E enjte, 30.05.2024, 10:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Me e për profesor Androkli Kostallarin

E diele, 24.12.2017, 01:54 PM


ME E PËR PROFESOR ANDROKLI KOSTALLARIN (1922-1992)

(Me rastin e 90 vjetorit të lindjes dhe të botimit të kompletit të veprave të tij)

Nga Dr. Nuhi Veselaj

Ne para se të themi ca fjalë për takimet dhe raportin që kemi pasur me prof. A. Kostallarin po sjellim tri opsione si kritere vlerësimi bazë, që në vetvete kanë kompleks nënkriteresh, të cilat zakonisht kihen parasysh me rastin e gjykimit real rreth autoritetit dhe respektit që duhet dhënë çdo individi, qoftë për të mirë, qoftë jo për aq të mirë:

E para, vlerësimi (plus/minus) sipas kriterit të njerëzishmërisë (edukata e mirësjelljes përgjithësisht) me të cilat dallohet njeriu si njeri, veti të trashëguara këto, zakonisht me të leme, nga natyra, rrethi shoqëror dhe edukata;

E dyta, vlerësimi (plus/minus) sipas respektit ose gjindshmerisë së individit të shprehur ndaj të tjerëve në kuadër të hiearkisë shoqërore-politike, varësisht nga përshkallëzimi i uniformës që ushtron në raportin: epror/vartës, ku vihen në pah veçoritë karakteristike të personalitetit të caktuar brenda shoqërisë përkatëse, të arrira këto, siç thuhet, edhe me të bleme, d.m.th me të mësuar e specializime profesionale, varësisht nga kompetenca e përcaktuar nga vendi i punës dhe

E treta, vlerësimi ose respekti që gëzon individi sipas rëndësisë së frytit të punës së tij përformuese, të arritur me punë krijuese kreative e inventive, i cili duke shfrytëzuar talentin ose kapacitetin mendor të tij, si të themi, me veçori të jashtëzakonshme hyjnore-njerëzore, arrin të krijojë vepra mbresëlënëse, qoftë nga pozita drejtuese këshilldhënëse e punëbërëse në shoqëri, qoftë me vepra të shkruara me vlerë të përjetshme, me të cilat zë vend të caktuar në histori kombëtare ose universale.

Së këtejmi, po mbi këtë kompleks kriteresh raporti dhe qëndrimi ynë ndaj profesorit të nderuar, Androkli Kostallari, do të dalë më i qartë dhe objektiv pasi t’i bëhet e njohur lexuesit: së pari, njohja dhe takimet me të, kryesisht sipas raportit vartës-epror dhe së dyti, rreth pasqyrimit atributeve të fituara në kohëhapësirën përkatëse nga veprimtaria e tij përformuese, qoftë në mësimdhënie e në drejtimin e institucioneve me interes shtetëror e kombëtar, qoftë edhe për veprat e stampuara me emrin e tij si bashkautor ose, edhe aq më tepër, për veprat origjinale të shkruara gjatë asaj periudhe.

1. Si e njihnim me të dëgjuar, kur e pamë, e takuam dhe bashkëpunuam

si vartës me profesor A. Kostallarin

Dy fjalë sihyrje

Ç’është e vërteta, si mbarë populli ynë edhe ne si nxënës pësuam shumë, më 1944-1945, kur Kosova u nda nga Shqipnia dhe iu aneksua Serbo-Jugosllavisë, por zhgënjimi u rrit edhe më shumë pas ndërprerjeve hermetike ndërkomunikuese gjuhësore e kulturore ndërshtetërore Shqipëri-Jugosllavi (Kosovë) më 1948 për shkak të Rezolutës së Informbyrosë. Kështu edhe ne si të tjerët jo vetëm mbetem të zhgënjyer, por edhe shumë të etshëm për fjalën, dijen - gjuhën e literaturën e vendit amë. Këtë mungesë ushqimi lëndor e shpirtror e shprehnim domosdo gjithqysh edhe me veprimtari ilegale, andaj veç të tjerëve edhe ne disa të rinj për këtë shkak patëm pësuar keq, me represalje poshtrime, deri edhe me burgje, dikush edhe me jetë, mirëpo pas ngjarjeve të Brioneve 1966 (rënia e Rankoviçit), kur ne veprimtarisht ishim paksa më me përvojë, edhe pse me pengesa të mëdha,  te ne, po thuaj se u ngjall njëfarë rreze shprese, ngase ndodhen disa kontakte bashkëpunimi ndërshtetërore Shqipëri – Jugosllavi (Kosovë) që na gëzuan pa masë, siç ishte edhe shënimi në Prishtinë i Përvjetorit të Skënderbeut (1468-1968), ku mori pjesë edhe një grup shkencëtarësh nga Shqipëria, kumtesat e të cilëve patëm rast t’i dëgjonim. Ndërkohë, fatlumnisht u arrit edhe një marrëveshje bashkëpunimi ndëruniversitar Prishtinë-Tiranë, ku në lëmin e gjuhës shqipe emri i prof. Androkli Kostallarit na u imponua këndshëm si shkencëtar intelektual aktual, emër ky që vinte gjithnjë e më tepër duke u bërë edhe më i njohur, sidomos atëherë kur, jo vetëm pse emri i tij ngjizej me autoritetin e shtetit politik shqiptar në fushën kulturore e historiko—gjuhësore, por edhe për faktin se figuronte edhe si kryetar edhe i Komisionit hartues të Projektit të drejtshkrimit të gjuhës letrare shqipe të njësuar (1967), projekt ky, i cili u pranua euforikisht në Konsultën gjuhësore të Prishtinës (1968), të cilin e patëm përpirë me frymë miradashje. Ndërkaq, periudhën kur na u dha mundësia ta shihnim, ta dëgjonim, takonim, madje edhe të bashkëpunonim me të, edhe pse si vartës (student), flas për vete, do ta paraqitim në vijim, në disa pika:

1) Profesor A. Kostallarin patëm rast ta shihnim dhe t’ia dëgjonim zërin më 1971 në Prishtinë, gjatë mbrojtjes së doktoratës nga prof. Rexhep Qosja, ku prof. A. Kostallari ishte njëri nga oponentët, i cili me ndërhyrje me masë e rasë dhe sidomos gjatë leximit të arsyetimit hartuar prej tij në emër të Komisionit te ne la pështypje tejet të mira. Edhe sot na kujtohet diksioni i fjalës së tij të gjallë, ashtu edhe thurja me mjeshtëri e tekstit që e lexoi.

2) Takimi i dytë që mbaj mend ndodhi në një rast tjetër, kur në kalim e sipër me suitën që e shoqëronte nga fakulteti ynë, ne që qëndronim anash na përshëndeti me fjalën Mirëserrini!, përshëndetje kjo e befasishme për ne, që na u duk një sirisi që profesori i nderuar na pruri nga Atë-Mëma Shqipëri.

3) Fati e desh, që para e pas Kongresit të Drejtshkrimit 1972, ku veç rolit organizues, profesor A. Kostallari shkëlqeu me referatin kryesor të tij, kuadri përkatës nga Prishtina me në krye prof Idriz Ajetin, mundësuan që te ne veç disa specialistëve nga Beogradi etj., të mbanin ligjërata profesionale edhe disa studiues nga Tirana. Aq më tepër u bë punë e mirë e madhe që duke respektuar autoritetin profesional të vendit amë për ne studentët pasuniversitarë të Degës së gjuhësisë ishte miratuar që 3 lëndë të obligueshme profesionale sipas plan-programit t’i mbanin 2 profesorët më të njohur nga Tirana: prof. Eqerem Çabej lëndën: Gjuhësi indoevropiane, ndërsa profesor Androkli Kostallari dy: 1. Gjuha e sotme letrare shqipe dhe formimi i saj dhe 2. Gjuhësi e përgjithshme (teoritë e shkollat historike mbi gjuhësinë).

Fatlumnisht si prof. Eqerem Çabej ashtu edhe prof. Androkli Kostallari patën hapësirë të të rezervuar të mjaftueshme dhe kështu për secilën lëndë realizuan nga një cikël ligjëratash, të cilat, pasi, pata fat në fatkeqësi(!): isha i pezulluar nga puna, shfytëzova mundësinë deri sa të gjeja punë jashtë insititucioneve shtetërore (arsimore), t’i ndiqja me rregull euforikisht të gjitha ligjëratat, jo vetëm të tyre, por edhe të tjerëve dhe të mbaja shënime.

Sqarim1.- Ndër të tjera, praninë e prof. Kostallarit ndër ne e me ne e dëshmoi me INDEXIN e

studentit pasuniversitar të Universitetit të Prishtinës që mban emrin tim (Nuhi Veselaj) nr. 61, 13,10.1972, ku në rubrikën përkatëse të vitit shk.‘72/73 (semestri X) dhe të vitit shk. ‘73/74 (semestri XII)  figuron nënshkrimi i prof Kostallarit për të dyja lëndët.

4) Meqë isha i etshëm për dije, për shqipen e rreth shqipes dhe përgjithësisht, këtë periudhë e shfrytëzova seriozisht dhe maksimalisht për profilimin tim studimor në fushën e gjuhësisë dhe për secilën temë të paralajmëruar, paraprakisht lexoja literaturë të gjerë gjegjëse, kryesisht në gjuhën serbokroate dhe nga ligjëruesit përkatës kërkoja ndonjë sqarim a përplotësim, kështu pata vepruar edhe gjatë ligjëratave të prof. Kostallarit, andaj pos ndonjë pyetjeje si sqarim profesional, nuk kemi pasur ndonjë bisedë shtruar me të, por interesimi i profesorit për mua nuk kishte munguar. Kështu në mars të vitit 1974 meqë ishte koha e caktimit të temave të disertacionit të magjistraturës dhe unë pata shprehur dëshirë që për temën e diplomës të konsultohesha me të, prof. A. Kostallari në marrëveshje me dekanin prof. Ali Hadri, me arsyetim konsultimi rreth caktimit të temës, pasi u larguan të punësuarit nga dekanati, shfrytëzoi rastin të më pranonte pikërisht në zyrën e dekanit. Këtu, profesori, gjeti rast të informohej drejtpëdrejt për shkakun pse isha i pezulluar nga puna etj. Edhe pse paksa kishte qenë në dijeni, por pas rrëfimit tim, se... qysh si normalist në moshën 17-18 vjeçare kam qenë i organizuar,,,, pastaj i burgosur (1952-1954), ndërkohë i punësuar si mësues, kudo që e lypte nevoja,  por edhe i përjashtuar (6 herë)... vetëm e vetëm pse e donim dhe e duam me fanatizën shqipen dhe Shqiprinë ..., dhe tani ishte rasti i shtatë i pezullimit... Sidoqoftë, besoj se profesori e kuptoi se më tëpër isha viktimë e qëndrimit irredent e liberal sesa si enverist ..., i cili, veç tjerash më tha se nuk kisha bërë keq që isha orientuar për degën e gjuhësisë, ngase gjatë ligjëratave kishte vërejtur tek unë paradispozitat e një gjuhtari në perspektivë, prandaj pasi më cilësoi me ideal rilindësi si punim magjistrature ma kishte përzgjedhur temën: Kontributi i Asdrenit për formimin  e gjuhës letrare kombëtare shqipe, d.m.th. studimin e gjuhës së një poeti kryesisht rilindës. Është e vërtetë se deri sa zgjati takimi prof. Ali Hadri, qëndronte jashtë.

5) Takimin tjetër me prof. A. Kostallari e pata me më 24.VI.1974, kur para tij dhashë provimin: Gjuhë e sotme letrare shqipe dhe formimi i saj, nota 8 (tetë), ndërsa provimi për lëndën tjetër Gjuhësi e përgjithshme nuk di pse ishte shtyrë për një afat tjetër.

Sqarim2.- Ç’është e vërteta, për lëndën Gjuhësi e përgjithshme... që profesor A. Kostallari

mbajti një cikël ligjëratash, pos ndonjë përkthimi, nuk kishim ndonjë tekst të hartuar në gjuhën shqipe, andaj për ta mësuar sa më mirë gjuhën shqipe, rrjedhshmërinë e fjalive etj. dhe për ta përgatitur sa më mirë provimin, ligjëratat e prof. Kostallarit, kryesisht të incizuara në një magnetofon i sgurova nga një teknik fakulteti pasi ende shiriti nuk ishte hedhur në mbeturina(!), të cilat me vetiniciativë, i shtypa në fletëdylli (matrica) dhe i shumova për vete e për shokë. Vërtet, jo vetëm më dukeshin shumë interesante jo aq nga përmbajtja sa nga rrjedhshmëria gjuhësore dhe aq më tepër më tërhiqte zotësa e ligjëruesit se si shprehej dhe e shpjegonte thelbin e shkollave, teorive ose të doktrinave përkatëse linguistike nëpër shekuj, duke i ndërlidhur edhe më ndonjë veçori të gjuhës sonë, por gjithnjë, duke mbajtur edhe qëndrim kritik mbështetur mbi bazë të materializmit dialektikt ose mbi bazat e gjuhësisë maksiste që në të vërtetë me sa e kuptonim ne kishte të bënte me zgjidhje logjike të gjykuara drejt të çështjeve përkatëse… Sidoqoftë, meqë profesori fliste para nesh pa lexuar tekst, madje edhe pa pasur mundësi të jepte ilustrime me mjete teknike bashkokohore, andaj gjatë daktiklografimit nuk e fsheh, mbase e kam bërë ndonjë shkurtim ose edhe përplotësim teksti, ndoshta më ka shpëtuar edhe ndonjë gabim ortografik apo ndonjë fjalë a emër i shënuar jodrejt, apo jo? Kjo ishte arsyeja që një ekzemplar ia pata dërguar profesorit të nderuar me anë të prof. Gani Lubotenit, i cili më tha që e kishte kryer amanetin. Natyrisht nga një kopje ua pata dhënë veç prof. Idriz Ajetit, edhe shokëve e ndonjë të interesuari.

6) Sidoqoftë, nuk di ekzemplari i dërguar i kishte rënë në dorë profesorit, apo jo? Në takimet e mëpastajme asnjëherë nuk e ka përmendur. Mirëpo, meqë profesori nuk erdhi për një kohë të gjatë (mbi 2 e sa vite), provimin nga kjo lëndë e kam dhënë më 5.IV.1976, para prof. Rexhep Ismajlit, me notën 6 (gjashtë), i cili nuk u bazua aq në tekstin e ligjëratave të prof. Kostallarit. Gjithashtu meqë prof. Kostallari, edhe pse në njëfarë mënyre ishte i njoftuar, s’mundi të asistonte as në mbrojtjen e provimit tonë të magjistraturës, të punuar sipas udhëzimeve të tij në temën: Kontributi i Asdrenit për gjuhën... atë e kam mbrojtur për gradën magjistër i shkencave filologjike para Komisionit përkatës të Prishtinës, më 3.IV.1980, ndërsa punoja si përkthyes në Uzinën e Amortizatorëve -Prishtinë.

7) Pasi ndërkohë, që nga viti 1975 isha i detyruar nga halli të ndahesha nga mësuesia dhe të punësohesha njëherë si referent në Partizanski put – filialë e Beogradit dhe pastaj si përkthyes i dygjuhësisë serbokroatisht–shqip në Uzinën e Amortizatorve, takimi me prof. Androkliun na u mundësua në vitin 1980 në Tiranë, disa muaj pas magjistrimit. Në të vërtetë, këtë vizitë Shqipërisë ma mundësuan ish nxënësit e mi, të punësuar në këtë Uzinë si punëtor e drejtues të prodhimit, të cilët kishin arritur të merrnin leje që një grup punëtorësh si turistë ta vizitonin Shqiprinë. Në të vërtetë, kishin arritur që në listën përfundimtare ta futnin edhe emrin tim në mes të listës së punëtorëve nga prodhimi dhe kështu ishte lejua lista si tërësi nga të dyja qeveritë. Me të kaluar të kufirit shtetëror nga Mali i Zi (Hani i Hotit), në autobusin tani shqiptar nga grupi ynë filloi të jehojë kënga shqipe. Natyrisht unë isha më i dalluari, si njohës e dirigjues i këngëvet të vjetra e të reja dhe për shkak të respektit që gëzoja nga bashkudhëtarët e mi, si ish profesor dhe mbase edhe si më i moshuar që isha. Kështu menjëherë u rashë në sy shoqëruesve të autobusit. U interesuan, u tregova paksa se kush isha dhe se dëshiroja ta takoja prof. A. Kostallarin. Dhe vërtetë, sapo mbërritëm në Tiranë, ku e kishim të rezervuar bujtjen, njëri nga shoqëruesit Mborja e njoftoi një tjetër epror që m’u paraqit me emrin Peçi, i cili më tha: Takimin me prof. Kostallarin ta siguroj tani... Dhe vërtet më lidhi me telefon me të, i cili sa e dëgjoi emrin tim shprehu dëshirën të vinte menjëherë. Vërtet, erdhi pa vonesë bashkë me Jorgo Bulon, pasi u përshëndetëm dhe bëmë një foto, i tregova që jam me një grup punëtorësh si turistë, Që provimin e mgjistraturës sipas udhëzimeve të tij e kisha dhënë, po tani së paku, para se të ofrohet punimi në shtyp, gjithsesi  më duhej konsultimi i dosjes së Asdrenit.  Profesori e ngarkoj prof. Bulon që ta me sjellë dosjen dhe më tha pasi të ktheheni nga vizita Jugut ë Shqipërisë më lajmëro. Kështu Dosjen në fjalë ma dhanë me vete, të cilën e konsultova gjatë rrugës.

8) Pas dy-tre ditësh, siç ishim marrë vesh me të kthyer shoqëruesit më lidhen me telefon me prof. Kostallarin, i cili më tha ta prisja në sallën e hotelit. Dhe kështu atë ditë më ndau nga shokët, të cilët pas vizitave ndërmarrjeve të ndryshme në Tiranë ikën para dite për Durrës. Ndërsa isha duke e pritur profesorin pa qëllim i bëra  dy kikse(!), së pari, në tavolinën ku e prisja, duke e vënë çantën time pa vërejtur e kisha hedhur poshtë një fletë-propagande anglisht. Pastruesja kishte alarmuar dhe këtë e kuptova, kur dikush a disa m’u afruan dhe kur fletë-propaganda nga poshtë u kthye në vend. Më kujtohet se e kuptova ç’kishte ndodhur, pa pritur ndonjë pyetje reagova me përshëndetjen: Aq sa rreze bien mbi dhe/Aq Shqipëri të duam ne!... që vargje si këto e kisha plot gojën! Ndjeva reagimin e dikujt nga të pranishmit:

Shqipëria është arrë e fortë për dhëmbët e imperializmit e të revizionizmit!

Mos me zgjatë ndërsa unë doja të rrëfehsha sa e duam Shqipërinë si atdhe Nanë, përmenda një shembull konkret se një nip imi (Ramiz Suka), i cili me mund e punë në Gjermani e kishte blerë  fasmiljarisht një traktor dhe rastësisht kur del në rrugë takohet me disa kalimtarë nga Shqipëria, të cilëve në bisedë e sipër u thotë mos na merrni lakmi se po të ishte e mundur që Kosova të bëhej Shqipri ai menjëherë do ta falte traktorin dhe krejt tokë e gjallni,vetëm e vetëm të gëzojë liri të vërtetë si qytetar i Shqiprisë...(!)

Prof. Kostallari në ato çaste sapo arriti ndërhyri: Ne traktora prodhojmë vetë... Unë me të dhënë të dorës dhe përqafimin me të puthura, për të përmirësuar gabimin që e bëra me të cekur të pronës private automatikisht, pa i lëshuar dorën lajthita me qëllim: Gëzuar, gëzuar shënd e verë /Për Parti, Xhaxhin Enver!...

Sidoqoftë, profesori më çoi në katin e sipërm të hotelit dhe ma tërhoqi vërejtjen që mos të hyjë në biseda të tilla pa kuptim.  Menjëheri filloi të më tregonte se ai ishte duke punuar shumë për konsolidimin e shtyllave të gjuhës së njësuar letrare siç ishte edhe dalja fjalorit përshkrues etj,. por për hir timin e kishte ndërprerë punën, madje ndoshta për këtë arsye nuk më ndjeu as në fjalën ngushëlluese që i bëra për prof. Çabejn (!), por kur i tregova që edhe unë si student i tij tash 5 vjet e kam gjetur vendin në gjirin e klasës punëtore në një uzinë, ku përveç si përkthyes punoj pa pushuar në grumbullimin e materialit rreth terminologjisë tekniko-teknologjike shqip- serbokroatisht (gjuhë e huaj), por atij i ndriti fytyra, kur i tregova se tek ne në gjitha ndërmarrjet shërbyese e prodhuese respektohet letrarishtja e 1972-shit, por kur tregova se kam ambicie, për çka jam duke grumbulluar material që edhe temën e doktoratës të merrja nga njëra nga 5 nënfushat që i kisha konceptuar brenda fushës së gjerë të terminologjisë tekniko-shkencore në ndërmarrje metal-përpunuese, andaj edhe kërkova mendimin e tij, profesori më përgëzoi por këtë ide të guxmshme, por kur i thashë a do të mund të më mundësohet, nëse e kaloj barrieren e lejes në Kosovë, që të vjel material të tillë edhe nga ndërmarrjet metalpërpunuese simotra në Shqipëri, profesori i nderuar më tha se për të arritur diçka të tillë në Shqipëri si edhe atje hulumtuesit mbase i duhet vënë vetes, siç thonë, 9 e 99 kryqa besueshmërie ..., por gjithnjë duhet të jetë mjeshtër që së paku një kryq atë të idealit patjetër ta ruajë vulë për vete, po këto çështje shkojnë me marrëveshje protokolli mes departamenteve shtetërore dhe me kërkes universiteti.

Kështu më dha me kuptue se edhe ai nuk ishte zot që vendoste, por mund të më ndihmonte, nëse e kaloj barrierën në Kosovë. Pasi zbritëm poshtë, para se të ikte prof. Kostallari me shokun Peçi, angazhuan prof. Xhevat Lloshin të më shoqëronte dhe të më ofronte material të mundshëm, siç kërkoja unë. Prof. Xhevati më parë më dërgoi sa me pa sallën e intelektualëve dhe shpejt më rehatoi Bibliotekën kombëtare, ku e dorëzuam dosjen dhe më ofruan listën e literaturës fiziko-inxhinierike dhe diçka nga revistat për të lexuar deri sa ai të konsultohej për të gjetur ndonjë tekst tjetër... Prej atje pas pak unë u largova kryenvete dhe pasi vizitova një ekspozitë karikaturash kundër revizionizmit në katin nën bibliotekë, për çudi, në një kënd korridori të atij kati si dhe te shkallët e hyrje-daljes ndjeva tek pëshpëritej serbisht (!). Si duket atë ditë kishte qenë në Tiranë një ekip sportistësh jugosllavë... Sidoqoftë, shetita për disa orë qendrën e Tiranës, deri sa arrita edhe në një gjellëtore punëtorësh. Në të kthyer drejt hotelit ndërsa ecja sheshit hetova që disa kalimtarë shpejt ikën anash. Ktheva kryet, krejt afër meje qëndronte një veturë luksose, m’u duk që njeriu i ulur në të djathtë të shoferit ishte Mehmet Shehu ose kipci i tij (!).

Sido që të ketë qenë, kur u ktheva në vendtakim, siç ishim marrë vesh me një shoqërues, që rrugën për Durrës ta bënim me tren, dikush nga personeli më tregoi se ishte ndryshuar plani. Kështu nga Tirana me një autobus të ri dhe me një material modest propagandistik, siç e pata sugjeruar unë, vetë i  katërti, të cilët më fort mbanin qëndrim zyrtar se lëshoheshin në bisedim  të lirshëm, pas dite vonë mbërrijtëm në Durrës.

Është e vërtetë, se në saje të prof. Kostallarit kam qenë fort i lirë në lëvizje, më i lirë se në Kosovë, jo vetëm në Tiranë e qytete të tjera, por edhe në Durrës e sidomos në Shkodër, ku i vizitova në shtëpitë e tyre mësuesin tim të parë Hilmi Duli e ca miq, ashtu bëra edhe në Kukës. Së andejmi me kujtime e mbresa më të mira dhe me disa libra të blera e të dhuruara atë ditë me shokë, të gjithë të kënaqur për  këtë vizitë Shqiprisë, u kthyem në Prishtinë.

9) Ndërkohë, pas dy vjetësh më 1982 në Prishtinë, në një Konferencë shkencore, organizuar nga Instituti Albanologjik, u duk edhe prof. A. Kostallari, por me të mbaja distancë, nuk e takova fare, edhe pse duhej ta falenderoja sepse në pyetjen e një gazetari për shqipen e TV-Prishtinës, ishte shprehur për diksionin e pëlqyer të folëses së re Florie (Veselaj) Mehmeti, (vajzës sime), të cilën, siç e mora vesh, paksa edhe për shkak që të mos dalë i lakuar emri im(!), ia patën ndërruar përkohësisht vendin e punës. Ndërkaq, pasi u kryen kumtesat, në atë konferencë, profesor Kostallari si nismëtar i priu tërë stafit drejtues të asaj konference dhe vetëm mua më përgëzoi, bashkë me shokë, me puçje dore për kumtesën time: Mbi disa çështje të terminilogjinë tekniko-shkencore në ndërmarrje metal përpunuese te ne. Atë rast prof. M. Domi kërkoi Fjalorthin tekniko-teknologjik që e ceka në kumtesë. ndërsa unë iu përgjigja se do të jetë gati pasi të plotësohet me lëndën përkatëse nga uzinat e Shqipërisë..., dëshirë kjo që nuk na u realizuar kurrë, ngase gjendja politike Shqipëri - Jugosllavi vinte gjithnjë e më tepër duke u përkeqësuar dhe unë e kisha të ndaluar daljen jashtë Jugosllavisë.

10) Ndërkaq, pas vdekjes së pushtemadhit Enver Hoxha (1985) prof. A. Kostallari me prof. Mahir Domin, jo aq enthuziastë si më parë, rastisën të merrnin pjesë me nga një kumtesë në një Konferencë shkencore në Prishtinë. Unë pas përfundimit të Konferencës, gjeta vjegë, kur ai dhe prof. Idrizi kishin mbetur po thuaj vetëm dhe ishin gati për me u çue, pasi i ndjeva se kishin qenë duke biseduar për shqetësimin që tani edhe në në Shqipëri përveç atyre jashtë kishin filluar ta hedhnin fjalë kundër standardit të ’72 -shit dhe si argument ishte anashkalimi i paskajores gege... Unë i përshëndeta dhe nga duart e prof. Kostallarit ia mora librat e dhuruara dhe kështu shfrytëzova rastin që atë dhe prof, Idrizin t’i shoqëroja nga fakulteti deri te hoteli Bozhur. Gjeta rast ta njoftoja profesor Kostallarin se jam duke e përgatitur tashmë doktoratën nga fusha e terminologjisë teknike dhe se i kisha konsultuar pothuaj të gjitha ndërmarrjet shërbyese e prodhuese te ne, ku shqipja letrare sendërtohet me sukses, por vetëm  çështja i paskajores mbetet diçka si problem, për të cilën i thashë profesor Kostallarit, s’di pse kjo paskajore bëhet gogol për normën e sotme, për të cilën kam ide se integrimi i saj në standard, si rast i veçantë, pa u ndërlidhur me paradigmat e gegërishtes nuk prish punë fare po e forcon gjuhën letrare kombëtare, sidomos në këto katër nënfusha semantike 1) si barasvlerës ndaj infinitivit të gjuhëve të tjera, 2) në shprehje frazeologjike, 3) në fushën e krijimtarisë artistike dhe 4) në raste sinonimie, ku përdorimi i saj del i arsyeshëm, Profesor Kostallari, si mendjehollë që ishte më vështroi në sy dhe më tha: Shkruaj sa më parë për këtë zgjidhje, t’ua marrim nga goja (kundërshtarëve) dhe me këtë formë ta pasurojmë kodin e shqipes letrare kombëtare... Ndërkaq, sa i përket vajtjes në Shqipëri lidhur me plotësimin e disertacionit me material nga uzinat e Shqipërisë pa leje zyrtare(!), pasi i lamë librat në dhomë-fjetje, u kthye sërish me mua në korridor e më tha se në disa raste nevojiten 9 a 99 kryqa besueshmërie për të arritur të dëshiruaren, por megjithatë më këshilloi mos të veproj kryenvete po të bashkëpunoj me prof. Idrizin se mund të bëhet mirë.

11) Ndërkohë, pas 3-4 vitesh pasi e kisha përfunduar temën e doktoratës: Rreth fjalëformimit të emërtimit të njerëzve sipas profesionit në gjuhën shqipe, të cilën më 1984 kur e pata paraqitur si temë doktorate, po thuaj se e kisha të mbarështruar, e cila edhe u pranua e kryer më 1986 nga mentori prof. Latif Mulaku dhe njëherazi edhe nga Këshilli i profesorëve, por nga regjimi serbo-sllav paraqiteshin pengesa rreth mbrojtjes. Atëherë shfrytëzova rastin që me anë të aktivistit Pal Shtufi (mik shtëpie), me leje qëndrimi në Zvicër, ia dërgova më 1988 Prof. Kostallarit një ekzemplar të disertacionit me lutje që pasi këndej paraqiteshin pengesa, nëse meriton punimi dhe ka mundësi organizimi le të më mundësohet mbrojtja e doktorates atje. Ai këtë kërkesë e kishte pranuar me kënaqësi dhe po me anë të Palit, prof. S. Mansaku, bashkë me numrin e telefonit të profesorit ma dërgoi tekstin e procedurës, e cila praktikohej atje për mbrojtje të tilla publike. Jo vetëm kaq, ndërkohë, pasi unë për arsye konpiracioni nuk kontaktoja me telefon, po atë e bënte Pali në një rast e ndjeva që ndër të tjera i tha se sa i përket cilësisë punimi është në nivel dhe nëse Nuhiu vazhdon me vepra të tilla sipas ideve që ka do të arrijë të jetë krenari e kombit... Kështu profesori i nderuar, si mësues i mirë, ma shtonte motivimin që të përpiqesha edhe më me vullnet në trajtimin e çështjeve konkrete nga fusha të gjuhësisë shqiptare dhe në veçanti rreth përkryerjes së kodit të shqipes së njëzuar standarde kombëtare dhe duke falenderuar kryesisht mësimet të tij deri tash i kam realizuar 16 vepra nga kjo fushë.

Sidoqoftë, unë i përgatita të gjitha tekstet sipas procedurës së paraparë, të cilat edhe sot i kam në dosje, mirëpo për shkak të vështirësive objektive, pasi u paraqiten pengesa deri edhe udhëtimi përmes Greqisë etj., realizimi i një veprimi të tillë për të gjallë të tij, në ato rrethana qe i pamundur. Sido që të ketë qenë, gjesti bujar i prof. Kostallarit nuk mund ta harrohet dot.

12) Ndodhën ato që ndodhen, u bënë ndërrime në Shqipëri, paksa edhe në Kosovë, kur arrita me shkue në Shqipëri  më 1992 si  pjesëmarrës në Konferencën shkencore  me temën bosht Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot, me çrast veç kumtesës Rreth përcaktimit të rregullës për formimin e emrave prejpjesorë të vepruesit me –ËS në shqipen letrare kombëtare e diskutova paksa edhe çështjen e paskajores me + pjesore, por mjerisht pa praninë e prof. A. Kostallarit të ndjerë, ia di për nder prof. S. Mansakut, i cili më tha se mund ta aktivizoja kërkesën që ia kisha drejtuar atëherë profesor Kostallarit, po unë i tregova se tani në Prishtinë procedura është në përfundim e sipër. Me keqardhje ndjeva që atje kishin dalë fjalë edhe kundër autoritetit të profesor Kostallarit, andaj nuk m’u mundësua vizita në familjen e tij as sa për ngushëllim.

13) Sidoqoftë, po atë fundviti 1992 me ndihmën e dekanit Shefqet Pllana që e kishte rregulluar anën administrative m’u dha rasti që në ndërtesën e Institutit Albanologjik, Prishtinë, më më 24.12,1992, para komisionit përkatës ta mbroj doktoratën, me ç’rast nuk u harrua as falenderimi për dritën e lavdisë së prof. Androkli Kostallarit.

2. Pse dhe për çka duhet respektuar e jo përçmuar vepra e tërësishme e profesor   Kostallarit, sidomos edhe ajo rreth njëzimit të shqipes standarde

Duke u nisur nga fakti se njeriu nuk është si qumështi i pavaluar që çfarëdo cilësie të lartë të ketë po u përzie me ndonjë pikë thartire apo duarpalarje, prishet, hirrohet. Njeriu si njeri, gjatë jetës e veprimtarisë së tij mund të stoliset me të mira, por mund të rrëshqasë edhe në sprova jo të mira, prandaj veprimtaria e çdo individi si edhe shembëlltyra  prof. Kostallarit, duhet me u matë, duke ia vënë në peshore si anët e mira ashtu si edhe ato të pamirat, mbase të imponuara si të palara nga sistemi që dominoi asokohe. Së këtejmi, duke i pasur parasysh tri pikat e cekura në hyrje të kësaj paraqitjeje tash fill, as si prokuror, as si avokat, madje as si gjykues, por vetëm si një dëshmitar pa hile me aq sa di, do të përpiqem që sa më objektivisht të shpreh pse duhet respektuar përjetësisht veprimtaria jetësore e prof. A. Kostallarit.

1) Rreth kriterit të parë

Mbështetur në qëndrimin joobligues që kishte ndaj meje, që mësa kam marrë vesh mirësjellje edhe më lavdëruese ka pasur edhe me studentë e vartës të tjerë, mendoj se profesor A. Kostallari meriton respekt njerëzishmërie të shkallës më të lartë, edukatë kjo të cilën e shohim të ravijëzuar në personalitetin e tij, siç thuhet te ne, sipas të lemes d.m.th. sipas trashëgimisë, të lindurës, por edhe sipas të blemes, d.m.th sipas formëzimit shkollor-profesional apo ideologjiko-politik të gërshetuar edhe me humanizëm e atdhedashuri gjatë hapërimit në valët e jetës politike e shoqërore të kohës, andaj t’ua mohosh Asdrenit e Androkli Kostallarit si bën ndonjë gojëpalarë njerëzishmërinë e shqiptarësinë për punën që kanë bërë për gjuhën e në gjuhën shqipe, është  mëkat që as Zoti nuk e falë, apo jo?!

2) Rreth kriterit të dytë

Me ndejtë shtrembët e me folë drejt,  gjithkush mund ta vrasë mendjen: ku qëndronte enigma që prof. Kostallari nga 70 vjet e 7 muaj jete afro pesë dekada mundi me ecë e me veprue me sukses mbi tehun shpatës së demokracisë socialiste duke shërbyer si ndërlidhës verige zinxhirore brenda atij sistemi me përgjegjësi edhe si vartës edhe si epror, edhe pse, si të tjerët përherë ishte nën survejim, jo vetëm shpëtoi pa u prerë këmbësh e pa rrëshqitur në humnerë, por ia doli mbanë duke gëzuar respekt e avancime?! Kushdo që përpiqet me zbardhë këtë sekret mendoj që  duhet t’i ketë parasysh këto rrethana biografike të tij si fakte ndikuese që po i cek tash fill:

E para, si duket për këtë sukses rrugëtimi sigurisht duhet falenderuar aftësinë e rrallë intelektuale të tij, qoftë duke futur në veprim gjindshmërinë e lindur mençurake (të lemen), qoftë përgatitjen e tij profesionale e organizative (të blemen), d.m.th. formimin sipas doktrinës marksiste leniniste të përforcuar nga studimet në BS, siç e pëlqente atëbotë dhe kreu dhe tërë aparati i Partisë dhe i Shtetit shqiptar.

E dyta, lidhur me pikën e mësipërme, Androkliu gjatë rritës së vet, si djalë fshatari (nga Luisa e Permetit), edhe pse i mbetur jetim, si nxënës i talentuar jo pa halle mundi të kryejë shkollën e mesme në Shkodër e Tiranë dhe gjithsesi gjatë kësaj periudhe si shumë shokë të tij, thithi dhe u pajis veç me edukatë shqiptarishte edhe me rryma ideologjike të kohës, andaj  edhe me ide e propagandë komuniste dhe kështu që në moshën 20 vjeçare vullnetarisht iu bashkua LNÇL (1942 -1944), avangardë e së cilës ishte pikërisht Partia komuniste shqiptare me moton e fortë: luftë për çlirim nga pushtuesi i huaj dhe njëjherazi luftë për shoqëri pa klasë shfrytëzuese feudalo-borgjeze. Andaj nuk di sa mund të fajësohet pse Androkliu e gjeti veten të inkuadruar, jo vetëm në luftë si partizan, por edhe në vijim si militant i pushtetit të ri komunist, pushtet ky, i cili që në fillim e caktoi në një vend pune shumë delikat: editor përgjegjës në gazetën Bashkimi (1945-1949), organ i Frontit Popullor Shqiptar dhese nga ajo pozitë, siç më pati treguar, pati kurajo që pikërisht rreth gjuhës së gazetës të kundërshtojë deri ministrin S. Malëshova, i cili paraqitej si gegërishtofob ekstrem.

E treta, a mund të fajësohet A. Kostallari si kuadër besnik i pushtetit të ri, pse u dërgua për shkollim të lartë jo në Perëndim, po pikërisht në Moskë, në Bashkimin Sovjetik, (1949-1954), ku edhe tregoi aftësi të rrallë studimore si student i gjuhës dhe i gazetarisë, diplomoi shkëlqyeshëm. Edhe pse nga organet e atjeshme për hir të kapacitetit studimor të vërejtur pati ofertë të ndalej atje për të vazhduar karrierën në fushën e shkencës etj., por ky, pasi assesi nuk e kishte ndërprerë lidhjen e bashkëpunimit me bazën, i ndejti besnik pushtetit shqiptar, madje edhe pse i martuar me një ruse, siç duam ta kuptojmë ne, për hir të edukimit atdhetar, së andejmi me familje u kthye në Shqipëri, duke sjellë me vete si kontribut përveç diplomës edhe një fjalor rusisht shqip të hartuar si autor-student, punë kjo që i shtoi prestigj e përvojë si studiues fjalor-hartues.

E katërta, a mund të fajësohet profesori i diplomuar A. Kostallari pse me të kthyer pranoi nga pushteti mirëpritës, postin e drejtuesit me përgjegjësi të lartë në shkallë vendi, pikërisht në fushën e kulturës, arsimit e shkencës, ku nevojitej: forcim-disiplinimi, formim-kompletimi dhe kontrollë-konsolidimi të institucioneve të vjetra e të reja të shtetit të ri komunist shqiptar. Ku ai vërtet me aftësi të rrallë, jo vetëm si organizator, por edhe si njohës i shkëlqyer i problemeve bashkëkohore dhe kështu si punëtor i palodhur dhe i displinuar siç ishte, për afro 40 vjet (1955-1991) kreu me sukses punë e detyra shumë delikate e me rëndësi, natyrisht duke thadruar në mënyrë besnike vijën e politikës shtetërore marksiste-enveriste, e vetmja ideologji që asomote në Shqipëri shtetërisht jepte karrierë e të mira materiale.  Por njëherazi profesori ishte me fat sepse  kjo punë institucionesh ishte në të mirë të përjetësisë së kulturës kombëtare, institucione këto me të cilat barazohej Shqipria me çdo shtet tjetër të botës moderne.

E pesta, në këtë vazhdë, sa mund të fajësohet profesori, pse krahas gjetjes e krjimit me sukses të kuadrove albanologë, si brenda si jashtë Shqipërisë, mbase edhe për shkaqe karrieriste a mbajtjeje pushteti ka pasur raste që nuk ka rrezatuar mbase me hije e pa hile, sidomos ndaj kolegëve e vartësve të vet, pasi kështu ka ngjarë atëherë si edhe sot pothuaj në çdo vend e në çdo sistem, kurse në socializëm sidomos në Shqipri kjo ishte dukuri më e rëndomtë, ku askush nuk mund të ishte i sigurt në asnjë vendpune, veç atyre që dinin dhe kishin aftësi të shërbenin me përulësi e besnikëri ndaj eprorëve e sistemit, apo jo?!

E gjashta, gjithashtu nuk di sa mund të fajësohet prof. Kostallari, përveç këmbëngulësisë, pse në drejtshkrimin ose gjuhën e përbashkët të shqipes zyrtare para e pas Kongresit 1972 në shqipen administrative nuk futi më shumë elemente e forma të gegnishtes, siç ishte edhe paskajorja me+pjesore, kur dihet fakti se që nga Çlirimi 1944-1945 nga institucionet më të larta të pushtetit ishte kërkuar haptazi menjanimi i gegnishtes, madje kur edhe vetë studiuesit gegërishtfolës vullnetarisht(!), ishin pajtuar me shqipen zyrtare mbi bazë të toskërishtes. Kështu, paskajorja me+pjesore nuk gjeti vend as në drejtshkrimin e A. Xhuvanit (1948), ortografinë e K. Cipos (1951), Fjalorin e Cipo-Çabejt (1954) etj, kur A. Kostallari nuk ishte as anëtar i ndonjë komisioni. Madje veç tjerash as studiuesit gegë as nga Shqipëria as nga Kosova e gjetiu, para, në dhe pas Kongresit (1972), ndoshta edhe për mungesë koncepti, nuk e kishin hapur fare veçmas temën e kësaj paskajoreje, apo jo?!

3) Rreth kriterit të tretë

Së këtejmi duhet të jemi të vetëdishëm si çdo kohë, edhe sistemi socialist në Shqipëri (1945-1990) krijoi njerëzit e vet edhe në fushë të kulturës, arsimit dhe të shkencës gjuhësore, ndër të cilët më i dalluari në fushën e organizim-themelimit të institucioneve, siç u cek më sipër e në veçanti të normës letrare ishte profesor A. Kostallari, dhe për këtë aktivitet që nuk duhet t’i mohohet veçmas merita e tij, sepse:

E para, profesori, duke e kryer detyrën e vet qytetare denjësisht në mënyrë brilante në favor të eprorit, për fat të tij dhe të shtetit e shoqërisë, ishte punë e mirë, ishte në favor të edukimit e arsimimit kombëtar, ku ai u dallua, qoftë në mësimdhënie, qoftë në organizim të drejtpëdrejtë të tubimeve shkencore, por edhe në përzgjedhjen e formimin e kuadrove shkencorë, ku edhe doli tejet  i suksesshëm.

E dyta, ai edhe më i sukseshëm u tregua në hartimin e veprave kyçe praktike në bashkëpunim me studiues të rangut të lartë, por edhe me vartës dhe sigurisht në këtë kontekst duke angazhuar e shfrytëzuar të tjerë ka rritur në mënyrë të natyrshme krahas autoritetit të shtetit, të institucionit që e përfaqësonte, edhe autoritetin e  kombit, por edhe të vetin personalisht.

E treta, gjithashtu është e vërtetë që edhe me aktivitetin e këmbëngulsinë dhe punën  e pakursyer të tij u arrit që Shqipëria ta bëhej qendër studimore e albanologjisë.

E katërta, gjithashtu me aktivitetin dhe këmbëngulsinë e tij u arrit që si në çdo shtet modern gjuha zyrtare të njësohet dhe që atëherë e sot jo pa sukses ky standard po e përfaqëson vendin ndërkombëtarisht.

E pesta, jo vetëm kaq po kjo shqipe zyrtare u pajis me shtyllat kryesore siç janë: Gramatika e Akademisë, Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, Fjalori drejtshkrimor, Gjuha letrare shqipe për të gjithë (si abetare e standardizimit gjuhësor), fjalorët përshkrues (1980, 1984) etj., edhe pse mbi bazë të një dialekti, për çka me të drejtë ndërkohë po i bëhen vërejtje, po që ka mundësi siç pritet të perfeksionohet po ky standard, duke i ripërtërirë e përplotësuar ato shtylla me përthithje të vlerave të anashkaluara nga dialektit tjetër pa e përmbysur vetveten.

E gjashta, prof. Kostallari, përveç rolit që luajti sipas pikave të mësipërme, ky e stolisi emrin e vet edhe me studime të thukta vetjake shkencore, ku u dallua pikërisht në trajtimin e temave të mprehta aktuale me shumë interes shoqëror e shkencor, vepra këto që tani janë përshirë në 4-5 vëllime, të cilat edhe pse ende nuk më kanë rënë në dorë, por nga ato që i kam lexuar e konsultuar më përpara, mund të them me bindje të plotë se çdo temë që e ka trajtuar profesor Kostallari e ka shkri si përmbajtësisht ashtu edhe stilistikisht, që edhe sot mund të shërbejë si model për studiuesit.

E shtata, fundi i fundit, si çdo vepër njerëzore, duke pasur parasysh faktin se profesor Kostallari shërbeu në sistemin tjetër shoqëror, shikuar sipas pozicionit të sotëm, përveç sukseseve, mund të ketë bartë në fushën e terminologjisë e përgjithësisht edhe ndonjë term lajthitës të diskutueshëm, si b.f.: njeriu i ri socialist, kombi socialist(!), madje mund të jetë nxituar kur kongresin e drejtshkrimit e përshpalli: kongres të standardizimit(!), po ashtu silajthiti paksa me termin suigeneris, kur nuk ishin të përfshira prurjet e domosdoshme nga gegërishtja, apo kur ndonjë vlerë si: paskajorja, asnjanësi e ndonjë tjetër i quajti fosile, gati-gati si të vdedkura, edhe pse siç po duket vetë sovrani nuk i kishte ekzekutuar ato, apo jo?! Sidoqoftë, këto e ndonjë lajthitje tjetër duher pasur në konsideratë se nuk janë viruse që prishin tërë qumështin, madje as të çajnë ajkën e shëndetit të veprimtarisë së thellë shkencore të prof. Kostallarit.

Megjithë ato që u thanë e nuk u thanë, ne konsiderojmë se baza e asaj pune të udhëhequr nga prof. A. Kostallari assesi nuk bën të mohohet, sidomos përpjekja e normëzimit të një gjuhe letrare, por duhet të shfrytëzohet për një standard të rinuar mbi bazë të shqipes së natyrshme, duke i integruar në shtyllat e standardit të gjitha vlerat që ka gjuha jonë e natyrshme dhe në këtë drejtim d.m.th. “drejt shqipes standarde” dhe për disa “çështje të shqipes standarade”etj. edhe ne (me 16 vepra) jemi përpjekur me dhënë ndihmesën tonë modeste në të mirë të përsosjes, plotësimit dhe përforcimit të shtyllave të shqipes standarde të cilat parimisht ishin vendosur mbarë e drejt nën drejtimin e prof. A . Kostallarit.

Sipërmbyllje

Në fund mund të rrumbullakësojmë se gjuha e sotme zyrtare shqipe ende në fuqi assesi nuk duhet të quhet inatçe: gjuhë e kostallarit ose gjuha e enverit gjuhë e diktaturës e aq më keq: gjuhë talebane, gjuhë e djallit.. etj., pasi ajo në të vërtetë është gjuhë zyrtare jo e pasukseshme e kombit shqiptar, që ishte e mbështetur nga shteti legjtim, e cila duke u pajisur edhe me vlera të dialektit tjetër gjithsesi të domosdoshme, duke u mbështetur tani nga logjika edhe nga nga nteresi kombëtar e ndërkombëtar dhe pa e përjashtuar ndëhyrjen e shtetit të ri (demokratik), do të quhet me termin e merituar: standardi zyrtar i gjuhës shqipe.

Nga sa u tha mund të përfundojmë se shembëlltyra e prof. Androkli Kostallarit si fenomen e autoritet me dije të rrallë te ne gëzon respekt njerëzishmërie, respekt uniforme eprori dhe respekt të një punëtori krijues, autoritet ky, i cili po i mungon sot kulturës gjuhësore shqiptare për ta përkryer standardin e njësuar dhe për ta shpëtuar kështu atë, qoftë nga konzervatorizmi, qoftë nga anarkazmi, për shkak të liberalizimit të tepruar dhe së këndejmi për punën pozitive që ka bërë i nderuari prof. A. Kostallari në periudhën e caktuar për kulturën, arsimimin dhe gjuhësinë shqiptare dhe në veçanti për përpjekjen për standardin e njëzuar gjuhësor i meriton vlerësimet më të larta.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora