E premte, 25.07.2025, 08:01 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ndreca: Çka t’i festojmë mbledhjes së Pezës?

E marte, 16.09.2008, 05:33 PM


Ardian Ndreca
Çka t’i festojmë mbledhjes së Pezës?

Nga Ardian Ndreca
 
Zakonisht objekt festimi janë sukseset dhe arritjet e jo dështimet dhe humbjet. Ka raste kur festohen edhe dështimet, për shembull këmishëkuqi Chavez feston përvjetorin e dështimit të grushtit të tij të shtetit. Por ne Chavez-in s’e marrim si shembull, tue shpresue bile që të harrohet sa ma parë. E kemi fjalën tek e ashtuquejtuna “Konferenca e Pezës” dhe trajtimi i saj i pangjashëm prej komunizmit shqiptar dhe historiografisë së tij që i ka thur panegjirikë për dekada rresht. Për shtetin shqiptar të asaj kohe ka shkrue faqe të randësishme dhe objektive studjuesi Kastriot Dervishi tek libri i tij «Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005» dhe këtu nuk asht vendi me u zgjatë apo me përsërit. E randësishme asht me i kujtue lexuesit se ngjarjet nuk kanë rrjedhë siç i paraqet ndonji film i kohës së komunizmit, e vërteta ka qenë krejt ndryshe. Së pari Shyqyri Peza, vëllai i Babë Myslymit, ka qenë – simbas dokumenteve të AQSH (F. 559, V. 1940-1943, D.23, fleta 9) - agjent i klasit I i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme të asaj kohe dhe në shkurt të 1942 kishte ra dakort me fashistat me mbajt nën urdhna të veta nji fuqi që të ruente rendin në Pezë. Babë Myslymi vetë si shumë drejtuesa çetash të asaj kohe, ishte nji komit i arratisun për punë gjaku, prej atyne që asokohe kishte plot në malet e Shqipnisë. Ndoshta qe ndër të paktit që s’mund të quhej komunist as atëherë dhe as ma vonë, kryesisht për shkak të të vetëdijes që kishte. Pse nuk kemi se çka me i festue Mbledhjes së Pezës? Pjesmarrsit e saj me mandat të rregullt ishin: Abaz Kupi, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Ismail Petrela, Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Nako Spiru, Baba Mustafa Xhani, Nexhmije Xhuglini, Ramadan Çitaku, Myslym Peza, Koço Tashko, Muharrem Butka, Mustafa Gjinishi, Naim Starova, Haxhi Lleshi, Skënder Muço, Aziz Çami e nji partizan. Ishin të pranishëm komunistat jugosllav: Miladin Popoviq dhe Dushan Mugosha. Kurse Mit’hat Frashëri çoi si përfaqsues të vetin Halim Begenë. Posë këtyne duhej të merrnin pjesë edhe Kamber Qafmolla dhe Musa Puka. Kishte edhe ndonji tjetër që mori pjesë pa të drejtë vote. Qëllimi i konferencës, apo ma mirë i mbledhjes, ishte arritja e bashkimit të popullit në luftë kundër fashizmit dhe përkrahja e forcave aleate. Komunistat mundoheshin me mimetizue ideologjinë e tyne dhe me pranue sa për sy e faqe aleancën me nacionalistat tue mendue me i asimilue ose me i asgjasue nji ditë. Asokohe kryeministër ishte Mustafa Kruja, politikan me peshë që i kishte dhanë lëvizjes komuniste grushte të randa. Si antikomunist i bindun ai mbështeste idenë e Shqipnisë etnike dhe nuk pranonte asnji kompromis me forcat joqeveritare. Janë qesharake deklaratat e ndokujt që e cilson edhe sot si nji “spiun të fashizmit”, mbasi o nuk dihet kuptimi i termit spiun o nuk dihet se kush ka qenë Mustafa Kruja. Ka pasë nji karakter të papërkulun, njeri i vendosun dhe krenar, ka punue gjithë jetën vetëm për idenë e tij e kur e ka pa se vija e tij nuk ecte ma, atëherë ka dhanë dorëheqjen dhe asht tërheq prej jetës publike. Disa cilsorë që përdoren ndaj tij tregojnë nji mllef të kahershëm, ndoshta të ufulluem edhe prej përmbysjeve të mëdhaja të fillimviteve ’90 – përmbysje që kanë sjellë në skenë Mustafa Krujën edhe si historian, gjuhëtar, përkthyes etj. Por ne nuk i trajtojmë aspak pseudo-historianët që lëpine sahanat e Enver Hoxhës për dekada rresht dhe tradhtuen haptas, jo nji herë, shkencën historike dhe vetë dinjitetin njerzor të kombit, të cilit ia qullosën historinë në mënyrën ma mbrapshtane. Prej mbledhjes së Pezës doli Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar me kryetar Kamber Qafmollën, me sekretar M. Gjinishin, dhe me antarë: Ndoc Çobën, Myslym Pezën, Abaz Kupin, Enver Hoxhën dhe Ymer Dishnicën, Besoj se lexuesi i thjeshtë do të pyesin veten: kush ishin Ndoc Çoba, Abaz Kupi apo Kamber Qafmolla? Njerëz të nderuem, padyshim, por u zhdukën prej skenës nacionalçlirimtare pa vonue dhe për këtë gja ka nji arsye. Si ka mundësi që për 45 vjet u festue nji konferencë pa u folë kurrë nji fjalë e mirë për kryetarin e saj? E jo vetëm për të, por për 80% të pjesmarrësve të saj. Konferenca dështoi pa fillue mirë pse me anë të saj po tentohej me bashkue dy linja, dy rryma, dy mendësi antagoniste. Në nji anë dredhia e Popoviqit dhe Mugoshës – të cilët nëpërmjet mashës së tyne besnike, por pa ide të mirëfillta, Enver Hoxhës, mundoheshin me afrue dhe me mbytë nacionalizmin shqiptar. Në anën tjetër idealizmi dhe dëshira e mirë e nji pjese të parisë së vendit: Ndoc Çobës, Abaz Kupit, Azis Çamit, Skënder Muços që kërkonin nji zgjidhje të ndershme për çeshtjen kombtare. Por dredhia dhe idealizmi nuk mujtën me bashkëjetue ma shumë se dy ditë në Pezë e delegatët u shpërndanë për të mos arritë kurrë me vu në jetë ato vendime që u morën në at’ mbledhje. Këtë e tregon vetë zhvillimi i historisë. Mbas dy muejsh, me 28 nandor 1942, u themelue Balli Kombtar dhe kështu fraktura u thellue, mbasi nji intelektual patriot si Mit’hat Frashëri nuk mund t’i besonte kurrë nji kameleonti si Enver Hoxha, figurat e tyne ishin të pakrahasueshme si në planin intelektual ashtu edhe në atë moral. Mbledhja e Pezës mund të konsiderohet nji Mukje ante litteram, por Mukja dështoi për shkak të vullnetit tashma të konsoliduem të komunistave jugosllav që ishin gati me shpërthye luftën civile në Shqipni, mjaft që të vendosej përfundimisht ndikimi i tyne në vend. Enver Hoxha dhe e ashtuquejtuna “udhëheqje” nuk qenë vetëm marionetat e Titos, por nisën luftën civile në vend për me i ba qefin Titos. Koha tregoi se Peza qe nji dështim i plotë. Aty nuk u arrit asnji marrveshtje e zbatueshme në praktikë. Kurrë nuk u zbatue asnji rezolutë e përbashkët e asaj mbledhje. Komunistat vijuen rrugën e vet vllavrasëse dhe nacionalistat, në dobsinë e organizimit të tyne dhe në hezitimet që patën, vijuen nji rrugë tjetër. Lufta ndaj okupatorit ishte maska e nji lufte tjetër: luftës për pushtet, luftës ndaj palës që politikisht ishte kundërshtare e Partisë Komuniste. Pushteti buron prej grykës së pushkës, ka thanë Mao Ce Duni, e komunistat shqiptarë nuk e morën pushtetin në mënyrë të ligjshme, por me dhunë vllavrasëse dhe tue mbushë me forcë nji zbrazti në skenën politike shqiptare. A mund të festohet pra ende sot fillimi i përçamjes dhe zanafilla e luftës civile në Shqipni? Ne themi: jo. ...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx