E diele, 28.04.2024, 06:22 PM (GMT+1)

Mendime

Mark Marku: Në kërkim të një fajtori për Trebickën

E enjte, 18.09.2008, 04:58 PM


Mark Marku
Në kërkim të një fajtori për Trebickën

Nga Mark Marku

Ka një ngut të madh në qëndrimin e aktorëve politikë dhe publikë të përfshirë në debatin rreth vdekjes enigmantike të biznesmenit Kosta Trebicka: të gjithë, pa përjashtim, kërkojnë kush e kush më parë të ofrojnë një version të vetin për vdekjen e biznesmenit të ndjerë dhe kërkojnë që ky version të pranohet si i vërtetë nga opinioni publik. Opozita i mëshon versionit të vrasjes së tij dhe kjo vrasje, sipas saj, ka për autor qeverinë. Qeveria, kryesisht organet e policisë dhe të ekspertizës ligjore, mbrojnë versionin e një aksidenti automobilistik. Reporterët e kronikës së zezë bëjnë fjalë kryesisht për një aksident, por duke ngritur herë pas here dyshime rreth këtij aksidenti për detaje nga më të ndryshmet. Opinionistët janë këtë radhë pak a shumë në të njëjtën linjë me politikanët e opozitës dhe rrallë gjen ndër ta ndonjë element të paeksituar nga ngjarja që të mos anojë nga perceptimi opozitar për ngjarjen. Një gjë e tillë është normale. Një vdekje si kjo natyrisht që do ta trondiste opinionin publik. Madje është normale që ky opinion të jetë i prirur që fajtorin ta kërkojë në radhët e qeverisë. Anormale në gjithë këtë ngjarje është prirja për ta shpallur fajtorin pa e zbuluar atë.
Ekziston, megjithatë, një rrethanë që do të duhej të shërbente si një frenues i eksitimit kolektiv. Kjo rrethanë ka të bëjë me faktin se dy instancat që kanë të drejtën për të dhënë verdiktin për atë që ka ndodhur nuk janë shprehur ende. Organet e Prokurorisë të parat. Këto organe, edhe pse janë marrë intensivisht me ngjarjen, nuk e kanë thënë fjalën e tyre. Dhe për një rrethanë fatlume verdikti i tyre këtë radhë duhet të jetë më i paparagjykuari, pasi këto organe, njëra për shkak të projektligjit për organet e prokurorisë, dhe tjetra për shkak të akuzave të bëra ndaj saj nga qeveria për përfshirje në korrupsion ndodhen në një konflikt me mazhorancën qeverisëse. Nuk ka dyshim që Prokuroria aktuale për shkak të këtij konflikti, i cili në fund të fundit është një konflikt parimor, pikërisht për pavarësinë e këtyre organeve nga qeveria dhe politika, e ka besueshmërinë për të bërë një hetim korrekt. Për më tepër, sipas informacioneve të vetë Prokurorisë, ajo ka thirrur ekspertë të huaj për ngjarjen, gjë që e shton kapacitetin e saj profesional dhe autoritetin moral për të dhënë një version të përafërt me të vërtetën. Instanca e dytë është gjykata. Po për shkak të konfliktit që sistemi i drejtësisë ka me qeverinë, kjo instancë e ka pavarësinë dhe besueshmërinë e duhur, që në një moment të dytë të bëjë një gjykim të paanshëm politikisht për ngjarjen. Paradoksi është se askush nuk po e merr në konsideratë një mundësi të tillë. Të gjithë e kanë dhënë tashmë verdiktin dhe ajo është bërë pronë e publikut para se prokuroria dhe gjykatat të jenë shprehur. Nëse verdikti i tyre do të jenë në kundërshtim me faktet e publikuara nga aktorët e tjerë politikë dhe publikë aq më keq për të: askush nuk do ta marrë atë seriozisht.
Nguti për ta shpallur fajtorin sa më shpejt ka të bëjë me teknologjinë e përdorimit politik të ngjarjeve të tilla tronditëse. Si pasojë e këtij nguti, siç ka ndodhur historikisht në shumë raste, më shumë se sa fajtorët e vërtetë, janë asgjësuar dhe dënuar kundërshtarët politikë. Kjo ka ndodhur shpeshherë në të gjitha ngjarjet tronditëse të historisë njerëzore, që nga lashtësia e deri në ditët tona. Por rastin më të freskët e kemi nga historia moderne e Shqipërisë me vrasjen e Azem Hajdarit. Vrasja e tij u përdor për të hequr qafe njëherësh dy nga personalitetet politike që nuk kishin asnjë faj për vrasjen e tij: kryeministrin e atëhershëm Nano dhe kryetarin e opozitës Sali Berisha. Me një skenar të shpejtë u nxitën turmat e irrituara drejt Kryeministrisë, ku sipas skenarit fshihej fajtori i sajuar Fatos Nano, i cili u largua nga Shqipëria për t’i shpëtuar irritimit të turmave, dhe më pas, po me të njëjtën teknologji, u synua largimi i kryetarit të opozitës, i cili u fajësua për grusht shteti. Organizatorët e vërtetë të vrasjes, siç dihet, nxituan për të ndarë pushtetin mes tyre dhe e bënë një gjë të tillë.
Që skenarë të tillë të mos ndodhin duhet pak durim deri në një prononcim të organeve të Prokurorisë. Linçuesit e zellshëm revolucionarë që shfaqen në raste të tilla duhet të mënjanohen deri sa ky verdikt të shpallet. Vdekja e Trebickës nuk duhet të shërbejë si një mundësi që elementë të tillë të destabilizojnë vendin. Ajo është shumë më komplekse se sa kërkojnë të na e bëjnë këta daltonistë politikë. Zoti Trebicka ka patur fatin e keq të jetë dëshmitar i një afere gjigande armësh që zhvillohet në një trekëndësh gjeografik global: Shqipëri-SHBA-Afganistan dhe në një moment të caktuar e ka denoncuar këtë aferë. Për vdekjen e tij natyrisht mund të kenë qenë të interesuar aktorë të ndryshëm lokalë dhe globalë, grupe mafioze dhe politike. Sido që të jetë puna, nëse kjo vdekje ka një shkaktar tjetër përveç të ndjerit Trebicka, ai patjetër duhet të shkojë në bankën e gjyqit. Por derisa ky autor nuk është vërtetuar ligjërisht, askush tjetër nuk duhet të marrë ndëshkimin e tij. Në një shtet ligjor është më e dënueshme që një njeri të dënohet pa patur faj, se sa një fajtor të mbetet i pandëshkuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora