Kulturë
Hektor Veshi: Dafinë për Fiqriun
E diele, 06.11.2016, 09:16 AM
DAFINË PËR FIQRIUN
SHKRIMTARIN TONË TË “PËRTEJ DETIT”
Nga Prof. Dr. Hektor Veshi
Një vlerësim i plotë dhe i merituar nga autoritet kritik si Bjelinski apo Dritëroi ynë mbase do të duhej t’i bëhej krijimtarisë letrare të shkrimtarit Fiqiri Shahinllari. Kjo nga se frymëzimet krijuese brenda qenies së tij janë rritur bashkë me të e shërbejnë si “livadh” frymëzues i krijimtarisë së pareshtur edhe atje, “përtej detit” në Virgjinia të SHBA-së ku jeton, edhe tani kur i ka kaluar të shtatëdhjetë vitet e jetës. Sot lexuesit, jo dhe aq të shumtë në numër për shkak të tirazhit të kufizuar të botimeve, ( me lekë pensioni!) por gjithsesi mjaft e shumë të kënaqur, janë njohur me krijimtarinë e tij të begatë përmes shtatë librave në tetë vite, 2008-2016 : Lis në shkëmb, Kushtrimi i gjakut, Seriozitet me buzëqeshje, Gjaku i trëndafilit, Brezargjendta dhe dushklisi i shenjtë, Dhëmbi e, së fundi, Derte shpirti.( I citova saktë titujt si ndihmë për Bibliotekën Kombëtare pasi përgjithësisht iu mungon adresa zyrtare e kodifikimit e sistemimit nëpër skedarë, ndërkohë që, mendoj, nuk duhet t’i mungojnë kujtesës së kombit, si pasuri krijuese e vyer.)
Format e krijimtarisë që ka përdorur, gjithmonë me sukses janë: përshkrimi, tregimi, ku ka fituar edhe çmim, përralla, novela, romani, memuari, etj si dhe “mënçuri nga jeta” përmes vargjeve në vjersha deri në poemth...Në linjën e “mençurive nga jeta” na vjen në dorë edhe libri i fundit “Brenga shpirti”,Tiranë, tetor 2016.
Nuk ka nevojë të qëndrojmë për të shpjeguar (për disa që nuk e dinë mirë) fjalën “brengë”, të cilën do ta quanim, sipas nesh, plagë e/të thellë/a shpirti me pasoja të pariparueshme! Pasoja të tilla, me shkak kryesor nxitimin apo mos durimin për t’u thelluar në veprime, provojnë (dhe vuajnë) jo vetëm njerëzit, por edhe vetë perënditë! Më e thella, e përbotshmja, e provuar pothuaj nga çdo qënie e ndërgjegjshme- njeriu,pavarësisht nga shkalla e zhvillimit individual e klasa shoqërore është dashuria. Tema trajtohet bukur në novelën “Laurus nobilis” (Dafina), ku personazhi kryesor, perëndia Apollon përfshihet në një vorbull ngjarjesh dashurie e brenge aq të thellë sa,po me fuqinë e perëndive të tjera, krijohet-mbin e rritet, bima mesdhetare,aq e butë e me gjelbërim të përhershëm, dafina. Dafina aromashumë, ilaç shërimi për zërin, aq aromatike për sëndyqet e gushën e nuseve, e përdorur nga njeriu edhe si kurorë nderimi për njerëzit më të shquar, luftëtarë apo poetë e shkrimtarë! ( E kush nuk e ka parë portretin e Dante Aligerit, poetit të madh rilindas italian ku koka bëhet “njësh” me kurorën e tij prej dafine, si mirënjohje e lëvdim nga tërë njerëzimi që, brez pas brezi, njeh e mahnitet me veprën “hyjnore” të tij!)
“Dert” i krijohet gruas zemërmirë që, nga dashuria për burrin aq shumë të dashur, po e pamundur të lindte fëmijë me të (!), ia rekomandon dhe e marton me dikë tjetër, ndërkohë që vetë e rimartuar, po si ai, lind fëmijë! Në pleqëri, fshehtas nga fëmijët e vet, ia tregon dikujt, i huaj, “dertin” që nuk koregjohet, por që e mundon edhe se nuk mund t’ia thotë as kujt nga të gjakut apo fisi. I ruhet turpit se vazhdon ta dojë ish burrin që vetë e la, ia “fali” tjetrës. Derte të tjera përshkruhen bukur e realisht në libër. Vetëm njëra, e reja Katrinë “ia del”, me ndihmën e shoqërisë për mbrojtje e shkollim, ta mundë “ dertin” nga fejesa qysh fëmijë me një burrë, “baba” nga mosha për të.
Pa e thënë hapur, me keqardhje të thellë, shkruan ky njeri i letrave, në fillim gazetar e tani shkrimtar e poet, për fatin tragjik në dashuri të dikujt, i largët në kohë e vend, për poetin rus Esenin, i martuar pesë herë, që i dha fund jetës kur ishte tridhjetë vjeç (1925) dhe, në minutat e fundit shkroi me gjakun e vet poezinë e pashoqe, drejtuar “mikut” me titull “Lamtumirë”...Veç përmbajtjes, Fiqriut i intereson shumë të gjej nga Amerika autorin e përkthimit aq bukur në shqip të kësaj poezie tragjike, “brengë” për këdo, si qytetar apo krijues. Nuk mund të mos e citoj këtë poezi, përkthyer nga Jorgo Bllaci edhe sikur redaksia ta shkurtojë “për shkak të vendit në faqet e gazetës”:
“ Miku im i shtrenjtë, lamtumirë/ Ty këtu në shpirt të kam ta dish/
Fati po na ndan sot pa mëshirë/ Po diku do shihemi sërish.
Lamtumirë mik, pa fjalë e lotë/ Vetullat t’i ngrysësh s’ke përse,
Vdekja s’është e re në këtë botë/ As të rrosh nuk është gjë e re!”
Duket sikur i bën thirrje sidomos rinisë së sotme, kudo, për të mos u përfshirë në rrjedha jete pa detyra e synime, që kërkojnë e marrin jetë, si limontia, gangsterizmi,droga... gati pa pushim.
I ngjashëm, gati britmë dashamirëse, qytetare e shoqërore, është reagimi “dert” i Fiqriut edhe për poetin e ri vllah, Ziko Kapurani, që vitet e fëmijërisë dhe të rinisë së vet i ka kaluar në fshatin e Fiqriut, Floq, para se të largohej e të bëhej jashtë vendit një poet i spikatur dhe i dashur për të gjithë bashkatdhetarët. “Berihaj! Na iku Zikua, miq të dashur” duket sikur qan me dhimbje të thellë Fiqriu kur i shkruan nga Amerika gazetës “Vëllazërimi” të vllehëve, që botohet në Tiranë nga z. Jani Gusha.
Shumë dije, mençuri, frazeologji popullore dhe përvojë jetësore përmblidhen në librin “Brezargjendta dhe dushklisi i shenjtë”, ku... lisi edhe plaket, thahet, po mbetet i pavdekshëm njeriu, njeriu i thjeshtë - lis në shkëmb dhe poeti, fjalë ëmbëli i dhembshur, i mprehtë, i ditur, i dashur si vetë drita...ku hyn, me meritë, edhe Fiqriu vetë.
Një enciklopedi mençurie, e denjë edhe për moshën e autorit, përmblidhet në krijimin poetik 32- pjesëshe me titull “ Luadhi i jetës dhe gjylja e kohës”, të cilin ai me modesti e quan “poemth”. E, si njeri me kureshtje dhe etje të pashuar për më shumë dije (ndryshe nuk bëhesh dot shkrimtar!) rreth plot thënieve nga mënçuria popullore si “ E humbi si Xhaferi simiten” ose “Për inat të vjehrrës shkon e fle me mullixhinë”, etj etj. bën pyetje miqve e shokëve, lyp përgjigje. “ Më ndihmoni ju o miq, s’e shikoni që po plas? Janë të zorçme ndaj u lutem me përgjërim”- parashkruan në hyrje modestisht.
Libri mbyllet me vlerësime e urime për krijimtarinë e pëlqyer nga shumë miq e shokë të Fiqriut, si Prof. Hamit Boriçi - Tiranë, Luan Çipi- Vlorë, Fatmir Terziu- “Fjala e lirë” Londër, Illo Foto - Nju Jork, etj. të cilëve iu bashkohet edhe autori i këtyre radhëve. Madje, do të shtoja se autorë si Fiqri Shahinllari, meritojnë mbledhje pa asnjë mungesë të krijimtarisë letrare e publicistike, sistemim në bibliotekë dhe vlerësim ( lastar dafine?!) si për cilësinë edhe për rritjen në “vetminë” krijuese, ku burimet kryesore mbeten mbresat e kujtimet nga vendlindja dhe puna e gazetarit në “Bashkimi” etj., të pasuruara nga informacioni prej kompjuterit. Është dëshirë për më shumë përkujdesje ndaj krijimtarisë së autorëve shqiptarë, kudo jashtë vendit. Me krijimtarinë e zgjedhur të të cilëve mund të hartohen edhe përmbledhje konkurruese dinjitoze në prozë, poezi, madje edhe informative shkencore për degë të ndryshme të shkencave. Ata janë kureshtarët, zbatuesit e akumuluesit e dijeve të shkruara me shumë vlerë nga bota më e përparuar se jona për të cilat vendi, në rrugën e vet, ka shumë nevojë.