E hene, 09.12.2024, 12:59 PM (GMT)

Kulturë

Remzi Salihu: Kultura në etapën e domethënsëve

E shtune, 29.10.2016, 09:17 AM


KULTURA NË  ETAPËN E DOMETHËNSËVE

Nga Remzi Salihu

Të paditurit abuzojnë me të vërtetën, humanen, perspektiven dhe sidomos me muskujt mendor të brishtë, i rrënojnë vlerat e vërteta njerëzore. Po ashtu, këto grupe të dala me bërryla në skenë kulture, duke mos e ndërgjegjësuar dhe bindur veten deri më sot se bëjnë keq, merren edhe më me sherrin e improvizimit kreativ. Bëjnë përgatitjen strategjike për të manipuluar edhe me drejtësinë në të ardhmen. Por ligjet janë ligje, sot a nesër, u çjerrët maska e manipulimit. Ata me injorancën dhe inatet e tyre imanente pengojnë në integrimin gjithëshqiptar. Kultura e përmbytur me kiç e bën të veten sot. Lë gjurmë të hidhura me vite të tëra. Rrënojnë institucione dhe asociacione, qeveritare dhe jo qeveritare nga dita në ditë. Ata uzurpator janë individë që kanë ushtruar fortë zanatin e manipulimit përfitues. Kështu mentaliteti i tallavasë i ka pushtuar të gjitha segmentet dhe poret e jetës shoqërore. Jashtë këtij pushteti kulturor, naiv, tani për tani, e ke të pamundur lëvizjen normale shoqërore. Me këtë formë jetese të ulët, çalon dhe vepron mbi tetëdhjetë përqindje e  popullatës. Tallava në muzikë, tallava në letërsi, tallava në dasma, tallava në faltore, tallave nëpër shoqata, tallave në plazhe, tallave në biseda të përditshme, tallave në tryeza debatesh, tallave në wc, tallava gjithandej hapësirës së lëvizjes sonë kulturore. Prandaj nga ky ndikim i imponuar i kallaballëkut kulturor, varfëria dhe dobësia individuale e përgjegjësisë i zgjat duart e grabitjes dhe bënë qenien njerëzore edhe më të varur nga të tjerët dhe nga tallavatë e preferuara të turmës së shumëzuar. Individi servil nuk mund të çlirohet lehtë nga shërbimi i tallavave të preferuara që ia jep mundësia. Ai përkrah ngutshëm dhe lakmueshëm këto anomali të dhimbshme. Gjesti servil sot bëhet refren mode e avancuar e interesit bashkëkohorë. Ky ves i ulët nuk mund ta luftojë ndërgjegjen e vet të papastër, sepse bie lehtë në mbretërinë e llomit të domethënësve, bën veprime të ulëta të shërbimit, që dëmton rrethin dhe shoqërinë. Ai ka varësi të shfrenuar ndaj këtij arti të derdhur pa hiri një decenie të rëndë. O njerëz të ndritur, pa ndërgjegjësim e vetes, nuk ka përparim në këtë kthinë të botës që jetojmë dhe mos kërkoni vazhdimisht të ndërgjegjësohen të tjerët! Kultura personale kultivohet dhe emancipohet gradualisht gjatë jetës. Asnjëherë individualja nuk mund ta kthejë shumicën, po qese nuk posedon në vete kulturë të lartë, vlera dhe mirësi bindëse për të tjerët. Për të qenë shembull i diçkaje, ajo duhet të duket në suaza të veprimeve shoqërore e sistemore gjatë tërë kohës që punojmë, jetojmë e investojmë si njerëz. Në këto rrethana dhe hapësira të vonuara demokratike që jemi, nuk ka pasur rend dhe kulturë asnjëherë sa duhet, për të çmuar dhe dëgjuar tjetrin realisht e vëmendshëm. Për të dëgjuar atë njeri që di dhe investon më mirë se vetja, për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë dhe afatgjate. Kryesisht për të respektuar profesionalizmin e vërtetë në shkencë dhe kulturë. Tani me këtë formë zhvillimi e kulture që kemi bartur gjatë këtyre viteve, suksesi dhe fisnikëria e tjetrit bëhet e pa dukshme dhe halë në sy. Shumica e së keqes vepruese nuk lejojnë kulturës t’i prijnë individë që dinë t’i çojnë punët më mirë se të tjerët. Sot të gjithë mendojnë në vete se janë gjeni më të merituar të kohës. Asnjëri nuk thotë se këtë ose atë punë nuk mund ta bëj mirë dhe saktë, që pastaj ta kënaq shumicën e shoqërisë dhe koherencën parimore, të zhvillimit intelektual fisnik, nëpër të gjitha etapat jetësore të funksionimit. Këta puthadorë dhe sahan lëpirës i dalin zot çdo gjëje që u del përpara, vetëm e vetëm për të përfituar e abuzuar nga çasti. Para trumbetimeve premtuese dhe alarmante të pikësynimeve të tyre udhërrëfyese, vetja tashmë na duket shumë e ngathtë, e pa dobishme. Këtyre improvizuesve u lejohet gjithçka. U  lejohet se janë bërë grup i madh i së keqes kolektive. Ata mendojnë se me pallavra e gënjeshtra e shtojnë jetëgjatësinë e veprimit manipulativ në rrethin e vet. Ata mendojnë se në pozicionin emërues duhet të jenë të përjetshëm. Nuk e kuptojnë qëndrimin vet të stërzgjatur e të njëmendësuar se është neveritës për të tjerët. Institucionet dhe asociacionet i kthejnë në prona private deri sa të jenë gjallë. Jetën e rrejshme e shohin si kundërshti të vdekjes dhe nuk duan ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë, se vdekja është vetëm një pjesë e pashkëputshme e jetës ekzistuese, me të cilën duhet të mësohemi adaptohemi ligjeve natyrore. Tani nga fryma kulturore që thithim sot, në kohë dhe hapësirë të salduar keq, na duket se secili është kundër secilit. Të duket se atmosfera politike është ndotur tërësisht mbi këtë kalërim lakmues e përfitues afatgjatë. Këtë klimë të hidhur e ndërtojnë të mëdhenjtë, kurse të vegjlit e realizojnë me një atmosferë përmbyse midis vetes duke i shërbyer dështimit shoqëror. Për improvizuesit kjo prurje demokratike e “këndshme’’ nuk ka barriera të pa kalueshme jetësore e materiale, ndaj me sfidën permanente të interesit të tyre, formojnë mbretërinë e punëtorisë së domethëncëve. Por tani ne si do t’i dallojmë këta gjeni të kohës sonë, që janë të dëmshëm për shoqërinë tonë? Truri i ngushtuar dhe i kufizuar nga dija, nuk mund ta kuptojë praninë e njerëzve të ditshëm, në këtë oborr të instaluar të mirëqenies ‘’mbretërore’’. Bile nuk duan ta pranojnë as standardin që duhet ta kemi ne si shoqëri postmoderne. Çdo gjë vepron si atipike. Ngandonjëherë bëhen edhe krahasime dhe vlerësime të pa logjikshme nëpër rrethana të jashtëzakonshme diskutimesh dhe debatesh. Dhe në këtë fushë veprimi jetësorë mjerë ajo qenie që nuk e di se s’di gjë, do të thoshte Diogjeni. Këtu në Ballkan, kështu të arnuar keq politikisht, ka vetëm grabitje, grindje, mashtrim, mosdurim dhe improvizim të sofistikuar, e që ne tanimë me makinerinë vepruese, mund ta quajmë si pluralizëm i mbështetur në karrocerinë sistemore të shëmtuar. Të duket se secili i ka borxh njëri-tjetrit. Bëhet një lojë e ngutshme përfituese, e dirigjuar nga apetite të ç’thurura mendore e klanore. Gjërat t’i marrin të gatshme prej dorës sate dhe i bëjnë prona si me qenë të vetat me shekuj. Demarkacioni mendor i turbullt, kufizon hapësira dijesh të gjëra. Vë pengesa lirie nga të gjitha anët e lëvizjes kulturore e politike. Krijon kufij integrimesh të brishta në hapësirë dhe kohë të ç’thurur. Nuk lejon interkomunikim të shëndosh dhe afatgjatë. I verbëti dhe i shkrepti merret me politikë dhe patriotizëm të rrejshëm. Një kërkushi kritikon dikushin. Improvizuesit radikal, realitetin e rrëkëllejnë rrëpirës së ronitur të rendit të ri civilizues. Kriminaliteti stimulohet dhe shtohet. Pa durimi njerëzor shumëzohet nga klane të caktuara. Gjendja shpirtërore e qytetarit është kthyer në një tmerr terri të gjatë e të pa përballueshëm të inskenimit, të vjedhjes, abuzimit, konfliktit dhe varfërisë së madhe shoqërore. Keqbërësit këtë ves të shëmtuar e kanë ushtruar dhe rekrutuar mjeshtërisht nëpër të gjitha krahët e regjionit ballkanik. E keqja është e sistemuar mirë në fatkeqësi të përgjithshme shoqërore, e cila me dhëmbët e krimbur të saj të imponimit, kafshon dhe grinë ashpër në standardin e ulët të qytetarit. Kjo e keqe sot vijnë duke u sajuar dhe shpërndarë si fenomen i trashëguar, që prej atëherë kur filluan të fryjnë erërat demokratike kësaj ane. Tokën e mrekullueshme që kemi, e kanë shndërruar në djerrinë të dhimbshme. Në fushën manipuluese të driblimit kulturor të sotëm ka hyrë ‘’Autogoli i lirisë’’, siç thotë një poet i ynë bashkëkohorë. Liria dhe demokracia nuk është poligon i hapur për manipulim, por është përgjegjësi individuale e shoqërore që duhet ruajtur vazhdimisht nga keqbërësit e të gjitha ngjyrave. Gjegjësisht duhet të respektohet drejtësia dhe ligjet e votuara sistemore. Kjo nuk do të thotë se më parë kemi jetuar më mirë, por tani vëmendja duhet kthyer kah përgjegjësia individuale dhe kah prosperiteti i zhvillimit normal i shoqërisë sonë.

Të mbetemi të vërtetë në punën që bëjmë. Konkurrencës t’i rivalizohemi me dije, e jo me rena e stërrena e shpifjesh për t’u dukur. Vetëm me këtë formë të përgjegjësisë individuale mund të veprohet e shkohet përpara.

Sot ne nuk duhet të kemi nostalgji për të kaluarën, as kthim prapa në sistem monist, se edhe ajo i ka pasur tmerret dhe kthetrat e veta të veprimit sistemor. Ta zinte frymën, e kocin ta thyente me librezat partiake, të cilat ishin të njëmendësuara me diktaturë në sistem, për qëllim e shërbimi të ashpër ‘’popullor e shtetëror’’ të kufizuar. Shyqyr prej Zotit (një pjesë e popullatës) nuk ka pasur një dekoratë libreze të tillë, ‘’të vlefshme’’ për t’u punësuar e stimuluar, sepse nuk ka dashur të përkulet, në detyrimin e kohës, bile edhe sot, në pluralizëm, shumë kush, i rruhet, kësaj dhurate të pa merituar, ngase mundohet me mund e ndërgjegje t’i mpreh vet thonjtë ekzistencës e të mbijetuarit njerëzor, si qytetarë , të lirë që pretendon për një individualizëm të mirëfilltë dhe të shëndosh. Ka njerëz që mundohen, të mos i bëjnë dëm këtij populli të përvuajtur që nga lashtësia e deri më sot. Siç thotë një fjalë e urtë në qoftë se nuk bënë mirë mos bën keq. As nuk i lakmojnë të tjerët që ia panë vlerën dhe leverdinë kohës, si një mënyrë e këndshme ekzistence e lehtë, dhe të gjindshëm në sistem jo të drejtë. Ata individ që lakmojnë pa merita le të mburren për ‘’shkathtësinë’’ dhe karakterin e tyre që kanë ndërtuar e poseduar si njerëz. Gjestet individuale, që më duken, si të shëmtuara, mua nuk më hyjnë në punë, se ato janë forma veprimesh afat shkurte personale, që furnizohet pakica e individëve për të mbijetuar rrejshëm. Por e keqja e madhe në shoqërinë tonë, tanimë, qëndron tjetër kund. Ajo vepron me dimensionin e saj të ashpër në sistem. Idetë dhe realizimet e dobëta kanë marrë mandatin e funksionimit të shumëzuar në turmë, që ta zhvilloj më tej mediokritetin e tumorit të vet artistik si t’ia dojë qejfi. Dhe kjo metastazë në vete ka hapur varr të thellë mediokre në kulturë, gjegjësisht në fushën e në një skuadre të rëndë lojaliteti përfitues, afatgjatë. Ata vallëzojnë me të keqen e inskenuar me hile mbi supet e çiltra të Indigo shoqërisë, e cila gjithnjë e më shumë pengohet  e largohet sistematikisht nga rrjedha e saj normale e çiltër, në veprimin adekuat të standardit, që pretendon përherë në prurjen e novatores qytetëruese, të nevojshme dhe afatgjate.

Shumë kush sot bënë periodizime të arteve dhe të letërsisë pa një kriter të mirëfilltë, të dijes dhe verifikimit të vlerave të vërteta. E humbin kontunuitetin e interkomunikimit të përgjithshëm dhe të ngritjes standardizuese shkencore. Këtyre studiuesve u hyn shpejtë e shpejtë vetja në qejf dhe nuk zgjedhin asnjë kriter studimor që kanë plasuar njerëzit e ndritur të shkencës së verifikuar. Ia futin trajtimit shkencor dhe analizave interpretuese kotë së koti, jerm, ashtu si t’u vijë në kokë disponimi personal momental, në rastet e dhëna, pa i shikuar në mënyrë kronologjike të arriturat e përgjithshme shoqërore. Shkenca e mirëfilltë tanimë na detyron të vëmë kritere bindëse dobiprurëse të qasjes dhe brenda këtyre normave të detyrueshme shkencore, nuk duhet të dilet aq lirshëm në skenën veprimi paushall, jo shkencor. Ndonjëri si njeri mund të mos na përshtatet në shoqëri, ose nuk e do fare si të tillë, si qenie ekzistuese në rrethin shoqëror ku jeton, por nëse je studiues prej të vërteti, këto gjëra bindjesh individuale duhet abstraguar nga vetja, nga qasja subjektive e ‘’urrejtjes’’ apo ‘’dashurisë’’ së rrejshme, në trajtimin e gjërave me vlerë, kryesisht si ‘’shkencëtarë’’ i thirrur për kohën që vepron. Ndaj këtyre detyrimeve shkencore, që mund të na imponojë profesioni, duhet të merremi pa anime dhe përqendrimin studimor duhet vënë vetëm në prurjet reale të veprave të suksesshme. Nuk guxon assesi t’ia ulësh dhe as t’ia ngritësh dikujt nivelin që posedon si krijues, edhe nëse vet je i katandisur nga dehja e paragjykimeve të shumta paraprake. E vërteta pranon vetëm të vërtetën. Shkenca e mirëfilltë këto gjëra  të anashkalimit të tjetrit, të së vërtetës dhe dijes së hapur, nuk i duron si brumë shtjellimi serioz në vete.

E keqja në sistem jo të drejtë është e rëndë. Zhvillon tendencë vepruese. Ajo dihet se vjen si shkak- pasojë e përgjithshme shoqërore dhe plason mjeshtërisht stil rrenash të mëdha në grupe. Ajo është instaluar në shoqëri nga keqbërës tendencioz. Vepron me vite të tëra. Është bërë fenomen, duke lavdëruar e shpërblyer njëri-tjetrin me të ‘’arriturat kolosale’’ në shoqëri. Kjo nuk është kurrgjë tjetër e suksesshme, por vetëm një nuancë trashëgimi  i shpellës së‘’rezillëkut’’, të padurueshëm dhe neveritës, që nuk skuqet nga turpi i veprimit të ulët shkencor, përballë reaksioneve të qytetarëve të ditshëm e të urtë që ka bota civilizuar. Çfarë shkencëtarësh jemi duke kultivuar, kur në bagazhin ‘’eruditë’’ të kufizuar, të veprimit, një gjuhë e huaj nuk dihet. Si të dalim me mençurinë tonë në konkurrencë kohe, përballë kësaj kulture të dobët, të instaluar nëpër institucione punëtorish improvizuese, posaçërisht para rivaleve shkencore të mirëfillta e konkurruese botërore. Tashmë ata manipulues dhe shtirsh të kohës sonë, veprojnë’’lezetshëm’’ përherë me skandalet e tyre të hidhura nëpër kohë, duke ndërtuar çerdhe interesash përfitimi, mu përpara syve të atyre që kanë sado pak ndërgjegje dhe kreativitet të pastër në shpirt. Të pacipët janë të kyçur nëpër këto fusha atipike gjykimesh interesash të kufizuara personale e klanore. Nëpër fusnotat e dërdëllitjes së tyre monotone, kanë ngritur individë anonim në skenë të dukshme, që janë afirmuar me mushtin e veprave të huazuara. Ato ditë e natë nëpër media derdhin pallavra dijesh të kufizuara, nëpër fundërrina bisedash e shkrimesh të vonuara për kohën e postmodernizmit dhe të rimodernizimit. Falsifikojnë ndriçimin e së vërtetës shkencore tipike, me të shëmtuarën sistemore të kohës. Kjo e keqe shtohet nga dita në ditë dhe vë sistem kulture mediokre, që nga shoqëria e thjeshtë e deri në akademi. Standardi dijes bie. E liga e mund keq të shëndoshën dhe merr formën e lëngatës së përgjithshme shoqërore, kryesisht të asaj dergjjes së madhe e të gjatë kolektive. Veprimi i saj, i rëndë, bëhet i zëshëm bashkë me gjuhën e huazuar nga improvizimet e përdala, prej tekstit në tekst dhe sidomos nga shprehjet e huazuara e të vjedhura, pa pardon, nga komentet në Faceboog, apo nga njerëz që janë vërtet të ditur. Këtu te ne më shumë shkruhet se sa lexohet. E kemi humbur busullën e shtegtimit normal të kreativitetit origjinal. Këto manipulues të të gjitha ngjyrave, si fenomen i shumëzuar konvencional i kohës, që i kemi gjithkah nëpër hapësirën e gjerë të etnisë shqiptare, veprojnë të organizuar, veprojnë ashtu rrjedhshëm në pajtimin me nivelin mediokër, duke na e keqësuar e përkequr rendin dhe zhvillimin normal të jetës dhe kulturës së shëndosh kombëtare. Padrejtësitë janë evidente nga ta kthejmë kokën. Ajo duket kudo në formën e organizimit individual e shoqëror. Gjendjen e hidhur, sot, e ndjen dhe e sheh çdo qytetar normal, por këta të ‘’mjerët’’ qytetar nuk kanë çka të bëjnë përballë kësaj ‘’elite’’ e furtune të madhe të çrregullimit mendor, që shkakton dhe shkatërron standarde dijesh vrullshëm. Kështu, tani për tani, siç jemi duke vepruar me këtë atak vërshimesh të mëdha e improvizimesh të shumta, nëpër kufoma shkaqesh të pa zbuluara morale, ndërgjegjja e tillë e pa standardizuar sjell gërmadha viktimash dhe zhgënjimesh njerëzore, në vendin e shenjtë, në vendin që e ka bekuar Zoti, me mundësi e dhunti të shumta gjeostrategjike natyrore. Aty në atë vend apo regjion, ku ka mbret e det, thotë populli, është mirë të jetohet, por me koka të shëndosha në makinerinë udhëheqëse të veprohet, për ta gjetur rrugën e vërtetë në jetë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora