Kulturë
Marius Chelaru: Në lotin e fjalës
E premte, 28.10.2016, 05:11 PM
Në lotin e fjalës
„Vargu/ më ngulfatë/ për fjalën e pathënë /
ngërçen lulet nga metamorfoza/
eshtrat kolliten në zanoren -ë /
kur vargun/ e shtrijë në meridian /
Vargu/ më tëhuajëson/
më jep shpresë e ngushëllim.!
Asllan Qyqalla, Eshtrat kolliten
Nga Marius Chelaru
Përzgjedhjen në gjuhën rumune të Baki Ymerit mund ta krahasojmë me një poemë më të gjatë, e krijuar nga të tjera më të shkurta, dimensionesh të ndryshme, dedikuar femrës së dashur, (por edhe rinisë së saj të përbashkët, kohërave të kaluara me të, ëndrrave, gjumit apo peridhave natore, kujtimeve të ndryshme me të, etj.), dhe sidomos Havës së padegdisur. Dhe, kur këto flasin metaforikisht, „flasim në tryezë të kujtimeve”, një vend i përshkuar me nga një „intermezzo” mbi tema tjera, mbi subjekte tjera. Një shembull interesant mund të jetë poezia „Letër e vonuar”, një letër e ekspedituar nga Peja në qershor të vitit 1986, dhe e lexuar në Prishtinë, në shtator 2016.
Vargjet e kësaj vjershe kanë një parfum romantik, të një luleje e mbetur vetë në një kopsht, i krijuar me finesë për dy vetë, në mesin e një bote me gjithfarë problemesh, siç është bota magjike e Kosovës. Në vargjet e autorit (qofshin ato për dashuri apo trishtim, për dëshirën e ëndërrimit me të e për të, për nostalgji, për një farë tipi të pritjes së lindur nga një kërkim që ta sjell kujtimin apo ëndrrën), nuk ka asgjë abstrakte, por nganjëherë duket si një ngjyrë në të cilën i zbut fjalët. Është një lloj shqetësimi (fërgëllimesh të buta), të mënyrës me të cilën e krijon diskursin (ligjërimin poetik), herë pas here të tjetërsuar në poeme tjera, përmes procedeve të gjetura me kujdes të veçantë.
Sensibiliteti i tij del pothuajse gjithmonë në sipërfaqe, duke ia dhënë origjinalitetin personal, në mënyrën për të menduar/ ëndërruar/ siç i ka hije, një rrugë nëpërmjet të cilës e anashkalon ashpërsinë, duke i krijuar vargjet me qartësi. Autori nuk është ithar i kërkimit të një perspektive që ta ofron metafizika, abstraktikisht apo jo, ndaj konditës humane, por ai zhytet në thellësitë e fuqishme të personalizimit. Në këtë drejtim duket se e preferon skenarin epik mbi atë të konfesionit vetjak.
Për një lektor më pak të kujdesshëm, mund të duket një rast tipik i introventuar, apo i degdisur në rrygëkryqin ndërmjet Erosit dhe Thanatosit, por Asllan Qyqalla (Lan, siç e quan Hava), nuk është i këtillë. Për të, i ankoruar në limanin e ëndrrave të rinisë me të, jo larg nga Valery (ai që thoshte „Il y a des milliers de jeunes écrivaines de jeunes artistes qui sont mort”), vdekja duket se e mvesh në varg petkun e një „harku të zemrës”, nga i cili pena e poetit „rivizaton” kujtimet e senzacionet, momentet e jetës.
Melodi e shpirtit dhe felinar i pavdekësisë
Herë tjera thuajse dëshiron të ofrojë një thellësi të cilën e shpjegon, e „përforcon” (si atëherë kur apelon në një „tjetër” fjalor, sidomos në poemat tjera – ku ajo, ashtu e heshtur, vegon me sy shqiponje, kur tastatura pret shtrirjen e gishtërinjve, mbi zarf disa emra, disa shënime mbi tryezë, revistat „Studime Albanologjike” në sertar rrinë të shtrira, kur „Gramatika Historike” na e bën me sy, apo kur „Jokli zbërthen nyjet e vjetra të gjuhëve indoevropiane, apo: „Ç`është kjo gërhamë kuitse në kupëqielli pa një zanore/ gjuhën e Naimit e Buzukut në lutje s`e përfillët/ në Log të dijes s`ka udhëtim pa pasaportë.” Herë tjera apelon në referenca historike/ mitologjike („Gjurmë pellasgjike në gjuhën shqipe”, froni pellasg (në duar mbante shtrënguar, fatin e pellasgëve, hostori e parkuar në mitologji), pastaj vijnë Hestia, ilirët etj. Apo lokalitete, si Prishtina, Bardhi (vendlindja), Aliaxha, Mali i Robit, Amfiteatri antik i Durrësit, pllazhi i Velepojës, Kështjella e Krujës etj.
Ballafaqohemi në këtë vëllim edhe me emrin e Hemingway, por edhe me elemente tipike të ambientit shqiptar, si sofra e rrumbullaktë tradicionale etj. Por, me siguri, „edhe deri te shprehja e gjetur”, siç theksonte Georges Mounin. Përndryshe nuk ekziston ndonjë teknikë që „garanton” për poezinë, por për secilin poet „poetika duhet riinventuar”. Ndoshta këtë e ka bërë Asllan Qyqalla, në mënyrën e tij prë ta rizbuluar botën me Havën, madje edhe pasi ajo ka vajtur në botën tjetër, duke menduar se vargu nuk është kënga e notave, as rima e poemës, por një melodi e shpirtit, çelsi i rrugëtimit, felinar i pavdekësisë.
Janë vetëm disa nga mendimet, pasi e pashë me një ngashërim kuptimesh e hulumtimesh, këtë „lot të fjalës”, të një autori me një aktivitet të shquar letrar në brigjet e atdheut të tij, që mund të gjejë lexues edhe në gjuhën tonë.
BIOBIBLIOGRAFI
Asllan (Lan) Qyqalla lind më 1 prill 1959 në Bardh të Madh, komuna e Fushë-Kosovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Gjimnazin në Fushë-Kosovë dhe Fakultetin Filozofik (dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe) e mbaroi në Prishtinë. Me krijimtari letrare është marr që nga shkolla e mesme, (1974). Botoi në të gjitha gazetat e revistat: Rilindja, Shkëndija, Zëri i Rinisë, Kosovarja, Bota e Re, Gep, Pionieri, Fjala, Jeta e Re, poezi, tregime, skica, reportazhe, artikuj studimor (recensione për libra)ë Dramatizoi romanet dhe bëri regjitë: “Zezona” të M. Ramadanit, “Pse” të S. Spasses, “Fshati midis ujërave” të K. Jakovës, “Dashuria e Talatit dhe Fitnetës” të S. Frashërit, të cilat i vuri në skenë etj. Veprat: Monografia e shkollës: “Bardhësi në Bardh”, Prishtinë, 1995; “Nimfa e një zemre të lënduar”, skica e tregime, Prishtinë, 2013; „Loti-det dhimbjesh”, poezi, Prishtinë, 2016. Në ndërkohë përgaditi librat me poezi “Malli Poetik i Kosovës 1”2014; “Malli Poetik i Kosovës 2” 2015; “Malli Potik i Kosovës 3” 2016. Prezent në Antologjitë e 200 poetëve botëror “Korsi e hapur- Open korsi 1”; “Lulkuqet e Lirisë”, poezii; në Antologjinë e poetëve shqiptarë. Është drejtor i Shoqatës së Shkrimtarëve “Naim Frashëri” në Kosovë, Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Anëtar i Këshillit redaktues të revitës kulturore Mirëdita, Kryeredaktor i Revistës “Teknikum”, “Përpjekja” të SHML, Anëtar i Jurisë për ese në RTK1, Kuizi 1,2,3, Themelues i disa Festivaleve poetike kombëtare, si “Malli Poetik i Kosovës”, “Vjeshta poetike” etj. Është Profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në SHML (Fushë-Kosovë). Asllan Qyqalla jeton e vepron në Prishtinë.