Kulturë
Neki Lulaj: Relikja e shpirtit
E premte, 29.12.2017, 11:30 AM
Neki Lulaj
RELIKJA E SHPIRTIT
(Kujtim nga Biblioteka e mikut tim Zeqir Lushaj-Lezhë)
E mori majekraku derën e odës së shtrenjtë
Tha me vete se ishte relikja më e vjetër
Nga fshati i lindjes ishte e vetmja shenjë
Që do të zinte vend ballë bibliotekës
Drita e vetëtimës hyn vrimave të vjetra
E në shpinë ishin ngulur gozhdat e miteve
Në veshët e kohës po trokëllinin çelsat
E në mes kulmeve dera e babait ende kërciste
Kapaku i kësaj dere lëshon rreze ditë e natë
Që magjeps shpirtin e një arkeologjie antikuarësh
Mbi të janë përplasur metafora e miliona fjalë
Sikur shihte tymin e duhanit që nxirrnin kaçakët
Dera e odës së babait është ikona më e shenjtë
Qe sot e shoqërojnë kulmet ku fle pavdekësia
Atje mes librave të vjetër, në bibliotekë
Kurrën e kurrës nuk do ta jetë mbret vetmia