Kulturë
Kostaq Duka: Një kafe për xha Rasimin
E premte, 29.12.2017, 12:13 PM
Një kafe për xha Rasimin
Skicë nga Kostaq Duka
Lajmërimi për t’u mbledhur aty në vendi i zakonshëm, në Addison, të shtunë në ora dhjetë, u përcoll shpejt tek njëri, tjetri. Tanimë pirja e kafes për ta është më shumë se një nevojë. Kanë dëshirë ta takohen, të bisedojnë , nga çështjet e jetës së përditëshme këtu në Amerikë e më shumë për ngjarjet në Shqipëri e Botë. Përpiqen të mos jenë zhurrmaxhinj siç ndodh jo në pak raste , të respektojnë njeri- tjetrin ndonse në jetë formimet, prijet, besimet jo gjithnjë kanë pasur rrjedhë të njëjtë.
Dashuria, respekti dhe shkëmbimi i vlefshëm i mendimeve në këto pirje kafesh së paku çdo të martë të javës, këtij zakoni i kanë dhënë vlerën e një ngjarjeje. Shpesh në këtë shoqëri të zgjeruar vijnë të ftuar edhe të tjerë vizitorë të nderuar nga Shqipëria apo me banim në Amerikë, figura të shquara të politikës e artit.
Por këtë të shtunë pirja e kafes dallonte nga pirja e kafes si zakonisht të martave.
Para pak kohës u nda nga jeta burri i nderuar , që nga të gjithë thirrej Xha Rasim.
Pas shumë vitesh në Amerikë çastet e fundit të jetës, kur kish kaluar mbi 90 vjet zoti Rasim Bebo vendosi t’i kalonte në Shqipëri, ku edhe është me banim njëri nga djemtë. I’u plotësua dëshiraqë të varrosej në Shqipëri, që e kish dashur aq shumë e për të cilën ish përpjekur aq shumë , për lirinë e saj, duke marrë pjesë si partizan në Batalionin “Çamëria” e më tej si mësues, historian , autor i disa librave me karakter studimor e publicistik.
Por mendjen s’e ndau asnjëherë edhe nga miqtë e vet në Amerikë, të takimeve për kafe
ditën e martë.
Ja këtu zuri fill takimi për një kafe në vëndi i zakonshëm ditën e shtunë. U pi një kafe për të nderuar kujtimin e tij.
Ja atje , në atë qoshe ulej xha Rasimi, kujtoi dikush, Një tjetër shtoi se e kish zakon te ngrinte pak dorën lart kur donte të fliste. Ishte tolerant në bisedë por edhe të vërtetën e thoshte hapur siç e ka thënë edhe në librat e shumta. Një njeri me shumë dije e kulturë dhe shumë modest. U përpoq aq shumë për Çamërinë. Një mik i mirë….
Fjala shkonte sa nga njeri tek tjetri duke i përcjellë ngrushëllimet djalit të xha Rasimit, Arjan Bebos , më i riu mes miqve të moshuar të babait të vet, i cili me fjalë zemre i falenderoi të gjithë.
Ditët ndrrohen njëra pas tjetrës. Jeta ka vazhdimësinë e saj. Të martave ata do të mbidhen sipas traditës për kafe e sigurisht zërin e xha Rasimit, ulur diku në qoshe do ta ndjejnë gjithnjë, si të ishte i pranishëm.