Kulturë
Xhevahir Cirongu: Poezia është këngë
E premte, 29.12.2017, 11:32 AM
Poezia është këngë që këndohet e lexohet në çdo kohë
Nga Xhevahir Cirongu
Orgesta Tafa ka lindur në qytetin Elbasan më 01 .05 1997. Mbaron arsimin e mesëm në gjimnazin ‘’Ahmet Dakli’’ po në qytetin e saj të lindjes, vazhdon studimet e larta në Fakultetin Ekonomik (dega financë) në Universitetin ‘’Aleksandër Xhuvani ’’ Elbasan. Por, letërsinë ajo e ka patur pasionin e saj të zemrës qysh në fëmijëri, duke qenë një lexuese e rregulltë e librit në përgjithësi, por e atij letrar në veçanti. Ajo merr guximin , e me penën e saj e hedh në letër vargun poetik të ngjyrosur me ngjyrat e ylberit shpirtëror. Aty tek ato rreh fort pulsi i dashurisë për jetën, malli për vendlindjen, për njerëzit e dashur të zemrës, për natyrën aq të bukur ku ajo ka lindur. Orgesta Tafa udhëton bashkë me mendimin dhe ëndrrat duke fluturuar nëpër qiellin e kaltër, takon yjet e bisedon me ta, i jep puthjen e ëmbël hënës ngjyrë ari, i thotë dashurisë së nënës se jeni mjalti e oksigjeni i jetës sonë, merr frymë thellë e takohet me ajrin e pastër të vendlindjes, Elbasanin që e ka rritur dhe edukuar, por edhe që e nxit për kurajon krijuese për tek vargu poetik. Duke vështruar e lexuar poezitë e kësaj poete të re , në galerinë krijuese dhe në vargun kolorit, aty do gjesh pjalmin poetik ku fjala e vargu shpërthen fuqishëm bashkë me ndjenjat të vetë poetes, gjithsesi pikërisht është kjo ndjenjë e ngrohtë e fjalës së shprehur që na fton ne si lexues që ta lexojmë poezinë e saj. Libri përbëhet nga 74 poezi. Tematikat e poezive janë kryesisht të planit ndjesor shpirtëror, të cilat pasqyrojnë botën e brendshme të vetë poetes Orgesta Tafa. Por , ajo nuk lë pa hedhur në vargje edhe për vendlindjen, atdheun, flamurin, pra fryma e atdhedashurisë tek kjo poete rreh fort, saqë duket qartë e lexohet me dhimbje kur e merr malli , por edhe dashuri të madhe që s’njeh kufi, deri aty ku ajo këndon bashkë me zogjtë e fshatit, pi ujë nëpër burimet e vendlindjes, deri tek lotdhimbja te varret e të afërmve, ku ledhaton me vargun poetik. gurët e epitafet që janë shkruar aty. Libri ka një titull aq domethënës, saqë poetja rend duke ecur e s’ndalet pas një gjethe të rënë nga pemët aty në rrugicat e qytetit apo të fshatit. Simbolika e gjethes që këputet nga pema, është një tregues rrëfimi i pandalshëm i vetë poetes në këtë rrugëtim të gjatë të jetës sonë. Mesazhet janë të qarta, sepse jeta duhet jetuar bashkë me të mirat apo të këqiat e saj. E tërë dinamika e thelbit të poezisë me titull ‘ ‘Një gjethe e rënë’’ nga ku merr edhe titullin libri i poetes Orgesta Tafa, na jep frymëzim, ngrohtësi, mendim e ëndrra për një të nesrme akoma më të bukur, sepse jeta vjen vetëm një herë, dhe si rezultat i kësaj ajo duhet jetuar. Dhe…. poetja e thotë qartë me vargun e saj të brishtë në dy strofat e fundit të kësaj poezie. Më konkretisht:
‘’ Po qanin gjethet që kishin rënë
Dhe degët sipër në pemë,
Ato kishin mbetur vetëm
Jetime lëvorja në dru.
S’kishin më ngjyra në to
Pa jelek në trup të ftohta,
Të veshur nga ngjyra gri
E nesrmja do lindi përsëri.’’
Tek poezia ‘’Nënë’’, poetja e shpreh bukur e me dashur aq të madhe , saqë çdo fjalë e shkruar shkëlqen si rrezet e diellit, frymon ngrohtë e vargu pi qumshtin poetik nga sisa e nënës, prandaj ai lexohet me aq dashuri. E kush s’ka shkruar për nënën të paktën të vetmnen fjalë!? Edhe Orgesta Tafa, na sjell në këtë vëllim poezinë e saj të gdhendur me daltën e shpirtit. Shprehet kështu:
‘’ U mërzita kur atje shkova
Por ty në zemër emrin,
Me ngjyra lapsi shkrova
Dhe mallin e zjarrt e shova.
…………………………………………
‘’ Me lot laj çdo ditë ditët e mija
Nga lerg prandaj vuaj o nëna ime,
Je dritë për sytë e mi si drita
Prandaj fortë të dua. ‘’ .
Ashtu seç e kemi cekur edhe më lartë, poetja lotin e ka si një thesar ku i flet për gëzimet apo edhe për trishtimet e shpirtit. Bashkë me lotin ajo këndon këngën e jetës, por me atë lot shpreh dhe mallin e dhimjes për vendlindjen deri te pragu i shtëpisë, apo parmaku i dritares. Te poezia ‘’Lot në dritare’’ përcjell fuqishëm për tek lexuesi atë dashuri që kemi për vatrën tonë të ngrohtë që ka emrin shtëpi, për parmakun e dritares nga ku soditim qiellin dhe yjet, kopshtet e bukura plot gjelbërim zogjtë nëpër pemë kur në pranverë ia thonë këngës, lulet e mbjella në saksi, deri te bora e bardhë dimrore që zhvesh gjethet e pemëve…..Ja, si e shkruan vargun për lotin poetja Orgesta Tafa, me metaforën e krahasimen aq drithërues. Vargjet janë shkruar me lotin e shpirtit, por ato janë shtruar si një tapet gjelbëror si gjethet e pemëve nëpër fletët e këtij libri. Konkretisht:
‘’ Nga zemra u shkëput
Te syri ai rrodhi,
Më ra mbi faqe
Dhe zemrën ma mori.’’.
Ndërsa tek poezia me titull ‘’Ti pafundësi’’ , mesazhet janë të zjarrta, ato shpërthejnë si një vullkan, vargu e poetja dalin si vullkan zjarresh nga shpirti, duke na thënë qartazi se jeta është një udhëtim që s’ndalet, ajo udhëton me ne së bashku si një pranverë e begatë deri në pafundësi. Pa dashuri s’ka jetë! Vargjet te poezia të shkruara nga poetja janë kuptimplote si:
‘’ Dua që të më flasësh
Të jem kudo me ty,
Po ti them këto fjalë
Tani jemi veç se dy.
Ti edhe unë bashkë
Udhëtojmë në pafundësi…! ‘’
E vetmja ajo që bashkon njerëzit nëpër botë është gjuha Pa këtë komunikim, s’do të ishte e mundur që njerëzit të merreshin vesh me njëri – tjetrin. Gjuha i bashkon popujt. Ata nëpërmjet komunikimit të gjuhës marrin e japin vlera të dijes e të kulturës. Poetja Orgesta Tafa na sjell me një kundërvështrim domethënës e me vlerë, që ta duam gjuhën tonë të bukur shqipe, ta ruajmë e pasurojmë atë, sepse gjuha jonë shqipe është mbretëresha e gjithë gjuhëve të botës. Dhe poetja na sjell këto vargje të bukrua për gjuhën tonë shqipe.
‘’ Rrotull venë e vinë, - të gjitha një kuptim
Me gëzof gjigante mbuluar botën,
Edhe kur gojë s’ke të flasësh, përshkon
Përdor gjuhën - tënde gjithësin shpegon.
Gjuha jonë e bukur, rrënjë Naimiane
Fishta zbukuron, dashuri Lasgushiane;
Fjalë thurin së bashku, 36 shkronjat
Perlë gjuha jonë, ajo më e shtrenjta.’’.
Vargu i shkruar nga kjo poete, e fton lexuesin dhe i rrëmben zemrën e dhimbjes , të mallit e dashurisë, për të lexuar vargun e hedhur në letër të poezive të kësaj poete të re. Orgesta Tafa del para lexuesit me librin e saj të parë poetik me titullin ‘’ Një gjethe e rënë’’, por lulëkuqet e shpirtit krijuese premtojnë rrugëtimin e pandalshëm letrar të saj.
‘’Ah,kjo jetë - mërgimtare
Femijë nga gjiri nënës larguar;
Si zogjtë e korbit shperdarë
Zjarri i shpirtit te ne përvëluar!’’
Poezia është një këngë që këndohet në çdo kohë, të tilla do mbeten si gurë diamatësh edhe poezitë e poetes Orgesta Tafa në lëmin e grunjtë të letërsisë shqipe.
Na mbetët për ti thënë poetes Orgesta Tafa, suksese në këtë udhëtim të bukur krijuese letrare