Mendime
Ardian Ndreca: Nevoja e nji shkolle të re historike
E shtune, 13.09.2008, 09:55 AM
Nevoja e nji shkolle të re historike
Ardian Ndreca
Nga Ardian Ndreca
Kohët e fundit në ambjentet e kulturës shqiptare asht hapë debati rreth “rishkrimit të historisë” ose rreth nevojës së nji historie kombtare në të cilën faktet, ngjarjet e personat të paraqiten ndryshe, pa e randue dhe pa e zbeh realitetin. I trajtuem në këto terma problemi paraqitet i thjeshtëzuem dhe nuk zgjidh lamshin e ngatrruem të çeshtjes historike. Jepet përshtypja se mjafton me rreshtue në nji formë tjetër ngjarjet, me paraqitë persona dhe me ilustrue momente të «harrueme» dhe kjo gja do të përbante “rishkrimin” e historisë. Sigurisht që përditë dalin prej arkivave të ndryshme dokumente historike, të cilat mjerisht vijojnë të botohen në vendet ma të papërshtatshme për me paraqitë në pikëpamjen shkencore historinë, ndër gazeta. Dalja e këtyne dokumenteve asht pozitive dhe ndihmon patjetër, por ato në vetvete nuk janë tout court historia e nji populli. Aktiviteti i historianit nuk asht thjesht ai i nji grumbulluesi apo i nji hetuesi të zellshëm, mbasi historia nuk asht thjesht sasia e plotë e dëshmive që ndriçojnë nji ngjarje. Puna e historianit asht mendimi dhe interpretimi i fakteve, lidhja e tyne organike dhe gjetja (atje ku ekziston) e nji ideje simbas parimit shkak/pasojë, në mënyrë që të ofrojë çelësin e leximit të historisë. Historiani i vërtetë asht i pajisun me shqisën e gjurmuesit që heton fluturimin e shpirtit mbi ngjarjet e mbi faktet, ai ndjek në momente të caktueme të historisë edhe topitjen dhe vdekjen e shpirtit, ringjalljen e tij, zbehjen, pra mënyrën ciklike të lëvizjes së tharmit të ideve që kanë mundësue ngjarjet, faktet dhe kthesat e mëdha. Dihet se historianët e formuem në kohën e komunizmit e në përgjithsi ata që kanë qenë aktivë në atë periudhë kanë përdorë nji metodologji marksiste në paraqitjen e historisë. Nuk do të ishte krejt për t’u përçmue ajo metodologji po të mos kishte qenë në rastin e tyne thellësisht dogmatike, e mbushun me aksioma engelsiane dhe e drejtueme prej nji determinizmi historik që mohon krejtsisht lirinë e personit dhe veprimin e shpirtit. Puna e tyne kufizohej në lakimin burokratik të fakteve historike me disa dogma ideologjike të pavërtetueshme në asnji kandvështrim shkencor. Kjo asht, me ndonji përjashtim të vogël, historia e shkrueme prej historianëve të kohës së komunizmit edhe mbas ramjes së tij. Fakti që në nji botim të viteve ’60 apo ’80 lavdet për E. Hoxhën derdhen pa kufi dhe në nji botim të viteve ’90 ato janë heqë nuk e ndryshon gjendjen anemike dhe pa ide të mirëfillta historike të atyne teksteve. Edhe sot kemi gati po ata historianë që e shkruejnë dhe e ri-shkruejnë historinë. Mendoni sikur historinë bashkëkohore të Gjermanisë në vitet ’60 ta kishin shkrue historianët e kohës së Hitlerit, apo sikur apologët e kohës së fashizmit të kishin shkrue historinë e Luftës së Dytë Botnore! Problemi themelor nuk asht se duhet të «ri-shkruejmë» historinë, mbasi faktet që deri dje msheheshin me ligje dhe me dekrete, me ekstrapolime arbitrare dhe me të famshmet pikat [...] sot janë të konsultueshme dhe drita mbi to asht objektivisht ma e fortë. Ne na duhet interpretimi historik i fakteve, na duhet nji shkollë e re historike që të shkruejë historinë e shqiptarëve me mendje të shëndoshë dhe jo me zemër të sëmurë, na nevojitet nji shkollë e udhëhequn prej nji metode të vërtetë shkencore dhe jo prej paragjykimesh dhe dogmash ideologjike, pseudo-patriotike apo prej urrejtjes ndaj kombeve tjera. Për me ilustrue idenë e masipërme mund të përmendim si shembull punën e historianit të ri Oliver Jens Schmitt, i cili mbas disa viteve pune kërkimore na ka dhanë frytin e mendimit të tij historik në veprën «Arbëria Venedikase», e cila vendoset si arritje shumë vite dritë larg kolegëve të tij shqiptarë, mbrenda e jashtë kufijve polikë, që ndërtuen, mbajtën dhe mbrojtën si istikame private institute akademike dhe katedra universitare. Pse ekziston gjithë kjo humnerë mes teksteve të historisë së shkrueme prej brezit të vjetër shqiptar dhe historianëve të huej si Bartl apo Schmitt? Asht e vështirë me u ndërrue mbas shumë vitesh nji metodologji pune me të cilën asht formue nji individ, asht e vështirë me heqë dorë prej disa paragjykimeve dhe prej ideve të pranueme në mënyrë jokritike. E në fund asht edhe ma e vështirë me dalë kundër vetvetes dhe kundër asaj që ata kanë mbështetë dhe propagandue verbtas si të ishin teoremat e Euklidit! Deri para pak vitesh në ambjentet e historianëve shqiptarë denigroheshin me retorikën e dacibaove historianë të shquem si Alain Ducellier etj. Merret vesht sesa e vështirë asht sot për po të njejtit individë me paraqitë dhe me pranue vlerat studimore të këtyne personaliteteve!
Kah ana tjetër sot po vërehet gjithnji e ma shumë primja me “demitizue” historinë tonë kombtare, primje deri diku publicistike, që vjen prej ambjentesh jo thjesht shkencore, por gjithsesi e ngjizun me nostalgjina të vjetra. «Demitizim» në kuadrin e ri-shkrimit të historisë? Vetvetiu na vjen me mendue se tek ne të gjitha fenomenet përsëritet me vonesë, tue qenë se demitizimi në kulturën perëndimore e ka krye funksionin e vet disa dekada ma parë. Demitizimi asht në origjinë nji primje hermeneutike që mundohet me nda gati me thikë mendimin e pastër prej peshës së tregimit mitologjik, prej asaj që nuk asht racionale në kuptimin matematik të ideve që paraqiten “si clairement et si distinctement à mon esprit, que je n’eusse aucune occasion de le mettre en doute” (Descartes, Discours de la Méthode, II Partie). Por ne mendojmë se sot në gjinin e historiografisë sonë kemi nevojë për demistifikim të realitetit dhe jo për demitizim të tijin, mbasi plaga e historiografisë sonë nuk asht rrëfimi mitologjik por mistifikimi i ngjarjeve dhe i personave. Kurrkush nuk ven në dyshim, besoj, të vërtetat që shprehen në mitin e Prometeut, të Sizifit, në mitin e shpellës tek Platoni (Rep., 514 b – 520 a), mbasi miti shpreh në këto raste me nji gjuhë të veçantë disa të vërteta themelore dhe jo vetëm që nuk pengon komunikimin e ideve por e ndihmon atë tue ndezë fantazinë dhe imagjinatën dhe tue ushqye arsyen me nji dritë sipërane. Edhe nji skeptik me famë si La Mothe Le Vayer (1588 - 1672) mbërrinte me pohue se: «Teogonia e Hesiodit, Përrallat ezopike të Fedrit, Metamorfozat e Ovidit nuk reshtin, - pamvarsisht se janë larg prej së vërtetës - së qeni burim mësimesh si për fizikën ashtu edhe për moralin» (Discours du peu de certitude qu’il y a dans l’Histoire, në Oeuvres, vol. V, pjesa II, f. 477). Ndërsa mistifikimi i realitetit bahet për qëllime të ulta personale, politike, ideologjike dhe s’asht gja tjetër veçse tjetërsimi i botës reale dhe manipulimi i vetëdijshëm i saj. Miti nuk e falsifikon realitetin, ndërsa mistifikatori e kthen atë sistematikisht në diçka të rrejshme, tue mashtrue, tue shtrembnue ngjarjet me dashje, tue përçudnue figurat e paraqituna dhe tue çoroditë mendjet në përgjithsi. Mund të themi se historiografia jonë bashkëkohore, ajo që deri dje konfeksionohej nën udhëheqjen e E. Hoxhës – këtej e përtej kufijve politikë, nuk e ka mitizue, por thjesht e ka mistifikue realitetin. Ajo lloj historiografie nuk ka pasë forcë shpirtnore me mitizue të kaluemen, bile e ka interpretue atë ngutshëm simbas nevoja të veta dogmatike, shpeshherë tue e pa me përbuzje për me nxjerrë në pah vetveten. Ajo ka mistifikue të kaluemen dhe të tashmen për me shfrytzue çdo element që mund të përdorej si argument për me ligjërue veprimin e vet politik. Mjafton të përmendim probleme si: roli i masave në histori, rebelimi i Haxhi Qamilit, roli i PKSH dhe ai i E. Hoxhës në çlirimin e vendit, figurat e «anmiqve» të vendit etj. Në dekadat e fundit kjo lloj historie asht demistifikue vetvetiut prej realitetit, megjithatë sot gjallon primja me dënue parimet por me nxjerrë të pafajshëm individët, tue përgatit nëpërmjet nji mistifikimi të ri dhe nji apologjie të zhdrejtë rehabilitimin e së keqes. Sot tue marrë shkas prej nevojës me e rishikue historinë, persona dhe rryma të veçanta përpiqen me e përgjithsue sëmundjen e historiografisë komuniste dhe mundohen me ndërmarrë nji demitizim absolut të së kaluemes sonë. Ky demitizim pretekstuoz ka çue në humbjen e drejtpeshimit dhe në përftimin e nji vizioni diletant historik të rrejshëm. Ky fenomen ka përfshi edhe figurën e heroit tonë kombtar Gjergj Kastriotit dhe idetë e protagonistat e Rilindjes. Kemi të bajmë me ushtrimin e skepticizmit ma të verbët, jo ndaj nji date apo nji fakti, por ndaj vetë idesë dhe veprimit që na kanë mundësue me mbërrijtë shqiptarë deri në ditët e sotme. Ndoshta për dikënd kjo asht nji gja negative, puna e tyne, për ne kjo asht nji mrekulli, autorët e së cilës janë Gjergj Kastrioti, Budi, Bardhi, Rilindasit, Naim Frashëri, Faik Konica, Luigj Gurakuqi e shumë të tjerë. I ashtuquejtuni «demitizim», që mundohet me zhveshë prej kuptimit të vet shpirtnor shekuj të tanë të historisë sonë kombtare, asht antishkencorë dhe pa baza logjike. Çdo fazë e historisë dhe çdo personazh i saji mund të vlerësohen rishtas (pozitivisht apo negativisht), por kjo bahet tue u nisë prej faktesh dhe jo prej emocionesh. E çfarë fakti na sjellin sot demitizuesit e Gjergj Kastriotit apo të ndonji periudhe historike? Asnji fakt, asnji argument shkencor. Ata shprehin vetëm dëshirat e tyne të ndrydhuna, vetëm vullnetin e tyne të pjesshëm, i cili asht i pamjaftueshëm me u ba ligj shkencor e aq ma pak me udhëheqë historiografinë tonë. Nji plagë tjetër post-komuniste asht edhe diletantizmi në mendimin historik. Diletantizmi asht i pranueshëm si dukuni kalimtare dhe shoqnuese atje ku institucionet akademike janë të konsolidueme, por me kohë ai bahet nji plagë me leskra gjoja shkencore që mëton me mbrojtë dhe me shpërnda të vërteta pa baza. Këta lloj historianësh janë përpjekë në këto vite me ri-shkrue historinë me «qëmtime të bujshme» dhe me «zbulime sensacionale», me zhvarrosje sekretesh dhe burimesh të fjetuna. E gjithë kjo modë sekretesh asht inerci e sistemit politik komunist. Nji diplomat amerikan i viteve ’60 vërente se pjesa ma e madhe e jetës politike komuniste ishte e përbame prej «sekretesh», ndërsa pjesa tjetër ishte thjesht propagandë ideologjike.
Filozofi gjerman Friedrich Nietzsche tek vepra me titull «Rreth dobisë dhe damit të historisë për jetën» (Vom Nutzen und Nachteil der Historie für das Leben, 1874), vëren se historia mundet me i ofrue jetës disa shërbime, në funksion të vetë nevojave të jetës. Ai dallon tri lloj mënyrash për me shkrue historinë, atë: monumentale, antikuare dhe kritike. Historia monumentale shkruhet tue qendisë modelet që duhet të ndjekim e të rijetojmë në çdo kohë, ky lloj trajtimi len mënjianë shumë elemente dhe merret vetëm me ato që kanë vlerë monumentale. Kjo lloj historie shpreh admirimin e pakufishëm për të kaluemen dhe përbuzjen ndaj së tashmes – shkruen Nietzsche, tue ndjekë moton: të vdekunit të vorrosin të gjallët. Sigurisht nji histori e këtillë asht e damshme, pse idealizon dhe paraqet vetëm atë çka mund të idealizohet. E si mund të ketë kuptim qëndresa e Gjergj Kastriotit tue qitë në harresë tradhtinë e disa krenëve shqiptarë, si mund të ndriçohet drejtë puna e rilindasve tue mos kujtue nivelin e ulët të ndërgjegjes kombtare në shek. XIX? Mënyra tjetër e trajtimit të historisë, simbas Nietzsches, asht ajo antikuare. Ashtu siç ban nji antikuar me gjanat e vjetra, ashtu bajnë shpeshherë edhe historianët: grumbullojnë pa kriter gjithçka u del para. Ky lloj historiani nuk e paraqet jetën e nji kombi por e mumifikon atë, vëren filozofi gjerman, mbasi jo të gjitha gjanat e vjetra janë histori, pra jo të gjitha shprehin shpirtin e nji populli, pse mund të shprehin thjesht rastisje dhe gjana të padobishme. Mënyra e tretë asht paraqitja kritike e historisë. Kjo mënyrë shpreh forcën që don me pre lidhjet me të kaluemen, forcën kritike që dënon të kaluemen dhe që dëshiron me ndërrue kurs. Ky asht vullneti me e shkrue me ndërgjegje atë që do të quhet nesër histori, asht vullneti me qenë tjetërsoj.
Problemi, ma tepër se «si ta ri-shkruejmë historinë», paraqitet në formën: si ta lexojmë dhe ta interpretojmë atë. Ende sot e kaluemja jeton në kurriz të ndërgjegjes sonë dhe nuk na lejon me marrë frymë lirshëm dhe me e mendue historinë. Protagonistat e ngjarjeve të së djeshmes mund të shkruejnë kujtime, rrëfime të përmallshme, por këto nuk përbajnë historinë e nji populli. Historia asht shikimi racional dhe kritik mbi ngjarjet, e ata që deri dje ishin mbrenda ngjarjeve nuk kanë forcë me qenë kritikë në kuptimin super partes – pra me qenë asnjianës. Na duhet nji metodë shkencore, analitike e sintetike, e mbrujtun me shpirt kritik dhe me dyshimin ndaj paraqitjes naive të fakteve. Tue mos harrue për asnji çast se mendimi historik nuk asht thjesht rreshtimi i ngjarjeve, kujtimi i datave, zhvarrosja e eshtnave, zbulimi i letrave apo dënimi i fajtorëve dhe shpërblimi i të tjerëve. Po të ishte kështu atëherë çdo llogaritar skrupuloz do të ishte njiheresh edhe historian shembullor. Historia nuk shkruhet tue dhanë thjesht numrin e të vramëve gjatë nji konflikti, por tue ndjekë kundërshtinë mes dy shpirtnave antitetikë dhe tue shenjue në fund triumfin i nji ideje, e cila shpeshherë ruen diçka prej shtysave revolucionare dhe përfshin diçka prej vullnetit me ruejt rezultatet e mira të së kaluemes. Historia nuk mund të shkruehet bardh e zi, pse e drejta dhe e vërteta nuk asht monopol i asnji force politike e shoqnore, janë forcat e ndryshme ato që simbas vetë natyrës së tyne mbërrijnë me mishnue nji pjesë të caktueme të shpirtit historik dhe simbas natyrës së tyne mbërrijnë me e çue njerzimin përpara ose me e frenue atë. Gjithçka lëviz pa prâ, dhe ne të gjithë jemi bij të nji shkalle të caktueme të ndërgjegjes qytetare dhe pasqyrojmë ideale dhe objektiva që në nji farë mënyrë bahen vetë historia jonë, pa këto ideale faktet mbesin të pagoja dhe dokumentet historike janë pa shpirt.
Detyra jonë asht të hetojmë me durim antitezat historike që kanë zhvillue shpirtin shqiptar. Ma e madhja e këtyne antitezave ka qenë ajo: liri/nënshtrim. Historia jonë asht zhvillue në kushte të jashtzakonshme dhe ne pjesërisht kemi zhvillue shqisa të jashtëzakonshme mbijetese kombtare, falë luftës mes antitezave të fuqishme që kemi mishnue. Sa herë që ky konflikt asht zbehë, ne kemi rrezikue me u shue dhe me fjetë gjumin që i çon popujt drejt vdekjes shpirtnore. Ndërgjegja, - pra vetëdija jonë kombtare - ma shumë se prej proçeseve të zhvillimit ekonomik dhe shoqnor asht formue prej konfliktit mes lirisë dhe robnisë. Pranimi i robnisë i dënon popujt me jetue pa vetëdije dhe jeta e udhëhequn vetëm prej kërkesash materiale asht sakrifikimi i shpirtit. Lindja e vonueme e shtetit shqiptar i atribuohet mungesës së ndërgjegjes kombtare. Edhe kur shteti ynë pat lind mes shumë vështirsinash, shumica e shqiptarëve nuk kishin nji ndërgjegje të formueme, por ndiqshin instinktin feudal që i çonte mbas krenëve dhe të parëve të fisit e të krahinës. Puna e shkëlqyeshme e ideologëve të Rilindjes ka qenë konvertimi kah idealet kombtare i krenëve të mëdhaj e të vegjël e në këtë propagandë kanë pasë nji peshë të madhe pozitive bektashinjtë dhe françeskanët, të cilët zgjuen prej gjumit besnikët e tyne dhe i hodhën në veprim. Në rrjedhën e historisë, na ka mësue filozofi Giambattista Vico, ndodhë që njerzit të ndjekin qëllimet e tyne egoiste dhe të shpenzojnë jetën mbas synimesh meskine, e megjithatë shpirti i gjallë i historisë din me përdorë e me shfrytzue këto veprime për me realizue qëllime e veta të nalta. Çfarë qëllimesh dhe çfarë objektivash kanë ndjekë feudalët dhe paria shqiptare në shekujt XVII-XVIII-XIX? Përgjithsisht, edhe në rastet ma të mira, ata janë mundue me ruejt e me konsolidue pronat e të ardhunat e veta, u kanë shërbye interesave të gradave, ofiqeve, bashtinave. Këto janë synimet që ata kanë pasë dhe realizue me vetëdije. E pra prej veprimeve të tyne të ndërgjegjshme s’ka mbetë tjetër veçse ndonji rrënojë sarajesh në ndonji shpat malit, ndonji urë o ndonji gërmadhë mullini me ujë. E megjithatë, edhe ata, në pavetëdijen dhe në ngathtësinë e tyne endemike i kanë shërbye zhdrejtas shpirtit të historisë. Në fakt konfliktet e tyne personale, luftnat për zgjanim, dëshira me qenë të parë, rebelimet e herë mbas hershme për qëllime të këtilla, kanë lëviz shtratin e nji lumi të fjetun tue përgatit pa vetëdije lëvizjen kombtare.
Sot kemi nevojë për nji shkollë të re historike. Kemi nevojë për nji mendim historik të pamvarun prej emocioneve, prej përkatsisë politike, krahinore, fetare, minoritare, familjare, klanore. Mund të themi, tue ndjekë deri diku Hegel-in, se sot, nuk na mjafton nji histori si ajo që shkruente në antikitet Herodoti apo Tukididi, mbasi tempulli i kujtesës monumentale asht tepër i vogël për aktivitetin e pafund të shpirtit, nuk na mjafton as edhe nji histori që don me gjallnue të tashmen me shembujt e së kaluemes, na duhet nji histori që të përshkojë kohën tue gjurmue hapat e shpirtit, lëvizjen e ideve, forcën e arsyes, nji histori që të jetë realizimi konkret i lirisë dhe njikohsisht ushqimi i saj shpirtnor. Vërtetësia e historisë sonë mvaret prej vërtetësisë dhe pranisë së shpirtit tonë tek rrjedha e saj, e ai shpirt asht thelbsisht i lirë, moral dhe qytetar.