Kulturë
Tahir Bezhani: Zëri i nënës
E enjte, 28.12.2017, 11:16 AM
TAHIR BEZHANI
ZËRI I NËNËS
(nga varri)
Një zjarrmi e etshme më zuri
Mall i çmendur u fut në zemër
Varri i nënës më vjen para syve
Ka kohë që nuk e kam vizituar
Rrëmujë mendimeve të mia
Palë mbi palë ngarkuar
Dita gdhiu e bukur,me rreze dielli
Përmallshëm ecja rrugës
Mbytur në kujtime...
Arrita te varri me zemër të ganduar
Hoqa bar të keq, ndonjë rrënjë fier
Një ushtimë dika më vjen, një zë
Një dredhë pluhuri rrugëve të fshatit
Ngrihej deri në qiell
Më mbështolli në boshtin e saj
Më lidhi si në djep lilak,
E një zë i ëmbël si në vaj flet:
“ A ishe në Zogaj o biri im
A gjete kënd,a të priten mirë,
A të thanë ndonjë fjalë
Te varret a ke qenë
Folëm lumi im,folëm çdo gjë?...
Qe gjashtëdhjetë vite kam ikur
Akoma shkrumbin e kam në buzë
E mallin në sy e mbaj...”
Pasi iku dredha në rrugëtimin qiellor
U shkreha në lot e vaj mbi varrin e saj
Kujtoja vajtimin në dyshekllak të kullës
Kur loti i saj thante dushk e bar
Tani zërit të saj i përgjigjem me radhë
Ia kam plotësuar dëshirën,amanetin
Radhë me radhë ,duke ia thënë :
Po e dashura nënë,
Kam qenë në Zogaj e fort jam çmallë
Tërë Bytyçin e Tropojën shëtitë i kam
Lule ishte vendlindja ku ke lindë e rritë
Ato boka e kodra ,fusha e male
Vizituar të gjitha i kam
Themelet e shtëpisë i gjeta pa kate
Beso,shumë jam mërzitë!
Dajë të dashur: Alushi,Ademi,Sadiku
E gjithë ajo djalëri
U gëzuan shumë e thanë:
“ O na erdhi nipi,djali i Razës
Pas pesëdhjetë vitesh, sa lumturi
Lotët e tyre flisnin,gojët ishin ngri
U bashkua Bytyçi shpi për shpi
Nga gëzimi dashin e therën për gosti.
Pastaj takova motrën tënde ,Hyrën në Padesh
U përqafuam gjatë,qanë zemrat fort nënë
Çdo gjë u tregova për ty ,për ne
Gati harrova pa të thënë,
Te varri i gjyshit Zenun u përula në Zogaj
Gjyshja Tahe në Padesh ishte varrosur
Shkova edhe atje
Për hatrin e zemrës sime nënë…
Tani fli e qetë nënë e dashur
Kufijtë janë rrënuar
Kudo në Shqipërinë tënde kam shkuar
Më kanë dhënë shumë mirënjohje
Bytyçi e gjithë Tropoja
Kam shkruar libra nënë
Poezi për Zogaj e Valbonën
Me lot i kam qa
Si ti dikur frengjive të kullës
Kur unë isha fëmijë...
Të gjithë më duan në Tropojë
Kur shkoj edhe gurët gëzohen
Bokat qeshin e natyra gjelbërohet..
Tani dita iku,nata po vjen
Përshëndeta nënën te varri
Një zë si ushtimë sërish dëgjoj
“Faleminderit loke,
Shpirtin ma qetësove
Shkrumbin më largove!....”
Ecja si i këputur në brez
Do vite ngarkuar trokasin gjymtyrëve
Do mjeshtër dembelë po punojnë
Mendimet bluanin ngjarjen e ditës
Ktheva kokën prapa
Sikur diçka nga brenda foli
Natën e mirë nënë,sërish do vi
Nuk di sa vonohem!....
Shtëpia më tërhiqte,edhe fëmijët
Dy botë të ndara
Kaluan bashkë një ditë
Imagjinata ushqen shpirtin e plagosur....
Shkruar në pakohësi!..
Gjakove, Dhjetor 2017