E merkure, 01.05.2024, 05:37 PM (GMT+1)

Mendime

Fatmira Hajdari: Çfarë më tha Azemi për takimin me Muharrem Haklajn

E merkure, 17.09.2008, 09:34 PM


Fatmira Hajdari
“Në 14 shtator e vranë për së dyti, nuk më pëlqeu reagimi i turmës me arkivolin para Kryeministrisë”

Gjithashtu bashkëshortja e Azem Hajdarit, në të njëjtën intervistë për herë të parë ka bërë publik qëndrimin e saj për ngjarjet e 14 shtatorit 1998, kur me arkivolin e bashkëshortit të saj në duar njerëzit e indinjuar sulmuan Kryeministrinë. Sipas zonjës Hajdari, ky lloj reagimi ishte tejet i gabuar.  

Blendi Fevziu: Zonja Hajdari, si e mbani mend bashkëshortin tuaj, veprimet e tij më 12 shtator 1998?

Kujtoj se Azemi atë ditë u ngrit herët. Më tha t’i bëja gati rrobat dhe më sqaroi se kishte një miting në Fier. Kur iku e ktheu kokën pas. Ishte lyer shtëpia dhe oborri. U kthye i pa. U duk sikur i pëlqeu. Unë atë ditë kam qenë gjithë kohën shtrirë, isha shtatzënë, por edhe kisha një ankth shpirtëror. Sërish folëm në telefon kur po kthehej nga Fieri. Dukej se ishte i gëzuar, sepse i kishte shkuar shumë mirë mitingu në Fier. Edhe unë ngaqë e pashë të lumturuar u gëzova dhe i kërkova që të pinim një kafe, kur të vinte në Tiranë. Më tha se do të më dërgonte makinën dhe më porositi që të merrja dy fëmijët me vete. U gëzova që më plotësoi dëshirën. Atë natë nuk e harroj kurrë. E kam marrë në telefon se erdha para PD-së. Kur del Azemi me kostumin gri, ashtu me nxitim dhe më puthte mua, puthte dy fëmijët. Pimë kafe. Sikur të ishte kafja e fundit dhe limonada e fundit për fëmijët. Qëndruam gati 30 minuta. Nisu me fëmijët, më thotë. Do takoj doktorin, do i jap kasetën Pjetër Arbnorit që të shfaqet në Shkodër...

Blendi Fevziu: Kjo ka qenë rreth 30 minuta para se Azemi të vritej. Vutë re ndonjë gjë që nuk shkonte?

Jo. Azemi ishte i lumtur ngaqë mitingu i kishte shkuar shumë mirë. Para meje nuk shfaqi shqetësim. Më bëri përshtypje se atë natë ishte shumë errësirë para selisë së PD-së... Kisha një si parandjenjë atë natë, madje i vura fëmijët në makinë pas, vetë qëndrova përpara.

Blendi Fevziu: A kishit vënë re që Azemi të ishte i shqetësuar ato ditë?

Azemi ka pasur ankth tre muajt e fundit. Kishte shumë kërcënime. Por mua nuk më thoshte se isha shtatzënë. Unë ndërkohë kisha marrë edhe një telefonatë nga ministri i Rendit, Perikli Teta, që më tha se Azemi nuk i hapte telefonin. Teta më kërkoi që unë t’i thosha Azemit që për çdo lëvizje ta merrte atë në telefon. Ia thashë këtë Azemit me shqetësim, por ai qeshi. Nuk e di nëse do më ruajnë apo do më vrasin vetë këta, më tha. Azemit i kishin bërë katër atentate me armë brenda atij viti.

Blendi Fevziu: A e dinte Azemi se nga kush kërcënohej?

Nuk e dinte nga mund t’i vinte. Sepse s’mund të them nga njerëz të veçantë. Thjesht nga lëvizjet e tij politike. Nuk ka folur për persona të veçantë. Nuk më linte shpesh të kapja telefonin, që të mos bëhesha merak. Kohët e fundit nuk shkonim në punë të dy bashkë në një makinë. Më dërgonte një makinë të dytë. Zyrat i kishim pranë, ballë për ballë. Muajin e fundit nuk udhëtoi më me mua. Pra, ishte i shqetësuar.

Blendi Fevziu: Informacionet i kishte. Përse nuk ruhej Azemi?

Sepse Azemi nuk i frikësohej askujt. S’kishte frikë nga kërcënimet. Atë jo vetëm që e kishin qëlluar disa herë, por edhe e kanë kërcënuar shpesh. E kisha dëgjuar edhe unë. I kam kërkuar që të largohet nga Shqipëria. Ik, largohu, bëj një shkollë, merr një master, i lutesha. Por ai nuk ikte, sepse në atë kohë kishte nisur Lufta e Kosovës. Nuk mundte të shmangej nga përgjegjësia e tij për Luftën e Kosovës.

Blendi Fevziu: Tre muajt e fundit Azemi ndiente rrezik, por edhe ministri e paralajmëroi, në Tropojë u qëllua, ishte një situatë e keqe... Kur e vutë re se ishte shumë i shqetësuar?

Atë vit atij iu bënë 4 atentate. Gafurr Mazreku e qëlloi në Parlament. E shpëtoi vetëm Zoti. Mbeti edhe me pasoja, nuk e vinte dot këmbën drejt kur zbriste shkallët. Më 14 shkurt atentati i dytë ishte në Qafë - Milot. Ishte vetëm me djalin. Djali më ka treguar. Më thoshte se vetëm nëpër filma kishte parë ashtu pritash. Më 1998 ai guxoi të futej në Tropojë. Nuk e mendonte se nuk duhet të shkelte në vendin e tij. E dinte që mund të kishte pasoja. Por Azemi bënte shumë për tropojanët. Ata ishin ende shtresa më e varfër në atë kohë. I ka ndihmuar me ç’ka ka mundur. Kur po nisej mbaj mend ndihmat që kishte grumbulluar për kosovarët. Shumë erdhën dhe i thanë të mos nisej, por ai nuk i dëgjoi.

Blendi Fevziu: Për çfarë e kërcënonin Azem Hajdarin?

E kërcënonin që të mos fliste. Në mes, në atë kohë ishte trafiku i armëve, ishte lufta në Kosovë... Për mua vrasja e tij është e vështirë të zbardhet. Është e lidhur me luftën e Kosovës. U vra kur ishte situata e nxehtë në Kosovë...

Blendi Fevziu: Rreth 35-40 minuta para vrasjes ju ikët në shtëpi. Cila ishte biseda e fundit me Azemin?

Tha se do kthehej shpejt, se ishte i lodhur. Ishte i gëzuar nga mitingu i Fierit, por dhe i lodhur. U nisa për në shtëpi, ndihesha më mirë. Ngaqë ishte shumë errësirë para PD-së pata një ankth, dhe vendosa të kaloja fëmijët në sedijen e pasme të makinës. Te rruga e Elbasanit gjithçka ishte më qetë. Në shtëpi po prisja Azemin. Kalamajtë po luanin. Po shihja televizor. Ndërkohë më vjen një telefonatë. Ishte një zë burri. Një zë i vrarë, i shqetësuar. Hape televizorin, kanë gjuajtur Azemin. Ishte e treta herë brenda vitit që e qëllonin. I thërras djalit. Kiri, kanë qëlluar sërish babin, çoje te TV Shijaku. Nuk mund t’i heq nga memoria ato çaste. Reiz Çiço jep lajmin. Kam bërtitur shumë. Ka bërtitur edhe Kiri. Ka thyer xhamat. Komshinjtë kapën Kirin. Ishim të vetëm në shtëpi. Nuk e besoja se Azemi nuk jetonte më. Mendoja se mund të kishte shpëtuar edhe këtë radhë. Por kur erdhën njerëzit, e kuptova se kishte mbaruar. Më ka ngelur peng që s’më lanë të shkoja në spital. E pashë Azemin pas 24 orëve... Atë natë nuk e kanë nxjerrë nga morgu. Gjendja ishte e acaruar. Kishim ankth. Atë natë filloi edhe një shi i madh. Në orën 09:00, të nesërmen në darkë hyri Azemi në shtëpi me arkivol. Kur ma sollën ka qenë e vështirë. Pas 24 orësh më erdhi me arkivol. Nuk më lejuan ta shoh. Fëmija me gjuante në bark. Azemi nuk e dinte se ishte djalë. Nuk do e shohësh në është djalë apo vajzë, më kishte thënë. Emrin ia vunë njerëzit. Dashamirësit e Azemit, ata ia vunë emrin. Për mua ishte e vështirë t’i thërrisja fëmijës tim Azem...
 
Blendi Fevziu: Atë ditë Partia Demokratike denoncoi emrat. I njihnit?

Absolutisht jo. As sot nuk i njoh. Azemi nuk i kishte përmendur. Edhe sot po të më dalin përpara nuk i njoh. Azemi nuk ka pasur konflikt personal me njeri. Ka qenë adhurues ndaj tropojanëve, i ka ndihmuar, i ka shkolluar.

Blendi Fevziu: Si shpjegohet që pjesëmarrës në vrasje kanë ardhur e ju kanë ngushëlluar? Janë publikuar fotografi...

Unë më pas e kam marrë vesh. Bëhet fjalë për Izetin. Ky ka qenë në shtëpinë tonë, ka ngrënë, ka pirë... Izeti e ka mbajtur në krah Azemin kur u plagos në Parlament, vinte e ngrinte karrocën... Nuk e kam besuar... të nesërmen e varrimit, më 14 shtator, ka qenë një vrasje e dytë që i bënë Azemit, sepse u prish gjithë ajo ceremoni varrimi, i takonte ta çonin me nderime... Ishin të gjithë të përlotur, e kam peng që nuk u bë ajo ceremoni. Pasionet politike janë të tjera, ndjenjat njerëzore të tjera. Ishte një vrasje e dytë. Nuk e di kush e drejtonte turmën te Kryeministria. Nuk e di kush e mori atë drejtim, nuk e di kush ndryshoi drejtimin e arkivolit...

Blendi Fevziu: Po ju vetë ku gjendeshit në këto momente?

Unë isha shtatzënë. Më kanë hipur në një makinë, “Benz” i bardhë. Kur arritëm para Kryeministrisë e nisën të gjuanin, plumbat godisnin makinën... Ishte frikë, dola nga makina dhe bërtisja të ktheja arkivolin. Nuk doja të futej në Kryeministri. Nuk e mendoja se do kishte një reagim të tillë.

Blendi Fevziu: Ishte rastësi, apo e inskenuar kjo?

E vërteta është se kishte një dhimbje të madhe. Por edhe në Bibël edhe në Kuran është e shkruar që njeriut duhet t’i bëhen të gjitha nderet, pastaj bëj ç’të duash. Ai reagim nuk më pëlqeu.

Blendi Fevziu: Si ndodhi vrasja? Si doli Azemi jashtë selisë së PD-së? Pse në këmbë?

Siç e kemi dëgjuar. Nga një telefonatë. Ai që e ka telefonuar besoj që ka qenë i besuar i Azemit. Mister ka ngelur dalja në këmbë andej. S’kishte pse të dilte. Mund t’ju thoshte të vinin lart në zyrë.

Blendi Fevziu: Një javë para së të vritej Azemi ka pasur një bisedë me një nga pleqtë e Haklajve. Çfarë dini për këtë moment?

Pak mbaj mend. Azemi e ka pritur në zyrë. Kanë biseduar shumë qetësisht dhe mbase i kanë sheshuar gjërat. E pashë të qetë pas takimit. M’u duk sikur i kishin sheshuar gjërat.

Blendi Fevziu: A besoni se procesi e ka zbardhur të vërtetën?

Jo, e vërteta s’ka për t’u zbardhur kurrë.


Rudina Hajdari
Vajza e Azemit: Im atë, ekspresiv e me humor

Rudina Hajdari, studente në vitin e parë në një universitet të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë e ftuar bashkë me nënën e saj në intervistën e gazetarit Blendi Fevziu. Natyrisht që pyetjet për Rudinën kanë pasur lidhje vetëm me marrëdhëniet babë-bijë, pasi Rudina në momentin e vrasjes ishte në moshën 11-vjeçare dhe rrjedhimisht ka qenë në gjendje të mbajë mend pothuaj gjithçka. Rudina rrëfeu se të atin e kujtonte si një tip ekspresiv, që e bënte për të qeshur, por edhe që e përkëdhelte shumë dhe e epitetonte “kukull”. Për natën e fundit të jetës së tij, Rudina kujton se i ati ka qenë veçanërisht i dashur me të dhe se takimi kishte çaste lumturie, për të cilat Rudina tha se donte t’i kujtonte gjithmonë të fiksuara me të njëjtën ndjenjë. Si kujtim të bukur me të atin, Rudina renditi datëlindjen e saj në gusht 1998, pra një muaj para se Azemi të vritej, të kaluar në Durrës. Sipas Rudinës, i ati, Azemi, organizoi një darkë të madhe dhe i bëri një dhuratë, të cilën ajo ka vendosur ta mbajë me vete gjithë jetën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora