E marte, 14.05.2024, 04:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Muça: Shmangja e kodeve letrare

E premte, 29.12.2017, 12:00 PM


Shmangja e kodeve letrare dhe arkitektura  e re e një romani

(Disa vëzhgime letrare mbi romanin " Ora e Zooparkut" e Mjeshtrit të Madh Zija Çela)

"Vlerat në letërsi, sikur se në jetë,

më të shumti kanë të bëjnë me të

veçantën fshehatare, atë që e kalon

cakun e të zakonshmes, të tepërtën

prej së cilës merr jetë kuptimi."

Harold Bloom " Përse të lexojmë?

Mehr Licht nr. 36, 2008

1-Të jeshë vet-vetja në dy jetë krijuese

Me qenë i sinqertë që në fillim të këtyre përqasjeve kritike, shkrimtarin Zija Çela, para viteve ' 90 e kam njohur si një tregimtar të përkorë, i cili me risitë e sjella në esetikën dhe stilistikën e prozës tregimtare, ishte renditur denjëshisht, ndër më të njohurit, si nga vëzhgimi kritik por  dhe nga lexuesit e shumtë.  Ai ishte dalluar për guximin e një trajtimi të ri estetik të prozës tregimtare, futjen e dukurive moderne  më stilin e veçantë mozaik me një shumti nëntekstesh.

Në filozofinë narrative të Çelës që atëhere gëlonin problematika, subjekte, shqetësimet e dramacitetit social, e jo siç ishte bërë rëndom  tabú, tematikat e servirura nga diktantët demagogë të soc- realizmit, ( sureal do ta quaja).

Një përqasje të tillë, si një rreze drite, e ndjeja në tregimet e botuara që në vitet 70-80 në gazetën "Drita", në revistën " Nëntori". Në qenien time tek këto krijime ndjeja diçka moderne  që lëvrinte mes paragrafeve tregimtare, si një vezullim i ri, si inovacion, diçka moderne e përceptuar dhe në prozën e Ismail Kadaresë, Faik Ballancës, Dhimitër Xhuvanit, Kasem Trebeshinës.

Ndjeja një mbartje ekselente të re, atë ndjesi që kisha përfituar tek "Netët moldave " të Mitrush Kutelit. Siç duket, në proçesin e investigimit të estetikave e stileve  narrative në letërsinë botërore, që në ato vite zanafilla, e më pas ngulmëtar i lirë, autori është njëmendësuar me letrarizimin romanesk të koncepteve estetike të Henri Xhejmsit i cili definon:

" Më duket se askush kurrë nuk ka bërë një përpjekje artistike serioze pa u bërë i vetëdijshëm për një rritje shumë të madhe- një lloj zbulimi- të lirisë. Atëhere njeriu ( lexuesi, V.M. ) ndien- në dritën e ajrit qiellor- se fusha e artit është e gjithë jeta, gjithë ndjenjat, të gjitha vrojtimet, të gjitha takimet." ( Çështje të romanit, Prishtinë, 1980, f.82).

Ky integrim letrar, përqasur në eksperiencat botërore, i mbartur në një substanciale të re kohore,  më  krijoi bindjen se autori kish bërë një luftë jo vetëm me vetëveten, por dhe, me një pjesë të mirë me "kritizerë" që e rrethonin. Ai kishte përzgjedhur të ishte vetëvetja në atë çfarë kërkonte arti i të shkruarit.

Kur mora librin "Ora e Zooparkut "  dhe evidentova një raport produktiv të krijimtarisë  pas viteve '90, thashë me vete: - nuk qenkam gabuar në përceptImet e mija të kahershme: se ky shkrimtar jo vetëm do të mbijetonte në dy jetë krijuese, por do të sillte në tregimet dhe romanin shqiptar diçka të re, pas " përmbysjeve" në letrat shqipe.

Ajo çka përceptoja në vitet 70-80, si një lirshmëri narrative, pa tutelë tematike, pa pragje perceptimi; ngarkuar me metafora, alegori, groteks, qëndisur bukur në gjergjefin e një filozofie të re tregimtare, që më tundonte për ta marrë si model, kish shpërthyer si luleaguliçet pas një dimri të cingërt, në një jetë të dytë krijuese pas viteve '90.

Në lirshmëri e me një bollëk krijues, me mbi nëntëmbëdhjetë vepra, gjithçka qëmtohet me mjeshtërinë e një dukurie të re, duke zhbiriluar labirinthet prozadorike.

Gjithnjë, sipas mendimeve të mia të shprehura dhe në librin "Unë mendoj", në tërësinë krijuese shqiptare, pas viteve '90, Zija Çela radhitet  ndër të paktët, që jo vetëm e mbajti ndezur pishtarin e dukurive të reja në prozën shqiptare, por si shumë pak të tjerë, më atë pishtar ndezi një zjarr bubulak, ku të ngrohen jo vetëm krijuesit e " mërdhitur" nga soc-surealizmi dogmatik I së kaluarës, por dhe lexuesit. 

2-Subjektivizmi narrativ, dukuri në strukturën e romanit modern. 

Me besimin se do më zgjoheshin ato përceptime të së kaluarës, për shkrimtarin e afirmuar Zija Çela, iu afrova stendës së shtëpisë botuese “Toena”; pa mëdyshje përzgjodha librin “Ora e Zooparkut”. Isha i bindur se duke medituar mbi këtë libër do të gjeja subkoshiencën e re, jo vetëm të krijuesit, por dhe një reformim romanistik, një promemorje letrare për ardhmërinë e romanit shqiptar, dinjitoz, krah atyre botërorë.

Tregimtaria e romancierit Çela në bindjen time, them se është bërë një gur këndor në godinën  e re të romanit shqiptar, ku ndërlidhen bukur marëdhëniet reale dhe virtuale, ku si në një galaktikë të re ndihet ngrohtësia, psherëtimat shoqërore, por dhe lebetia në arrati e njerëzimit, mes një drame shoqërore, e cila vlon në errupsion për të dalë nga qerthulli.

Në letërsinë fabulare ngjarjet, fenomenet, personazhet ngjasojnë si dy pika uji me gjithçka ndodh në jetën e sotme e që autori, personazhet që frymojnë i ka takuar, ka pirë një buranë me skoç e kapuçino; ndaj dhe naracioni vjen i këndshëm realisto- ekzistencial, duke notuar me përrenj natyralizmi.

Ky natyralitet vjen këndshëm nëpërmjet alkimisë së fjalëve të përzgjedhura e të mirëpërpunuara nga autori, me dëndësi fonemash e urtakesh popullore. Njëherazi kjo alkimi vjen dhe si gjenerim shpirtëror e cila e shndron gjithçka në një gazmend shpirtëror, shumë të dëshirueshëm, por dhe me manifestimet më të ulta të poshtërsisë, të mjerimit njerëzor, sa shpirtëror aq dhe fizik.

Gjithçka që i ndodh personazheve, vjen si pasojë e fenomeneve të konceptit dialektik të vetëdijes, kundërshtive të të kundërtave, agravimit të substancës shoqërore e të ndërgjegjes. Në këtë kontekst:” Vetëm kur ndërgjegja i padit, disa gjejnë fajet që kanë bërë”- gjykon në një sentencë autori.

Shkrimtari Zija Çela, tashmë e ka bërë stil të personalitetit krijues, shpërfilljen e kodeve letrare, nuk i qëndron besnik fabulës narrative, por qëmton me një arkitekturë të re letrare, një narracion mozaik, duke e çliruar romanin nga lineariteti tregimtar.

Ai ka përdorur me sukses ngjarje dhe fenomene revokuese, mbartjen e tyre nga koha në kohë, duke përdorur me mjeshtri e racionalitet monologun e vetës së parë, dialogun lakonik e kursimtar, psiko-analitikën e personazheve, duke i bërë anamezën shoqërisë nëpërmjet nënteksteve me psiko- terapeutikën e personazheve dhe të shoqërisë.

Këto autori i realizon me anë të metaforave polivalente, parabolave dhe paralelizmave figurative, aq shumë të pëlqyera në zhanrin e tregimit.

Duke analizuar egon e personazhit kryesor, por edhe të nënë Fjonës, me një psiko- analizë, autori godet supëregon e cila me anë të personazhit hije ( Persekutorit) kërkon të shpërfytyrojë karakteret njerëzore e të vendosë rregullat e antishtetit, të mafies. Edhe në këtë kontekst, Çela realizon bukur kontrapuntin artistik, duke deheroizuar rrëfimin me anë të vetëprangosjes, sfumimit, dhe jo me superheronjtë e stisur leifenistë.

Subjektivizmi narrativ e jo tematika, mesazhet që bulojnë në më shumë se në një substancë kohore, përjetimet nga breza emigrantësh, janë më shumë se kurrë të ndjeshëm në diversitetin e sotëm social e moral; sot, kur nga ky tranzicion absurd, shoqëria shqiptare po jeton një hemoragji shoqërore me përmasa biblike nga goliati emigracion.

Këtij subjektivizmi i është përshtatur me sukses stili mozaik tregimtar i romanit, në përshtjellimin e ngjarjeve dhe fenomeneve si përbashkësi të një kompleksi rrëfimor, një dukuri moderne e sjellë bukur në biodiversitetin shqiptar, si një prozë autoktone në lloin e saj. Një risi e tillë mbart në vetëvete, një realizëm thelbësor magjik, i cili magjistron zigzaket kohore e hapsinore, përmes dukurive sociale.

Imazhinizmi dhe magjia tregimtare, në kapitullin ”Mënxyra dhe balona me fytyra” vjen në këtë subjektivitet si një inovacion, si një element estetiko- stilistik, thelbësor në trajtimin e tij, i cili namatis rrëfimin romanesk si një hallkë lidhëse në zinxhirin fabulist të romanit; përbashkon ato lidhje në mozaikë dhe unifikon përbashkësinë e narracionit. 

3.-Strukturim ngjarjesh në nivele valorizuese. 

Romani duke iu përshtatur natyralitetit të sotëm shoqëror në copëzimin e tij ka përftuar format të ri duke përmbledhur një mori subjektesh e ngjarjesh, ku dramat dhe intrigimet zhvillohen në mënyrë permanente në disa copëza jete, por që në thelb përbëjnë karrexhiatën romaneske, ku mesazhet, idetë, qëllimi i autorit vijnë në përmasa shoqërore.

Në këtë dramacitet, si në byzylikun çip, filmohen përjetime nga më të ndryshmet, në kohë dhe  situata të ndryshme, herë- herë dhe në papajtueshmëri. Në shuminë e tyre, me ndjesitë që ato përçojnë dhe virtualisht, personazhet bashkëjetojnë, qoftë dhe në vetëpërjashtim si në statusin vetjak, por edhe në atë shoqëror, si në planin moral, por dhe në filozofinë e jetës së tyre; ku çdo gjë funksionon në ligjin e xhunglës, por dhe në të njejtën trysni shoqërore.

Në këtë botë plot agravime shpirtërore e morale, Zija Çela, me mjeshtrinë e narracionit, dijti të gjejë shtigje dhe hapësira për tu futur dhe në kopshtija të brishta, shpirtërore, duke kaluar në ato arkapia të rrugëtimit narrativ, ku akoma ka mbetur i papërligjur pezmi i jetës. Si kontravers, në këtë format, ai ka realizuar dhe gjenerimin e kundërshtive të papajtueshmërisë, e cila vjen surreale si zëdhënëse e gjithësisë por edhe e shpërfytyruar nga mentaliteti arkaik, e brutaliteti i absurdit shoqëror.

Ky diversitet moral e shoqëror, kjo lakushmëri ndjenjësore tek lexuesi krijon ndjeshmëri të lartë shoqërore, hone mendimore, përballje me një botë zhgënjyese, ku racionalja  dhe irracionalja e dëshirueshme  për një rend të ri shoqëror, e një familje të qëndrueshme, dalin në plan të parë.

Diveristeti pozicionohet  hera- herës në kaskada shpirtërore  e mendimore të paprekura nga mutacionet e një shoqërie të degraduar, ku në nëntekste çlirohet  një bing- beng në përballje me këtë ngërç shoqëror në familjen shqiptare.

Në këto zhvillime shoqërore, sa delikate aq dhe parësore në shoqërinë e sotme, autori me akumulimin jetësor,  nëpërmjet formëzimit të karaktereve  të personazheve, të sfumuara maskotisht  si zëvëndësues kafshësh të Zooparkut, jo humanoid, me maksima letrare të punuara në laboratorin krijues, promovon intrigime ku bulojnë mendime, ide e mesazhe si në lojën e balonave, në zoopark, me zohumanët, lojën me agjentin Tom, duke e veshur shoqërinë me maskotin shoqëror.

Kjo shpërbërje morale e fizike e familjes, nën tam- tamet e e kazanit mediatik dhe këmbanave shurdhuese shoqërore nga korrupsioni masiv, i ndjek fatet njerëzore dhe në emigracion. Ç’përbërja e bërthamës të shoqërisë njerëzore (familjes) i përndjek personazhet nga faqet e para të romanit, gjer në fund, si një klithmë proteste e autorit ndaj kësaj të keqeje në një kohë kur: “Prindërit po i harrojmë që të gjallë/ veç kur vdesin i qajmë me oii oiii/ E çfarë vlerë ka ai lot që hiqet faqeve zvarrë/ kur ata vdesin në vetmi.”

Kjo strukturë romaneske, në saj të bashkësisë të dramave në një strumbullar valorizues, ka arrit të japë formatin e plotë romanesk, duke përbashkuar ngjarjet e fenomenet sepse me kompetencë estetike, autori i është përmbajtur konceptit estetik të Mihail Bahtinit, i cili nënvizon:” Të strukturosh ngjarjet në një nivel valorizues – kohor me vetëveten dhe bashkëkohësit e tu ( e në bazë të kësaj sipas përvojës dhe trillimit personal)- do të thotë të bësh kthesë radikale ( në prozë, V.M.) – të kalosh nga bota epike në botën e romanit.” (“Çështje të romanit,” Prishtinë 1980, f. 31)

Këtë ristrukturim Zija Çela e filloi që me tregimet e viteve 70-80 e deri tani me romanin “Ora e Zooparkut”, i dha rifiniturat, si një stil dhe estetikë e re e prozës romaneske shqiptare. 

4.Krahinizmat dhe fjalë- formimet si “mballoma artistike” në raportin drejtshkrimor 

Si në tregimet dhe në romanin “Ora e Zooparkut”, me dukuri të reja në stilin e estetikën moderne, Zijai dallon për të veçantën që e ndjek në këtë roman: Bukurintegrimin gjuhësor, kulturën e lartë drejtshkrimore, mbartur me një shumi urtakesh popullore, krahinizma si “mballona artistike” shkrirë bukur në formatin drejtshkrimor. Një prurje e tillë e pasuron fjalorin me një sërë fjalë-formimesh, neologjizmash dhe ekstrakte fonetike nga fondi i artë popullor.

Me përkushtim gjuhësor, autori ka trioruar zhargonin popullor, duke marrë prej tij ato xhevahire, të cilët kanë majanë, domethënien në thelbin e tyre, kanë përmbajtjen e metaforës dhe të simbolikës, e cila ndrit mes këtij zhargoni.

Në këtë mënyrë, Çela, me kompetencë gjuhësore letrarizon konceptet estetike të Umberto Ekos mbi përdorimin e “mballomave” si element artistik dhe si lidhëse e diskursit narrativ, sepse siç thotë esteti Eko:” …disa vepra shfaqen si të ndërprera e megjithatë ( me këto “mballoma artistike”, V.M.) japin një përshtypje frymëmarrjeje të nevojshme për ecurinë e së tërës si ura, si saldime.” ( Umberto Eko “Për letërsinë” f. 199)

Në romanin “Ora e Zooparkut” funksioni i këtyre ekstrakteve popullorë realizon jo vetëm lidhjen integruese brenda narracionin, por dhe aranzhimin, ligjërojnë artistikisht vazhdimësinë e fabulës romaneske. Ato vinë dhe si zëdhënëse të mesazheve që kërkon të interceptojë tek lexuesi, autori me anë të nënkuptimeve.

Duke i dhënë një vend parësorë në komplecitetin e përdorimit gjuhësor të këtyre fjalë- urtave apo sentencave, aforizmave, autori i ka rritur vlerat gjuhësore, jo vetëm si element krahinor por dhe në tërësinë drejtshkrimore. Ata në tërësinë mozaike të rrëfimit ndrisin si rruzuj sepse :” Nëse përkundrazi e trajtojmë prap problemin e mballomës në dritën e doktrinës kantiane të gjykimit përsihatës, ndofta ai bëhet më pak dytësor se sa na duket në vështrim të parë – qoftë në kuptimin se mballoma nuk mund të jetë element i dorës së dytë në vepër.” (Umberto Eko, “Për letërsinë”, f. 202.)

Në roman, Zija Çela në përdorimin e tyre është treguar ekselent si në përzgjedhjen dhe vendosjen në vendin që e kërkon “logu narrativ” duke patur si udhëzues atë porosi të estetit Eko: “se përdorimi pa kriter, pa peshore estetike, çdo gjë e humb “nervëzimin qenësor”, “kthehet përmbys, zbulohet se Dantja nganjëherë është më poet kur flet për rruzuj planetarë dhe për shkreptimat e dritës, se sa kur mallëngjehet për çka i ndodh Paulos e Fernandës.” ( po aty). 

5. Konvencionet letrare dhe grotesku i një romani. 

Romani në tërësinë e tij përshkohet nga një ndriçim, sa i përvjedhur nga errësira e absurdit shoiqëror, aq dhe nga vezullimi verbues i një grotesku, të cilin autori e ka si karburantin letrar shpotitës.

Dhe në ato raste, kur raportet shoqërore janë të egra, si në këtë tranzicion, ku si me teh të shpatës qëndron “a jetë a vdekje”, autori nuk ngurron të fusë si pjesë të pa ndarë groteskun, “ku vdekja ndahet sipas lloit të seksit”. Në këtë kllounitet panoramik të tipit hasheikian, Zija Çela nuk ngulmon të na sjellë situata groteske dhe humori të ashpër e jo kllounitetin e njeriut që ndodh rëndom në shumë shkrimtarë.

Këtë groteks dhe humor të “egër”, herë- herë autori e ka shtrirë si një dukuri absurde në mardhëniet e sotme ndërshoqërore dhe në dialogjet e marëdhëniet  e afërta familjare ku Mario (Martini) dialogon me Gracianën.

“- Mora një lajm të hidhur nga Tirana- thashë.

-Ç’lajm – u tremb ajo.

-Dikush ka përdhunuar nënën time.

-Bah..! - lëshoi një pasthirmë tmerri.”

Apo takimi pas 17 viteve me Fjonën ( nënën), në Zoopark me maskotin e gomarit, një groteks i gjetur, domethënës, e që përmban nëntekste mesazhe të mohim- mohimit si një dukuri e filozofisë dialektike të jetës: mohove, do të mohoesh duke qëndruar i burgosur në maskotin e gomarit.

Një grotesk dhe humor i thukët, ku në tërësinë e konvencionit të botës së sotme, konvencionohet dhe zooparku i përfshirë nga epidemia, duke vendosur zohumanë me maskota si figurantë. Në fakt, në këtë (tranzicion shoqëror) jemi kthyer ca si shumë figurantë, si ushtarë të mirë Shvejk. Një hasheikiane e përsosur alla shqiptare sepse: ‘’ Me që vetë organizmi human kishte krijuar imunitet, me gjasa, virusi kishte kaluar nga njeriu te bishat.’’

Në këto kontekste, magjia e interpretimit prestixhiativ të fenomenit investigativ të vetëvetes, vjen si një suport në artin e groteskut në këtë roman.

Duke e veshur dramacitetin social me nuanca policeske të romanit modern autori, me anë të personazhit  kryesor Martinit, është treguar prestixhativ i afirmuar në letrat shqipe. Martini, duke i vënë vetëvetes byzylikun spiun, ngren primare jo vetëm katarsisin e çdo antari të shoqërisë, por evidenton në emergjencë një problem të madh në mardhëniet ndërshoqërore; sinqeritetin e transparencën, siç vjen në replikën e policit gjyqësor në evokimin e ngjarjeve në zoopark, me gjuhën e Tom Donit:’’ Aty vinte erë bajgë por ajo (Fjona V.M.) ngulte këmbë se ndjente erën tënde. ‘’

Mjeshtria e këtyre kllouniteteve panoramikë, marrin vlera të larta artistike  e mesazhiere nga vendosja e tyre në mendjen e kthjellët të popullit kur flitet për dhurata nga OKB –ja: ‘’ Një mut do të bjerë ndonjë dhuratë nga qielli: Vetëm dora e  zotit mund të hedhë mana prej andej- s’u përmbajt një gjahtare që po përdorte tejqyrën për vrojtim.’’

Edhe metafora e lojës së balonave vjen si një kontravers artistik i një kotësie që endet në qiellin shqiptar, si ato tullumbacet e fryra që përdoren për të vrojtuar kushtet e motit, e sapo arrijnë lartësinë kritike, pëlcasin si hiçgjë. 

6. Karaktere e personalitete të dytëzuara 

  në zanafillë, në ashpërsimin e dramës sociale në shtëpinë e Fjonës, mes birit dhe nënës e njerkut, autori me një rekurs i jep trajtë dypersonalitetit të personazhit kryesor Martin Laborës. Me këtë dypersonalitet ai do të luajë gjatë gjithë romanit, si një personazh i dytëzuar: frymor dhe hije që e ndjekin duke mbartur sipas kushteve e situatave karaktere e personalite të ndryshëm, gjer në atë shkallë sa që: ‘’ Mos vallë, pak nga pak, po përjashtohesha dhe unë nga ajo shtëpi- dialogon Martini për veten. ‘’

Konceptin filozofik të këtij dy personaliteti “jam apo s’jam un”- autori e realizon bukur si një përrua psiqik, nën frymën e dytësimit gradual në rrethana dhe fenomene, nën shembullin e letrarizimit Jung e Lakant të teorisë frojdiste, gjer në atë shkallë sa që :’’ I qe rënduar nënës i biri, apo të birit e ëma..?’’

Një agravim në handikapin shoqëror, ku mëdyshja qëndron mbi personalitetin e njeriut, si gur pendimi, i cili do i mbetet në kurriz tërë jetën, duke e ndjekur një hije sepse: ‘’ Por sido ta llogaritësh, me që vetë nuk më shqitesh, as unë (hija V.M.) nuk të shqitem për së gjalli. E kështu i bie të mbetem Persekutori yt.’’

Ky dypersonalitet, në ciklonin shoqëror, në tornadot e turbulencat që len pas, kalon në një reaksion zinxhir transformime të brendëshme metafizike duke e çuar subkoshiencën njerëzore në cilësimet e handikapëve shoqërorë që po kalon shoqëria.

Me këto transformime metafizike, me mjeshtrinë e përdorimit të fjalisë e të frazës, autori ka krijuar raporte të shumëanshme  mes personazheve të cilat ndërlidhin mozaikën episodike, duke na sjellë jo vetëm dyzimin personal, por dhe një mori ideologjizmash, të cilat vinë me dukuri të psikologjisë shoqërore, ku izmat në kontekstin e ri kohor vinë me dukuri gjoja ‘’revolucionare’’ si një formë moderne bio- shqiptare e prozës romaneske, ku dhe:’’ Borxhet e bankës së jetës janë tjetërsoj, ato nuk ka monedhë në botë që t’i paguaj.’’- gjykon autori përmes Abdullait nëpërmjet një bisedë- loje të shtirë për ‘’vdekjen’’  e Martinit  me zonjën Fjona Kokona ( Labora).

Edhe në këto aspekte të egra familjare, autori fut me mjeshtri fantazmagorinë si element të diversitetit shpirtëror, i cili gjeneron ankthe sociale të pakufi gjer në një binjakëzim kriminal.

Këtë e shpreh bukur me anë të Martinit në aspektin e përzhvillimit të ngjarjeve dhe fenomeneve duke ndjekur:’’parimin e shtrembërimit  duke ruajtur ngjashmërinë dhe tipologjinë e fenomeneve’’ në substancë kohore.

Në dialogun ndërmjet Martinit dhe Abdulla Meglushës autori na nxjerr në pah prototipin e formuar me karaktere, në kundërshti subkoshiencash, ku të shtirurit, rafinatat në shoqëri, sjellin prirje momentale, sepse koha që erdhi, solli absurdin e shtirjeve: ‘’…të gjithë shtiren nga pak, veçse secili në mënyrën e tij.’’

Në këtë zhvillim shoqëror e shpirtëror, autori me formën e katarsisit, gjykon në kontravers: ‘’Po e çoj për rekurs në gjykatën e ndërgjegjes, atë më supremen, por dhe më të korruptuarën.’’

Lufta e njeriut me ndërgjegjen e shkalafitur nga indet patogjene të kohës që po përjetojmë në këtë tranzicion të palimit, është  domosdoshmëria immediate për të dalë nga qerthulli në të cilin është futur shoqëria, - proklamon autori.

Vetëm me një ballafaqim të ndërgjegjes qytetare, luftës kundër korrupsionit shoqëror dhe moral, mund të kapërdihet kapërcaelli i këtij handikapi, i cili ka mbërthyer për fyti shoqërinë shqiptare.

Një drejtim letrar i thukët i koncepteve të filozofisë dialektike në luftën e të kundërtave, i  cili në thelb gjeneron zhvillimin e shoqërisë drejt një prosperiteti të dëshiruar sepse sot: ‘’ Engjëjt mos i kërko në tokë se dhe në qiell janë rralluar; nëse ngre kokën  ngaherë e sheh ndonjë, përpiqu t’ia mbash bishtin, veçse kujdes mos të të kafshojë gishtin..!” – e porositi nominanti i drejtsisë shqiptare, dedektivi Tom Don, Martinin. Dhe në katarsisin e tij, Martini gjykon: ’’Zoti mos lëntë njeri pa guximin e korigjimit të vetes.’’

Një dritë e hapur kjo në fund të tunelit të humbellës shoqërore e skriptuar me mjeshtri nga autori. 

7.-Pas shkrimore 

Me mjeshtrinë e përftuar në dy jetët krijuese, Zija Çela e ndërtoi këtë roman si shumë të tjerë, duke u mbështetur fortas në kapriatat e metaforave shumëfunksionale të gjetura në zulmën e dramacitetit shoqëror e shpirtëror, brujtur me groteks të thukët, e një tharm poetik, ku personazhi kryesor gjykon: ‘’…ndieja një fare thëngjilli në gojë, si të ishte bërthama e ndonjë rrufeje, që mund të ma bënte qymyr tërë trupin.’’

Kjo magji metaforike, me shumë ngarkesa mesazhiere dhe ndërlidhje parabolash mes personazheve, e ka përbajtësuar romanin me dukuritë e prozës moderne në romanistikën shqiptare ku ëndrrat dhe realiteti, interceptohen nën modernitetin kafkian, por me një ndryshim thelbësor nga subjektivizmi i Franc Kafkës në romanin ‘’Kështjella’’.

Autori e zhvillon dramacitetin jashtë kështjellave, atij uni transhedent, gjen hapësira  të gjëra shoqërore edhe në mitikën e jetësuar në substancë të re kohore.

Edhe ëndrra për nënën, Gandinët, plakun Dino Buzali, si versione të kundërta në thelbin substancial, jetësohen, transformohen në realitete duke plotësuar njera tjetrën, jo si element përjashtues por inbursues. Kjo transformon nga një irracionalitet i ëndërruar në një ralitet që përjetohet në gjithë hapsirat e shpirtit, duke mbushur atë boshllëk çka po mungon çdo ditë e më shumë në frymën e dëshiruar familjare.

Dhjetor 2017 

Vladimir MUÇA

Shkrimtar kritik 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora