Kulturë
Mëhill Tanushi: Realitete me vlerë historike
E merkure, 26.10.2016, 08:00 AM
Realitete të çertifikuara me vlerë historike
(Rreth librit "Perëndimi Mistik" i Albana Melyshi Lifschin)
Nga Mëhill Tanushi, Londër
Albana Melyshi Lifschin, shkrimtare e njohur shqiptaro-amerikane, pas një përvoje shumë të gjatë në letërsinë artistike me disa vepra të botuara në prozë dhe poezi, i është rikthyer publicistikës, pasionit të saj të vjetër dhe të pa ndërprerë që e ka mbajtur të lidhur ngusht me profesionin fillestar, gazetarinë. Shkrimtari dhe publicisti shpesh nuk qëndrojnë në një, nuk janë domosdoshmërisht e njejta gjë. Ka shkrimtarë që nuk kanë botuar ndonjëherë publicistikë, ashtu siç ka publicistë që nuk kanë shkruar ndonjëherë letërsi artistike. Por ama kur i njejti autor lëvron njëherazi edhe letërsinë artistike edhe publicistikën letrare, si në rastin e Albanës, atëherë mbështetja mbi realitetin është më e fortë dhe veprat janë më dinjitoze e i rezistojnë më gjatë kohës. Ndaj nuk është e rastit që tek të gjitha veprat e botuara të Albana Melyshit ndjehet fort kjo lidhje me realitetin. Të gjithë e kemi vënë re që librat publicistik rrijnë shumë mirë në bibliotekat tona. Krahasuar me letësinë tjetër të shkruar, si romanet, tregimet, poezitë etj, në të vërtetë ato janë më të vlefshme për lexuesin, për historinë dhe për kohën. Ndësa tek letërsia tjetër, ndonëse ngasjet dhe ngjarjet marrin shkas nga realiteti dhe më pas vishen me imagjinatën dhe trillin artistik, me publicistikën ndodh ndryshe. Ajo është vetë realiteti i fotografuar në çast. Ngjarjet, personazhet, rrethanat, përshkrimet, janë realitete të çertifikuara, e kësisoj janë referenca të padyshimta për historianët dhe çdo të interesuar rreth ngjarjeve të caktuara. Por ndodh shpesh që publicistika humbet e harruar pasi botohet në ndonjë të përditëshme për shkak të pamundësisë, neglizhencës apo moskujdesit të autorëve, prandaj botimi i kësaj përmbledhje publicistike nga ana e Albanës duhet vlerësuar si një kontribut me vlerë në përgjithësi për letërsinë e në veçanti për historinë. Publicistika letrare e përmbledhur në librin "Perëndimi Mistik" është një lloj dritë-hije nga dy kontinente, ashtu siç është e ndarë vetë jeta e Albanës shkrimtare e gazetare në mes Shqipërisë dhe Amerikës. Në rrëfimet e saj ndjehet përgjegjësia serioze e gazetares që shkruan e tregon bukur që është korrekte dhe shqetësohet për ato që thotë. Ajo qëmton me kujdes ngjarje dhe fakte interesante dhe i sjell në vëmendjen e lexuesit me natyrshmëri dhe me një stil të këndshëm. Në udhëtimet e saj nëpër Amerikë por edhe gjatë vizitave në kthimet e saj të herë pas herëshme në Shqipëri, Albana jo vetëm ka nuhatje të thellë në fakte e ngjarje, por ka edhe një të ecur të mençur të penës së saj, pa pretenduar t'i mbushë mendjen lexuesit, por me kërkesën që të hyjë thjeshtë në përfytyrimin e tyre. Për lexuesin shqiptar janë mjaft interesante disa fakte historike, një pjesë të panjohura, të treguara bukur e me ndjenjë, siç janë rrëfimet për Amishët - një popull i çuditshëm amerikan që jeton i mbyllur brenda zakoneve e dokeve të veta fisnore, jashtë kontakteve me botën e qytetëruar, misionin komunist të kultit të Xhim Xhonsit që bëri vetvrasjen më të madhe të shekullit me rreth 1000 njerëz, apo lirinë e shprehjes me kushtetutë të protestës deri në lejimin e aktit të djegjes së flamurit amerikan, e shumë e shumë rrëfime të tjera të ngjashme. Ashtu sikurse edhe lexuesi amerikan, nëpërmjet reportazheve e shënimeve të Albanës gjatë udhëtimeve në vendlindje njihet me copëza të historisë dhe të realiteteve të hershme e të vona shqiptare. Libri më i ri "Perëndimi Mistik" i Albana Melyshi Lifschin është një vlerë e shtuar në publicistikën letrare shqiptare e më gjërë. Ai lexohet me një frymë, sepse ngjarjet janë interesante që të mbajnë të mbërthyer deri në faqen e fundit dhe janë të rrëfyera me një gjuhë të thjeshtë dhe me një stil të jashtëzakonshëm profesionist.
-Per ZemraShqiptare, nga Londra, Tetor 2016-