E shtune, 02.11.2024, 02:46 PM (GMT)

Kulturë

Kadri Kadiu: Bejçja i Mançurishtit

E merkure, 26.10.2016, 07:03 AM


BEJÇJA I MANÇURISHTIT

Nga Kadri Kadiu

Bejçe Ferro nga Mançurishti i Devollit, kushëriri im, ka qënë një burrë i zëshëm i fshatit. Ishte i dashur, i sjellshëm, i zgjuar, i besës, muhabetçi, hazërxhevap, gazmor, shakaxhi, romuzexhi. Në Kooperativë të gjithë kishin qejf të punonin sëbashku me Bejçen pasi ai nuk të linte të lodheshe, të shkulte së qeshuri me shakara e me qyfyre e koha ikte pa e ndjerë fare. Por Bejçja, po ta ndjente se ia kishe me hile apo me të keq, duhet të gjeje vend ku të futeshe, ai të tallte e të telendiste në atë farë feje sa të qeshnin me ty edhe fëmijët e fshatit. Bejçja, po ta bëje hak, të vinte përpara e të bënte për ujë të ftohtë, të çonte në shtatë çesma e nuk të jepte ujë, ta lëshonte ujin nën rrogoz e mos e ndjeje fare; Bejçja, po të deshte, të jepte ujë me bishtin e lugës.

Gjërat ndodhin pa tregohen- thotë Populli. E për Bejçen ka shumë gjëra që tregohen dhe e bëjnë Bejçen e mirë, të paharruar. Unë do të tregoj vetëm një histori të shkurtër nga të Bejçes, duke kërkuar që në fillim falje për përdorimin e ndonjë fjale jo aq të përshtatshme, por që unë do ta them siç e ka thënë Bejçja e siç e thonë denbabaden devollinjtë:

Një ditë të enjte shtatori Bejçja u nis për në Korçë se të enjteve aty bëhej pazari i bagëtive dhe Bejçja do të shiste një dash pasi i duheshin lekë për  t'iu blerë fëmijëve libra e roba për në shkollë. E mori dashin, lidhur pas brirëve me një porozhdë dhe doli tek Shuri i Progrit ku ishte Stacioni i Autobuzave të Linjës Bilisht- Korçë. Kur mbërriti autobuzi Bejçja e futi shpejt dashin në një thes, ia lidhi thesit grykën, e hodhi në kurriz sikur ta kishte një thes me lesh, hyri në autobus dhe me nxitim zuri vend në fund të autobusit. Sa u nis autobusi, Bejçja ia hapi grykën thesit pasi dashit mund t'i zihej fryma. Mirëpo dashi, gjatë rrugës, filloi të blegërijë. Pasagjerët kthenin kokat për të parë e dëgjuar çfar po ndodhte por Bejçja çdo blegërimë të dashit e mbyste duke ia marrë këngës “Apo tretenëntë mos ardhsh kurrë more tretenëntë …apo zjeni more shokë zjeni oi oi...”.

Të gjithë pasagjerët e kuptuan hilen e Bejçes e vetëm qeshnin kështu që blegërimat e dashit nuk shkonin deri tek veshët e shoferit e të faturino Tadesë që ishin në ballë të autobuzit.

Mbërritën në Korçë tek Agjencia e Autobuzëve dhe pasagjerët filluan të zbresin një nga një. Bejçja, që ishte në fund të autobusit, e nxorri dashin nga thesi, e hodhi krahëqafë tamam si Bamka që ia çonte Sali Protopapës, dhe ashtu, i qeshur, përshkoi tërë gjatësinë e autobusit nga sedilja e fundit deri tek dera e daljes në krye. Shoferi e faturinoja, kur e panë këtë skenë, filluan t'i bërtasin e ta shajnë Bejçen pasi nuk lejohej që bagëtitë të futeshin në autobuz.

Po ç'paske bërë kështu o fshatar, o gomar -iu hakërye Bejçes shoferi që nga timoni.

E po më lumtë, gjeta një shofer gomar pe qyteti e ia hodha- ia ktheu Beçja, zbriti nga autobusi dhe e lëshoi dashin përtokë.

Pas pak shoferit i ra inati fare, filloi të qeshë me të madhe, u hodh nga kabina e autobusit e iu drejtua Bejçes: Ore xhaxha; po ty të lumtë vërtet, po e di çke ti, a bëjmë pazar bashkë se do të ta ble unë dashin?

Jo mo jo, i tha Bejçja, ty nuk ta shes pasi ti i shave fshatarët.

E mori Bejçja dashin për porozhde dhe u nis në drejtim të pazarit. Mirëpo në çast  ndjeu se kish nevojë për të shkuar në banjë për të bërë ujtin e hollë. U afrua pranë WC-ve që ishin përbri Agjencisë, e la dashin jashtë dhe hyri me nxitim në WC pasi duhej të mbaronte punë shpejt se kishte rrezik që dashi të ikte ose mund t'ia vidhnin. Nga shpejtësia, hyri gabimisht në WC-në e grave, zbërtheu kopsat e pantallonave the filloi nga puna. Pastruesja e banjës, sa e pa, u alarmua dhe i bërtiti:     Po çfar bën mo shoko, nuk e shikon se kjo banjë është për gra?

E moj shoqe se nuk u bë qameti, edhe ky miku që kam unë në dorë për gratë është, ia priti Bejçja dhe doli me vrap duke mbërrthyer rrugës pantallonat.

Dashin e gjeti mirë e bukur, aty ku e kishte lënë, por me të po luante një çun i vogël 2-3 vjeç, i shoqëruar nga e ëma, një bjonde  e bukur që Bejçes i mbetnë sytë.

Me buzëqeshje e me përkëdheli Bejçja u mundua ta ndante djalkën nga dashi pasi duhej të shkonte në pazar por djalka e ndiqte pas dashin dhe filloi të qajë.

Bjondina i lutej të birit të mos shkonte pas dashit pasi ai dash kishte gjithato brirë të mëdhenj e mund ta godiste. Meqenëse fëmija nuk po i bindej, bjondina i thotë Bejçes: Shaje o xhaxhi, shaje këtë çunin!

Dhe Bejçja, duke mos i hequr sytë nga nusja bjonde, i këputi djalkës një të sharë origjinale devolliçe:

A më të q..fja tëtëmë ty o çun sa i mirkë qënke-i tha.

Ore po ti qënke burrë i poshtër, i tha bjondja Bejçes.

Po ç'faj kam unë moj shoqe, ti vetë më the që ta shaj, ia ktheu Bejçja, ne devollinjtë kështu dijmë të shajmë.



(Vota: 3 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora