Mendime
Qemal Sakajeva: Trekëmbëshi i marrjes së jetëve
E shtune, 13.09.2008, 09:06 AM
Trekëmbëshi i marrjes së jetëve
Nga Qemal Sakajeva
Trekembëshi i marrjes së jetëve, si mjet dhe mënyrë ekzekutimi, më së voni, i përket diktaturës komuniste, deri edhe viteve të para të demokracisë, kur Shqipëria iu bashkua Europës: edhe ajo e hoqi dënimin me vdekje. Atëherë, domethënë, në të shkuarën, përdoreshin tri thënie, për të njëjtën gjë, “e varën në litar”, ose, “e çuan te trekëmbëshi”, ose, “ia dhanë kokrrën e plumbit”. Dënim me vdekje nuk ka më. Por, herë pas here, sidomos, kur ndodhin krime të shëmtuara, individë dhe forca politike, kujtohen e kërkojnë rivendosjen e dënimit me vdekje, përmes thirrjes së një referendumi, edhe pse ato janë të bindura se nuk ka kthim pas, por, kërkesa e tyre, mbase, ndikon në zgjimin e opinionit kundërshtues ndaj krimit. Në kuptimin metaforik, përditë e duke u vënë re, trekembëshi i marrjes së jetëve pa gjyq, është pozicionuar brenda shoqërisë shqiptare, le ta quajmë, me emërtimin, krimi trekëndor, problematik: 1. Vdekje, të shumta, nga aksidentet automobilistike. 2. Vrasje, të urryera, brenda familjes. 3. Vetvrasje, të dhimbshme, pa shpjegime. Me përjashtim të llojit të tretë të krimit, i cili mendohet e kryhet, në heshtje vetmitare dhe, për t’u parandaluar, kërkon masa të gjera të karakterit ekonomiko - social, krimet e tjera, kanë shenja paralajmëruese dhe, kur ndodhin, për to thirret ligji të veprojë. Vdekjet nga aksidentet automoblistike, që kur shqiptarët u futën në tjetër sistem shoqëror dhe, njëherësh, u bënë zotërues të një automjeti, pa qenë as shoferë amatorë, mund të krahasohen me pasojat e një konflikti, për nga numri i të vrarëve dhe të plagosurve. Ajo edhe mund të emërtohet si Lufta e Rrugëve. Kushtet bazë, për t’i parandaluar aksidentet automobilistike, kanë ndryshuar mjaft. Kuadri ligjor është i plotësuar dhe bashkëkohor. Automjetet janë më të mira teknikisht. Infrastruktura rrugore po përmirësohet pandërprerë. Shqiptarët janë më të aftësuar si drejtues të makinave. Policia rrugore është më e pajisur me mjete dhe më kontrolluese. Megjithëkëtë, ende ka shumë aksidente dhe, ndoshta, shkaqet kryesore janë: shkelja e rregullave të qarkullimit, shpejtësia e madhe, alkooli, gjendja teknike e automjeteve. Por, Lufta e Rrugëve, ështe mjaft e rrezikshme, sepse zë kreun e listës së të vrarëve dhe të plagosurve. Familjet, për disa sekonda, humbin, përgjithmonë, më të dashurit dhe, ekonomia u goditet shkatërrueshëm. Shoqëria traumatizohet thellë, pa mundur të ngushëllohet, për çfarë po i ndodh. Shteti shpenzon shuma të mëdha për shpëtimin e të plagosurve, ndërsa gjithë këto mjete financiare, teknike e medikamente, duhet të shkojnë për të kuruar të sëmurët natyrorë. Këndi tjetër i trekëndëshit të krimit, mjaft tragjik e me pasoja, zihet nga vrasjet brenda familjes. Viktima numër një e saj janë gratë. Rastet e ekzekutimit të tyre, edhe në mënyra më makabre e plot urrejtje, nuk janë të pakta. Por, statistika e qartë u përket vrasjeve. Ndërsa dhuna, përgjithësisht, mbetet e panjohur, nga që nuk denocohet; mbetet e pandëshkuar, sepse gratë bëjnë sakrifica të skajshme për ta mbijetuar familjen për hir të fëmijëve; mbetet e pandërprerë, nga që, për shkak të opinionit, gratë nuk ndërmarrin hapa jetikë për t’i shpëtuar dhunës fizike, psiqike e verbale, e cila, nuk fshihet më, kur mbyllet me vrasje. Shkaqet e shpeshtimit të këtij krimi të neveritshëm janë tradicionalë e bashkëkohorë; të njohur e të paprovuar më parë; ekonomikë e socialë; të konservatorizmit e të liberalizmit; të pakulturimit e të civilizimit; por, caku ku ka mbërritur, është tejet kritik. Është koha e thirrjes SOS, për të shpëtuar shpirtin e grave të dhunuara, për t’i marrë nën mbrojtje e për të lartësuar dinjitetin e tyre. Krimi në familje nuk pranon ndjesë. Këndi i tretë i krimit trekëndor është vetvrasja. Përfundimisht, duhet pranuar që, kombi ynë, i cili, përgjithësisht, e ka parë vetvrasjen si diçka të padenjë, për nga kuptimi e besimi, tanimë është bërë pjesë e popujve me fatkeqësinë e vetvrasjeve. Nëse vdekjet nga aksidentet automobilistike shihen e zhurmojnë. Nëse vrasjet brenda familjes këlthasin e revoltojnë. Vetvrasjet, siç edhe kryhen, heshtojnë, që nga veprimi në vetmi e deri në varreza. Ato mbeten edhe pa ngushëllim, si të të vetvrarëve dhe të të gjallëve, që nuk mundën të ishin shpëtues; as nuk rreken t’i japin përgjigje pyetjes ,“pse ndodhi?” dhe pa kërkuar, “ kush është përgjegjës?” Ky trekëmbësh i marrjes së jetëve, përbën një të vërtetë të dukshëm të shoqërisë. Do të ishte arritje e madhe, shpërbërja e tij, duke u nisur nga parimi i të mundshmes: të paksohen aksidentet automobilistike nëpërmjet goditjes së shkaqeve, nga shteti, shoqëria dhe individi; të mbrohet gruaja dhe, dhunuesit e pashpirtë, brenda familjes, të marrin ndëshkime shembullore; kurse, vetvrasjet shtrojnë me ngut pyejte “pse?” dhe të përgjigjes së studiuar, për zbutjen e problemeve ekonomiko - sociale, pasi situatën e vështirë vetjake, individë të caktuar nuk janë në gjendje ta përballojnë. Shkatërrimi i trekëmbëshit të marrjes së jetëve, i ngritur si pa u dukur, mu në mes të shoqërisë, nuk është më pak i rëndësishëm, se sa çlirimi i saj me heqjen e dënimit me vdekje. ...