Kulturë
Milazim Kadriu: Rrëfime për jetën dhe heroin
E premte, 22.12.2017, 11:22 AM
RRËFIME PËR JETËN, KËNGË DHE POEZI KUSHTUAR HEROIT AGIM BAJRAMI
Zarije Zenuni- Bajrami “Agimi i një jete pa perëndim”, botues SHI “Jakova”- Gjakovë, 2016
Nga Milazim F. KADRIU
Libri “Agimi i një jete pa perëndim”, të autores Zarije Zenuni-Bajrami është më shumë se një monografi për jetën dhe veprën e heroit të kombi Agim Bajrami. Libri bazohet kryesisht në rrëfimet apo kujtimet që sjell bashkëshortja e Agimit e që janë kujtime plotë drithërimë dhe me plotë emocione të cilat i përjeton edhe lexuesi. Andaj ky libër është i veçantë si në mënyrën e ndërtimit po edhe në mënyrën e rrëfimit të autores që njëherësh ishte edhe bashkëshorte e heroit Agim Bajrami.
Në libër janë paraqitur vuajtja, sakrifica, veprimet konkrete të Agimit për liri ngase ai kishte frymë idealiste dhe dashuri të madhe për lirinë e vendit
Autorja rrëfimet i ka paraqitur që nga koha kur është njohur me Agimin, martesën e tyre që e bënë pa lejen e familjes së Zarijes, pastaj punën në ilegale, kohën sa Agimi ishte ushtar, dënimin e tij, vuajtjen e dënimit dhe qëndresën e tij të fortë si guri që asnjëherë edhe përkundër torturave të rënda nuk i zbuloi shokët e ilegales. Më pas përshkruan kohën kur Agimi ishte jashtë atdheut dhe shkuarjen e saj tek ai në Zvicër me njëqind vuajtje e peripeci në rrugë ilegale. Edhe pas këtij bashkimi erdhi koha e ndarjes së serishme me shpresën se prapë do të bashkohen por kjo ishte ndarje për gjithmonë sepse Agimi erdhi në Kosovë në luftën për çlirim ku edhe ra dëshmor dhe fitoi pavdekësinë, ndërsa Zarija mbeti në vendin e huaj bashkë me fëmijët e vegjël të cilët nuk arritën që atëherë ta njohin mirë babin e tyre, por që tash janë krenar me te se ai është heroi i Kosovës për lirinë e së cilës e dha jetën bashkë me shumë djem e vajza të Kosovës.
Libri “Agimi i një jete pa perëndim”, të shpie nëpër kohë, ngjarje e situata interesante, të një periudhe nëpër të cilën kemi kaluar si popull deri në luftën e fundit çlirimtare kur djemtë më të mirë të këtij vendi e hoqën nga këtu okupatorin shekullor. Në mesin e këtyre djemve më të mirë që dhanë gjithçka nga vetja e tyre madje edhe jetën është edhe heroi i kombit Agim Bajrami të cilit edhe i kushtohet ky libër që na sjellë plot ngjarje nga jeta e tij për të cilat shkruan autorja që njëherësh është edhe bashkëshortja e tij dhe për atë ajo rrëfen në detaje këto ngjarje që nuk janë të pakta. Po ashtu këtu kemi edhe rrëfime të shokëve të idealit si atyre të veprimtarisë në ilegalitet, shokëve me të cilët vuajtën në kazamatet e ish Jugosllavisë po edhe të shokëve me të cilët ishte bashkë në radhët e të lavdishmes UÇK-së. Në libër gjithashtu janë përfshirë katër këngë dhe 71 poezi nga autor të ndryshëm nga e gjithë gjeografia shqiptare kushtuar, jetës dhe veprës së lavdishme të heroit Agim Bajrami. Ky libër ka një rëndësi të madhe jo veç si libër përkujtues për heroin e kombit por edhe për lexuesit e sidomos për brezat e ri dhe ata që do të vijnë pas nesh që të dinë sa më shumë për ngjarjet nëpër të cilat ka kaluar ky popull dhe sakrificat deri në lirinë e sotme të cilën po e gëzojmë falë gjakut të derdhur dhe jetës së dëshmorëve që ranë për këtë tokë dhe gjithë të tjerëve që në mënyra të ndryshme punuan dhe u sakrifikuan për Kosovën martire.
Të gjitha këto rrëfime të autores rikujtojnë shumë ngjarje të përjetuara dhe për lexuesit e moshave më të reja, janë rrëfime interesante, herë-herë të pabesueshme, por të gjitha të vërteta, të rrëfyera me një realizëm të thjeshtë, të qartë e të sinqertë nga autorja Zarije Zenuni-Bajrami që si bashkëshorte e heroit ishte edhe bashkudhëtare në rrugën e jetës dhe veprimtarisë së heroit Agim Bajrami.
Autorja librin e hap me poezinë “I fundit mëngjes!” që ia kushton ditës së 10 gushtit 1998, që është dita e rënies heroike të dëshmorëve Agim Bajrami, Xheladin Kurtaj dhe Besnik Begunca, shkëndijat e para të lirisë në Kaçanik. Pastaj vjen Prologu që e ka titulluar “Vetë jeta ime është një roman i tërë!” ku ndër tjera thotë : ”Gjithnjë kam menduar se kujtimet dhe gjithçka që unë mbaj mend nga jeta e shkurtër por plot ngjarje e mbresa me tim shoq, duhet të jenë diku në letër, diku në rafte. Se duke i shkruar e duke i ndarë me të tjerët, ato nuk më takojnë më vetëm mua por mbarë opinionit shqiptar, historisë sonë e cila në shekuj është shkruar me gjakun e bijve të sajë, e bijve si Agimi …”
Edhe redaktorja e librit në fjalën e sajë pos tjerash thotë : “Për Atdheun nuk është asnjëherë e mjaftueshme të bëhet. Po ashtu, për të rënët, nuk është asnjëherë e mjaftueshme të kujtohen. Nderimi për ta, është respekt për vetë lirinë të cilën aq gjatë e ëndërruam, aq fort e kërkuam, aq shumë u sakrifikuam, por jo të gjithë iu gëzuan.”
Në vazhdim në libër jepet një biografi e shkurtër e Agimit nga fshati Stagovë dhe Zarijes nga fshati Duraj të Kaçanikut dhe shkurtimisht edhe për familjet e tyre. Ndërsa pjesa kryesore e librit është ajo “Një jetë me Agimin” që e ndan në njëzetë (20) pjesë e që të gjitha mbajnë titullin “Ti kërkove lirinë me pranga në duar, Agim Bajrami!” ku përshkruan jetën e tyre që nga njohja e deri në rënien e tij heroike dhe më pas të cilat rrëfime i përfundon me vargjet e njohura të poetit Latif Berisha “Tri gota” ku si thotë autorja më duket se vërtetë ashtu është kjo botë.
Më pas vijnë rrëfimet apo kujtimet për Agimin nga bashkëveprimtarët si janë : Teuta ZYMBERI, Reshat SALIHAJ, Osman BURRNIKU, Sabri LUSHI, Mehmet BISLIMI, pastaj këngë për heroin nga Milaim MEZINI, Kadri ISMAILI (muzika Fatos CANOLLI), Xhemajl BERISHA e që i notalizoi muzikologu prof. Behar ARLLATI
Një pjesë e rëndësishme e librit është me poezi që përmbajnë vargje shpirti për dëshmorin e kombit Agim Bajrami dhe shokët e tij të rënë heroikisht më 10 gusht 1998. Këto poezi janë mbledh nënë kujdesin e shkrimtares Migena ARLLATI.
Në libër janë të prezantuara poezitë e autorëve : Abide GASHI, Adem XHELADINI, Adem ZAPLLUZHA, Ajet SHALA, Albert HASBAZAJ, Alma FERUNI, Arjan TH. KALLÇO, Ariana BYTYÇI, Bajram BALA, Bajram KALLABA, Beqir BINISHI, Bilall MALIQI, Blerina PËLLUMBI, Bora ARLLATI, Drita KOSUMI-SYLA, Drita NIKOLIQI-BINAJ, Edona HAKLAJ, Elhame GJYREVCI, Ermelinda KRASNIQI, Fadil H. CURRI, Farida ZMIJANI- RAMADANI, Fatmir BRAJSHORI, Ferat SHALA, Florie OSMANLLARI, Florim ZEQA, Gjon GJOKAJ, Ibrahim SKENDERI, Idriz BERISHA, Ilam BERISHA, Ilir GUDAQI, Ismet TAHIRAJ, Jahë FIDA, Kasum VELIU, Laureta REXHA, Leomir SMAJLI, Linditë BERISHA, Lulzim HAJDARI, Lumturi PLAKU, Maxhun OSMANAJ, Milazim F. KADRIU, Muharrem GASHI, Nagi HUSAJ, Namik SELMANI, Nazmi RUDARI, Neki LULAJ, Nexhi BAUSHI, Pozaet QOSE, Ramadan ASLLANI, Reis MIRDITA, Rexhep PNISHI, Romeo GEGUSHI, Rudi BERISHA, Rrahman HYSENI, Servet BYTYÇI, Skënder R. HOXHA, Sheremet AJAZI, Sheremet PROKSHI, Sherife BERISHA, Shqipe HASANI, Teuta OSMANI, Tyran SPAHIU, Viktor GJIKOLAJ, Vjollca BYTYQI-SHOSHI, Zyrafete MANAJ, Xhemile ADILI, Xhevrije KURTESHI-NIMANI.
Në fund të librit është edhe një album me foto të periudhave të ndryshme të Agimit, Zarijes dhe fëmijëve si dhe foto të mirënjohjeve dhe medaljeve, vendimi dhe Urdhri “Hero i Kosovës” për Agim Bajramin.