Mendime
Pleurat Sejdiu: Rumania mund ta mbrojë interesin nacional duke e njohur indipendencën e Kosovës
E hene, 15.09.2008, 10:36 PM
Rumania mund ta mbrojë interesin nacional duke e njohur indipendencën e Kosovës
Mendoj se të gjithë jemi dakord se përmes analizave ADN nuk mund të kuptojmë cilës fe i përkasim, por përkatësisë familjare po! Këto karakteristika humane datojnë përpara Krishtit dhe Muhamedit. Së paku, ne shqiptarët, si pasardhës të ilirëve, konsiderojmë se familjarët tanë janë dakasit dhe trakasit, e jo arabët, latinët apo sllavët. Pozita publike e Rumanisë ndaj Kosovës dhe shpjegimet e dhëna nga funksionarët rumunë nuk kanë asgjë të përbashkët me realitetin dhe as me interesin nacional rumun.
Mr. Pleurat Sejdiu (Prishtinë)*
Kohëve të fundit, me mjaft kujdes i kemi ndjekur reagimet aq kaotike të funksionarëve rumunë ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kështu, kemi konstatuar me keqardhje se politikanët rumunë, duke u bazuar shpeshherë në mungesë dokumentimi apo njohjeje inkomplete të problematikës kosovare nga ana e shoqërisë rumune, kanë patur reagime publike të shoqëruara nga mundësitë më bizare. Për të argumentuar këtë analizë, nuk kam pse mos ta jap mendimin për çështjen e realcioneve në trekëndshin ballkanik shqiptaro-serbo-rumun, përgjatë shekujve. Do të përpiqem të demonstroj se ky qëndrim i Rumanisë nuk shkon në favor të interesit nacional të saj, por, përkundrazi. Karakteri i vërtetë i një populli mund të kuptohet në bazë të „fjalëve të popullit”. Po qe se analizojmë në të tre gjuhët thënien lidhur me burrin kur zgjohet nga gjumi pas një dite të rëndë pune, do të kuptojmë se burri krahasohet me një qengj (shqip: Kam fjetur si qengj”), me një kërcu („Kam fjetur si kërcu”, rumanisht), ndërsa në gjuhën serbe na del si një i prerë në fyt („Spavao sam kao zaklan”). Përse? No comment! Një politikë pragmatike apo „realiste” po qe se ekziston një gjë e tillë, do të duhej nderuar sipas thënies së James Joyce: History [...] is a nightmare from which I am trying to awake. Qëlllimi i këtyre fjalëve do të duhej t’i shërbejë Serbisë, por edhe atyre vendeve të cilat ende hezitojnë ta njohin këtë realitet të ri quhet Republika e Kosovës.
Kohëve të fundit kam lexuar mjaft artikuj, sidomos ato „antiindependiste”, të shkruara nga analistë rumunë të mirënjohur apo më pak të njohur, të cilët janë përpjekur secili në mënyrën e vet t’i shpjegojë lexuesit rumun përkatësinë serbe apo shqiptare, në lidhje me raportin historik të Kosovës. Por, anë snjë nga këto analiza, të pabazuara në faktografi, nuk kam gjetur ndonjë konkluzion bindës. I vetmi konkluzion i mundshëm është i thjeshtë: Dardania antike (Kosova e sotme) është e atyre që kanë lindur atje dhe vazhdojnë të jetojnë e të vdesin për një Kosovë më të mirë, e jo e atyre që kanë ardhur ta plaçkisin shekuj pas shekujsh. Analistëve dhe lexuesve rumunë mund t’u shërbejnë më shumë studimet e Bogdan Petriceicu Hasdeut apo Nicolae Iorga që thoshte se „shqiptarët dhe rumunët janë kushërinj gjaku” (shih studimin e Jorgës „Albania, ieri ?i azi”/ „Shqipëria, dje dhe sot”), të 7 dhjetorit 1934, apo Bolintineanu që shkruante se „zakonet e shqiptarëve janë të ngjashme me ato të arumunëve të Maqedonisë që shëmbëllejnë me ato të rumunëve në Principata” (shih „Udhëtime te rumunët e Maqedonisë”), apo artikujt e Tiberius Puiut, specialist në hapësirat ish/jugosllave.
Nuk dua të merremi me historinë. Desha vetëm të ju paraqes dy nga konkluzionet e shkenctarëve të mëdhenj të Rumanisë... Kështu, dr. Alexandru Madgearu, hulumtues shkencor në Institutin për Studime Politike të Mbrojtjes dhe Histori Ushtarake (Institutul pentru Studii Politice de Ap?rare ?i Istorie Militar?), thoshte se „Është i padiskutueshëm fakti se serbët nuk janë autoktonë në Kosovë, ngase, në përgjithësi, sllavët nuk janë autoktonë në asnjë regjion të Gadishullit Ballkanik. Në rastin privat të provincës, Kosova ka hyrë relativisht vonë në komponentë të Serbisë, sidomos nga shek. i XIII-të, kur, ç’është e drejta, është bërë qendër politike dhe shpirtërore e shtetit serb, deri në mbarim të eshk. XIV-të. Serbia e ka pushtuar Kosovën në kuadrin e politikës së saj ekspansioniste. Megjithatë, krahina e Kosovës ka përfituar një pozitë simbolike në mitologjinë nacionale serbe dhe jugosllave, ngase atje ka zotëruar Car Dushani, atje janë ngritur monumentet më të rëndësishme fetare serbe dhe po atje ka ngjarë beteja antiosmane e vitit 1389, që ka ushqyer mitin serb të viktimizmit, betejë e cila nuk ka qenë e serbëve për shëptimin e krishtërimit, por e udhëhequr nga një koalicion regjional në të cilën shqiptarët mernin pjesë në një numër të madh” (shih: Alexandru Madgearu „Origjina mesjetare e vatrave të konfliktit në Gadishullin Ballkan”. Ndërsa prof. Xhelku Maksuti (Gelcu Maksutovici), doktor në shkencat e historisë, thot se „Serbët bëjnë fjalë për Fushën e Kosovës, por jo për atë të vitit 1389, duke e harruar betejën e vitit 1448, kur luftëtari i madh rumun, Ianku i Hunedoarës, krijoi aleancë me strategun e madh shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Dhespoti i serbëve, Gjorgje Brankoviç, në vend që t’u bashkangjitet këtyre dyve, e pengoi armatën e Skënderbeut të takohet me atë të Iankut të Hunedoarës, duke e zënë këtë të fundit si rob lufte. Si pasojë e tradhëtise serbe, dështoi rasti për dëbimin e turqve nga Europa”.
Haj të kthehemi në realietin e sotëm dhe të shikojmë pse Rumania do të duhej ta përkrahte një Kosovë të pavarur dhe jo një Serbi me një Kosovë të okupuar! Pozita publike e Rumanisë dhe shpjegimet e dhëna nga funksionarët rumunë, sidomos nga Shkëlqesia e Tij Presidenti Basescu, nuk kanë asgjë të përbashkët me realitetin dhe as me interesin nacional rumun. Ja 10 kundërargumente për ato 10 teza të ankthshme të mohimit të realitetit kosovar:
1. Frika nga krahasimi i rastit të Kosovës me Transilvaninë, rast inekzistent, mashtrim i lansuar nga Rusia dhe Serbia. Preokupimi i Rumanisë nga ky invnecion është vetëm një favor i bërë Rusisë së humbur në hapsirë dhe kohë. Përcaktimi i provinës rumune të Transilvanisë u vendos mirë dhe përgjithmonë, më 1918. Kjo nuk u realizua përmes terrorizimit të popullatës, as përmes masakrave dhe as përmes një politke të apartheidit, por përmes plebisçitit natyror... Modelet e terrorit, gjenocidit dhe etnocidit janë zemra e programeve të përdorura shekuj me rradhë nga Serbia dhe Rusia ndaj territoreve të aneksuara nga regjimet cariste dhe bolshevike, strategji e vazhduar edhe nga Rusia putiniane. Në hijen e rastit të Transilvanisë përpiqet të fshihet situata e rumunëve të Luginës së Timokut dhe Banatës perëndimore, të Transistrisë, dhe pse jo, edhe ajo e Bukovinës dhe Besarabisë (Republikës së Moldovës).
2. Ideja e pansllavizmit. Rumania ndodhet në rrezik, ndoshta pa vullnetin e saj, për të hyrë në „vallen” e idesë së pansllavizmit që paraqitet në periudha të ndryshme të krizës së Rusisë, në forma të ndryshme si „flamur për mbrojtjen e proletariatit apo ortodoksiseë”. Rumunët, porsi shqiptarët, janë të vetmit popuj josllavë në Ballkan, të rrethuar me sllavë, duke i lënë grekët dhe hungarezët mënajnë... Si të tillë kanë përjetuar trauma të panumërta përmes coptimit të trojeve të tyre të lashta në favor të krijimit të një supershteti sllav. Rumania dhe rumunët nuk duhet të harrojnë pastrimet etnike në Banatën lindore dhe perëndiimore, në Timok, Bukovinë dhe Besarabi. Isha në Rumani, në vitet e para pas Revolucionit antikomunist të vitit 1989. Studentët nga Moldavia kishin filluar të vijnë në universitetet e Rumanisë. Takimi im i parë me ta ishte shokant, ndërmjet vedi ata flisnin rusisht. A nuk është kjo një shenjë e asimilimit të përdhunshëm! Rumania ka forcë të dëshmojë një herë e përgjithmonë se i përket qytetërimit europian, madje edhe politikisht pas inkuadrimit të saj në BE dhe NATO. Interesi i Rumanisë është Europa e jo Rusia. Por cili është interesi rus në Ballkan dhe në regjion? Pas shpërbërjes natyrore të Bashkimit Sovjetik dhe humbjes së influencës, Rusia ka zgjedhur një mënyrë të re për të mbijetuar në arenën internacionale: „shkrirja e konflikteve të ngrira” në Transnistri, Oseti të Jugut, Abhazi, republikën Serbe. A do të lejojë të shantazhojë veten Rumania? Mendoj se JO!
3. Feja. Gjatë debateve të shumta në prezantimet e disa analistëve dhe pseudoanalistëve rumunë kemi hasur shprehjen”shqiptarët myslimanë” „të ardhur nga Orienti” (?!), që lë përshtypjen e një karakteri fetar të konfliktit në Kosovë. Politikanët dhe gazetarët rumunë e dinë me siguri se në Kosovë dhe Shqipëri jeton një popull që identifikohet vetëm përmes nocionit shqiptar dhe asgjë tjetër. Ky fakt duhet transmetuar popullit rumun. Duhet të transmetoni faktin se fjala është për një popull krenar me të tre fetë, i cili nuk ka patur kurrë asnjë konflikt fetar. Mendojmë se nuk e keni harruar se ç’u kanë bërë serbët vëllezërve të vet në Kroaci, Slloveni dhe Bosnjë. Populli shqiptar i ka adoptuar tre fe (krishtërimin ortodoks, krishtërimin katolik dhe fenë islame). Anëtarët e tre grupeve fetare festërojnë sëbashku Bajramin, Pashkët dhe Krishtlindjet, martohen mes vedi, ndërsa për atdheun e vet luftojnë dhe vdesin vetëm nën flamurin shqiptar. Pothuajse të gjithë në Kosovë, shqiptarët e krishterë dhe myslimanë, varrosen në të njëjtat varreza. Mund të vini të bindeni. Duhet ta dini edhe një fakt: gjatë kohës së gjenocidit në Kosovë, popullata sllave e fesë myslimane nuk ka qenë e masakruar, ndërsa shqiptarët katolikë po! Përse vallë?!
Mendoj se të gjithë jemi dakord se përmes analizave ADN nuk mund të kuptojmë cilës fe i përkasim, por përkatësisë familjare po! Këto karakteristika humane datojnë përpara Krishtit dhe Muhamedit. Së paku, ne shqiptarët, si pasardhës të ilirëve, konsiderojmë se familjarët tanë janë dakasit dhe trakasit, e jo arabët, latinët apo sllavët. Mendojmë se edhe rumunët janë të të njëjtit mendim. Feja e shqiptarëve nuk ka rëndësi në rastin e Kosovës. Përndryshe, 50 vende islamike do ta njihnin Republikën e Kosovës në orët a para të krimit të saj, gjë që nuk ka ngjarë dhe as që do të ngjajë. Çështja parashtrohet në aspektin e konfrontimeve të dy mentaliteteve, njëri proeuropian/proamerikan dhe tjetri antieuropian/antiamerikan! Ndryshe nuk mund të shpjegohet vëllazërimi ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Është i ditur fakti se ushtarët rumunë që bëjnë pjesë në koalicionin antiterorist në Irak dhe Afganistan, janë të vrarë me armatimin e rusëve dhe serbëve ortodoksë shitur guerilave të Al/Qaedës, ndaj mund të parashtrohet pyetja: Nga po ia mban Dakia antike?!
4. Mbrojtja e ortodoksisë. Një tjetër parrollë nga pseudoanlaizat e freskëta të invokuara si „argument” mbi të cilin Rumania duheshka të mbështetet. A duhet vallë? JO! Vëllezër, por bullgarët (që e njohën pavarësinë) ç’janë? Por grekët, maqedonasit dhe malazezët, nuk janë vallë edhe ata ortodoksë dhe ndër to çdo i dyti sllav! Të gjithë këta kanë bërë hapa të rëndësishëm diplomatikë për njohjen e pasaportave të reja, kanë përqafuar ofertën e hapjes së „misioneve të lidhjes” (Greqia), kanë nisur procedurat për njohjen „në një kohë të përshtashme”, siç thonë ata. Mendoj se shumica e politikanëve rumunë njohin termin „The Third Rome” apo „Roma e tretë” dhe e dinë ç’don të thotë kjo, por ne nuk insistojmë...
5. Teoria e relacioneve të shkëlqyra rumuno/serbo/jugosllave nuk duket e besueshme. Haj të shikojmë përse! Nga viti 1833, kur serbët me përkrahjen e Rusisë e pushtuuan Luginën e Timokut, sa vllehë/rumunë kanë mbetur pa prapashtesën „viç”? Sa shkolla e kisha rumune ekzistojnë atje? Në çfarë gjuhe pagëzohen fëmijët rumunë në Luginën e Timokut? Në fillim të Luftës së Parë Botërore, numri i vllaho/rumunëve në Luginën e Timokut ishte rreth 300.000-350.000. Më 1918, armata serbe e përkrahur nga korpusi i dërguar francez, nën drejtimin e Franchet d'Esperey, e okupoi tërë Banatën, me Timishoarën, duke u ndalë në Muresh. Masat e para të ndërmarra ishin arestimi i arsimtarëve, profesorëve dhe priftërinjve rumunë. Mos të harrojmë pozitën e Patriarkut serb Pavle, i cili e ka atakuar/sulmuar Kishën Ortodokse Rumune, duke u vënë në të njëjtën pozitë me Patriarkin Aleksei të Rusisë lidhur me Mitropolinë e Besarabisë! Vallë, ata nuk ishin atëherë ortodoksë? Po, ishin, por të tjerët nuk ishin serbë dhe duhej të bëheshin serbë!
6. E drejta internacionale. Në dekadat e fundit është shpallur pavarësia e disa vendeve, pa dëshirën e shteteve „amë”. Vetëm 15 viteve të fundit janë 26 vende që kanë shpallur pavarësinë. Karta NU (UN Charter) parasheh obligime pët të gjitha palët e nënshkruara, për mbrojtjen e popullatës. Serbia ka dështuar (Failed State) në këtë drejtim, në mënyrë sistematike në rreth 100 vitet e fundit. Serbët kanë terrorizuar popullatën në Kosovë në mënyrë sistematike, pa marrë parasysh fenë, përmes një programi të gjenocidit dhe pastrimit etnik. Janë vetëm disa nga motivet për të cilët shumë ekspertë internacionalë i japin një legjitimitet absolut aktit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Mos të harrojmë as faktin se në Kushtetutën e fundit legjitime të Republikës Federative të Jugosllavisë (1974), Kosova ka qenë njësi e barabartë, konstituitive, me të drejta të barabarta të Federatës Jugosllave. Rezoluta „NU 1244”, nuk i jep kurrfarë të drejte Serbisë ndaj Kosovës. Anexa 2 (pika nr. 10-të dhe pika nr. 5) shpjegon dhe përkrah plotësisht pozitën e Kosovës në kuadrin e Kushtetutës së RSFJ më 1974, duke theksuar se duhet pyetur apo konsultuar mbi ardhmërinë e statutit politik të Kosovës, qoftë pavarësi apo jo. Në analiza tjera të shkruara apo debate është përmendur Akti i Helsinkit. Kosova do të ishte në pozitë totalisht të ndryshme, tejet të disfavorshme, po qe se Serbia do ta respektonte këtë akt derisa ishte „suverane” në Kosovë. Por ajo e shkeli nën këmbë.
7. Problematika e sovranitetit. A u lejon vallë sovraniteti në kuptimin e ashpër të fjalës disa udhëheqësve të shteteve të fshijnë nga faqja e dheut popuj dhe qytetërime të tëra? Me siguri që jo! Prej këtu rrjedh legjitimiteti i njohjes unilaterale nga shtete e organizata, si Banka Botërore dhe FMI, të pavarësisë së shpallur nga Parlamenti kosovar. Ky legjitimitet përkrahet edhe nga Artikulli 1 i Konventës së Montevideos (1933) lidhur me të drejtat dhe obligimet e shteteve. Kosova ka përmbushur tre atributet e para për t’u bërë shtet indipendent. Atributi i katërt vjen në shprehje vetëm pas njohjes së shtetit të pavarur. Prej atëherë, që nga viti 1933, shtetet kanë shtuar kriteriume të reja (shteti i të drejtës, respektimi i të drejtave të njeriut, efektiviteti territorial), që lehtëson marrjen e vendimeve lidhur me njohjen e shteteve të posakrijuara. Kosova i përmbush të gjitha këto kriteriume. Duke patur parasysh këtë që përmendëm më lart, dhe në kuptim të stabilizimit të gadishullit tonë, shtetet që i ka prekur blana e dyshimit do të duhej ta njohin Republikën e Kosovës si shtet i pavarur.
8. Dy shtete shqiptare! Me gjithë respektin që kam ndaj Presidentit B?sescu, nuk kam si të mos komentoj „argumentin” e hedhur nga Shkëlqesia e Tij. Zoti B?sescu thekson: „krijimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan nuk mund të pranohet”! Do ta pyesja zotin B?sescu, vallë ç’janë moldovarët tejmatanë Prutit, në republikën e Moldovës, nuk janë edhe ata rumunë? Por qypriotët, nuk janë grekë? Të mos flasim për ekzistencën e shteteve si Austria, Bosnja, Mali Zi, Koreja. Sipas Kushtetutës sonë, Republika e Kosovës është një shtet i shqiptarëve, serbëve dhe etnive tjera që jetojnë në Kosovë.
9. „Vetëshpallje”! Presidenti B?sescu shpeshherë ka deklaruar: „nuk mund ta njohim pavarësinë e vetëshpallur të krahinës së Kosovës”. Zoti President e din fare mirë se nuk ka qenë vetëshpallje, por shpallje në akord me SHBA-ës, Francën, Gjermanin. Anglinë, Italinë...me zt. Solana dhe NATO-n.
10. Politika e „ASNJËHERIT”! Një tjetër gabim i zt. President B?sescu ka qenë shprehja kategorike „ASNJËHERË”! Në politikë dhe diplomaci, asnjëherë nuk thuhet „ASNJËHERË”! Në vend të përfundimit: si një person që ka studjuar në Rumani, fakt për të cilin i mbetem përjetë mirënjohës popullit rumun, me trishtim shikoja se si flamurin rumun e abuzonin (në Mitrovicë dhe Beograd) përkrahësit e Karaxhiqit dhe Mlladiçit. Flamuri rumun nuk ka asgjë të përbashkët me fotografitë e kasapëve të Ballkanit dhe qeveria rumune duhej të reagojë me kohë. Më lejoni ta përmbyll me urimin që e kam përvetësuar në vendin tuaj: Të na rrojë Rumania!
P. S. Ky studim është botuar (me titullin Romania: Kosova si nu Serbia! De ce?), në revistën Albanezul / Shqiptari, nr.147, Bukuresht 2008)