive, dhe pranonte se gjendja është mbajtur nën kontroll vetëm falë flukseve të emigracionit.

Dhe duhet të nënvizojmë se situata në Gjermani është mjaft larg këtij rreziku në rast se krahasohet me atë në vendet mesdhetare. Në vitin 2003, në Itali u shënua mesatarja e lindshmërisë prej 1.26 fëmijësh për grua në moshë fertiliteti. Më keq nga të gjitha në këtë kuadër paraqiteshin Spanja dhe Greqia, me shifrën 1.25, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Evropian ishte 1.47 fëmijë për grua (gjithsesi mjaft e ulët). Nga ana tjetër, fenomeni priret vetëm drejt përkeqësimit, çdo vit regjistrohen gjithnjë e më pak lindje dhe treguesi lindje-vdekje rezultonte në vitin 2007 negativ me shifrën 15 mijë në vit.

E thënë më qartë, me këto ritme plakjeje të popullsisë, Greqia, ashtu edhe si vendet e tjera mesdhetare, ka si shpëtim vetëm ripërtëritjen e popullatës nga emigracioni, dhe, duke hequr dorë nga hipokrizia e njëherësh në cilësinë e vendit anëtar të Bashkimit Evropian është nën detyrimin t‘u krijojë komuniteteve të emigrantëve të gjitha lehtësitë e mundshme që këta të mësojnë në gjuhën e origjinës e të mbajnë gjallë kulturën përkatëse.

Por, më shumë se grekët, është shteti shqiptar, ai që njëherë e mirë duhet të lerë mënjanë hipokrizinë dhe të nisë të kërkojë me ngulm as më shumë e as më pak atë që kërkojnë helenët për popullsinë me kombësi greke që jeton në Shqipëri. Nuk ka më kuptim të vazhdohet me bisedime dypalëshe, ku janë grekët të vetmit që ngrenë pretendime e kërkojnë gjithçka të mundshme - ndonjëherë edhe absurditete.

Nënvizohen pafundësisht raportet e pabarabarta që mbizotërojnë në marrëdhëniet tona me shtetin fqinj, të cilat sipas shumë zërave diktohen nga varësia e fortë ekonomike (për pasojë politike) e Tiranës nga Athina. Edhe ky qëndrim nuk është aspak i drejtë, pasi në të vërtetë varemi shumë më tepër ekonomikisht nga të ardhurat që dërgon në shtëpi komuniteti i stërmadh shqiptar që banon dhe punon në Greqi, një motiv më shumë që shteti të bëjë gjithçka të mundur për t‘i ruajtur dinjitetin e për t‘u garantuar të gjitha të drejtat. Po t‘i referohemi raportit vjetor të publikuar gjatë fillimit të vitit të shkuar nga Banka e Shqipërisë, vetëm gjatë vitit 2006 emigrantët shqiptarë arkëtuan nëpër bankat tona 933 milionë euro. Shifër - komuniteti i emigrantëve të Greqisë zë peshën më të madhe - që nuk mund të anashkalohet kurrsesi, duke qenë se ishte thuajse sa gjysma e buxhetit të shtetit për atë vit (49.3%).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx