E shtune, 27.07.2024, 02:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Nebi Dragoti: Ka a s'ka mbyllje lirika

E diele, 31.12.2017, 10:32 AM


NEBI DRAGOTI

KA A S’KA MBYLLJE LIRIKA

Për këtë duhet të lexosh vëmëndshëm gjininë e lirikës dhe të shikosh si përfundon. Mirëpo lirika si gjini dhe karakteristikë e saj përmban në vetvete derdhje ndjenjash intime sublime të cilat e bëjnë krijimin tepër joshes. Por, herë herë kjo, ka raste që merr në rrjedhën e saj dhe elemente të karakterit epik. Kështuqë, krijimi merr cilësimin  liriko-epik, ose epiko-lirik (sipas dominimit që i bëjnë njëra-tjetrës). Pse kështu? Që t’i japësh përgjigje, nuk ke sesi, pasi cirkovolucioni trunor nuk është i njëjtë tek krijuesët. Ana tjetër është se edhe epika, edhe lirika ka një bosht përmbajtjeje, ku ftillohet krejt frymëzimi gjersa mbaron vjersha. Rëndësi ka që kjo masë krijimi kërkon qartësi mendimi, figuracioni e, kjo të jetë e karakterit metaforik univok. Ekuivokja është mirë që të përdoret shumë rrallë, por, edhe , kur të përdoret, mendimi duhet të jetë i kapshëm nga lexuesi dhe lexuesi mos të çoroditet për të marrë kuptimin. Konstatohet tek krijuesët që e harrojnë këtë kërkesë dhe i hedhin krijimit një tis mjegullor, që mundon lexuesin që t’i vjeli përmbajtjen. Kjo mënyrë dëmton poezinë. Në rininë e hershme kam lexuar se lirika nuk ka mbyllje.. Jo, mendimi im është ndryshe: ka mbyllje. Nuk ka ndërtesë pa çati ose taracë. Po si është kjo mbyllja e lirikës? E përcakton mbarimi i frymëzimit, më troç,mbaron dhe horizonti i diturisë për temën, pra, nuk ka çfarë të shtosh më tej. Ja, kjo është mbyllja me shprehje tepër fine, me mendim tepër origjinal dhe, kushdo qoftë, kënaqet dhe thotë se krijimit lirik nuk ke çfarë t’i shtosh tjetër. E, kurrë nuk duhet harruar se ç’ është uni poetik. Këtu ka edhe keqkuptim, pasi ndonjëri e merr unë të vetvetes, tamam në vetën e parë dhe, kështu, i këndon vetes. Uni i lirikës nuk është, thjesht, vetvetja e poetit, por është unë i përgjithësuar.. Aty janë të gjithë, se kjo është ligjësia dhe sekreti i artit. Arti nuk bëhet për një individ të shoqërisë.

JO POEZI SURROGATI

(Për ata që publikojnë në facebook)

Në facebook publikohen shkrime ashtu siç nisen, sidomos letërsia. Nuk ka kontroll, nuk ka cenzur për krijimet e dobëta. Pra është pluralizëm idesh në tejskajshmëri. Kjo nuk është aspak e rregulltë dhe aspak sociale. Si kudo, është i nevojshëm “kufiri tek thana”, mbasi kemi të bëjmë me shoqërinë njerëzore. Pra, nuk shikohet , se ç’ efekt bëjnë tek publiku që lexon. Krijusi i formuar në të gjitha drejtimet (kështu duhet), lypset ta vejë veten në rolin e vetkontrolluesit në cilësi, në çdo art, në mesazhe dritëdhënëse të moralshme që jep etj. etj. Pra, mos të publikohen poezi surrogati. Kush hynë në këtë lloj “krijimtarie” ? Hynë krijimet e dobëta, nën nivelin mesatar, krijimtaria e pamoralshme pa mesazhe të dobishme pozitive për njeriun, poezi me temë vetiake (që shkruajnë për vete… për t’u dukur e për të shitur por..), që shkruajnë gjëra të mërzitshme, i bien fyellit në një vrimë në këndin më të ngushtë tematik. Kur i bën verejtje penashkruesit, hidhet përpjet, nuk e zë vendi, i djeg miza në kësulë dhe kërkon të vetmbrohet, e, kur nuk e përballon këtë, dorëzohet duke thënë:” Mos u merr me mua!”. Kritiku, vlerësuesi i krijimtarisë nuk merr leje për të zhvilluar proçesin e vlerësimit për çfardolloj arti që publikohet. Ndryshe, nuk ecën arti përpara. Kështu vihen pikat mbi i.

POEZI E LARGUAR NGA REALITETI.

Mirë është që  mos të largohet proçesi i krijimit nga realiteti i njohur më së miri. Mirë është për shumë arsye: jeta jetohet në thellësi e gjërësi të larmishme idesh, objektivash lufte për të rrokur paqën e dëshirueshme të vetë njeriut si individ ose si grup shoqëror(…). Ky objektivitet i njeriut njihet, shihet, analizohet dhe frymëzon njeriun që krijon artin (çdo lloj arti). Ky art në rrugë të ndryshme, vihet në shërbim të kësaj kohe që jetohet, pra, merr vulën e kohës siç e merr krijimtaria e Migjenit, Nolit etj. Në këtë mendim që shpreha, këtë kanë pasur për bazë frymëzimi edhe kollosët e bërjes së artit dhe, me këtë kontribut, vepra e tyre ka ardhur në ditët tona. U shpreha sa sipër, se shoh tek disa krijues largimin nga ky burim i domosdoshëm në shumë drejtime dhe për shumë arsye. Këtë largim nuk e quaj aspak objektiv për të trajtuar tema ëndërrimtare, frymëzime kalimtare larguar nga koha dhe jeta. Këtu duhet të ndalet çdo krijues dhe të gjykojë vetveten dhe mos të  bëjë “përralla”. Dukuri tjetër, thjesht, negative tek krijuesi është, se nuk i ndahet një tematike në trajtim e shikim këndngushtë, i marrosur pas saj, monoton, si përshembull, motivit të dashurisë ,madje , kur nuk i jep asnjë risi mendimi etj. Pra, i bie veç legenit, kur vegla “muzikore” ka nga lloje më të ndryshme, ku secila jep bukuri tingulli dhe reflekton shijen e vet. Çdo autor duhet të ruhet edhe nga shterja e vetvetes dhe, pastaj sforcohet në gjetje temash jashtë realitetit. Kjo “sëmundje gripale” kalohet duke e njohur në mënyrë aktive jetën, duke e parë në shumë drejtime, duke lexuar, veç duke lexuar, duke u mbështetur tek kritika e mirëfilltë që ia vlen të studiohet, se prandaj dhe shkruhet kritika. Duhet interpretim dinjitoz, shumëllojshmëri temash që arti të vihet plotësisht në shërbim të kohës, madje të jetë vizionare për çdo kohë.

Durrës, 28. 12. 2017.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora