E enjte, 01.05.2025, 05:13 PM (GMT+1)

Mendime

Eugjen Merlika: Eugjen Postkomunizmi dhe Evropa

E hene, 15.09.2008, 12:29 PM


Eugjen Merlika
PASKOMUNIZMI DHE EVROPA

Nga Eugjen MERLIKA

U desh të kalonin 15 vite nga shembja e komunizmit, si sistem shoqëror e politik në Evropë, që kjo e fundit , nëpërmjet institucioneve të saj, të pohonte nevojën ose domosdoshmërinë e paditjes së tij si sistem kriminal. Në këto vite zhgënjimesh rrënuese për miliona vetë, të cilëve komunizmi u kish rrëmbyer lirinë e jetën, shumë kush në ndërgjegjen e tij ka vënë në dyshim “vlerat” e “botës së lirë” të Perëndimit, aq shumë të ëndërruar në dhjetëvjeçarët e shumtë të nbijetesës në shkretëtirën e akullt që shtrihej mbas “perdes së hekurt”.

Për veçanësitë e regjimit hoxhist, i cili i ra për short Shqipërisë, zhgënjimi nga “epoka e re” e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të shkuar, mori përmasa vërtetë shqetësuese. Me 914.000 vitet e burgut dhe 256.146 vitet e internimit, me 6027 të pushkatuar dhe 34135 të dënuar politikë në raport me popullsinë, përsa i përket krimit shtetëror komunist Shqipëria mund t’i heqë kapelen vetëm Kamboxhës së Pol Potit apo Koresë së veriut të Kimëve. Ajo mban primatin e zi të Vendit të vetëm ateist në botë, të të vetmit popull të cilit i ishte ndaluar me ligj të luste Perëndinë. Historiani grek Herodoti tregon se faltoret e kultit, që në agimet e njerëzimit, ishin objektet e para që ndërtonte njeriu primitiv, dëshmi e një nevoje, pothuajse patologike, për të besuar diku e diçka që dilte nga korniza e njohjes dhe e jetës së zakonshme të çdo dite. Në Shqipërinë komuniste objektet e kultit, me gjithë vlerat e tyre artistike e historike, u shkatërruan e u kthyen në palestra, salla apo stalla dhe shërbyesit e tyre, sidomos ata të kishave katolike, u martirizuan si në Romën e Neronit. Duke pasë mbajtur mbi shpinë këtë makinë të përbindëshme terrori për një gjysëm shekulli, ishte normale që pjesa më e madhe e shqiptarëve të kërkonte, me ndrrimin e sistemit, edhe një rishikim të historisë së tyre të gjymtuar e një vënie para gjyqit të përgjegjësve kryesorë të tragjedisë së tyre. Nuk ndodhi kështu, historia vazhdoi të mbetej zotërim i akademikëve nostalgjikë të regjimit, që u munduan të mbajnë të palëkundura disa nga konceptet themelore të saj, ndërsa vënia para përgjegjësisë penale për “krime kundër njerëzimit” të ish drejtuesve komunistë u kthye në disa proçese qesharake për shpërdorime financiare. Kjo ishte fryma e re që Evropa, institucionet dhe përfaqësuesit e saj sillnin në Shqipëri, të shqetësuar më shumë për sistemimin e një kaste që pësonte “fatkeqësinë”e lëshimit zyrtarisht të pushtetit e privilegjeve se sa për dëmshpërblimin e asaj pjese të popullsisë që kishtë qënë viktimë e dhunës. Madje ajo pjesë filloi të shihej me një farë mosbesimi, si e paaftë të zotëronte “mllefin” e grumbulluar e, për pasojë, e rrezikëshme për drejtpeshimet e një epoke të re, që do të ishte ajo e paqes dhe harmonisë shoqërore, e një strategjie që synonte bashkimin e të gjitha Vendeve të kontinentit. Kjo frymë ishte në vazhdën e një politike që, prej pothuajse tridhjetë vitesh, ishte bërë vija zyrtare e diplomacisë evropiano-perëndimore, ajo e uljes së tensionit, e marrëveshjeve ekonomike me regjimet komuniste të Lindjes, e ashtuquajtura ost-politik. Ajo politikë nuk mbante parasysh mbrojtjen e të drejtave të njeriut në ata Vende dhe çdo insinuatë n’atë drejtim nuk shkohej nëpër mënd, mbasi quhej si një ndërhyrje në punët e brëndshme që fyente “ndjeshmërinë” e shokëve të idealit të partive komuniste të Perëndimit.. Paditja e gulagëve dhe formave të tjera të shtypjes anashkalohej e protestat e shesheve evropiane kishin në shënjestër vetëm SHBA që në Vietnam, sakrifikonin jetën e bijve të tyre për t’i vënë fre ekspansionit të sistemit të gulagëve në botë. Opinioni publik evropian, i shushatur nga idetë e së majtës zhurmëmadhe prokomuniste dhe i mjeteve të informacionit e të kulturës në dorë të saj në shumicën e tyre, ishte pothuajse i pandjeshëm ndaj atyre që, duke vënë në rrezik jetën e tyre, kapërcenin kufijtë e kërkonin lirinë në Perëndim, duke treguar të vërtetën për Vendet e tyre. Ata që largoheshin nga Vendet komuniste shiheshin vëngër e, jo pak herë, akuzoheshin si “shërbëtorë të borgjezisë” që villnin vrer kundër “parajsave të puntorëve”. Kështu pllakoste heshtja mbi terrorin komunist në nivel opinioni publik, ndërsa në atë institucional ligjësoheshin të gjithë tiranët si Burra Shteti të mëdhenj. Besoj se shqiptarët nuk kanë harruar se si ish ministri italian Taviani vuri një kurorë me lule mbi varrin e Enver Hoxhës në Tiranë. Kjo lloj politike mund të ketë patur pasojat e saj pozitive në disa drejtime, por sigurisht ajo ka larë duart si Ponc Pilati para male kufomash. Si e tillë nuk e di se sa mund t’i qëndrojë një prove, sado të vogël, moraliteti. Në Shqipëri klasa politike paskomuniste, në vitet e para të demokracisë, duke menduar se qëndrimi ndaj ish “armiqve të klasës” do të ishte një gur prove për të fituar simpatinë e Perëndimit dhe ndihmat e tij, në një farë mënyre i vuri një farë kujdesi trajtimit të tyre. Kjo gjëndje nuk zgjati shumë, mbasi u kuptua se Perëndimi nuk e kishte shumë për zemër zgjidhjen e problemeve të tyre. Ai i shikonte ata probleme në kuadrin global të ecjes së këtyre Vendeve drejt një demokracie që do të ndërtohej nga vetë klasa politike e diktaturës, por duke i besuar konvertimit të saj në metodat demokratike. Kështu edhe premtimet që i ishin dhënë kësaj shtrese shoqërore, në vështirësi të pafund, filluan të harrohen, madje filluan të gjënden rrugë të tërthorta mashtrimi, që vazhduan për shumë vite, deri në ditët e sotme. Këto ditë Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me propozim të suedezit Goran Lindblad miratoi një rezolutë që i porosit Qeveritë e Vendeve ish komuniste të marrin disa masa për të nxjerrë në pah krimet e regjimeve të tyre në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar. Propozimi parashihte deri edhe ngritjen e monumenteve viktimave të terrorit komunist, ashtu siç ishte bërë për ata të nazi-fashizmit. Por propozimi nuk u miratua në tërësinë e tij mbasi pjesa e fundit, ajo që i referohej monumenteve e, në kuptimin më të gjërë, njohjes zyrtare në planin vetiak e kolektiv të viktimave të komunizmit, duke i vënë ata në të njëjtën shkallë me ato të nazi-fashizmit, hasi në kundërshtimin e fortë të më shumë se një të tretës së Asamblesë. Pra, më shumë se një e treta e përfaqësuesve të zgjedhur të Evropës vazhdon t’i quajë viktimat e terrorit komunist si të kategorisë së dytë. Këta zonja e zotërinj të së majtës evropiane, që nuk patën fatin e keq të provonin në vetë të parë mizorinë e gulagëve të ndryshëm të “socializmit real”, duhet të kenë mirësinë të na shpjegojnë se ku qëndron ndryshimi ndërmjet hebrenjve dhe antifashistëve të mbyllur në kampet e çfarosjes naziste dhe atyre qytetarëve të dënuar me dhjetëvjeçarë pune të detyruar në kampet e çfarosjes së “diktaturave të proletariatit” që nga Arktiku e deri në Detin e Verdhë, që nga Adriatiku deri në Karaibe. Në të dyja rastet bëhet fjalë për njerëz të pafajshëm e të pambrojtur që mishgrirëseja e diktaturës së zezë apo të kuqe i përtyp e i ripërtyp pa mëshirë, disa në emër të pastërtisë së racës ariane që do të çlironte njerëzimin nga produktet “bastarde” të tij e disa të tjerë në emër të “luftës së klasave”, e cila do të zhdukte shfrytëzimin e njeriut nga njeriu. Në të dy rastet kemi të bëjmë me regjime lirivrasëse që nuk respektojnë asnjë normë të moralit njerëzor e në të dy rastet viktimat pësojnë dhunë që shkon deri në mizori skajore, në asgjësimin e jetës. Cili është pra kriteri i diferencimit te këtyre dy lloj viktimash nga një shoqëri që quhet demokratike e nga një kulturë që quhet humaniste? Ai kriter është përkatësia kampit të fituesve apo të humbësve, por edhe ky koncept bie ndesh me normat më parake të logjikës e të moralit njerëzor, mbasi nuk mund të pranohet që këto dy kategori të kenë aftësi riprodhimi e ripërtëritjeje brez mbas brezi për një gjysëm qindvjeti. Atëherë si është e mundur që edhe sot një pjesë e mirë e Evropës demokratike i vihet si mur përpara shpërblimit, qoftë edhe simbolik, të dhjetra miliona viktimave të sistemit komunist? Ndoshta ajo pjesë , në nënëndërgjegjen e saj, ndihet fajtore e nuk është e gatshme e nuk ka forcën që, së bashku me proçesin e diktaturave, të bëjë dhe autoproçesin e ideve të saj. Delegacioni shqiptar në Strasburg votoi në unanimitet rezolutën e miratuar nga Asambleja Parlamentare e KE: “ Mbi nevojën për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” që parashikon disa detyra për t’u zbatuar:

1- Të ngrihet një komitet, që të punojë për rishikimin e teksteve shkollore.

2- Të zhvillohen fushata sensibilizuese për evidentimin e krimeve të komunizmit.

3- Të përcaktohet një ditë përkujtimore për të gjitha viktimat e këtij sistemi.

4- Të dënohen në mënyrë deklarative krimet që kanë ndodhur gjatë diktaturave komuniste.

Eshtë një synim i qartë e i drejtë që kërkon një impenjim të sinqertë e pa paragjykime. Që të sendërtohet kërkon njerëz të paanshëm, guximtarë e të ndershëm që do të hulumtojnë arkivat e do të nxjerrin të vërtetat e futura shtatë pash në dhe. Do të ballafaqojnë fakte, ndodhi, dëshmi e do të dalin në përfundime të sakta, për të zbardhur një faqe të errët të historisë sonë, ndoshta më tragjiken e saj. Por a do të jetë vullneti politik në mbështetje të këtij projekti? Uroj që shumica dërmuese e Kuvendit, në nderin e tij e në të mirën e Vendit, të votojë rezolutën e të autorizojë Qeverinë për vënien në jetë të pikave të saj. Do të ishte një shenjë pjekurie politike, aqë të nevojshme në një kohë që, në atë drejtim, le shumë për të dëshiruar. Përfaqësuesit e zgjedhur të shqiptarëve do të dëshmonin një dozë humanizmi që di të nderojë e të përulet para një kalvari gjysëm-shekullor që kanë përshkuar bashkatdhetarët e tyre, një mirëkuptim që respekton dhimbjen njerëzore përtej çdo llogarie interesi politik apo vetiak. Koha dhe çasti historik i venë para një prove të shumanëshme si ligjvënës, si përfaqësues të popullit e si njerëz. Si ligjvënës duhet të jënë të vetëdijshëm se kanë një mision: të ndërtojnë një Shtet ligjor që të garantojë liritë dhe të drejtat gjithë qytetarëve, edhe të atyre që regjimi i quajti “armiq” duke i dënuar për jetë ose duke u marrë jetën. Si përfaqësues të zgjedhur kanë për detyrë të kthejnë në akte politike kërkesat e çastit dhe të perspektivës së një populli që u ka besuar drejtimin. Ndër këto kërkesa është edhe nxjerrja në dritë e së vërtetës historike, të bazuarit në këtë të vërtetë për të bërë bilancin e sotëm e të ardhëm të shoqërisë shqiptare. Largimi i mjegullës së mashtrimit që ka pllakosur mëndjet e bashkëqytetarëve të tyre në tre breza kërkon vullnetin politik. U takon atyre t’a shprehin të plotë e pa mëdyshje. Si njerëz duhet të mbajnë parasysh, kur të ngrenë një karton të thjeshtë, se kanë të bëjnë me dhjetra mijra tragjedi njerëzore që kërkojnë drejtësi, zbardhje të tyre, rivlerësim të viktimave të pafajshme. Si të tilla ndoshta kanë nevojë më shumë për zërin e ndërgjegjes, që i jep llogari vetëm Zotit, se sa për logjikën e rrjeshtimeve politike. Pavarësisht nga këto konsiderata të rendit moral dyshimet për këtë fillim të mbarë nuk janë të pakta, mbasi ish komunistët mbeten ende te lidhur fort me traditën dhe të shkuarën e tyre e të prindërve të tyre e, sigurisht, nuk janë të predispozuar për të nxjerrë në pah të vërteta që do të rrëzonin tabutë e “çlirimtarëve” dhe “ndërtuesve të socializmit”. Megjithatë besoj se do të ketë ndërmjet tyre të tillë që do të kuptojnë se është në interesin e Shqipërisë të çojë deri në fund proçesin historik të shkëputjes nga diktatura e të ndërtimit të demokracisë, duke hyrë kështu përfundimisht në një epokë të re, gjë për të cilën rezoluta e Strasburgut është një gur themeli me rëndësi të jashtzakonëshme. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx