E diele, 28.04.2024, 12:58 PM (GMT+1)

Mendime

Bledar Kurti: Dy pengesat kryesore për integrimin në BE

E enjte, 18.09.2008, 06:14 PM


Dy pengesat kryesore për integrimin në BE

Nga Bledar Kurti

Edukimi formon ata që qeverisen dhe ata që qeverisin, komuniteti politik ndahet në sundues dhe të sunduar, por ndodh shumë rrallë që disa të jenë aq superiorë sa të sundojnë, ndërsa të tjerët të aftë për t‘u sunduar, të gjithë shtetasit në fillim duhet të sundohen pastaj të sundojnë dhe duhet të edukohen si të sundohen pastaj të sundojnë. Edukimi i të qenit i sunduar është edukim i të qenit i lirë, ndërsa edukimi i sunduesve është edukimi i të qenit thjesht një njeri i mirë

Aristoteli

Të ndodhur gjeografikisht midis dy civilizimeve më të përparuara të antikitetit, atij romak dhe atij grek, si edhe shumë pranë zemrës së kontinentit evropian, qysh pas rënies së sistemit komunist, shqiptarët janë të unifikuar në dëshirën e madhe për t‘u integruar në demokracitë euroatlantike. Madje, kjo dëshirë dhe ëndërr e madhe e shqiptarëve nuk është dobësuar dhe tretur edhe pas gjithë këtyre viteve tranzicioni të stërmundimshëm. Duhet përmendur se rolin kryesor në kalvarin e gjatë të vuajtjeve e ka luajtur klasa politike shqiptare.

Gjatë dekadës së fundit, vendet e Evropës Perëndimore u kanë ofruar vendeve ish-komuniste në këtë kontinent mundësinë për t‘u bashkuar në familjen e madhe të Bashkimit Evropian. Një pjesë e mirë prej këtyre vendeve arritën të bëhen anëtare të kësaj familje, ndërkohë që Shqipëria vazhdon të jetë konfuze.

Dy çështjet kyçe të cilat përbëjnë edhe thelbin e mosintegrimit të saj janë: identiteti qeverisës dhe karakteri kulturor.

Ka pasur shumë iniciativa të arritura dhe të dështuara të ndërmarra nga qeveritë gjatë dekadës së fundit, por që kanë rezultuar në politika vetëshkatërruese, për shkak të moszgjidhjes së këtyre dy krizave themelore mosintegruese. Kriza e identitetit në Shqipëri nuk ka të bëjë me prejardhjen historike apo territoriale, as me ngjarje apo iniciativa të arritura apo të dështuara gjatë kësaj dekade të fundit për t‘u integruar me vendet perëndimore, por ka të bëjë me gjetjen e identitetit të mënyrës së qeverisjes. Republikat e pavarura që u formuan nga shpërbërja e Perandorisë Sovjetike në vitin 1990 e kanë realizuar idenë e tyre të shtetit dhe qeveritë e tyre kanë formuar aparatin administrativ, për të vendosur kontroll të efektshëm në territorin e tyre, por janë të paqartë dhe të pavendosur për llojin e regjimit që duan të vendosin, përveç dëshirës së paqartë për të qenë demokratë në një farë mënyre. I njëjti skenar ka ndodhur dhe po ndodh edhe në Shqipëri. Gjatë dekadës së fundit Evropa ka inkurajuar qeveritë shqiptare të themelojnë identitetin qeverisës, që sigurisht bëhet fjalë për demokracinë liberale, por në kundërshtim me modelet perëndimore qeveritë shqiptare kanë aplikuar demokracinë si "majority rule" (shumica sundon), duke e transformuar në demokraci autoritare dhe jo demokraci liberale, të cilën Fareed Zakaria e përkufizon si "një sistem politik që karakterizohet jo vetëm nga zgjedhje të lira e të ndershme, por edhe nga sundimi i ligjit, nga ndarja e pushteteve, si dhe nga mbrojtja e të drejtave themelore të lirisë së shprehjes, të grupimit, të besimit dhe pronës", kritere të cilat qeveria aktuale i përdor vetëm si retorikë politike dhe jo si bazat mbi të cilat duhet të punojë.

Avantazhet e Shqipërisë për t‘u integruar në BE, si për shembull identifikimi dhe zgjedhja etike perëndimore, toleranca fetare, dëshira për demokraci, janë mposhtur nga sistemi i keq qeverisës i pushtetarëve autokratë. Shqiptarët janë indoevropianë si të gjithë evropianët e tjerë, janë individualistë dhe pluralistë në fe. Prandaj, shqiptarët janë racionalë, e nderojnë kultin e personalitetit dhe do të dinë ta ndërtojnë demokracinë liberale. Megjithatë, faji qëndron mbi imponimin politik për të mos lejuar strukturimin demokratik të shoqërisë, duke bërë që vlerat e shoqërisë shqiptare të hasin pengesë për t‘u integruar në BE, madje duke u shndërruar në antivlerë, pasi autoritarizmi nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë liberale. Fatkeqësisht, nuk po ndodh që shoqëria civile ta ridimensionojë dhe edukojë politikën shtetërore, por, përkundrazi, politika partiako-shtetërore, me gjithë trashëgiminë njerëzore, nepotike, ideologjike, dhe kulturore të saj, pa ndërmarrë kurrfarë aksioni rikompozimi dhe rigjallërimi të përgjithshëm të vetes, ka shpalosur alternativën se ajo mund ta ridimensionojë shoqërinë. Ky lloj mentaliteti, në aspektin politik është totalitar.

Kriza e identitetit qeverisës dhe mosaplikimi i demokracisë liberale, ka rezultuar në një vazhdueshmëri të sistemit autoritar të periudhës së regjimit komunist. Kjo krizë identiteti tek qeverisësit por edhe tek të qeverisurit është e lidhur ngushtë me karakterin kulturor të pushtetarëve dhe shoqërisë në tërësi. Për sa i përket anarkisë shqiptare shtatëmbëdhjetëvjeçare, gishti i fajtorit drejtohet për nga politika, megjithatë si sunduesi ashtu edhe të sunduarit kanë si handikap të përbashkët karakterin kulturor, i cili kontribuon shumë në krizën e identitetit qeverisës. Sipas Aristotelit, "Edukimi i të qenit i sunduar është edukim i të qenit i lirë, ndërsa edukimi i sunduesve është edukimi i të qenit thjesht një njeri i mirë". Karakteri kulturor i një kombi ka një ndikim në lirinë dhe mirëqeverisjen e tij. Nuk është mirëqenia ajo që sjell kulturë, por është kultura e një kombi ajo që sjell mirëqenie dhe liri.

Thuhet se çdo popull ka qeverinë që meriton. Kjo çështje është tejet komplekse, megjithatë është e lidhur ngushtë me identitetin qeverisës dhe karakterin kulturor. Për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit në nivelet më të larta qeveritare, mungesës së vlerës dhe krizës së sistemit qeverisës, populli ka prirjen për ta konsideruar regjimin qeverisës si "ne" dhe "ata". Ndarja e politikës me shoqërinë ka shkaktuar plagë të rënda, për shkak se i ka dhënë mundësinë politikës të përdorë stile autoritare, duke iu larguar kështu integrimit në demokracitë liberale të vendeve perëndimore, por edhe duke shkaktuar zhgënjim, mosbesim, humbje të interesit në votime dhe mbi të gjitha, shuarje të shpresës.

Demokracia kërkon një grup të caktuar vlerash dhe orientimesh nga qytetarët: moderim, tolerancë, civilitet, efikasitet, dituri dhe pjesëmarrje. Demokracia vlen si shtëpi e përbashkët, ku institucionet e zgjedhura i shërbejnë individit-qytetar dhe individi me tërësinë e interesave dhe atributet e tij duhet t‘i shërbejë shoqërisë mbi bazën e detyrimit ligjor. Disa politologë argumentojnë se bojkoti qytetar ka ardhur si pasojë e sistemit diktatorial të mëparshëm, mosekzistencës së elitave dhe klasës së mesme, dhe se duhet të kalojnë tri breza antropologjik derisa të spastrohet ndjenja e frikës apo mentaliteti i vjetër. Por, asgjë nuk është e pamundur. Nëse ndodh një revolucion mendimi, shoqëria mund të transformohet dhe bashkohet me politikën, duke sjellë kështu një demokraci liberale dhe integrim në strukturat e vendeve perëndimore. Ky revolucion mendimi duhet të nisë me edukimin, i cili do themelonte një shoqëri aktive të aftë për të ndryshuar karakterin kulturor dhe për të ngritur nivelin e kulturës politike, kaq të domosdoshme si për qeverisësit ashtu edhe për të qeverisurit.

Në të shumtën e shoqërive, pjesëmarrja politike është e lidhur me nivelin e edukimit. Sa më i lartë të jetë niveli i edukimit të një individi, aq më e lartë do të jetë mundësia e aktivizimit të tij në politikë. Fatkeqësisht, periudha e diktaturës na la si trashëgimi jo vetëm mungesën e kulturës politike, por edhe një grup drejtuesish politikë të kultivuar po prej asaj diktature. Të privilegjuarit e djeshëm janë bërë sunduesit e sotëm. Të edukuarit në Lindje mbajnë në duar çelësat e integrimit në Perëndim. Ata ndalojnë formimin e elitave, duke penguar zgjidhjen e çështjes së pronës, duke bërë eksperimente të pasuksesshme në arsim, duke bërë deklarata populiste si "brain gain", ndërkohë që po punon për të kundërtën "brain drain".

Shqiptarët do të dalin nga kjo gjendje kome dhe do të integrohen në Perëndim vetëm kur të themelojnë karakterin e tyre kulturor-perëndimor, duke u edukuar me frymën moderne, duke u përfshirë në politikëbërje, duke mos bojkotuar zgjedhjet apo pjesëmarrjen në çështje të rëndësishme kombëtare, sepse gjëja më e keqe që mund të bëjë një individ është të mos bëjë asgjë. Ngritja e nivelit kulturor të shoqërisë do të bëjë që zëri i saj të dëgjohet më shumë, vota të respektohet më shumë dhe përzgjedhja e lidershipit të legjitimohet dhe besohet më shumë. Një shoqëri e edukuar dhe e kulturuar do të sjellë një qeverisje demokratike liberale, e cila do të mund ta integrojë shumë shpejt Shqipërinë në BE.

Gjithashtu, klasa politike duhet të edukohet si të qeverisë. Ajo duhet të themelojë identitetin qeverisës dhe jo të përdorë stile pragmatizmi apo inkrementalizmi vetëm për efekt vote. Ajo duhet të zgjedhë midis vlerës dhe personalizimit të institucioneve, virtytit dhe korrupsionit, të djeshmes dhe të ardhmes, Lindjes dhe Perëndimit, ndërtimit dhe shkatërrimit, modernes dhe të prapambeturës. Secili politikan duhet të rrisë nivelin kulturor, të mos dhunojë fjalën e lirë, të respektojë dëshirën dhe interesat e kombit, të përshtatet me vlerat perëndimore dhe demokratike, ose përndryshe të largohet.

Shekulli i njëzetenjë e ka gjetur Shqipërinë akoma larg familjes evropiane. Mashtrimet dhe gënjeshtrat e pushtetarëve, si dhe shembulli i tyre i keq etik dhe profesional, ngrenë edhe më shumë barriera kundrejt ëndrrës shqiptare. Pa u themeluar identiteti qeverisës dhe karakteri kulturor, si edhe pa u revolucionalizuar në mendim si qeverisësit ashtu edhe të qeverisurit, ëndrra e madhe e shqiptarëve do të vazhdojë të mbetet e tillë pa u shndërruar në realitet.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora