Mendime
Ardian Ndreca: A rrezikojmë me datën 10 shtator fundin e botës!?
E marte, 09.09.2008, 08:59 PM
A rrezikojmë me datën 10 shtator fundin e botës!?
Nga Ardian Ndreca
10 shtatori i ardhshëm do të hyjë padyshim në historinë e njerzimit si nji datë e veçantë. Të gjithë e dijmë se 11 shtatori ka hy në histori si datë që na kujton nji prej krimeve ma barbare që ka provue njerzimi, por data 10 shtator nuk ka të bajnë me barbarinë por me shkencën, me arritjet pozitive të njerzimit. Me datën 10 shtator në «Large Handron Collider» të Gjenevës, shkencëtarët do të bajnë nji eksperiment që nuk asht realizue kurrë ma parë në ato kushte dhe përmasa. Në nji tunel me perimetër prej 27 kilometrash, i cili ndodhet në nji thellësi prej 50 deri në 150 metrash nën territorin e Jurës francese dhe liqenit të Gjenevës, ku ndodhet përshpejtuesi bërthamor ma i madh në botë do të kryhet eksperimenti i takimit të fuqishëm të rrymave atomike që ecin me kahe të kundërt me shpejtësi ma të madhe se 99% të shpejtësisë së dritës, tue çlirue nji temperaturë 100 mijë herë ma të naltë se ajo që ekziston në qendrën e diellit. Pse bahet ky eksperiment në përshpjetuesin ma të kushtueshëm të botës (ka kushtue 6 miliard euro) dhe cili asht qëllimi i tij? Qëllimi shkencor asht me zbulue diçka ma tepër rreth materies dhe energjisë. Shkencëtarët pohojnë se 95% e materies së universit asht krejt tjetër prej materies së zakonshme që njohim ne. Me anë të këtij eksperimenti ata duen me zbulue se çka asht materia dhe energjia e panjohun e universit tue u mundue me “kapë” të ashtuquejtunat «pjesëzat e Higg-sit», të cilat simbas hipotezave i kanë parapri gjendjes së sotme që njohim ne. Me 10 shtator shkencëtarët duen me zbulue si ka qenë pjesëza ma e parë e materies, ajo që i ka dhanë udhë gjithë rruzullimit. Me fjalë të tjera, duen me kuptue sesi ka lind universi jonë, pra diçka ma shumë dhe ma të qartë rreth teorisë Big Bang-ut dhe çasteve të para mbas tij. Eksperimenti udhëhiqet pre Qendrës Europiane të Kërkimeve bërthamore, me seli në Gjenevë, dhe ka gjetë mbështetjen financiare të 20 vendete europiane si edhe të SHBA-së. Megjithatë ka grupe studjuesish që janë shprehë kundër këtij eksperimenti që do të realizohet për herë të parë në historinë e njerzimit. Bile nji prej komiteteve kundër eksperimentit i asht drejtue Gjykatës Europiane të të drejtave të njeriut tue paditë shtetet që kanë sponsorizue ketë eksperiment. Frika e këtyne shkencëtarëve asht se mund të krijohen kushtet e nji shkatrrimi total të planetit tonë, mbasi qëllimi i eksperimentit asht me krijue rrethanat fizike që kanë qenë mbas big-bangut që ka prodhue sistemin tonë. Sigurisht flitet për fraksione kohore, por gjithsesi hipoteza e rrezikut nuk përjashtohet, mbasi ky eskperiment nuk asht krye kurrë ma parë. Shkencëtarët që kanë frikë për fatin universit e ilustrojnë rrezikun, për ne profanët e kësaj shkence, me nji birë që krijohet në stomakun e njeriut e cila ka aq shumë fuqì saqë mundet me thithë dhe me asgjasue vetë njeriun. I tillë mund të jetë fati i planetit tonë, simbas këtyne shkencëtarëve apokaliptikë. Pala tjetër qetson publikun tue thanë se në këtë drejtim asht punue edhe ma parë dhe se në shkallë ma të vogël janë ba eksperimente të tilla edhe ma parë. Prej QSB të Gjenevës vijnë herë mbas here deklarata që kanë për qëllim me qetsue njerzit, në natyrë, pohojnë shkencëtarët ndodhin dendun përplasje të forta energjishë dhe nuk krijohet asnji vrimë e zezë që mund të kapërdinte botën. Ne shpresojmë që skenari apokaliptik të mos ndodhin kurrë, por shpresojmë që ky eksperiment mos të ketë asnji pasojë të damshme për ambjentin dhe për të ardhmen e njeriut, mbasi, jo rrallë, gjatë këtyne dekada të fundit shkenca dhe teknika, në vend që me i shërbye njeriut kanë punue kundër tij, tue shkatrrue ambjentin, tue prodhue armë shkatërrimi në masë, tue vu vazhdimisht në rrezik të ardhmen e planetit tonë. Në fund të fundit njeriu përballet me të njejtat pyetje, qysh prej antikitetit njeriu ka dashtë me dijtë se çka asht materia? Grekët e lashtë e quenin materien “hýle”, që domethanë edhe landë druni. Ne, në gjuhën tonë e quejmë «landa», pra jemi mjaft afër me kuptimin etimologjik. Aristoteli e konsideronte landën e parë si diçka të papërcaktueme që përcaktohet prej diçkaje tjetër; pra materia nuk asht as ajo gja as kjo gja, por mund të jetë edhe ajo edhe kjo. Prej këtu e vërteta që parimi që e përcakton materien asht shpirti, nji parim heterogjen në lidhje me vetë materien. Pra materia asht diçka në vetvete e papërcaktueme, pa formë substanciale. Atë formë ajo e merr prej jashtë, prej shpirtit. Mendoni sesa shpejt dekompozohet materia sapo ajo formë shpirtnore e braktisë? Mjaft me pa vdekjen e krijesave! Me lejue që forma të përcaktohet prej materies asht njilloj si me lejue që kafsha të merret me edukimin e njeriut. Kuptohet atëherë ma lehtë se sa e kemi ulë veten, sa herë që kemi pranue me u përcaktue në kryqzimet e jetës prej nevojave të landës! E kemi ul veten në rangun e materies, pra në rangun e asaj energjisë së verbët që do të ndeshet nën malet e Zvicrës tue çlirue energji e pjesëza tjera por që vijojnë të mbesin gjithnji pafundsisht ma pak sesa shpirti i shkencëtarëve që i përdorë dhe – shpresojmë – që i mban nën kontroll! * * * Këto ditë në të gjithë Europën po vehen baste, dikush për daljen me sukses të eksperimentit, dikush tjetër për fundin e botës. Kjo asht ndoshta e vetmja herë në historinë e basteve, kur dihet qysh përpara që njena palë edhe po e fitoi bastin ka humbë, pse ata që kanë vu bast për fundin e botës vështirë se do të munden me e tërheq shumën e fitueme! ...