E shtune, 27.07.2024, 03:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Salihu: Njohja e botës

E diele, 31.12.2017, 12:17 PM


NJOHJA E BOTËS NËPËR DIOPTRINË E PERSONAZHIT TIM

Nga Remzi Salihu

Ai doli nga dhoma e mbushur me tymnajë bisedash. Doli nga ajo përmbytje e madhe konfrontimesh e zënkash të ulëta njerëzore, që s’u dihej as fillimi e as mbarimi i shtegut të ngjarjes. U krijua aty një tollovi e konfuzion i pa parë i shtirjes. Personazhi im nuk mund ta duronte këtë tmerr përplasjesh shterpe, ku vringëllojnë fjalë e kalkulime intrigash pas shpine. Secili kundër secilit dhe bënin kështu zhurmë përçart, mediatike, duke anashkaluar hierarkinë njerëzore dhe kulturën normale të qytetarisë. Ata me këtë veprim mendonin se bënin politik dhe kulturë kombëtare, madhore, por ata ishin tubuar aty për interesa personale. I nxjerrin sytë njëri-tjetrit dhe shpalonin të palarat e vendit dhe kohës, duke u grindur, tmerrësisht, para vetes dhe botës, me të gjitha pisllëqet e mjetet mundshme që mund t’i ketë qenia njerëzore. Ata për interesa të veta kërkojnë konflikt dhe kurrgjë tjetër. Por ja që qytetarët duhet ta durojnë edhe këtë frustrim të tyre, të keq, të paparë ndonjëherë në këtë anë.

Kthina ku qëndronte grupi ishte vendi më përfolur i kërkesave dhe shfryrjeve të shumta politike. Kështu, ky tubim shoqëror ishte bërë oazë e thashethemeve në qytet dhe vepronte në këtë mënyrë të vrazhdë, për të mbajtur peng kohën dhe interesin kulturor të përgjithshëm. Zgjerimi i fushatës së kundërshtive të tyre zmadhohej, nga dita në ditë tej mase, shpërndante imazhin e keq të tyre deri në pa kufi. Të gjithë artdashësit i kishin kthyer sytë kah kjo ndërtesë e madhe, ku bëhej kultura dhe shkenca e avancuar e kohës. Edhe kalimtarët e rastit nuk e lënë kokën dhe sytë pa i ngulur matanë dritareve të kësaj godine të madhe të quajtur kulturë bashkëkohore, që për nga forma e arkitekturës së projektuar duket shumë tërheqëse, atraktive, gjoja se brenda saj fshihet dhe bëhet art i madh, kolektiv dhe sensacional për qytetarët, por në të vërtetë, aty ka vetëm lakuriqësim interesash të ulëta njerëzore që tanimë i ka tejkaluar koha. Por të jesh prezent aty e të merresh me çikërrima interesash të ulëta, e humb kuptimin e qëllimit të shëndosh dhe harron zgjidhjen rrënjësore të jetës. Humb lirinë e të qenurit vetja, pastaj më vonë, me kalimin e kohës, nga kjo turbullirë e pranuar e izolimit, e sheh se e ke vështirë të gjesh lirinë dhe çastet e lumturisë absolute. Kështu nga kjo rrethanë e sajuar, brenda vetes krijon një zbrazësi të madhe dhe ekzistenca, si e tillë që është, me oligark të mëdhenj e të vegjël, anë e mbanë dukjes së përfitimit të shpejtë në vend, që shikojnë vetëm interesin e vet, merr formën e një zhgënjimi të dhimbshëm, pastaj më në fund të këtij zhgënjimi, zhytesh thellë e më thellë në një pellg vuajtjesh e trishtimesh të pa fund dhe thua në vete pse kjo gjendje të jetë kështu. Megjithatë dëshira për të jetuar në mesin shoqëror është e madhe. Të gjitha përjetimet të vijnë si hije prapa. Ato janë fotografi dëshmuese e ekzistencës, përjetimit, sakrificës dhe të kapërcimit të rrugës së përvojës jetësore, e cila rrugë nga distanca kohore t’i rikujton do çaste të bukura apo të shëmtuara jetese. Prandaj kujtesa e këtyre gjerave vuloset në memorie dhe nuk të lehtëson shpejtë, por të ngarkon me përfytyrime të shumta dhe pas kësaj të lë të vuash edhe më shumë nëpër dimensione referimi të pa kuptueshëm të botës së kaosit. Suksesi i përjetimeve ka vlerën e vet qysh atëherë kur je i ri, sepse pas saj çdo gjë të duket, si e tejkaluar, e vjetërsuar dhe e ngarkuar me qëllime zhgënjyese, për të gjitha ato gjëra që si ke përjetuar si duhet gjatë shtegtimit jetësor në këtë piramidë vitesh të ikura.

Lagja, ku gjendet godina e artistëve quhet ‘’Paradiesweg’’, që në shqip do të thotë: Rruga e Parajsës. Shtegu i saj është i lëvizshëm. Ka ngarkesë të madhe udhëtarësh. Është rrugë e përshtatshme që shkurton kohën e qarkullimit të njerëzve midis periferisë dhe qendrës së qytetit. Aty gjendet edhe një dhiare e ngushtë, që afron edhe më shumë harkoren e kësaj lëvizjeje të shkurtuar njerëzore. Pra, kjo rrugicë e vogël të çon shumë shpejt drejt te qendra e sheshit, ku lidhet kryq e tërthorë ‘’Vendi i këmbësoreve, apo rruga e kinemave’’. Në kufi të kësaj rruge të ngushtë, ngrihet një mur i lartë i kopshtit zoologjik. Nuk është si muri kinez, por një mur ndarës rrethimi, i parkut, për mbrojtjen e të gjitha llojeve të kafshëve, të egra e të buta, që janë prezentë në këtë park madhështor. Rrethimi i kopshtit luan edhe rolin tjetër të ndarjes, midis kafshëve dhe njerëzve. Nga ana e jashtme muri është tetuazhuar me gjithfarë lloj grafikesh nga të rinjtë e qytetit. Aty ka edhe sharje dhe vizatime të ndryshme pornografike. Njëherë në vit, nëpër këtë mur të gjatë rrethues, piktorët amatorë vijnë dhe i promovojnë veprat e tyre artistike. Dhe në këto raste promovimi, të bie të shohësh ngandonjëherë ndonjë individ të imponuar, si interpretues arti, apo edhe ndonjë shkarravitës tjetër i shkrimeve letrare, i cili ka dëshirë për ta komentuar ndonjërën nga veprat dhe pikturuarat e renditura nëpër mure. Ata improvizues po t’i vëresh me vëmendje të koncentruar se çka flasin dhe çka komentojnë për ato vizatime të prezantuara me vaj ngjyrash përmbi ganavicë, sheh se janë komentues dhe përfolës të papërgjegjshëm të rastit, që futin hundët kah mos dhe pa kriter arti. Ata ndoshta edhe një pikturë të vetme nuk e kanë në shtëpitë e tyre, por ja që bëjnë analiza të këtilla, për t’i deshifruar teknikat dhe ngjyrat e përdorua në pëlhurë nga piktorët. Qëllimin e kanë se gjoja marrin vesh edhe nga kjo lëmi arti, sa që kur i dëgjojnë këto qasje neveritëse, promovimi, jo profesional, piktorëve pjesëmarrës u vijnë të vjellat. Pastaj këto bythë çjerr, të veshur me Bermude kineze të lira në trup, kërkojnë të avancohen sa më shumë në shoqëri e sisteme kulture, sidomos këtë dëshirë e bëjnë duke lypur lëmoshë të përditshme dhe privilegje të pa merituara edhe në Pension. Dhe pikërisht në këtë lagje atraktive ishin vendosën edhe artistët tjerë të fjalës së shkruar. Ata donin me çdo kusht aty ta kurdisnin çerdhen e tyre të veprimit afatgjatë, për të mbërritur diku në lartësi afirmimi kohor, si grup i stimuluar me qëllim afirmativ, për të kapur sa më shpejtë kohën në një interes mediatik efikas, bile edhe shumë të kërkuar kaherë nga turma e pa informuar e qytetit. Këtë ndërmarrje e kishin stimuluar me qëllim që ta ndalin orën dhe shijen e tyre të preferuar në këtë standard të imponimit të rastësishëm kohor, prandaj ata u sistemuan shpejtë e shpejtë në këtë godinë afirmimi. Dhe kjo bëhej mu në momentin kur gjithë bota kërkonte ndryshime dhe vendime të reja, të rendit të ri botëror. Unë kurrsesi nuk mundja ta përfytyroja dhe honepsja një gjë të tillë të ngutshme dhe lakmuese për veten. Të mbetem në atë moçal të thashethemeve neveritëse të turmës. Të kërkoj afirmim të pa merituar. Por më kapi rastësia e momentit të jem në këtë ndërtesë i pranishëm, si përgjegjës i objektit. Edhe ata, gjoja artdashës të zhdërvjelltë, me çdo kusht vendosën të jenë aty prezent, me kulturën e tyre të tejkaluar nga koha. Pikërisht në këtë ngrehinë e kurdisën këmbëkryq qëllimin edhe veten e tyre, ku do t’i bënin bisedat dhe përgatitjet e veta për të dalë para opinionit me veprat e shkruara.

Në fillim ajo kthinë ishte e qetë, kurse më vonë, me ardhjen e këtyre kreatorëve të këtij shllimi poetik patetik, u bë objekti i kallaballëkut të zëshëm dhe i refrenit të përfaljeve të shumta, në të cilin tubohen individ me muskuj të brishtë mendor, gjoja për të bërë në Pension një shkencë e kulturë madhore. Zëri i tyre ishte ngritur aq lartë, sa që edhe lagja për rreth, nga zhurma e tyre shumëzuar dhe shpërndarë pa kuptim, vringëllonte shpesh në jehonë lemeritëse, të them më bindshëm, aty nuk ishte aspak qetë dhe lehtë për t’i sistemuar e koduar gjërat lirshëm në mendje. Shumë zëra të pa akorduar frekuentonin gjithandej asaj hapësire të kufizuar e të vogël veprimi e kamuflimi. Në këtë mënyrë të llojllojshmërisë shoqërore edhe mua më torturohej shpirti dhe kjo ngushtësi vlere hapësinore, e improvizuar keq për të gjithë, ma merrte frymën vazhdimisht, mu për shkak këtyre imponime të padëshirueshme shoqërore artistike. Kjo frymë, nga çasti në çast, më vinte kështu vërdallë në kokë, ngase ata nuk u përmbaheshin rregullave dhe normave qytetëruese të mirësjelljes dhe rendit të shtëpisë, kryesisht që të mos i shqetësonin të tjerët, që ishin të pranishëm dhe banues të këtij objekti të përbashkët, mu për rreth kësaj lagje frekuentuese. Ata veprimet i bënin siç ua thoshte dëshira dhe rradakja e tyre e sofistikuar në karrierë të rrejshme. Politika e vendit ishte tërësisht në aut, nuk ka sens kuptimi, dije dhe nivel plasimi alternativ dobiprurës, për ta kuptuar se çka është duke u bërë me artin dhe me çfarë mjetesh vlerësohet standardi kulturor, pastaj të dihej më në fund, se çka është kiç dhe artë i mirëfilltë. Politika mjetet e parapara i harxhonte kuturu, gjoja se përkrah kulturën, që bënte ‘’Etikë politike bashkëkohore’’, e cila adaptohej nëpër labirinte të fshehta jetësore të kënaqësisë private. Vlerësuesit e kësaj strukture janë analfabet me shkollë, nuk e di a kanë lexuar në jetën e tyre ndonjë libër të mirë që do tua ndërronte sadopak mendjen e këtillë të ‘’kopi paseve’’, e lere më t’u jepej hapësirë, të vlerësojnë si duhet krijimtarinë e bujshme që zhvillohej në këtë vend me histori të lashtë. Disa kishin botuar edhe libra me peshë të madhe fletësh dhe me tema e trajtime të rënda shoqërore. Botimeve ‘’të thella’’ dhe këtyre krijuesve të mëdhenj u mungonin vetëm mediat e njohura të vendit dhe botës, siç janë: Alsat TV, RTK, TOP ÇANEl, KLAN,  BBC, SNN TV, Rai Uno TV, Al Jezeera RTL, Zëri Amerikës, e ndonjë tjetër gazetë prestigjioze, të kurdisen para shtëpive të tyre, sa për të marrë intervista të ngutshme nga këta kreator të kësaj qendre shkrimtarësh të pa njohur, gjoja, autorë e zbulues dijesh të pa para deri më tani të kësaj ane dhe kohe. Ata mendonin kështu ta kthenin dhe afirmojnë këtë ndërtesë arti bashkëkohorë dhe ta shndërrojnë, si në një godinë të njohur e të madhe teatrale, të pa parë deri më tani në këtë rruzull tokësor, po ashtu me të njëjtin format dëshire si te ai objekti e ekzistues dhe i hershëm në Basel, i quajtur ‘’Teufelhoff’’,(Obori i dreqit, Shtëpi kulture, që ka teatër, atelie dhe restorant, bujtinë me nivel të lartë arti, që nga shekulli 18).

Por personazhi im që gjendej në katin dytë të Pensionit, në rrugën ‘’Paradiesweg’’, tanimë nuk mund t’i duronte këto formalitete improvizuese dhe këta thashethemexhi, haxhuzllar të vardisur pas artit të tejkaluar, dhe emetues të këqij të kohës, për karrierë të rrejshme, shtirsha të kalibrit më të lartë mediatik, që, kryesisht nga lakmia e oreksit të pa përmbajtur i vardisjes,  i jepnin më shumë rëndësi formës dhe jo përmbajtjes, dhe pa u shkëputur vazhdimisht nga ai interesi personal i dukjes, merreshin me shpifje për të pa qenët e kohës, te bërlloku i mëhallës së tallavasë festive, ku mbijetonin dhe vepronin trupërisht, si qenie aksidentalisht të lindur zhurmshëm dhe jo efikas sipas standardit të kërkuar nga koha. Merreshin me fjalë jo bindëse, aspak serioze, e që vardisshin si skraja servile për afirmim të ngutshëm dhe pas një arti të tejkaluar nga koha. Kjo e keqe tunduese shihej aty haptazi, ishte bërë trend i kohës së imazhit të rrejshëm, duke bërë selfie e belfie, gjatë tërë kohës së prezantimit të vetes dhe veprave të tyre nëpër shumë ushqime të ziera tendencash bajate kulturore, madje ato që ishin të këtij niveli shijesh e sajdisjesh, njëri pas tjetrit, të gjithë kishin hyrë në një kazan të këtillë funksionimi të përbashkët veprimi. Dikush këto asociacione i ka quajtur edhe bordele afirmative private, e oligarke, të kurdisur përballë kopshtit zoologjik. U jepnin rëndësi të madhe thashethemeve dhe brenda kësaj orbite të organizuar funksionimi, i stimulonin gjërat dhe teknikat që ishin të nevojshme për afirmim të shpejtë. Ndaj e kishin shumë vështirë të dilnin nga ajo thellësi e zierjes së lakmisë së hidhur, e cila ishte fundosur rëndë në mendjet e tyre deri në përmasë marramendëse keqësimi. Ziheshin njëri me tjetrin për vlera dhe jo vlera dhe më në fund nuk kishin as fuqi të dilnin pa u frustruar keq, nga ato diverzitete ndarëse dhe të lakmuara të karrierës së brishtë. Vlonin në atë shkul të pa sistemuar jete e kulture. Aty në atë ndërtesë, pa dyshim, se gatuhej rëndë një realitet i këtillë i kohës hidhur dhe nuk kishte më kreativitet të mirëfilltë arti, përveç emetimit dhe kakofonisë së përzier estetike, që sajohej brenda grupit klanor, gjoja se bëhej diçka e mrekullueshme në atë brumë arti dhe në fushë të meditimit letrar. Zezonë e vërtetë e kishte kapluar rezymenë e qasjes së tyre të prezantimit. Por bashkë me ato vinte edhe një  përmbytjeje kreativiteti dhe zhurmimi i pa koordinuar nga kopshti zoologjik. Sepse aty ndiheshin vetëm jehona xharxhalenash që përhapnin zukatje dhe gulçima e ulërima ujqërish të rënda ritmike e patetike nëpër terrin e natës, dhe kjo bëhej drejt nga Pensioni, në mënyrë më të pakontrolluar e monotone. Pastaj këto rënkime përziheshin më vonë edhe me klithmat e të gjitha kafshëve tjera që gjendeshin matanë murit të kopshtit zoologjik. Nuk donin rend dhe përgjegjësi për ndriçimin e gjërave të vërteta. Ngandonjëherë ajo hallakatë e madhe zërash, të përzier, mes tingujsh të shumtë, trazonte edhe banorët tjerë të lagjes, sidomos me atë zërin e ngritur të altoparlantëve të vendosur pa kriter mu në mes të kthinës së ngushtë të ndërtesës. Me fjalë të tjera, objekti nuk kishte qetësi. Kishte vetëm zhurmë dhe refrene monotone, të stërzgjatura me orë të tëra. Ato zëra të padurueshme në këtë çast ishin qëndrime mburrjesh dhe gëzime të pa përkryera shoqërore në qytet.

Dhe jo rastësisht, në këtë vend frynin këto erëra të egra vringëlluese, e të ngarkuar rëndë me vogëlsira të shumta shoqërore. Sepse politika e kohës e donte një gjë të tillë sistemi. Donte shpëlarjen e trurit me një nivel të këtillë uji të turbullt e monoton të rrjedhës së saj organizative kulturore. Personazhi im iku nga aty, nga kjo mjegullnajë kulture, pa lënë një fjalë të keqe. Nuk donte që përplasja e tij, në ato rrethana bisedash e debutimesh të lodhshme, ku nuk ka rend dhe hierarki vlerash të mirëfillta, të merrte edhe ai ndeshje hisesh e hipotekash të përçmueshme njerëzore, me nivel të skaduar e të ulët interesi, ku pastaj edhe korridori nuk do të ishte i qetë, e ku më njerëzit e urtë, banues të kësaj ndërtese, që tmerrësisht terrorizoheshin për çdo ditë me agoninë e sajuar të diskutimeve teatrale të dobëta e komike, por të pa harmonizuara në humor të mirëfilltë, dhe sidomos nga ajo zgjatja e jehonës trishtuese e isos patetike, me alarm shigjetues afirmativ të keq, drejt banuesve tjerë, që ishin të vendosur anembanë dhomave të ndërtesës, por që merrnin pjesë në këto kohëra kthesash e tronditjesh të mëdha kulturore. Ndaj edhe personazhit tim, që nuk pajtohej me këto rrethana e qëndrime, i viheshin ndërkëmbëza të përgatitura, mobinge të pa parapara deri më tan, mu për shkak të një far higjiene të re kulturore gjoja demokratike. Por pas gjithë kësaj katrahure atij më mirë i binte të largohej vet, se sa të pranonte edhe ai hise të keqe tenderi psikik të manipulimit, në këtë ngjeshje gumëzhimi e zhurmim makthi të madh në Pension, që hapësirën tanimë e kishte fasaduar keq, duke përhapur shund të madh në trupin e vet.

Objekti mbante të salduar këtë zezonë të rëndë interesi të keq grupor, që pastaj, me kalimin e kohës, do t’i sillte tërësisht edhe dëm më të madh kulturës dhe qytetit të lashtë. Personazhi im e kuptoi mirë këtë gjendje të rrethit, se përfaqësuesit e këtij sekti sekserësh sekret të skenarëve të sofistikuara në strukturë stagnimi stereotip, nuk kanë bërë kurrë një gjë të mirë në jetë, por duan me çdo kusht të bëjnë llogari të fshehta të përfitimit të ngushtë dhe ta grabitin pozicionin kulturor të pa merituar në shoqëri. Të bëhen bartës elitar të formalizmit dhe sidomos të manipulojnë me mjetet shoqërore që kanë në duar, si rast i dhënë për t’u shfrytëzuar, ndaj kanë filluar ta përgjojnë ashpër nëpër intervista njëri–tjetrin dhe personazhin e pafajshëm, që gjendej aty i vendosur në Pension, me urtësinë e tij të kujdesshme, të cilin papandehur politika denigruese e qaste dhe e hidhte herë në atë kufi dhe herë në këtë kufi kufizimi e izolimi politik. Por ai nuk u frikohet përfoljeve dhe as provokime metaforike të tyre të brishta, që vijnë pas shpine, si ironi denigruese e kohës së shëmtuar me aliteracion konflikti të vazhdueshëm në skenë. Ai do që të dalë faqebardhë në këtë shtegtim jete dhe pa frikë të marrë rrugën e vërtetë të dijes. Ai ishte njeri i vendosur dhe spiritual i devotshëm, i mbërthyer në asketizëm, që donte të vërtetën njerëzore ta shoh në mënyrë reale. Por, padyshim në këtë rrugëtim të tij, të gjatë kreativiteti, edhe pse ka dhe merren vendime të rënda grupore ndaj tij, që ai të mbetet përjetësisht i izoluar, jashtë këtij rrethi kulturor, por prapëseprapë bënte përpjekje të vazhdueshme brenda vetes për të qenë sa më larg kësaj hapësire të ndotur të grilave të kufizuara estetike, që i jepte përmasë të hidhur qytetit dhe pa dyshim zhvillim të pistë ambientit jetësor, të ngarkuar me refrene e tallave zërash kulturore. Shkurtë sjellja e tij korrekte, i bënte njerëzit e vërtetë të kujdesshëm, që t’i kushtojnë vëmendje dhe rëndësi të posaçme, kurse të pa sinqertët ta urrenin deri në vdekje. Ai gjatë kohë kishte mbajtur në Pension këtë qëndrimin e vet serioz, në atë formë të dukshme sugjegjestive, pa lakmuar, me parimet e tij të sofistikuara të dijes dhe besimit të drejtë që kishte për vlerat e mirëfillta, por nga shqetësimi i largimit të papritur, kur u afrua drejt meje, për të më thënë lamtumiren e fundit, unë në atë moment nuk isha me shikim të përqendruar nga ai, por sodisja vëmendshëm në një pikë të tryezës që gjendej pranë meje, me kujtesën e ngarkuar tej mase, për shkrimet që duhej korrigjuar për shtyp.

Heshtjen time në moment e theu zëri dhe pyetja e tij e papritur.

‘’Ej Vigan, para se të iki nga ky ambient, kam nevojë të më jepni edhe një vlerësim korrekt për këtë dorëshkrimin tim të fundit?’’

‘’Për kreativitetin tënd?’’

‘Duhet kohë për të dhënë një gjykim pak sa të shëndosh, i them unë’’

‘’Tani jam i ngarkuar me diçka tjetër, i nderuar, dhe mos më futë në këto telashe të ngutshme vlerësimi tani, pasi nuk mund të jap përnjëherë një vlerësim të drejtë dhe të përpiktë. Interpretimi dhe gjykimi i gjërave serioze kërkojnë vëmendje të posaçme ’’, i them unë.

Personazhi im ma hodhi dorëshkrimin në tryezë, aty ku unë kisha humbur vështrimin tim të koncentruar e kondicionuar, për punën time, në një projekt, që duhej bërë për nesër. Pastaj ai u largua pa ma humbur mua koncentrimin e synuar. Fshihej diçka e mistershme dhe e ngutshme në të, që me kaq shpejtësi u largua. Nuk e kuptova ikjen e tij të shpejtë. Hapësirën për rreth meje ma mbuloi heshtja. Personazhi u largua. Të tjerët as që e hetuan largimin e personazhit tim. Aty mbeti vetëm dorëshkrimi dhe hija e tij. Unë futa në çantën time tekstin e lënë në tryezë, për ta shikuar e korrigjuar në shtëpi, pastaj ra telefoni. Numri nuk ishte i njohur. Unë hapa telefonin dhe i them:

‘’Urdhëroni ju lutem, kush jeni?’’

‘’Vigi ti je’’ më përgjigjet një zë i njohur.

‘’Më duket se keni pasur një numër tjetër të telefonit, Z. Kain  Kleçka ’’, pasi e kuptova nga zëri se kush është në celular.

‘’Po, por tani e kam ndërruar dhe prej tash e tutje mund të  më kërkoni me këtë numër’’, më tha ai,

‘Ç’ka të re, përveç numrit të ri që e ke ndërruar?’’

‘’Nga ana ime çdo gjë është duke shkuar me të zakonshmen mirësi, por desha të të lajmëroj për konfirmimin tënd që bëra para një muaji, të marrjes pjesë në takimet poetike të ‘’Arabelës’’, dhe sipas asaj që mora veshtë nga ata, ti kësaj radhe nuk je i preferuar atje, se për ndryshe do të shkonim bashkë. Sa kuptova unë prej bisedave të tyre, nuk të duan në takimin e sivjetëm letrar, ashtu më thanë dhe kështu po të them unë ty, ndaj mos u shqetëso për një gjë të tillë, se nuk është kushedi çfarë manifestimi’’, më thotë ai mua. ‘’Kur ata nuk më duan mua kështu siç jam, ti mendon se unë i dua shumë ata, ashtu siç janë, kjo është një fjalë goje i nderuar, por letërsia dhe kultura nuk ka të bëjë me këto qëndrime të njëanshme, ajo me sa di unë ka rregulla dhe kritere tjera bindjesh e qasjesh, e di se unë jam një kalorës i keq i këtij kozmosi trazuar, por mendoj se gjuajtjet e mia janë pa një tendencë të keqe afirmative, për fenomenet që na rrethojnë dhe nuk e ndërroj dhe anashkaloj mendim lehtë për të vërtetën që shoh para syve’’, i them unë.

Kjo bindje e tij dhe e atyre m’u duk pak sa e çuditshme, unë nuk di që kam bërë diçka të pa pëlqyeshme dhe tendencioze, që të shqetësohem, por edhe nëse kam bërë ndonjë gjë të papëlqyeshme, duhet të ma thotë dikush nga ata hapur shkakun e këtij qëndrimi të njëanshëm, jo të drejtë, sa për t’u korrigjuar më në fund, se njerëz jemi edhe mund të gabojmë, pa qëllim. Pastaj duhet të jemi më transparent në komentimin dhe vlerësimin e gjërave që dalin para nesh. Lehtë mund të gabohet, për shumë gjëra mund edhe të mos pajtohemi. Secili i sheh gjërat ndryshe, madje çdo individ ka kriterin dhe këndin e vet të perceptimit dhe gjykimit të fenomeneve.

‘’Mire de, por shkaku i këtij qëndrimi negativ ku qëndron? Më vjen pak si çudi ky disponim i tyre i njëanshëm për mua?’’, i them unë.

Unë nuk di t’u kisha bërë ndonjë të keqe atyre, mendoja me vete. Me anëtarët e klubit të tyre kam pas marrëdhënie korrekte, bile nja tre nga ata, vet unë i kam afirmuar e ngritur gjithandej shkrimeve të mia nëpër gazeta e revista, por edhe gjatë bisedave e takimeve shoqërore. Njërit prej tyre ia kam botuar edhe veprën. Kurse tjetrin e kam prezantuar në një festival ndërkombëtar. Por sa e di unë edhe ata e kanë vlerësuar punën time për të mirë, tani nuk e di se ku qëndron shkaku i kësaj bindjeje jo korrekte. Mund të ndodhë edhe kjo që njerëzit sipas kohës edhe ndryshojnë qëndrimin. Ndoshta kjo bindje është vendim sipërfaqësor i tyre, apo mund të jetë ndonjë shpifje e sofistikuar me prapavijë interesi.

‘’Ok, Ju mund të shkoni edhe pa mua i nderuar, se nuk bëhet kiameti, me mos praninë time atje, por këtë punë do ta verifikoj vet’’ i them unë në telefon, Kain Kleçkës.

Pasi përfunduam bisedën, për ta vërtetuar të vërtetën, unë mora në telefon njërin prej organizatorëve dhe në bisedë e sipër kuptova pjesërisht se ku qëndronte puna. Më kërkuan falje për keqkuptim dhe u arsyetuan për lëshimin e bërë. Më në fund më thanë se unë e kam gjithnjë derën e hapur në këtë grup. Pastaj në bisedë e sipër kuptova se edhe manifestimi fillonte të nesërmen dhe ftesat tanimë janë shpërndarë përmes Facebook-ut, kështu në këtë formë elektronike u janë dërguar të gjithëve atyre individëve që do të marrin pjesë në këtë takim letrar. Këtë informim të tyre ia tregova edhe Z. Kleçka, pastaj ai nga ky vendim i sjellë pozitiv, në telefon, më tha se mund të shkojmë bashkë. Sipas marrëveshjes që bëmë në telefon, ai, do të vij nga kryeqendra me ndonjë minibus deri në qytetin tim të lashtë, pastaj prej aty do të nisemi me makinën time.

Të nesërmen Z. Kleçka mbërrini aty kah mesdita, ashtu siç u morëm veshtë përmes telefonit, një ditë më parë. Takimet poetike fillonin në mbrëmje. Vonesa e shkuarjes nuk na sillte problem. Para nesh kemi edhe pesë orë të tëra. Dëshira për të shkuar më herët nuk u realizua, pasi Z. Kleçka kishte pasur tërë paraditen korrigjimin e një materiali të një autori, mikut të tij, që veprën ia kishte miratuar për botim Ministria e Kulturës. Ai m’u arsyetua për vonesën, por unë nuk u mora shumë me arsyetimin e tij, ngase ai ka pasur kohë tërë vitin, për ta korrigjuar tekstin, kështu ndodh me shumë botues që presin ditën e fundit, të dorëzimit të projektit. Edhe Kain Kleçka nuk është dashur të pres deri në ditët e fundit të konkursit korrigjimin e tekstit, por kjo është puna e tij, pse i ka ndodhur kështu.

Ne akoma kishim kohë deri në fillimin e manifestimit. U nisëm dhe për nja një orë mbërritën në vendin ku do të mbahej festivali. Kolonia e artistëve, ku ne do t’i bënim takimet, është nja pesë deri gjashtë kilometra larg qytetit të Oskanës. Është vërtetë një vend i mrekullueshëm në periferi të qytetit. Me lartësi mbidetare deri 1400 metra. Ia vlen të vizitohet, se është një vend mrekullueshëm për qetësim e rehabilitim. Oazë e vërtetë çlodhjeje. Aty na priti kryetari i klubit, i cili ishte edhe organizatori i këtij evenimenti. Poetët zunë të mbërrinin disa prej tyre i njihja edhe nga takimet tjera. Ne shkuam te recepsionisti, për t’u vendosur dhe për t’i lënë në dhomë teshat. Zonja që punonte aty, na i mori librezat e identifikimit. Numri i dhomës ishte 219. Kishte dy krevate përballë njëri-tjetrit. Pasi i rregulluam teshat në ormanin e dhomës së hotelit, Z. Kleçka zbriti poshtë për të pirë një birë. Unë bëra një tush, të largojë lodhjen dhe djersën e udhëtimit nga vozitja,  por banja nuk kishte dritë. As uji që derdhej nëpër kanalizim nuk shkonte si duhet në vendin e duhur, kështu u bë lagështi nëpër të gjithë pllakat e banjës. Mendova se pas një kohe ndoshta uji do të shkoj në rrjedhën e vet drejt kanalizimit dhe hapësira me pllakat e shtruara qeramike do të thahej. Përballë shtretërve kishte një televizor dhe një radiator për nxehje. Muret ishin të plotësuar me piktura dhe grafika abstrakte.

Para se të hyj në banjë lëshova radiatorin për t’u ngrohur dhoma e strehimit tonë, e cila gjendej e vendosur në veri të hotelit, e që ishte pak e ftohë. Pasi e kreva tushin, i ndërrova teshat dhe u nisa drejtë restorantit, që gjendej në hapësirën përdhese të hotelit. Nëpër korridoret e mureve kishte gjithfarë lloj kornizash me piktura të shumta, që ia kishin dhuruar piktorët pjesëmarrës hotelit. Pikturat shëmbëllenin shumësi artesh e stilesh të preferuara. Pos vizatimeve realiste nëpër mure ishin të renditura edhe shumë vepra abstrakte, eksperimentale, që kishin domethënien e tyre me shumëllojshmërinë e derdhur të ngjyrave. Të gjitha muret ishin të mbuluara me këto piktura. Unë kalimthi u rashë një vështrim veprave të krijuara artistike, që gjendeshin të varura nëpër korridore, por pa një konceptim të vëmendshëm, për të bërë vlerësimin dhe veçantinë e stileve të tyre artistike. Më në fund të kësaj përqasjeje vëzhguese, arrita te restoranti ku Z. Kleçka i kishte rrëkëllyer para vetes nja dy bira.

‘’Herët ia ke nis t’i zbrazësh shishet’’ i them unë.

‘’Jo, jo, kjo s’është kurrgjë e tmerrshme, këto janë ilaçet e mia për t’u kthjelluar, sa për fillim, do të thotë, janë aperitiv për koncentrimin tim të mëtejmë, se sot nga angazhimi që kisha gjithë asaj paradite në shtëpi, s’kam futur gjë prej gjëje në gojë’’, më thotë ai.

Në momentin e diskutimit tonë edhe poetët tjerë zunë të mbërrinin. Nikoqiri mysafirët e festivalit i orientoi kah recepsionistja. Unë porosita një ‘’Kapuçino’’ në tryezën ku Kain Kleçka i kishte rrëzuar në gërklënin e tij edhe shishen e tretë të birës.

‘’Hajt Çarli, hajt, (Mendoja te Charles Bukowski). Shumë herrët ia ke nisë me këto të dashurat tua!?’’

‘’Oh, oh, këto janë ilaçet e mia, unë nuk bie në shtrat pa i rrëzuar edhe disa të tjera!’’ më thotë përsëri ai.

Pasi darkuam, filloi ora e madhe letrare, e cila përcillej me sintiseizer nga një këngëtar i vendit, që zërin e kishte të njëjtë, si të Zhelko Bebekit, ish këngëtarit të grupit të njohur ‘’Bjello Dugme’’. Djaloshi modest dhe i këndshëm në performansat e tij prej artisti te talentuar, e zbukuroi edhe më tepër mbrëmjen poetike. Poezitë që u lexuan ishin me motive të ndryshme. Dominonin temat patriotike dhe erotike, Por kishte edhe prej atyre që lexonin edhe poezi sociale dhe satirike. Nuk kishte kufizime të qasjes. Secili mund të lexonte çka të dojë nga krijimtaria e vet e preferuar.

Kain Kleçka kishte zënë një vend në një tavolinë që gjendej në profil të skenës së manifestimit. Ai gjithnjë preferonte një vend të tillë qëndrimi dhe vëzhgimi. Në atë tryezë isha edhe unë. Përballë tij ishte koftori me peleta, që ngrohte hapësirën e restorantit. Në tryezën tonë ishte edhe poeti Seimir, i cili me vete kishte sjellë nga vendlindja disa litra raki të pastër rrushi, të përzgjedhur, sipas shijes së tij të preferuar. Bashkë me të kishte erdh edhe poeti Xheki, i cili gjithnjë gjatë leximit, me vargjet e tij lakonike dhe shumë të kursyera, ‘’tani për’’ të linte përshtypjen e një poeti interesant dhe të vëmendshëm. Ai me sytë e tij prej vëzhguesi kureshtar, kërkonte gjithandej hapësirës së restorantit, ‘’Yllin Polar’’, një poete që tregonte sjellje dhe urtësi të veçantë estetike ndaj tij, të cilën gjë e kam vërejtur nëpër disa takime tjera letrare. Por kësaj radhe ajo nuk merrte pjesë për shkaqe subjektive, ndaj mos prania e saj për poetin Xheki thuaj se salla ishte hapësirë e ngushtuar, dhe e varfër.

Përballë poetit Kain Kleçka, ishte një adhurues i flaktë i poezisë patriotike, i cili ishte kushërinj i tij. Mbante një shami kuq e zi të lidhur për balli dhe një aparat profesional të varur për qafe. Ai kishte ardhur enkas nga Luzerni, për këtë manifestim tradicional. Fotografonte çdo kënd të poetëve pjesëmarrës. Me vete kishte sjellë edhe një litër Uiski për të pranishmit e tryezës së tij. Kain Kleçka gjithnjë në kokë mbante një kasketë me stil të veçantë, për të mbuluar një pjesë të kokës së tij gullubuce, mu atë pjesë ku flokët i kishin rënë, kurse leshrat e stërzgjatura të mjekrës së tij, të pa drejtuar, si duhet, ishin përzier keq me flokët derdhura gjatë deri në shpatulla.

Ora letrare filloi, Moderatori që kishte një dozë humori në vete, filloi një nga një t’i thërras poetët e ftuar për recitim. Të gjitha vargjet përcilleshin me muzikë nga kantautori i talentuar i vendit. Gotat zbrazeshin nëpër tryezat e poetëve pjesëmarrës. Mua në moment më thirri dikush në telefon, meqë recitoheshin vargje nga poetët, dola jashtë në verandë për të kuptuar më qartë telefonatën, dhe se kush më kërkonte në këto çaste poetike. Në telefon ishte njëri nga banuesit e Pensionit, pasi tregova se jam i zënë dhe jam diku larg, ktheva në sallë për të përcjellë matej manifestimin. Rihana, poetja e ardhur nga Greqia, në kohën kur unë telefonoja, ishte afruar në tryezën tonë dhe bisedonte me poetin Kain Kleçkën. Me kalimin e kohës, radha i erdh të lexoj edhe Kain Kleçka. Pak si me kalamendje poeti iu afrua mikrofonit për të lexuar një poezi satirike, e cila në brumin e saj artistik kishte të ngjeshur një ironi të veçantë, ku përzihej politika me erotikën. Unë i kisha lexuar këto vargje që më parë, të botuara në një portal të kohës. Leximi i kësaj poezie nuk u dëgjua aq mirë nga të pranishmit, pasi Kain Kleçka nga teprimi i dozës alkoolike mezi u doli së lexuari, në fund, vargje të poezisë së recituar. Poetët tjerë u trokitën duarve, por nuk besoja qe e kishin kuptuar dhe kapur sa duhet mesazhin ironik e satirik të këtyre vargjeve. Pas leximit, poeti Kain Kleçka mezi u kthye në vendin e vet. Aty vazhdoi edhe matej të zbrazë gotat. Rihana vazhdonte bisedat. Vura re se ajo po e provokonte poetin Kain Kleçka me bisedat e saj të mbushura me humor dhe satirë. Mes atyre gjashtë burrave vetmja ajo ishte poetja që qe afruar në tryezën tonë, që sa do pak për ta ndryshuar apo thyer atmosferën e kësaj mbrëmjeje poetike. Pas një kohe Rihana shkoi në tryezën, ku ishte kolegu i saj të ardhur bashkë nga Greqia.

Ora ndante mesnatën e kohës. Unë që isha mësuar të jem në shtrat para dymbëdhjetës, mezi pritja të përfundoj ky aheng poetik. ‘’Për sonte është mjaftë’’,  i them unë Kain Kleçkës. ‘’Jo, unë do rri edhe pak, këtu e kam edhe kushëririn tim. Ti mund të shkosh dhe lëre derën e hyrjes pa e mbyllur me çelës, që të mund të hyjë brenda kur të kthehem’’, më thotë ai. Unë veprova ashtu siç më tha. Derën e lash të pa kyçur. Me mua erdhën poeti Seimir dhe poeti Xheki. U ngjitëm lartë drejtë dhomave të hotelit. Xheki me vete kishte marrë edhe një pjatë me ushqime të preferuara, nga tryeza e shtruar Suedeze. Kur mbërritëm në katin e dhomave, ku duhej ta kalonim natën, unë ju drejtova edhe njëherë këtyre dy poetëve që të kthehen edhe njëherë në restorant, që me vete ta marrin poetin Kalesh Kleçka. ‘’Shkoni ju lutem ta bindni Kain Kleçkën, të vij edhe ai lartë, se është vonë dhe sa se ka tepruar edhe më tepër me pirje’’, u them unë atyre. ‘’ E di se tani ai, po të shkoj unë, nuk do të më dëgjoj mua fare, por më vonë nuk do të ketë as edhe fuqi të ngjitet i vetmuar shkallëve lartë, ndoshta ju do ta bindni me ndonjë taktizim, që ta ndërpres pijen’’, u them unë atyre. ‘’Ok’’ më thanë ata, që kishin në frymëmarrjen e tyre një dozë alkooli. Unë Zbatha teshat që kisha në trup dhe nga valixhja i nxora pizhamet e pambukta. I vesha ato dhe u vendosa në krevatin që ishte i shtrirë nga muri i banjës. Në ndërkohë i shfletoja do libra që m’i kishin dhuruar miq poet të ardhur nga të gjitha viset. Krevati tjetër ishte kah dritaret, mu aty në pjesën tjetër të murit. Atë kënd të vendosjes e kishte zgjedhur Kain Kleçka. Nuk shkuan as njëzet minuta në dhomë hynë zhurmshëm të tre poetët. Ata të dy, Kain Kleçkën, e kishin futur në mes dhe e mbanin për krahu, të mos rrëzohej, pasi ai mezi po qëndronte në këmbët e veta. Mua m’u trazua gjumi dhe u ngrita edhe unë në këmbë për t’u ndihmuar sadopak kolegëve, Seimirit dhe Xhekit, që më në fund e kishin bindur Kain Kleçkën të vij te krevati i vet. Por me të hyrë në dhomë, ai na thotë  të gjithëve, me bindje se e kontrollon veten, që ta lëmë të lirë, se mund të eci edhe vet. Kolegët poet shkuan në dhomën e tyre, që ishin të vendosur po në të njëjtin kat. Meqë Kain Kleçka hyri në nevojtore, për të urinuar, pas atij veprimi u kthye në drejtim të krevatit. Por në moment e humb drejtpeshimin dhe u rrëzua përballë krevatit të tij. Kokën e përplasi keq në tehun e tavolinës dhe ra pa frymë në dysheme. Menjëherë nga ajo përplasja e pa zakontë, vërejta se diçka nuk është në rregull me frymëmarrjen e tij, me shpejtësi u afrova trupit të shtanguar, me dorën time preka dorën e tij, për të vërejtur rrahjet e pulsit. Derisa shikoja pulsin në dorë, sytë më shkuan kah fytyra e tij. Ai ishte zverdhur tërësisht dhe më dukej se nuk merrte frymë. Kokën e kishte të ngjitur për dysheme, mu aty pranë atij tehut të mprehtë të asaj tryeze që gjendej përballë nesh. Nuk i lëvizte asnjë muskul, vetëm sytë i zgjateshin shigjetë kah poqa elektrike, sikur të kërkonte ndihmë prej dritës. Mu duk se qe një vdekje klinike. Vazhdova t’i jap ndihmën e parë, mora një peshqir nga banja të lagur me ujë të ftohtë. Ia vendosa në ballë dhe në pjesën ku i kishin rënë flokët. Nga dritaret vëreja se ishte errësirë, vetëm shkëlqimi i hënës bënte dritë nëpër vargmalin e shpeshtë që shtrihej përballë hotelit. Ishte qetësi e vdekur. Nuk dëgjoja as zukatjen e insekteve, as cicërimën e zogjve. Mu duk vetja se gjendem në një vend të braktisur dhe të shkretë. Përfytyroja vetminë time të tmerrshme sikur të isha në një greminë të thellë, e ku e kisha edhe të pa mundur daljen.

‘’Kain, Kain, Kleçka’’thirra pak më zë më të lartë.’’ A je mirë?

Ai nuk nxori asnjë zë. Heshtje varri! Vetëm rrinte i shtrirë për dysheme, duke shikuar edhe më tej, me sytë e palëvizshëm, drejt llambës elektrike. Unë u shqetësova edhe më tepër. Mora peshqirin dhe e laga edhe njëherë me ujë të ftohë dhe ia vendosa në ballë. Duart m’u bënë akull, por nuk vëreja në ballin e tij asnjë shenjë lëvizjeje e temperature, e zjarrmie. Në moment më kapi paniku mos po vdiste papandehur në këtë thellësi mali. Njëherë më shkoi mendja të shkojë të lajmërojë te recepsionistja, por thash me vete do bëj edhe pak përpjekje për t’i ndihmuar të vijë në vete, ndoshta nga tronditja e rënies e ka humbur vetëdijen. Kur shikoja nga sytë e tij, ato më dukeshin sikur edhe më tej të ishin të gozhduara në dritën e tavanit. Nuk më mbet tjetër alternativë kërkimi, për ta sjellë atë në vetëdije, pos asaj nevoje të mundshme që të kërkojë me urgjencë ndihmë te recepsionistja, e cila me siguri dhe sa më parë do të kap lidhjen me ndihmën e shpejtë, për ta dërguar Kain Kleçkën në ambulanten e qytetit. Por, kur u nisa drejtë derës për te recepsionistja, ai u përpoq të thoshte diçka, por se mora dot veshtë, atë belbëzim të marrë dhe të pa pritshëm, nga hutimi i ngarkesës sime dhe shqetësimi që kisha në këto çaste kritike, përsëri ktheva në drejtim të tij, ku qëndronte i shtrirë në dysheme. Dëgjoja fjalët e tij të përsëritura me ankth.

‘’Kush ma ka marrë shishen, kush ma ka marrë shishen’’? Ishin fjalët e vetme që i përsërite në ato momente. Pastaj për një çast mu duk se e humbi përsëri ndjenjat e frymëmarrjes. Unë u shqetësova edhe më shumë dhe me shpejtësi bëra përpjekje që ta ngre, por ai në këtë rast m’u duk i rëndë sikur t’i kishte njëmijë kilogram peshë në trup. Kishte humbur vetëdijen. I dhashë pak ujë të pi nga një shishe. Mezi e lëvizja pak nga dyshemeja. Ai filloi me zë të lartë të më thotë: ‘’Lëshomë, lëshomë, jam mirë këtu, Pastaj rafalë filloi t’i renditë e përsërit fjalët: ‘’Unë jam derr, derr, unë jam derr. Kam pirë si derr, lërmë këtu ku jam, unë jam derr!’’. Për habinë time dëgjova edhe do fjalë të pista dhe ofenduese për mua ‘’Kush je ti biri kurvës, që nuk më lë rahat, lërmë këtu ku jam, lërmë të pi. Ti m’i ngrënësh herdhet! M’i ngrënësh Herdhet!’’, ulërinte dhoma, duke i përsëritur këto fjalë të pista disa herë, Unë nuk u shqetësova në moment nga ato fjalët e ndyta e pa kuptim, vetëm heshtja, nuk reagova fare në fjalorin e tij të përdorur e të pistë, vetëm dëgjoja me vëmendje se çka bën e çka flet ai në këto çaste kritike. Unë se çela gojë fare.  Me vete mendoja se ndoshta nga rrëzimi keq ka lënduar trurin e vogël dhe nuk dinë ai fare se çka flet. Pas një çasti nofullat dhe balli i zverdhuar, mori njëfarë ngjyre të skuqur. Po merrte veten, nuk do të vdiste, mendoja i shqetësuar. Kurrë se kisha dëgjuar të më ofendojë mua ndonjëherë në këtë mënyrë. Dal nga dal e ngrita me të dy duart për në krevat dhe pash se ju kthye frymëmarrja. Truhmoste dhomën e hotelit me alkool, që shpërndahej nga goja e tij.

‘’Vigan, ku jemi’’? pëshpëriti ai me një zë të ngarkuar me lemzë.

‘’ Në Hotel, a ke nevojë të të çojmë në spital’’, i them unë

‘’Do ta lajmëroj recepsionisten e hotelit dhe sa ora vjen ndihma e shpejtë, që ta bësh një kontroll te spitali i qytetit’’, i them unë.

‘’Jo, jo, nuk kam nevojë, nuk kam nevojë. Jam mirë’’ ma ktheu fjalën ai. Me një pecetë ia fshiva mjekrën që e kishte të përlyer. Ai u kthye paksa në vetëdije. Lëshoi një vështrim të çuditshëm kundrejt meje. ‘’Mos u shqetëso tani për asgjë’’. ‘’Gjithçka do të bëhet në rregull’’ i thash.

Unë me vështirësi arrita të vë shpinën e tij në krevat, pastaj edhe këmbët ia drejtova në mënyrë horizontale në shtrat. Ia nxora çizmet nga këmba që i kishte të mbërthyera me patentë. Ashtu me gjithë tesha e mbulova me batanije. Ndërkaq pasi e rregullova atë, u shtriva edhe unë në krevatin tim. Me vete thash njeriu i dehur i nxjerr në shesh të gjitha të palarat e veta që fshihen brenda tij, sidomos karakterin e tij të jo të zakonshëm. Bëhet trusakatë e hojdodole, që s’ta merr mendja. Gjumi kish marrë fund për mua, ndërsa për të filloi puna e gërhitjes, me vete thash do ta durojë edhe këtë gërhanë e makth të madh kohor, të përjetuar keq, pa u shqetësuar fare, se tani erdhi pak në vete, po të dojë ai, le  t’i sharroj edhe njëqind metër dru me gërhitje, do ta duroj, s’kam çka të bëj, nuk kam arsye dhe rrugë tjetër të orientohem në këtë moment, vetëm e vetëm le të jetë gjallë, të mos i ndodhë ndonjë gjë me e keqe se tani, derisa gjendem unë me të.

Nata më kaloi sy hapur dhe duke përcjellë në Facebook gjërat që kishin ndodhur në botë gjatë kësaj nate. Shqetësimi nuk më kalonte mua fare. Kah ora gjashtë e mëngjesit filloi të zbardhet dita. Unë u ngrita nga krevati për t’i larë dhëmbët dhe fytyrën në banje. Në moment hetova se Kain Kleçka ndërroi pozicionin e vet në krevat. Fjalët e para që ia drejtova atij, pas asaj nate të trishtueshme ishin:

‘’Zotëri Kleçka si e ndjeni veten?’’

Ai i strukur nën batanije ngriti gishtin e madh të dorës dhe tundi kokën. ‘’Jam mirë’’

‘’Është mëngjes dhe tani duhet të përgatitemi se në ora tetë duhet ta hamë sillën’’ i them unë.

‘’Dakord, shumë faleminderit që më zgjove, se ndoshta do të vonoheshim për ngrënien e sillës. Pastaj na pretë edhe një rrugë e gjatë për t’u kthyer në shtëpi’’ më thotë ai.

Unë zbrita poshtë në restorant dhe porosita një expreso, për ta kthjelluar veten dhe mendoja në ato çaste për mbrëmjen që më kishte kaluar përçartë. Vëzhgimi syve të mi përshkoi spontanisht pyllin e shpeshtë që mbulohej matanë kodrinës me gjithfarë gjethesh e ngjyrash të vjeshtës së vonshme. Disa drunj ishin lakuriqësuar tërësisht nga gjethet, por papandehur në këto çaste kujtese vëmendja më iku te dorëshkrimi i palexuar i personazhit tim...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora