Kulturë
Kona: Zemra e zjarrtë e poetit Sadulla Zendeli-Daja
E diele, 17.12.2017, 10:54 AM
Zemra e zjarrtë e poetit,
leksikografit dhe atdhetarit Sadulla Zendeli-Daja
(Duke lexuar librin e S. Z. Dajës “Dëgjoni zemrën time!”, botuar nga “Toena”, paraqitur në Panairin e Librit, Tiranë, 17 nëntor 2017)
Shkruan Viron Kona
Ka disa vite që, krahas librave poetikë dhe fjalorëve të çmuar, Miku ynë Sadulla Zendeli-Daja, i pandarë nga shtëpia botuese “Toena”, ka shkruar edhe disa libra të veçantë nga përmbajtja dhe që lidhen drejtpërdrejtë me dëshirën e tij të madhe për të njohur dhe përjetuar çdo pëllëmbë të Shqipërisë, Kosovës, trojeve shqiptare në Maqedoni, ku ka lindur dhe ku kthehet herë pas here si dallëndyshet. Janë tituj vërtetë interesantë dhe që kanë në qendër atdhedashurinë: “Gostivari në zemrën time”, “Rizgjimi i Arbërisë”, “Kur kam atdheun kam gjithçka” dhe ky i kohëve të fundit “Dëgjoni zemrën time!”për të cilin dëshiroj të shprehem disi më gjerë në këtë artikull.
Libri përmban poezi dhe prozë.
Poezitë janë shkruar në stilin dhe patosin e njohur atdhetar të këtij poeti dhe personaliteti të atdhetarisë, të leksikologjisë dhe kulturës shqiptare. Ato kanë në themel krenarinë e qenies shqiptar, por edhe brengën e një mërgimtari për trojet e tij të copëtuara padrejtësisht, vlerësimin për brezat e heronjve që kanë nxjerrë trevat shqiptare, ndërkohë që vrullojnë poezi me ndjenja sociale dhe humane, që kanë në qendër familjen, shoqërinë, dashurinë, mallin, respektin dhe nderimin për njerëzit që kanë sakrifikuar dhe sakrifikojnë për liri e pavarësi. Në këtë hapësirë kanë tërhequr veçanërisht vëmendjen poezitë: “Emrin e kam tetëdhjetë e dy”, “Shqetësimi im në mërgim”, “Sërmnova”, “E dashur mos u mërzit”, “Thura shporta e ua fala njerëzve”, “Dëgjoni këngën time”, “Zgjohu sharrëxhi!”, “Vdekja nën urën e Baltikut”, “U ktheva në atdhe”, “Një pëllumb i bardhë”...
Ndërkaq, autori boton me një stil publicistik interesantë dhe origjinal artikujt: “Kambanë alarmi për lirinë dhe demokracinë”, kushtuar ngjarjeve të 27 prillit 2017, që ndodhën në Kuvendin e Maqedonisë, dhe ku veçohet jeta dhe sakrifica e atdhetarit dhe luftëtarit Ziadin Sela. Po me kaq patos është shkruar “Sërmnova, Ilirida dhe shpëtimi kombëtar”, ku theksohen sakrificat e luftëtarëve të lirisë dhe pavarësisë”; “Sinqeritet dhe dashuri për kombin tonë të lashtë dhe të pavdekshëm”, e ku autori nënvizon vlerat e jashtëzakonshme që karakterizojnë kombin shqiptar; “Të mbajmë kurdoherë të gjallë gjuhën shqipe!”, ku shprehet dashuria për gjuhën shqipe, por dhe meraku për ta ruajtur atë të pacenuar veçanërisht te brezat e shqiptarëve në mërgim.
Është interesant gjithashtu edhe artikulli “Na mban krijimtaria”, ku autori shprehet për vlerat e artit nëpërmjet bashkëbisedës me piktorin e mirënjohur Zef Shoshi. Kështu rrjedhin artikujt: “Jam krenar që kam punuar e luftuar për pavarësinë e Kosovës”, nëpërmjet të cilit, autori evokon luftën e gjatë dhe papërkulshmërinë e popullit shqiptar të Kosovës dhe gjenocidin e ushtruar mbi këtë popull në vite e dekada nga regjimi mizor serb. Libri “Dëgjoni zemrën time” pasqyron edhe vlerësime rreth personalitetit të Sadulla Zendelit, ashtu dhe disa nga vizitat e tij të kohëve të fundit në shkolla dhe universitete të Shqipërisë, në institucione kulturore, historike kombëtare, por dhe në zyra të larta shtetërore e bashkiake në Tiranë, Durrës, Krujë, Elbasan, Kukës, Lezhë; në ekspozita figurative dhe të traditës, në muze e qendra qytetesh e krahinash të Shqipërisë. Libri përmban gjithashtu artikuj dhe opinione e vlerësime nga njerëz të thjeshtë e deri akademikë, rreth këtij personaliteti të spikatur e bashkëkohor shqiptar. Dëshiroj të veçoj këtu artikujt kushtuar personalitetit të Dajës nga prof. Dr. Zyhdi Dervishi, Baki Ymeri, Prof. Murat Gecaj, Fedinand Hysi, Elvis Dhono, Namik Selmani, Liljana Kona, Dafina Haxhiu, Benarta Elmazi, Andon Andoni, Bashkim Saliasi.
Leximi i këtij libri, sikurse edhe i librave të tjerë të kolanës, që përmendëm, pasqyron bukurinë e shpirti dhe të zemrës së këtij atdhetari të madh shqiptar, ndërkohë që ato na tërheqin në përmbajtjen e thellë dhe të zjarrtë, në mesazhet që përcjellin dhe vlerat e tyre artistike dhe njohëse.
Gjatë përurimit të librit në panairin e 20-të të Librit,Tiranë
Mendoj se është vepra e zjarrtë e këtij personaliteti arsyeja që mediet e shkruara dhe ato elektronike në Suedi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e mërgatë, prej dekadash e kanë Sadulla Zendelin - Dajën ndër personazhet e spikatura. Për jetën dhe veprimtarinë e tij janë angazhuar e kanë shkruar personalitete, shkrimtarë e publicistë të njohur në Suedi e në të gjithë Skandinavinë, emri i tij ka qenë në vendin e nderit në librin e botuar nga Lidhja e Shoqatave Shqiptare “Iliria”, të titulluar “Gjurmë Shqiptare në Suedi”, autorë të të cilit janë: Astrit Gashi, Elhame Zhitia, Muhamet Krasniqi, Shuquri Sejdijaj, po ashtu, emri i Sadulla Zendelit vezullon vazhdimisht dukshëm në revistën “Albanezul” (Shqiptari), që botohet në Bukuresht, Rumani, e ku shpesh herë drejtuesi i kësaj reviste i ka kushtuar emrit dhe veprës së Dajës deri edhe numra specialë. Por, edhe shumë radio e televizione në Suedi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj., kanë realizuar emisione të veçanta për krijimtarinë dhe veprën e këtij atdhetari të shquar. Emri i Sadulla Zendelit - Dajës zë vend të rëndësishëm në librat “Thesari Kombëtar”, vëllimet 1-8, botime të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, Suedi. Botime të tij radhiten në disa antologji të krijimtarisë shqiptare, por ai është i pranishëm vazhdimisht në medie të shkruara dhe elektronike me artikujt e, sidomos, me prezencën e tij dhe fjalën e zjarrtë.
Ndërkaq S. Z. Dajës i janë kushtuar edhe libra të shkruar nga Nehat Jahiu, Namik Selmani, Baki Ymeri, Viron Kona etj, sikurse një numër i madh poetësh, i kanë kushtuar Dajës krijimet e tyre poetike, ndër të cilat veçojmë: Zyrafete Mane (Suedi), Halim Laçi (Krujë, Shqipëri), Namik Selmani (Shqipëri), Qazim Sula (Sulejmani) – Itali. E veçantë është edhe kënga kushtuar Sadulla Zendelit - Dajës nga këngëtari dhe rapsodi i njohur Agim Gashi, si dhe filmi dokumentar, vepër e gazetarit Ramadan Reshitaj, regjisorit Sejdi Zeka - Dreni dhe e kameramanit Sami Zeka. Janë të shumta institucionet shtetërore e shoqërore, ashtu dhe shumë shoqata të ndryshme në Shqipëri e treva shqiptare apo në mërgatë, që e kanë vlerësuar dhe nderuar Sadulla Zendeli-Dajën me tituj nderi, me dekorata, mirënjohje dhe falënderime, ku vënë në dukje vlerat dhe ndihmesën e madhe të këtij leksikografi, atdhetari dhe poeti në çështje të kulturës, të shkencës, atdhetarisë dhe të artit.
Mbi të gjitha, “arkivi” më i mirë dhe më i saktë i Sadulla Zendelit - Dajës, ku mund të gjesh me siguri të plotë gjithçka kërkon, është vetë Daja, me freskinë e përhershme të kujtesës, me kulturën e lartë dhe thjeshtësinë e të treguarit, me paraqitjen dhe bukurinë, ëmbëlsinë dhe muzikalitetin e shprehjes së fjalës shqipe, me pasurinë e leksikut, duke iu përshtatur vazhdimisht mjedisit ku ndodhet.
Dajën e gjen shumë lehtë. Ai, me 82 vjet në supe, parapëlqen të lëvizë në këmbë, qëndron në salla bashkë me shumicën, gjithnjë me një performancë të shkëlqyer veshje, ai i bashkohet “korit, ndërkohë që është ndër “solistët” më të spikatur.
Që t’i provosh këto që po shpreh, mjafton të përmendësh emrin e Dajës te shqiptarët e Ëlandit, Kalmarit, Nybros, Borasit në Suedi, në Gostivar, Kosovë e Shqipëri dhe do të shohësh se si fytyra dhe sytë e bashkëbiseduesve marrin menjëherë një pamje të ëmbël, ku shprehet dukshëm dashuria dhe respekti për këtë njeri me kaq vlera që kemi kënaqësinë ta kemi mes nesh edhe nëpërmjet librit mbresëlënës “Dëgjoni zemrën time!”
Në veprimtarinë përuruese kushtuar librit më të ri të Dajës “Dëgjoni zemrën time!”, morën pjesë shumë lexues dhe të ftuar, mes të cilëve dhe shkrimtarë, artistë, akademikë, gazetarë dhe botues. Folën znj. Irena Toçi, drejtore e shtëpisë botuese “Toena”, z. Kujtim Dashi, shkrimtar dhe redaktor i librit, z. Viron Kona, recensent i librit e të tjerë. Ndodheshin gjithashtu edhe nipat dhe mbesa e S. Z. Dajës ardhur posaçërisht nga vendlindja e Dajës, Gostivari.
Në vijim, duke folur për vlerat e z. Sadulla Zendeli-Daja, në emër të Shoqatës “Bytyci”, Kryetar i kësaj Shoqate Av. Agron Isa Gjedia, i akordoi z. Sadulla Zendeli-Daja, Titullin e lartë patriotik “Aristidh Kola”, në motivacionin e të cilit theksohen vlerat e z. Zendeli, si rilindës i kohës sonë, si mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve nga regjimi i egër dhe i dhunshëm serb i ish Jugosllavisë, por dhe si një ambasador i mirë, për afirmimin e vlerave të popullit shqiptar në përgjithësi, vendosjen e urave të lidhjeve me popullin suedez, për botimet e shumta, e, veçanërisht, për veprën monumentale “Fjalorin Suedisht-Shqip”.
Kësisoj, përurimi i librit “Dëgjoni zemrën time!” u harmonizua mjaft bukur me Titullin e lartë të nderit, duke afirmuar edhe në këtë rast vlerat dhe kontributet e mëdha të S. Z. Dajës në çështjen e shenjtë kombëtare.
Përurimi vijoi me diskutime të pjesëmarrësve në përurim, bashkëbiseda me z. Zendeli, i cili, si gjithnjë i ngrohtë dhe buzagaz u përgjigjej pyetjeve dhe interesimit të lexuesve, e më pas me dashamirësi dhe falënderime, shpërndau me autografe librin e tij “Dëgjoni zemrën time!” Fotografi të shumta mes autorit dhe lexuesve, përgëzime, urime të sinqerta dhe shtrëngime duarsh, mbyllën këtë veprimtari të bukur me vlera letrare, njëherazi edhe patriotike.