Kulturë
Nebi Dragoti: Ftesë politikanëve
E enjte, 28.12.2017, 08:41 AM
NEBI DRAGOTI
FTESË POLITIKANËVE
Ftesë pa dorashka politikanëve;
t’m’i lexojnë poezitë,
se ngritur i kanë krifat nëpër vargje…
Ftesë,
ballëpërballë ftesë
politikanëve me shpirt atdhetarë,
ju dua të vetmohimit,
kalorsiakë,
jo halldup donkishoteskë.
Dhe të tillë, të tillë
të kenë shumë kujdes:
mbahuni fort mbas krifave (..)
si Skënderbeu kryekomandant,
se kështu nuk do të rrëzoheni
duke djersitur për Atdhe,
duke sakrifikuar për ideal.
Mbas krifave të metaforave e rimave
qëndroni drejt,
se kam kalë të sertë,
mbahuni fort, fort,
se nxiton kali i poezisë
herë zdrënkthi,
herë revan,
herë me galop…
Para keni kalin e kuq migjenian,
i rrufeshmi,
krifë ndezuri ka kohë
në ecje trokon,
turfullon…
Në rrugëtim Migjenin
e bëra shok
në artin e poezisë dhe politikës
dhe ngrejmë diellin shqiptar…
Kjo tokë dhe ky diell
na saluton.
Ftesë u bëj politikanëve:
mos ma refuzoni ftesën,
zërin tingull hekurt ma ndëgjoni,
se kështu mua poetin,
(s’e them për humor),
por…
sinqerisht më nderoni,
por…
edhe veten lartësoni.
Ndëgjomëni:
nëna Shqipëri
mos të ngelet mbrapa shteteve,
shtetet ta kenë zili.