E hene, 13.05.2024, 05:28 PM (GMT+1)

Mendime

Bislim Ahmetaj: Një letër për Azem Hajdarin

E enjte, 11.09.2008, 05:30 PM


Një letër për Azem Hajdarin

Bislim Ahmetaj

Hej mik, vëlla, shok, lider a kryetar, si të duash po të thërras, t'i të gjitha i ke, jo vetëm për mua, për shumëkënd në Shqipëri e ngado që flitet shqipja. T'i e meritove këtë emër qysh në ditët e para të dhjetorit '90, kur të ndoqëm pa pikën e hezitimit se vetë na the që "për demokracinë kishe vënë në hipotekë dy fëmijët e t'u", e vërteta doli se për demokracinë, Shqipërinë, çështjen tonë kombëtare, t'i kishe vënë në hipotekë jetën tënde. Por, lëre ta harrojmë dhimbjen, bile edhe lavdinë për një çast, s'është ky shkaku që po të shkruaj tjetër çka më ka shtyrë të gërmëzoj, dua të të kërkoj falje jam larg, larg shumë larg, jam në lindje jo në të afërmen, jo, jo, as në të mesmen, jam në Lindjen e Largët. Nuk ka më larg se jam, jam në Japoni, në fund të saj, në Obihiro. Desha të të kërkoja falje që nuk t'u gjenda pranë në këtë dhjetëvjetor të mungesës tënde fizike. Para se të nisesha për në Japoni i bëra një kërkesë Presidentit të Republikës, zotit Topi, ku i kërkoja që të nderonte Liderin e Lëvizjes Studentore (pra ty) me Urdhrin e lartë "Gjergj Kastrioti Skënderbeu". Ai u përgjigj me gojë dhe me dekret "PO". Rruga për në Japoni kaloi nëpër Romë, ku vizitova edhe një herë pothuaj të gjithë krenarinë e Romës. Ngjitur me, Fontana di Trevi është Vicola Skanderbeg në fund të rrugicës Sheshi "Skënderbeg", dhe shtëpia e Skënderbeut, i shndërruar në Muze Nacional të Italisë, shkova edhe te sheshi "Albania" ku ngrihej madhështor monumenti i Skënderbeut. U ndjeva krenar miku im, prijësi ynë i lirisë, por edhe u trishtova, u ligështova u ndjeva ngusht, ti e çlirove vendin tënd nga prangat e lindjes ku e kishte mbyllur diktatura, ti i prive lëvizjes që u ktheu shqiptarëve Perëndimin, pse vallë nuk duhet ta kesh një përmendore në më të madhin shesh që ka Shqipëria, pse jo ballë përballë me Skënderbeun? Ai flijoi vendin e tij për të mbrojtur Perëndimin, krishtërimin, ti e ktheve atë te shqiptarët, ti i çele portat e ndryshkura të Shqipërisë drejt Perëndimit. Shqipëria, vendi yt, i imi, është i mbushur edhe sot e kësaj dite me monumente monstrash që kanë vrarë njerëz. A thua kaq e vështirë është të gjendet një vend dinjitoz, si ti e meriton, ku të vendoset përmendorja jote, përmendorja e Liderit të Lëvizjes Studentore? Ti tashmë je një monument-kujtim i vlershëm guximi, kurajoje, qytetarie. Je një medalje në gjoksin e çdo shqiptari që e do vendin e tij, që e do dhe e çmon lirinë dhe demokracinë për veten dhe për të tjeret. Miku im, lideri dhe kryetari im i parë, të betohemi unë dhe gjithë ata që të ndoqën në rrugën tënde të lirisë, se nuk do të lëmë gur pa luajtur që ty të të kthehen të gjitha vlerat dhe vlerësimet që ti meriton. Miqtë e mi të Grupimit "Dhjetor '90" do të t'i bëjnë të gjitha nderet në këtë dhjetëvjetor të mungesës tënde fizike, por edhe unë këtu, në Obihiro, do të kujtoj me mall dhe dhimbje, miku im, lideri ynë... Azem Hajdari!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora