E shtune, 27.07.2024, 10:26 AM (GMT+1)

Kulturë

Rexhep Shahu: Trëndafila dhe bilbila persie

E diele, 31.12.2017, 11:36 AM


TRËNDAFILA DHE BILBILA PËRSIE

(Dy fjalë si botues i antologjisë Trëndafila Persie)

NGA REXHEP SHAHU

Kur m’u miratua kërkesa që ta botoja në gjuhën shqipe përmbledhjen me poezi moderne të Iranit, të përgatitur nga Dr. Alireza Qazveh, Mustafa Alipour, Mohammadjav?d ?sm?n, përmbledhje e botuar në gjuhën angleze në vitin 2016, si botues u gëzova se po vazhdoja të  botoja antologjitë poetike që synoj të botoj, pas antologjisë së poezisë turke Puthje mbi Bosfor me 101 poetë turq.

Pasi përkthyesi i kësaj antologjie, Kujtim Morina, i përktheu e m’i dha poezitë perse në gjuhën shqipe, harrova që jam botuesi i tyre, sepse duke e lexuar këtë përmbledhje, dominoi poeti brenda meje, harrova që jam botuesi dhe renda varg më varg duke përjetuar kënaqësi dhe emocione që t’i shkakton vetëm poezia e bukur.

Si poet u ndala me ditë e ditë duke shijuar magjinë e thjeshtësisë së poetëve modernë iranianë. Ndërsa lexoja e lexoja 87 poetët e kësaj antologjie që miku im, recenzenti i librit, Izet Duraku, e pagëzoi me titullin më të bukur, Trëndafila Persie, kushedi për të satën herë i kam thënë vetes se poezia është thjeshtësia, magjia e poezisë, që të magjeps e që të bën të “ndjesh ftohtë”, është thjeshtësia.

Poetët persë ta lëshojnë në dorë zogun pushbutë dhe ndërsa ti e përkëdhel atë mrekulli e drithërohesh, ia ndjen zemrën t’i shkulet vendit, detyrohesh ta lëshosh zogun në qiellin e vet, në atdheun e vet. Poetët persë ta ulin bilbilin në supe dhe ti mrekullohesh nga kënga dehëse e bilbilit, më të bukurit zë të qiellit.

Si poet do të rri gjatë me imazhet e pikturat që shihja e që më dukej se i pikturoja edhe vetë me vargje bashkë me poetët iranianë. Më duket se do të rri gjatë me këtë buçetë trëndafilash persie në dorë për t’ia dhuruar dashurisë e cila don gjithmonë trëndafila.

Unë po shkruaj dy fjalë përcjellëse si botues pasi si parathënie zgjodha të lë edhe për botimin shqip parathënien e botimit anglisht për nivelin e lartë të saj.

Kur mendoj se Naim Frashëri, poeti ynë i famshëm e “ka zënë qiellin” dhe vazhdon të jetë kalorës resh në qiellin e Persisë e të nderohet nga persët si zot, unë mekem, bëhem i pafuqishëm të notoj në oqeanin e poezisë perse, oqean me shumë poetë ajzbergë.

Kur kujtoj vargje nga Rubairat e Omar Khajamit  që i kemi kënduar për dashurinë breza me radhë dhe kur rilexova këto kohë “Introdukë” e imzot Fan Nolit për Rubairat të botuara në Tiranë, vitin 1943, nga “Mesagjeritë Shqiptare” në “Shtypshkronjën “Nikaj”, më bëhet thuajse e pamundur të radhis fjalë të mençura për poezinë perse, edhe pse shumë poezi të kësaj antologjie më kanë mrekulluar e më kanë frymëzuar që të shkruaj për këtë libër.

Kjo më ndodh sepse Fan Noli është sipëran, është zoti i pakonkurueshëm i këtyre punëve, ai që nuk mbërrihet dot e aq më pak të tejkalohet. “Introdukë” e Fan Nolit vlen për të gjitha rastet e për të gjitha kohët nëse duhet të flitet për poezinë perse për t’ia përcjellë lexuesit shqiptar.

Për mjaft kufizime të arsyeve të ndryshme, të kuptuara e të pakuptuara, të njohura a të panjohura, të pranuara ose jo, më duhet të them se pak njohim e dimë nga sa duhet të njohim e të dimë nga poezia e kultura perse e cila di vetëm të ndriçojë siç ka ndriçuar qytetërimeve me radhë. Për këtë unë bindem nga antologjia e poezisë moderne iraniane Trëndafila Persie me 87 poetë modernë iranianë.

Dhe, pse e njohim pak, unë po radhis vetëm një arsye për tri dekadat e fundit, pa folur për mbylljen tonë gjysmëshekullore para këtyre dekadave.

Edukimi me të bukurën, si edukimi në tërësi, edukimi me poezinë nuk është e nuk duhet të jetë kurrë çeshtje lirie, dëshire, spontaniteti. Jo! Mendoj se edukimi është e duhet të jetë detyrë e paneglizhueshme, e pa negocueshme, domosdoshmërisht e realizueshme. Kjo është detyrë e shkollës dhe shtetit për t’u realizuar, jo për t’u thënë.

Libri nuk ecën vetë të shkojë tek lexuesi, duhet t’ia çojmë në dorë lexuesit. Sidomos sot kur drejt lexuesit rendin gjëra të tjera shpërlarëse truri. Libri para se të shkojë në librari, në dyqan, para se të fyhet duke e konsideruar mall si çdo mall, duhet të shkojë në bibliotekë, duhet të shkojë në bibliotekat e shkollave që mësuesit t’ua tregojnë nxënësve dhe ta reklamojnë para nxënësve jo si mall që shitet te gabi, por si zemër, si shpirt.

Për fund të këtyre pak fjalëve përcjellëse si botues i kësaj antologjie falenderoj Fondacionin Saadi Shiraz për mbështetjen e dhënë për botimin e këtij libri, për përzgjedhjen e këtij libri për botim në shqip, falenderoj përzemërsisht drejtorin z. Seyed Ahmad Hosseini Alast, tek i cili pashë gjatë këtyre muajve përkushtim të madh e shembullor për përhapjen e kulturës iraniane në Shqipëri, të letërsisë e librit si këmbë a kolona të fuqishme të urës së pashembshme të miqësisë perso – shqiptare.

Falenderoj gjithashtu humanistin Flamur Hoxha, mbështetësin e Klubit të Poezisë, për ndihmën e tij në përgatitjen edhe të kësaj kartoline të mrekullueshme.

Jam i bindur se lexuesi i kultivuar shqiptar do ta ndjejë dhe shijojë aromën e trëndafilave, do të mrekullohet nga zërat e korit me 87 bilbila që këndojnë në këtë antologji të poezisë moderne të Iranit.

Tiranë, dhjetor 2017



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora