E premte, 02.05.2025, 12:54 AM (GMT+1)

Mendime

Kuvendi: Intervistë me zotin Mërgim Korça

E shtune, 06.09.2008, 07:19 PM


Mërgim Korça
Intervistë me zotin Mërgim Korça

Nga Revista Kuvendi

Kuvendi: Është hera e parë që takohemi, zoti Korça. Nëpërmjet zotit Franz-Llesh Grishaj më janë rekomanduar disa shkrime tuajat për tu botuar në Kuvendi. Ato trajtojnë tema të ndryshëme si edhe dallojnë për një trajtesë profesionale. Duket se e njihni veriun ( sidomos Shkodrën ) si edhe At Gjergj Fishtën. Gjithashtu bie në sy se e njihni edhe historinë e popullit tonë si edhe personalitetet e saj.
Do të dëshiroja të dija : Ku jeni lindur dhe cila është origjina e Mërgim Korçës ? Gjithashtu diçka lidhur me emrin tuaj si një gjetje e veçantë dhe e rrallë.

Përgjigje : Si trashëgimí familjare unë jam korçar i lindur në qytetin Graz të Austrisë 71 vite të shkuara. Gjyshi im, nga ana e babait, ka qenë drejtor shkolle, ndërsa ai nga ana e nënës, mjek kirurg.
Im atë Xhevat Korça, që ishte themeluesi dhe drejtori i parë i Gjimnazit Shtetëror të Shkodrës, mbas dy vitesh shërbimi si drejtor, me ardhjen në fuqi të Ahmet Zogut dhe si kundërshtar politik i tij, u detyrua të largohej nga Shqipëria dhe për tre vite me radhë drejtoi katedrën e gjuhës shqipe pranë universitetit të Beogradit. Me që qëndrimi në Jugosllavi iu bë i pamundur se dy herë iu kërcënua jeta, emigroi në Austri. Gjatë periudhës dhjetëvjeçare që familja ime banonte në Austri u linda un. Lidhur me emrin që mbaj besoj se është e qartë tashti përse im atë e përzgjodhi atë. Mendoj se ia vlen të theksoj se në Bashkinë e Grazit ekziston edhe sot e kësaj dite një dokument i nënëshkruar nga im atë, ku ai nuk pranonte që unë automatikisht të regjistrohesha si qytetar austriak. Pra emri i përzgjedhur nga im atë nuk përfaqësonte vetëm një pohim, por një pohim me dhimbje për të.

Pyetje : Lidhjet me veriun dhe sidomos me personalitete si poetin kombëtar Gjergj Fishtën, Patër Anton Harapin etj. si edhe Luftën e Malësisë Madhe ( të 1911-ës ) si edhe Kryengritjen e saj ( të 1945-ës ), si janë realizuar tek Mërgim Korça ? Ndoshta gabohem, por historiografia shqiptare nuk e pranon termin luftë për atë të 1911-ës dhe as kryengritje, për të 1945-ës. Për mua e para, padyshim që ka qenë luftë sepse qe shumë e realizuar nga elementë luftarakë si edhe organizativë si edhe e zgjatur në kohë. Edhe ajo e dyta nuk ka se si të pranohet se ka qenë vetëm një lëvizje antikomuniste, se ajo qe një kryengritje e mirëfilltë. Nga ana tjetër ç’ju ka shtyrë që temat të cilat i trajtoni në shkrimet tuaja t’i përmbahen një diapazoni të gjerë historik dhe si ka ndodhur që flisni me shumë detaje bindëse dhe me njohje jo sipërfaqësore për personalitete të kohës që historia e shkruar e periudhës diktaturës i ka dënuar ?

Përgjigje : Që në fëmijëri im atë më ka pasë mëkuar dashurinë për Atdhé, krenarinë kombëtare si edhe njohjen e së kaluarës historike e gjithashtu edhe përpjekjet e rilindasve për gjuhën tonë të bukur shqipe. E si të mos më nguliteshin këto gjëra në kokë tek më jepte detyra shtëpie të mësoja përmëndësh vargjet e Lahutës, poezit’e Nolit, bukolikat tejet atdhedashëse të Naimit e nga ana tjetër dëgjoja pastaj nga goja e vetë Mid’hat Frashërit apo Mustafa Merlikës se si flisnin për Kongresin e Manastirit si edhe përpjekjet e tyre lidhur me gjuhën e shkruar shqipe. I mbaj mënd konsideratat e Patër Antonit rreth Luftës së Malësisë Madhe të 1911 si të mi thoshte sot. Po gjithashtu e kam të qartë vrullin me të cilin fliste Qazim Koculi me krenarí të madhe kombëtare rreth flakjes në det të forcave italiane më 1920-ën.
I kujtoj këto, e domosdo mbushem me emocione tek më drejtoni pyetje të cilat duan të qëmtojnë të vërteta historike që fatkeqësisht janë mohuar përgjatë periudhës së diktaturës e vazhdojnë të mohohen edhe sot, ku me keqdashje e paragjykim e ku nga padituria. Megjithatë, nuk mund të qëndroj pa pohuar se, pa arritur ta ndajmë historinë nga politika, historia kurrë nuk ka për të qenë histori. Pa shkuar e gërmuar thellë në histori, po cek ç’kanë thënë dy personazhe shumë të përfolur :
Hitleri : Le ta fitoj luftën, pa historinë pastaj jam unë ai që e shkruan.
Nexhmije Hoxha, atyre që i shkonin për ngushëllim kur vdiq diktatori : Faleminderit, po sh.Enver na e la partinë të pastër.
E unë shtroj pyetjen, histori do të ishte ajo që do të shkruante Hitleri po ta fitonte ai luftën ? Histori do ta quanin, po ajo nuk do qe histori por do të ishte interpretim, sipas pozitave të Hitlerit, i historisë.
E njejta gjë fatkeqësisht po ndodh në Shqipëri. Simbas N.Hoxhës faktet historike, të shikuara dhe të interpretuara sipas optikës komuniste të luftës së tmerrëshme të kllasave, janë historia e Shqipërisë. Po kjo është çoroditje dhe vetëm çoroditje. Prandaj e ngre me aq forcë sa mundem që, derisa të mos heqim dorë nga të shikuarit e fakteve historike si edhe interpretimit të tyre nëpërmjet lenteve deformuese të bindjeve politike, cilido qoftë pozicionimi i tyre, nuk do të shkruhet historia e vërtetë e Shqipërisë. Në këtë kuadër patjetër që ngjarjet historike nuk mund të quhen të tilla po nuk qe veprimi aktiv i ndërsjellë edhe i personazheve historike i gërshetuar me to.

Vijmë tashti konkretisht tek personat që ju z.Jaku i zutë në gojë. Patër Gjergjit i u harrua me dhunë emri si edhe vepra duke e quajtur fashist, shovinist, e duke i vënë lloj lloj epitetesh të tjera. Mirëpo unë jam mëkuar me dashuri e respekt të madh ndaj tij nga im atë e prandaj përgjatë jetës sime jam munduar ta hetoj të vërtetën rreth tij. Pa u zgjatur të bëj apologjínë e tij sepse nuk është rasti, por është ai që ia ktheu qeverisë së Mussolinit dekoratën e lartë që i akordoi ajo si njeri i shquar, duke i thënë “ Kjo dekoratë nuk âsht për mue !” Nga ana tjetër ndër fjalët e fundit që Patër Gjergji i tha Arqipeshkvit Imzot Thaçi para vdekjes ishin ... “ Nuk po më vjen keq se po des, mbasi të gjithë atje do të shkojmë, por po më vjen e rândë se tânë jetën e kam shkrî për të pa nji Shqipni të lirë e në vedi, ndërsa sot po e lâ të shkelun prej ushtrive të hueja.” (Patër Gjergj Fishta ndërroi jetë më 30 dhjetor 1940). A është e drejtë të akuzohet si fashist ky person ? Vetëm fashist ai nuk mund të quhet !
Kurse akuzën si shovinist, është e qartë se kushdo e merr vesh që ishte akuzë konjunkturale sepse atë shkja që Fishta sulmonte, s’ishte kush tjetër veçse sërbi që e mikloi udhëheqjen tonë fillimisht, se pastaj tjetra ... është histori.
Prandaj i pezmatuar shtroj pyetjen : Po vepra e tij atëherë pse dhunshëm u harrua ? Ish i drejtë ai veprim ?

Vijmë te Patër Anton Harapi, gjithëmonë fluturimthi. Me që i akuzuar si kuizling, ai u pushkatua, dhe e gjithë veprimtaria e tij patriotike si edhe letrare u mohua. Mirëpo njerëzit duhen gjykuar nga veprat që bëjnë si edhe ato që lenë mbrapa. Krimi i Patër Antonit për të cilin u pushkatua dhe si pasojë emri si edhe vepra e tij u dënuan, ishte fakti se pranoi të bëhej anëtar i Këshillit të Regjencës. Mirëpo fjalimi që mbajti me atë rast, sikur të lexohet sot nga Presidenti i Shqipërisë, pa i luajtur asnjë presje, do të vlerësohej si tejet patriotik, madhështor. Ja ndonjë kalim sa për dëshmí për t’ia rikujtuar lexuesit :
“ E pranova detyrën se nuk mujshem m’e pamun Shqypninë të pushtueme prej anarkijet … nuk dojshem të krijohej nji Babiloní shqyptare me luftë vllavrasëse qi të zhgatrrote katundet, të humbej bagtija e të zhgatrroheshin familjet … ndjeva mëshirë si për popull e gjithashtu edhe për Shqypní … Si mund të preferojshem m’e pshtue jetën t’ême e të ruejshem prestigjin personal në vênd qi t’a rrezikojshem jetën t’ême për çashtjen e përbashkët ? Le të ndollë ajo qi ka me ndollë, thashë me vedi, rrnoftë populli edhe pa mue, rrnoftë Shqypnija ! … E fillueme me nji poezi e po e përfundojmë me nji tragjedi me iu dhimbtë kujtdo … e vetmja gjâ m’u bâmun âsht m’e pshtuemun Shqypninë edhe popullin. Mjafton t’i paralizojmë fajtorët të mos bâjnë mâ dame … Nuk duhet të egzistojnë filogjerman, anglofila apo italianofila. Duhet të jena veç shqyptarë …”
Ose si akuzë Patër Antonit i është paraqitur kudo e kurdoherë një fotografi me gjeneralin Fitstum. Por kurrë nuk është thënë teksti i fotografisë ku Patër Antoni i kujtoi gjeneralit Fitstum se ... marrëveshja me Reichun ishte që trupat gjermane do t’a kishin territorin shqiptar vetëm si urë kalimi për në Greqi, pa cënuar dhe pa ndërhyrë në çështjet e brëndëshme shqiptare !
Duke u ballafaquar me këto të vërteta historike dhe të dokumentuara nga materiale arkivore, është e natyrëshme që çdo shqiptar i ndershëm do të vijë në përfundimin se, mohimi i tyre sipas një antilogjike diktatoriale, e ka cunguar historinë e kombit tonë nga një pjesë shumë e vyer e saj, me të cilën çdo shqiptar duhet të krenohet.

E lemë të qetë tashti Patër Antonin dhe rikujtojmë dënimin moral që iu bë nga diktatura Mid’hat Frashërit si edhe veprës tij. Emri i tij, për gati gjysëm shekulli sa zgjati diktatura komuniste, u lidh vetëm me cilësorët kolaboracionist, tradhëtar, kriminel, etj. Ndërsa vepra si edhe bëmat e tija, në të mirë të Shqipërisë, u mohuan.
Pa hyrë në konsiderata personale lidhur me figurën e këtij atdhetari të shquar, (për personalitetin e të cilit si edhe veprën e tij ka një publicistikë tejet të gjerë e të pasur), po riprodhoj të përkthyera disa kalime nga një shkrim karakteri editorial botuar me rastin e vdekjes tij nga gazeta italiane “La Voce Repubblicana” me 11 dhjetor 1949. Titulli i shkrimit ishte :
Midhat Frashëri
Një mazzinjan(*) i madh i Shqipërisë së lirë


... Mid’hat Frashëri në Selanik themeloi dhe drejtoi gazetën e kryengritjes shqiptare “Lirija”. Mori pjesë si edhe e drejtoi Kongresin e Manastirit (1908) për alfabetin përfundimtar të Gjuhës Shqipe. Drejtoi dhe botoi që nga 1906-ta “Kalendarin Kombëtar” si edhe revistën e famëshme “Diturija”. Më 1912-ën qe anëtar i së parës Qeveri Shqiptare të drejtuar nga Ismail Qemal Vlora. Në vijim mori pjesë në Qeverinë Shqiptare edhe më 1913 –1914. Më 1920-ën bëri pjesë në Delegacionin Shqiptar të Konferencës Parisit ku mbrojti tezën kundra gjymtimeve eventuale tokësore të Shqipërisë Jugut. Deri më 1925-ën ishte Ministër i Shqipërisë në Greqi, dhe që nga ai vit tërhiqet e mblidhet në një librarí në Tiranë e cila shpejtë u bë epiqendra e idesë kombëtare.
... Në qershorin e vitit 1939 themeloi dhe drejtoi organizatën nacionaldemokratike “Balli Kombëtar” e cila, me botime të fshehta si edhe me rebelim, e përkreu ndërgjegjen popullore në drejtim të pavarësísë edhe lirísë.
Mbas një lufte të gjatë civile me komunistët (1943-1944) u detyrua që me bashkëpunëtorët e tij ta lerë Shqipërinë dhe të mërgohet në Itali. Jetoi varfërisht dhe u përpoq e punoi për Atdhenë e tij të shtypur duke kërkuar t’ia mënjanonte rreziqet që kërcënoheshin mbi atë komb heroik si pasojë e politikës çmëndur terroriste të komunistëve.
Nëpërmjet botimesh të ndryshëme si “Letra nga Shqipëria”, gazeta “Shqipëria”, revista “Flamuri”, i bëri të njohur botës gjëndjen tragjike të vëndit tij.
... Mbas përpjekjesh të ndryshëme si edhe udhëtimesh, arrijti ta sendërtonte bashkimin kombëtar dhe më 26 gusht 1949 proklamoi në Paris Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, i cili mori përsipër barrën ta çlironte këtë vënd nga zgjedha komuniste. Ndërsa po ngrinte selínë e këtij Komiteti në New York, vdekja e menjëherëshme ia rrëmbeu Kombit Shqiptar më të madhin e bijve të tij.
Ai ish një letrar i madh si edhe një diplomat i aftë. Të gjithë fjalimet si edhe shkrimet e tij të panumërtë qëndërzohen rreth të drejtave si edhe detyrave të shqiptarëve të cilët duhet ta meritojnë, simbas testamentit të Tij, të quhen “Shërbëtorët e Shqipërisë”.
Të gjithë republikanët bashkohen me mallëngjim me vëllezërit shqiptarë në këtë váj të tyre.
Radhit shkruesi italian bëmat e Mid’hat Frashërit në të mirë të Shqipërisë, e quan letrar të madh si dhe diplomat të aftë, dhe sipas tij e quan edhe më i madhi i bijve të Kombit Shqiptar. Është e qartë se kjo është thjeshtë pikëpamja e të ngarkuarit të Partisë Republikane Italiane lidhur me Mid’hat Frashërin. Dakord. Marr leje tashti të shtroj një pyetje, një të vetme : Për faktin se Mid’hat Frashëri qe antikomunist, a është e drejtë që edhe në tekstet e historisë figura e tij vetëm të përdhoset e mos ti njihen asnjera nga bëmat e tij për të mirën e Shqipërisë ?

Vazhdojmë me Mustafa Merlikën. E akuzojnë edhe këtë si kuizling për faktin se pranoi të formonte dhe të drejtonte një qeveri shqiptare në kuadrin e pushtimit italian të Shqipërisë. Dakord. Nuk po ia hyj diskutimit lidhur me shtysën e brëndëshme që pati ai ta pranonte postin si edhe pikëpamjen e tij lidhur me marëdhënjet që ai donte të ndërtonte simbas tij, për të mirën e Shqipërisë, me Italinë pushtuese. As po përqëndrohem në faktin se Mustafa Merlika qe ai që brënda javës dërgoi një aparat të tërë nëpunësish të Ministrisë Brëndëshme në Kosovë të cilët paisën qindra izraelitë me pashaporta shqiptare, si të besimit musliman, dhe i transportoi me autobusat e shoqërisë SATA në Shqipëri. As nuk po shtyhem thellë në kohë e të trajtoj qëndrimin e tij si bashkënënëshkrues i Dokumentit të Shpalljes së Mëvehtësísë në Vlorë. Nuk po i trajtoj këto fakte në favor të tij. Por ama nuk mundem se si të mos u rikujtoj historianëve tanë, e krahas tyre edhe gjuhëtarëve gjithashtu, se nuk i nderon fakti që një gjuhëtari të shquar si Mustafa Merlika, me që është cilësuar kuizling, ti shuhet emri si shkencëtar e të dënohet me harresë edhe vepra e tij shkencore ! Kujt i shërben ky qëndrim ? As Mussolini nuk e bëri gafën e t’i mohonte Pietro Mascagnin si kompozitor, ose Benedetto Crocen si filozof, me që ishin antifashistë. Shtati i tyre i kalonte kufijt e sherreve politike dhe nderi Italisë e kërkonte të njiheshin si bij të saj ! Kurse diktatura shqiptare zbatonte parimin ... më mirë pa gjuhëtarë se sa ta vlerësojmë Mustafa Merlikën ! Logjikë është kjo ?
Të gjithë diktatorët mundohen ta minimizojnë të kaluarën e kombit të cilit i përkasin e mëtojnë si e qysh ta paraqesin vëndin e tyre se si vetëm me ta e filloi rrugën drejtë përparimit. Kjo jo që nuk i nderon diktaturat, por hedh edhe baltë mbi vetë kombin.
Instituti i Studimeve Shqiptare u krijua më 1941 dhe kryetar i parë i tij u zgjodh Mustafa Merlika, gjuhëtar e hulumtues i shquar i shqipes. Simbas historisë Shqipërisë heshtet për Institutin e aq më shumë për kryetarin e domosdo, si pasojë, as që zihet në gojë kontributi i tij në fushë të gjuhësisë. Mirëpo ç’ti bëjmë albanologut të shquar prof.Gaetano Petrottës që, ndërsa shqiptarët e harrojnë, ai e citon me shumë respekt Mustafa Merlikën për kontributin e tij të shquar në fushë të shqipes me fjalorin etimologjik prej 30.000 fjalësh që hartoi ! E për kë nuk e njeh prof.Petrottën, le t’i kujtojmë një shprehje të studjuesit kosovar Zekirja Cana, në një takim me kuadro e studentë në Akademinë e Arteve më 1990, ku profesori pohon : ”Nuk mund të konceptohet gjuhësia shqiptare pa kontributin determinant të Mustafa Merlika Krujës.”

E mbyllim me Qazim Koculin. Edhe emri i tij është fshirë nga historia. Përse ? Sepse në qeverinë e Mustafa Merlikës ai u emrua si Komisar Fuqiplotë i Qeverisë. E ky fakt bëri që për gjysëm shekulli, në të gjithë tekstet e historisë, emri i tij të mos përmëndej kurrë lidhur me luftën e Vlorës të 1920-ës. Po si qëndron e vërteta historike ?
Kthehemi në vitin 1920. Vlora është e pushtuar nga forcat italiane. Me nismë të Qazim Koculit, Osman Haxhiut, Hysni Lepenicës, Qazim Kokoshit, Ali Beqirit si edhe Duro Shaskës, organizohet Kuvëndi i Barçallasë (simbas emrit të fshatit ku u mblodhën). Aty u zgjodh një komisjon prej 16 vetash i kryesuar nga Qazim Koculi. Komisjoni hartoi memorandumin e famshëm që qe një ultimatum drejtuar forcave italiane me kërkesën që brënda 48 orëve ushtritë italiane të largoheshin nga Vlora. Me që italianët nuk reaguan, më 19 maj 1920 u zgjodh Komiteti i Luftës së Vlorës me Komandant të Përgjithshëm Qazim Koculin. Komiteti i dërgoi komandantit italian gjeneral Piacentinit telegramin me të cilin njoftohej komanda italiane se në rast moslargimi brënda 24 orëve, forcat shqiptare do tu binin me armë. Komandanti italian nuk iu përgjigj telegramit dhe ... tjetra është histori që përshkruan se si ushtria italiane u hodh në det. Më 3 shtator 1920 Qazim Koculi, në krye të forcave ushtarake që komandoheshin prej tij, hyri triumfalisht në Vlorë. Mijëra vlonjatë brohorisnin rrugës nga Skela e deri tek Sheshi i Flamurit. Halim Xhelua, duke e komentuar Luftën e Vlorës shprehej :
“ Në qé populli i Labërisë Sparta, trupi i Kryengritjes dhe Komisjoni i të Dymbëdhjetëve sytë, goja edhe veshët, Qazim Koculi qe shpirti i Epopesë Vlorës !”
Qeveria e asaj kohe mori një vendim historik dhe i dhuroi Qazim Koculit, Komandantit të Përgjithshëm të forcave që e çliruan Vlorën nga Italianët, një vilë në Ujin e Ftohtë të Vlorës.
Këto, të nderuar lexues të këtyre radhëve, janë të vërtetat historike rreth figurës Qazim Koculit. Mirëpo tekstet e historisë të periudhës diktaturës, për thuajse gjysëm shekulli, udhëheqësin dhe strategun e Luftës Vlorës paraqitën Selam Musain. Selam Musai vërtet mori pjesë në atë luftë, duke dhënë edhe jetën e tij për çlirimin e Vlorës. Askush nuk ia mohon sakrificën e tij madhore. Por nisur edhe nga logjika më e thjeshtë, a ka të ngjarë që në një ballafaqim luftimesh të asaj natyre, forcat të komandoheshin nga një fshatar i thjeshtë apo nga një ushtarak që kish kryer Akademinë e Admiraljatit në Stamboll ?
I rikthehem tashti edhe një herë boshtit të përgjigjes time, pyetjes s’uaj, zoti Jaku. Përgjatë kësaj interviste nuk është rasti të trajtoj si edhe të shpjegoj përse Mustafa Merlika e emroi Qazim Koculin Komisar Fuqiplotë të Qeverisë. As nuk kam se si nga ana tjetër të trajtoj faktin përse Qazim Koculi, anti italiani i betuar, e pranoi atë detyrë, probleme të cilat mbase i trajtojmë herë tjetër gjerësisht e ashtu si u takon, shtroj pyetjen aspak retorike por tejet të dhimbëshme se tek ballafaqohen të vërtetat historike me veprën e historianëve shtrembërues të historisë : A nuk është mashtrim i së shkuarës të popullit tonë, për qëllime të dobëta etiko morale të paraqitësve, që figurën e Qazim Koculit e kanë mohuar për dhjetra vite si protagonist të thyerjes së ushtrive italiane dhe hedhjes së tyre në det ?

Vazhdoj tashti lidhur me emërtimin e Kryengritjeve të Malësisë Madhe, njera kundër forcave çfarosëse otomane me në krye Durgut Pashën dhe tjetra kundër Divizionit të Mbrojtjes, komanduar nga Mehmet Shehu. Do të mundohem, me aq sa mundem, ta jap edhe unë ndihmesën time sa më objektive, në mbështetje të pozicionimit tuaj z. Jaku.
Po të gjurmojmë në faqet e gazetës The Times, 21 korrik 1911, do të lexojmë shprehimisht : ... kur të shkruhet historia e kohës sonë, lufta e malësorëve shqiptarë do të përmëndet si një nga epizodet më të shkëlqyer të luftës moderne. Gjithashtu lexojmë në Manchester Guardian shkrime të Miss Edith Durham-it e cila me korrespondencat e saja donte t’ia hapte sytë Europës ... lidhur me luftën e pamposhtur të malësorëve shqiptarë kundra ushtrive dhunuese turke si edhe manovrat e fëlliqura të Krajl Nikollës dhe padrejtësitë që u bënte ai shqiptarëve ... Mendoj se dëshmi më ndriçuese qëmtuar nga shtypi bashkëkohës i ngjarjeve të 1911-ës lidhur me pyetjen tuaj z. Jaku, unë nuk do të isha në gjëndje të jepja.
Sa u takon zhvillimeve që fillojnë me 1 janar 1945 dhe që emërtohen herë Inkursioni Bigadës I-rë në veri, apo lëvizje antikomuniste e udhëhequr nga elementë fashistë e kriminelë, siç cilësohen në tekstet e historisë të botuara më 1994, 1999 si edhe në vitin 2000, ato ishin një Kryengritje e mirëfilltë e Malësisë Madhe të 1945-ës, sepse me luftë të ashpër thyheshin, duke përparuar dora dorës drejtë jugut, forcat e Divizionit të Mbrojtjes, ra Kopliku në duart e kryengritësve dhe mos të kishin ardhur përforcime të mëdha nga qëndra, rënja e Shkodrës në duart e kryengritësve ishte tashmë çështje ndonjë dite.
Kjo Kryengritje pastaj ka edhe meritën se shënon fillimin e një rezistence dhjetëvjeçare të armatosur kundra diktaturës, e pashëmbulltë kjo si kohëzgjatje në asnjerin vënd tjetër të kampit socialist.
Nuk e di në se me kaq munda ta shuaj kureshtjen tuaj fillestare, zoti Jaku, sa i takon interesimit tim lidhur me historinë si edhe personalitetet historike që zutë në gojë.


(*) Giuseppe Mazzini (1805-1872) – Republikan idealist i pakompromis. Themelues i lëvizjes “Italia e Re” roli i së cilës qe vendimtar gjatë Rilindjes Italiane. Bindja e tij : Idetë piqen shpejtë kur ushqehen me gjak martirësh !


Pyetje : Ka afro një vit që është krijuar Lidhja e Intelektualëve Shqiptarë. A jeni inkuadruar në të dhe si e vlerësoni ?

Përgjigje : Jo vetëm që e di se është krijuar kjo Lidhje, por kam patur nderin që grupi nismëtar të më ftonte që në mbledhjen e parë të saj. Në parim nuk kisha asnjë kundërshtim, përkundrazi, vetëm se desha të shihja në praktikën e veprimtarisë kësaj Lidhje, cili do të ishte pozicionimi i tyre ndaj trajtimit të të vërtetave historike të kombit tonë. Aq është e vërtetë sa që me rastin e përkujtimit të përvjetorit të 90të të ngritjes së flamurit në Vlorë, kryetari i Lidhjes zoti Zef Brozi, më ftoi dhe unë mbajta kumtesën kryesore me atë rast. Për hir të së vërtetës duhet edhe të shtoj se mbas mbledhjes, ndërsa zoti Brozi më përgëzoi për nivelin e paraqitjes që bëra si edhe për të vërtetat që thashë, unë e falënderova dhe i shpreha pikëpamjen time sipas së cilës në qoftë se kjo Lidhje do të trajtonte në të ardhmen tema për ngjarje historike, probleme gjuhësore, si edhe figura historike, me prirje si edhe vullnetin e mirë që të trajtohen këto probleme me frymën e drejtësisë dhe të shërbimit të çështjes kombëtare, duke ngritur zërin në drejtim të korrigjimit dhe mënjanimit të gabimeve të bëra përgjatë periudhës diktatoriale, unë pa as më të voglën mëdyshje do të bëhesha një aktivist i Lidhjes në fjalë.
Mirëpo me keqardhje e them se që nga 28 nëntori i vitit që shkoi nuk jam njoftuar më për asnjë aktivitet të lidhjes. Mundësitë janë dy : Ose Lidhja që nga 28 nëntori i shkuar ka rënë në një farë letargjie, gjë e cila më hidhëron, ose po ngjet ajo që kurrë nuk do ta dëshiroja, që vija se si e kupton Lidhja trajtimin e problemeve vazhdon e është në sinkron me atë linje që është mbajtur përgjatë diktaturës nga Institutet e Akademisë së Shkencave të Tiranës dhe vazhdon e mbahet edhe sot e kësaj dite. E me që unë me shkrime të ndryshëme edhe fakte historike, të paraqitura e botuar në shtypin shqiptar, u jam kundërvënë qëndrimeve të kësaj natyre të Instituteve në fjalë, mbase e kam fituar të drejtën të quhem person i padëshiruar për Lidhjen e Intelektualëve të Michiganit. Kjo do të më hidhëronte akoma më shumë.

Pyetje : Ka disa shoqata që përpiqen të veprojnë në komunitetin tonë. Si i vlerësoni ju ato, sidomos qëndrat kulturore ?

Përgjigje : Si rregull, etika kërkon që kurrë nuk duhet ti përgjigjet një njeri një pyetjeje ... me një pyetje nga ana e tij. Por në rastin konkret unë do ta shkel rregullin, me lejen tuaj zoti Jaku, dhe u them me plot gojën e me sinqeritet : A ka gjë më të bukur për një bashkësí të mërguarish në vënd të huaj, siç jemi ne, që të kemi shoqata si edhe qëndra kulturore ? Po të funksjonojnë mirë këto shoqata si edhe të zhvillojnë veprimtarí me karakter kombëtar, kurrë breznítë e ardhëshme që do të na pasojnë nuk do ta humbasin traditën kombëtare. Shëmbull shumë i bukur e për tu ndjekur është ai i bashkëkombasve tanë të ikur në Italinë e jugut që në kohë të Skënderbeut. Ata ndjekin shkollat e tyre, e kanë ruajtur gjuhën tonë të bukur, (vërtet arkaike), të mesjetës, por gluhë të bukurë skipe dhe ç’është më e rëndësishmja, e kanë ruajtur me fanatizëm krenarínë kombëtare.
E quaj veten fatlum që jam takuar disa herë me njerin nga aktivistët e palodhur tanë arbëreshë, At Antonio Belluscin dhe kam patur fatin të diskutoj e të rrah probleme me të. Nuk di t’ua përshkruaj se me sa pasion ai fliste për gjuhën, folklorin, doket si edhe zakonet e ruajtura nga komuniteti shqiptar arbëresh për më shumë se pesë shekuj. Mirëpo tek fliste me vrull e krenarí për arbëreshët, një hije ia mbulonte fytyrën tek biseda çvendosej tek arvanitasit. At Bellusci është personi që ka lokalizuar duke i shkelur me këmbët e tija e duke i vizituar 800 vëndbanime arvanitasish në Greqi. Por atje, siç më thosh ai tamam përvajshëm, gjëndja ndryshon kryekëput nga ajo e Kalabrisë. Koha, si edhe kryesisht dhuna politike greke, po e bënin punën e tyre. Ai me lot në sy më tregonte se si duke ecur rrugës nga një fshat në tjetrin, ndalon një kalimtar dhe e pyet duke iu drejtuar në gjuhë shqipe : Fshati përballë fshat arvanitas është, apo jo ? Dhe fshatari, duke iu përgjigjur po shqip, i thotë : Jo uratë, nuk ka shqiptarë këtu. Ne jemi të gjithë grekë ! S’ka shqiptarë këtej.
E zura në gojë këtë episod të dhimbshëm sepse në territorin grek jo vetëm arvanitasit që thuajse e kanë humbur identitetin e tyre kombëtar, por tragjedí është me mërgatën e re të viteve të fundit në Greqi ku, për konjunktura të çastit, po vetëquhen grekë shqiptarë të mirëfilltë. Prandaj i solla dy shëmbujt e arbëreshëve si edhe të arvanitasve që ta forcoj idenë se ç’rol të rëndësishëm lozin shoqatat si edhe qëndrat kulturore për ta mbajtur të gjallë trashëgiminë kombëtare tonën, në dhé të huaj.
E në këtë kontekst nuk kam se si të mos i përgëzoj nga zemra të gjithë aktivistët e Shoqatës Çamëria që po mundohen ta bëjnë të pamundurën të mundur, duke hulumtuar e duke popullarizuar dokumenta historike si edhe pronësishë shqiptare në Çamëri, që të tregojnë se me kufijt tokësorë në mes Shqipërisë dhe Greqisë është kjo e fundit që na ka borxh ne dhe jo anasjelltas !

Pyetje : Si duhet të funksjonojnë shkollat për mësimin e gjuhës shqipe sipas jush ?

Përgjigje : Shqipëria, mund ta pohoj pa ndrojtje, mund të merret si shëmbull pozitiv lidhur me arsimimin e minoriteteve brënda kufinjëve territorialë shqiptarë. Kurse sa i takon mbajtjes gjallë të gjuhës si edhe kulturës shqiptare në botë, praktikisht është bërë shumë pak. Veçanërisht në kushtet aktuale të një largimi masiv nga Shqipëria mbas rënjes së diktaturës, jam i mendimit se duhen sponsorizuar urgjentisht shkollat shqipe në shtetet ku bashkësitë e shqiptarëve janë të mëdha. Përvoja nuk mungon. Shëmbulli arbëresh është sa i bukur, po aq kokëfortë, por edhe nxitës për veprim. Pesëdhjetë vite të shkuara Hirësia e Tij Imam Vehbi Ismaili çeli pranë xhamisë Detroitit, të themeluar prej tij, shkollë shqipe për fëmijët e familjeve shqipfolëse. Kjo traditë ndiqet edhe sot e kësaj dite. Edhe kishat katolike veprojnë në të njejtën mënyrë. Mirëpo tek të dyja institucionet ndeshemi me të njejtën mangësí : pjesëmarrje tejet e kufizuar nxënësish. Pa patur një statistikë të saktë sa i takon numrit të popullatës shqipfolëse si njësí demografike, pa le pastaj edhe të grup moshave, është e qartë se nuk mund të flitet për përllogaritje të sakta. Por mbështetur vetëm në një shifër hamendësore, sipas së cilës në zonën e Detroitit banojnë rreth 50.000 shqiptarë, a përligjet me këtë sasi banorësh numri prej jo më shumë se 60-70 fëmijë që ndjekin klasat e gjuhës shqipe në institucionet fetare që përmëndëm më lart ? Prej këtej natyrshëm gjithsecili mund të nxjerrë detyra lidhur me ruajtjen e gjuhës si edhe të traditave nëpërmjet të mësimit të historisë kombit tonë. Së pari prindët, që as janë interesuar të mbajnë lidhje me institucionet fetare ku zhvillohen këto mësime, e nga ana tjetër edhe vetë këto institucione si edhe arsimtarët që japin mësim në to duhet ta përmirësojnë dukshëm anëtarësimin e secilës familje shqiptare në këto institucione. Kurse arsimtarët, nga ana e tyre, duhet ti përvishen punës e të hartojnë ose përshtasin tekste dygjuhëshe si edhe të përkthejnë libra për fëmijët e moshave fillore si edhe për më të rriturit. Këtë vit për herë të parë do të funksjonojë pranë departamentit të gjuhëve klasike të Wayne State University, edhe sektori i gjuhës shqipe. Krahas gjuhëve të tjera si spanjishtja, italishtja, frëngjishtja, greqishtja, etj. që kanë vite që mësohen në nivel universitar, për shqipen ky është një nder që arriti dhe u fut në programin e këtij universiteti. Por është detyrë e familjeve shqiptare, bijat edhe bijtë e të cilave frekuentojnë këtë universitet apo edhe kolegje të tjerë, ti nxisin ata ta ndjekin pa mëdyshje kursin e gjuhës shqipe që të vazhdojë trashëgimia e saj.

Pyetje : Mediat televizive po shtohen. Kishim një tv, u bënë dy dhe, së shpejti mund të bëhet edhe i treti. Në qoftë se ju i ndiqni këto programe, ç’mendime keni për to ?

Përgjigje : Me këtë pyetje sinqerisht më vini në pozitë të vështirë, sepse nuk ka gjë më të kollajtë se sa ta gjykosh atë që punon. Por e keqja është se, po të ndërroheshin rolet, atëhere kritikuesi e sheh se sa vështirësí ka puna e dhënë e me sa pengesa përballohet ai që punon. Me këtë desha t’ju them se nuk kam asnjë dëshirë t’i jap vetes të drejtën e kritikës, sado dashamirëse ajo qoftë. Sa i takon pasurimit të programeve, mendoj se ka fushë të gjerë veprimi. Sa për një shëmbull, mund të fillohet që nga organizim tryezash të rrumbullakëta ku të rrihen probleme që e shqetësojnë komunitetin tonë ose edhe më gjerë, duke e shtrirë diskutimin në trajtim problemesh karakteri kombëtar ku diaspora mund ta japë si mendimin e saj të vyer pa le edhe ndihmesën e saj konkrete. Dua të theksoj në këtë kontekst se pozita si edhe opozita në Shqipëri, (cilado qofshin ato në periudha të caktuara kohore), duhet ta kuptojnë se marrëdhënjet me diasporën nuk duhet të jenë vetëm ato të mjeljes financiare të saj, por edhe të partneritetit në shërbim të interesave të popullit shqiptar. Në këtë drejtim media televizive mund të bëjë shumë. Nga ana tjetër fushë që ndiqet me interes nga shikuesi i televizionit është pa asnjë mëdyshje ajo e humorit, për të rriturit si edhe programet e fëmijëve mundësisht të subtitruara pa le folëse shqip, për fëmijët.

Pyetje : Si është e mundur që diskutimi i pavarësisë së Kosovës është bërë tashmë çështje dite ndërsa për fatin e popullsisë çame, me gjithë ngritjen e zërit prej vetë çamëve, opinioni botëror thuajse nuk është sensibilizuar fare ? Cili është mendimi i juaj në këtë drejtim ?

Përgjigje : Problemi kosovar i krahasuar me atë çam, në burim, janë krejtësisht të ngjashëm si edhe të pandarë. Me një fjalë nuk janë dy probleme por, pjesë përbërëse të të njëjtit problem : Caktim arbitrar i vijës së kufirit duke lënë jashtë trojeve shqiptare territore të banuara nga popullsí mbi 90 % shqiptare !
Duke e ngushtuar problemin, çështja Kosovë e fitoi të drejtën e të trajtuarit më me përparësí se sa ajo Çamërí, për disa arësye. Së pari, Kosova në vitin 1941 iu bashkua nga ana administrative Shqipërisë Amë, duke u krijuar një administratë si edhe rrjetë shkollash si fillore edhe të mesme që drejtoheshin nga dikasteret qëndrore në Tiranë. Në vazhdim, ndonëse regjimi komunist e harroi marrëveshjen e Bujanit ku njëra nga pikat ishte se mbas fitores mbi fashizmin Kosova në mënyrë plebishitare do të vendoste me votë popullore formën e qeverisjes së saj, dhe me gjithë shpërnguljet masive të detyruara nga klika Tito-Rankoviç drejtë Turqisë të kosovarëve muslimanë, si edhe vrasjet edhe ato masive që ata kryen, prapëseprap raporti i popullatës në trojet kosovare ishte në shkallë vërshuese në favorin e shqiptarëve ndaj serbëve. Edhe vetë dhënja e detyruar e statusit të Krahinës Autonome Kosovës, brënda kuadrit të Republikës Federative Jugosllave, e bënte problemin kosovar të ishte vazhdimisht çështje e hapur për diskutim. E përgjatë kësaj hullije vijmë pastaj tek veprimet e çmëndura raciste-kriminale të Millosheviçit që si kundërveprim patën ngritjen dhe veprimtarinë luftarake të UÇK-së e deri tek ndërhyrja, me urdhërin e Presidentit Clinton, të forcës ushtarako-ajrore amerikane për ti thyer e shpartalluar repartet e forcave policore si edhe paraushtarake serbe që po vrisnin e masakronin egërsisht e si pasojë e detyronin të shpërngulej jashtë Kosovës në mënyrë masive popullatën kosovare. E gjithë kjo vazhdë mundësoi që të vijë dita ku alternativat e zgjidhjes problemit kosovar, sipas mendimit tim, të jenë dy:
Më e ngjashmja, pavarësia e Kosovës, kurse aktualisht më e pangjashmja, por me mundësi potenciale të ardhëshme, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
Ndërsa çështja çame është shumë më e komplikuar. Qëkur u materializua padrejtësia e vendosjes vijës kufirit, të gjitha fuqitë e mëdha lanë duart si Pilati kurse shteti grek, pasues i denjë i Danajve, tregoi e vërtetoi katërcipërisht se shprehja e Laokoontit Timeo Danaos et dona ferentes, ( ua kam frikën Danajve edhe kur japin dhurata ), sintetizon qartë si drita e diellit veprimet e tyre dredharake, të pabesa e me objektive tejet të keqdashëse ndaj Shqipërisë e popullit të saj, e jo më ndaj popullatës çame, po se po !
Për t’ia bërë diçka më të qartë lexuesit rrjedhimin e të gjithë çështjes çame, mendoj se ky i fundit do ta mirëpresë një panoramë fluturimthi të dinamikës ngjarjeve, nisur nga fakti se kanë kaluar kaq shumë dhjetëvjeçarë sa që edhe njohuritë rreth çështjes çame, padyshim që s’kanë se si të jenë ndryshe, veçse të vagëta.
Që ditën e 28 nëntorit 1912 qeveria e Ismail Qemalit ua njoftoi shpalljen e mëvehtësisë të Shqipërisë Fuqive të Mëdha si edhe shteteve fqinje duke kërkuar nga këta të fundit largimin e menjëhershëm të trupave të tyre nga territoret shqiptare. Situata ishte tejet e mprehtë sepse në radhë të parë Turqia nuk e njihte këtë pavarësi, kurse me forcat serbe, greke, bullgare si edhe malazeze u zhvilluan ndeshje të përgjakëshme të menjëherëshme. Qeverisë Ismail Qemalit iu premtua, (ah sa larg janë premtimet nga faktet), përkrahje vetëm nga Austro-Hungaria si edhe nga Italia. Në këtë situatë shpërthyese u mblodh në Londër më 17 dhjetor 1912 Konferenca e Ambasadorëve të gjashtë fuqive të mëdha nën kryesinë e ministrit të Punëve të Jashtëme t’Anglisë, Sir Eduard Greyt. Me 20 dhjetor Sir Grey lexoi komunikatën e përbashkët e cila e njihte autonominë e Shqipërisë, por me kusht që Sërbisë ti lihej dalje në Adriatik. I vetmi që e mbrojti Shqipërinë e porsalindur qe Konti Mensdorf, ambasadori i Austro-Hungarisë. Në sintezë ai mbështeste mos shkëputjen si edhe mos cënimin e asnjë territori të banuar nga shqiptarë. Qëllimi i tij ishte të ruante krahinën e Shkodrës si edhe të Çamërisë nga uzurpim eventual respektivisht nga Mali i Zi si edhe nga Greqia. Qëndrim djallëzor mbajti ambasadori i Rusisë A.K.Bekendorf që e kundërshtoi ashpër pozicionin e Kontit Mensdorf. Kurse ambasadori i Italisë Imperiali, së bashku me atë të Gjermanisë, Lichnovsky u treguan të pavendosur dhe abstenuan. Ambasadori rus Bekendorff shkoi edhe më tutje dhe pohoi se për ta zgjidhur çështjen e shtetit shqiptar duheshin shikuar edhe ballancuar mirë interesat e ndërsjella të fuqive të mëdha !(?) Qeveria shqiptare e informuar rreth pazarllëqeve që po bëheshin në Londër, ( sepse Shqipëria nuk u pranua as të ketë vëzhgues në konferencën ku diskutoheshin fatet e saj ), me 23 dhjetor nisi për në Londër një delegacion të kryesuar nga Rasih Dinua prej Preveze, ( i biri i Abedin Pasha Dinos që më 1880, duke qenë ministër i Jashtëm Perandorisë Osmane, e pati mbrojtur me forcë çështjen shqiptare ), dhe të përbërë nga Mehmet Konica, Filip Noga si edhe Sotir Kolea. Ky delegacion ku bënin pjesë dy personalitete çame, e ngriti zërin në kontaktet që pati në Londër dhe ia hoqi perden e fshehtësisë asaj konference. Krahas veprimtarisë delegacionit, qeveria shqiptare i dërgoi edhe një memorandum konferencës ambasadorëve ku, ndërmjet tjerave, theksohej se ... vënja nën zgjedhë të huaj tokash shqiptare me popullatë dërmuese të tillë, do të thotë të përjetësohen grindjet edhe trazirat ... ! Megjithatë konferenca i vazhdonte e patundur punimet duke shikuar vetëm interesat e fuqive të mëdha. Më 26 mars 1913 delegacioni shqiptar denoncoi se kufijtë e Shqipërisë jugut po vendoseshin duke bërë pazar mes interesave austro-hungareze dhe atyre ruse. Dhe qeveria greke djallëzore si gjithmonë, me 27 mars 1913 pranë përroit të fshatit Selan të Paramithisë, masakroi 72 prijës të shquar e burra kuvëndi çamë ! E në këto çaste kaq kritike për Shqipërinë e porsalindur, më 19 maj 1913 Greqia bën marrëveshjen e fshehtë me Sërbinë duke i ndarë sferat e influencës tyre përgjatë vijës Seman-Devoll-Kamje. Më 11 gusht 1913 Konferenca e Londrës i mbylli punimet. Çamëria u la në mëshirën e genocidit grek. 4000 km2 toke çame me një popullatë prej mbi 75.000 banorësh shqiptarë, mbetën pré e grekëve, pa futur këtu në llogari viset e tjera të Janinës, Kosturit si edhe Follorinës.
Vazhduan pastaj shpërnguljet masive me dhunë të çamëve për në Turqi si edhe në Shqipëri. Në Shqipëri, përgjatë viteve, 1913-1914, erdhi ajka e popullsisë çame patriote që braktisën mall’e pasuri veç të bashkoheshin brënda territorit të Shqipërisë me vëllezërit shqiptarë.
Më 30 janar 1923, përgjatë punimeve të Konferencës Lozanës, merren vesh qeveritë greke edhe turke për të shkëmbyer minoritetet e tyre. Mirëpo kjo bënte pjesë në planin djallëzor grek që gjithë çamët muslimanë t’i shkëmbente me pakica greko-ortodokse banuese në Turqi, e kësisoji hiqte qafe çamët shqiptarë dhe tokat e tyre i popullonte me greko-ortodoksët e ardhur nga Turqia. Kjo pra ishte edhe prapaskena e kësaj konference. Kurse zyrtarisht, para Lidhjes së Kombeve, kryedelegati i Greqisë në Konferencën e Lozanës E.Venizellosi si edhe përfaqësuesi grek në konferencë Caclamanosi, deklaronin se Greqia i respektonte të drejtat e popullsisë çame si komunitet shqiptar brënda territorit grek.
Në ato rrethana tejet të rënda Mid’hat Frashëri i shkruante Ahmet Zogut në dimrin e vitit 1923 se ... hallet dhe vuajtjet e shqiptarëve të Çamërisë kanë arritur në pikë akute dhe shpejtë do të përballemi me një eksod tragjik ... Dhe në fakt Greqia me dhunë i detyroi çamët të shpërnguleshin e të popullonin Anadollin aziatik, ose të ndërronin fenë si edhe emrat e tyre që të mos quheshin më pakica shqiptare por ... grekë ! E kësisoji fatkeqësisht vitet e bënë të tyren si me popullsinë autoktone çame të Çamërisë e gjithashtu edhe me territorin e mirëfilltë çam.
Tashti edhe dy fjalë lidhur me diasporën si edhe rolin e saj, i shikuar ky problem njëherazi me qëndrimin e Tiranës zyrtare ndaj problemit çamët si edhe Çamëria. Diaspora shqiptare e Amerikës nëpërmjet shoqatave dhe organizmave të saja e ka ngritur zërin e saj dhe, deri në një farë mase, ka arritur rezultate konkrete në drejtim të sensibilizimit të opinionit publik në Sh.B.A. në të gjitha nivelet, që nga kongresmenët, senatorët e deri tek Presidentët Clinton edhe Bush. Mirëpo personalisht nuk mundem ta kuptoj se si e sheh Tirana zyrtare pozicionimin e saj ndaj çështjes çame, në një kohë që diaspora përpiqet ta ngrejë çështjen çame në nivele të tilla për zgjidhje ndërkombëtare, kurse Nikos Gadzojanisit, (alias Nicholas Gejxh), i rezervohet pritje zyrtare nga ana e qeverisë shqiptare !(?) E Gadzojanosi me pafytyrësinë më të madhe vazhdon e deklaron se 30 % e popullatës brënda kufinjëve shtetërorë shqiptarë është popullatë greke !(?) Kurse për çamët deklaron se ata ishin të gjithë bashkëpunëtorë të nazistëve gjermanë !(?)
E në këtë kontekst nuk duhet harruar se qëndrimi i zyrtarëve të Tiranës e vështirësoi skajshmërisht kërkesën e llogarisë që diaspora i drejtoi, nëpërmjet përfaqësuesve të saj Departamentit të Shtetit, lidhur me pritjen që i rezervoi edhe ambasada amerikane në Tiranë Nicholas Gejxhit !
Në përfundim të trajtimit të kësaj çështje, si pjesë përbërëse e problemit Kosovë edhe Çamëri, mendimi im është se sukses do të qe sikur çështja çame të arrihej e të zyrtarizohej deri në sistemimin e saj nga ana ndërkombëtare. Me këtë kuptoj rikthimin çamëve të gjitha të drejtat e nëpërkëmbura si edhe pronat, duke i dëmshpërblyer ata për të gjitha humbjet e pësuara, e duke i lejuar ata të rikthehen në pronat e tyre në Çamëri. Kurse Çamërisë ti jepet statusi i Krahinës Autonome Çame, brënda shtetit grek.
Mbase mund të vazhdonit e të më pyesnit, zoti Jaku, në se Tirana zyrtare është dakord me këtë zgjidhje apo jo ? Këtë përgjigje dijnë ta japin vetëm ata drejtues shtetërorë që për hir të qëndrimit edhe politikës tyre ndaj Greqisë, si dhe mbrojtjes së interesave greke në Shqipëri në dëm të interesave shqiptare, me ndërgjegje e vetëdije e kanë sakrifikuar imazhin e tyre si shqiptarë sot e për gjithmonë !



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx