Kulturë
Përparim Hysi: Tri histori me gjirokastritë
E enjte, 27.10.2016, 10:41 AM
Tri histori me gjirokastritë
(rrëfenja)
"Ka shumë gjëra në botë që unë nuk i di, por kurrë nuk shkruaj për gjëra që nuk di" - LEO FILIPE (poet spanjoll)
Nga Përparim Hysi
Të tri rrëfenjat që sjell për lexuesit, i kam vjel nga të njohur të mi nga Gjirokastra. Pothuaj se i kam sjell si në ligjëratë të drejtë.
Neim Peshkëpia qe zooteknik në fermën tonë. Specialist i zoti dhe njeri shumë i edukuar. Jo vetëm i rrinte punës mbi kokë, por saj punës (qe me "hije" në biografi), kish bërë emër në gjithë fermën "Çlirimi", një nga më të mëdhatë në vendin tonë. Një mbasdite, tek shkoja në klubin e vetëm që kish fshati, i them:- Hajde të jap një kafe se i "fituar" je si gjirokastrit. Sfidës time miqësore, ia ktheu po me shpoti:
- Do vij,- tha,- dhe mos të vij keq për pagesën, se, ndërsa ti do paguash paratë, unë do të "darovis" me një rrëfenjë që mban vulën e Gjirokastrës.
U futëm brenda dhe, ndërsa prisnim të bëheshin kafetë, miku im filloi:
- Ashtu është, siç thuaj ti, për ne, gjirokastritët dhe dëgjoje tani rrëëfenjën time.
-Qenë tre veta. Që të tre nga vende të ndryshme dhe unë po i përmend ashtu siç ma kanë rrëfyer.
NJëri qe çek, tjetri çifut dhe i fundit gjirokastrit. Vunë bas me një copë bukë të madhe ( të tri porcionet u bukës qenë njëlloj) dhe thanë:- Kjo është copa e bukës. Përballë dhe tri porcione djathi të barabartë. Kush do mbaroi porcionin e bukës, me sa më pak djathë?
I pari filloi çeku, preu një fetë djathë sa mund të shikohej vetëm me lupë dhe iu fut bukës së thatë. Kur e mbaroi,- tha,- aha s'ka më pak se kaq!!!
I erdhi radha çifutit. Ky e futi porcionin e djathit në një godë me ujë dhe ngjyente në shëllirë.
U vura poshtë,- bërtiti i gëzuar çifuti,- dhe "kopjime" nuk ka,- iu drejtua gjirokastritit.
Gjirokastriti nuk e prishi fare terezinë.
I nguli pirunin porcionit të djathit dhe, tek ia tregonte diellit, e"ngjyente" copën e bukës në"hije"!!!
Natyrisht, e përqafova mikun tim, Neim Peshkëpia, për këtë rrëfenjë kaq të sinqertë e të bukur.
* * *
Kur punoja në Drejtorinë Arsimore në Fier ( unë mbuloja gjuhë-letërsinë), kisha një koleg gjirokastrit, Skënder Karagjozi ( mbulonte biologjinë) që ishte shumë bujar, por, nga ana tjetër, e kishte shumë qejf djathin. Kur uleshim për ndonjë "gosti" të vogël, i thosha:- Mos më rri afër, se më ha djathin.
Skënderi jo vetëm kishte humor, por qe dhe bujar. Po unë, sikur i bija cylës me një vrimë, i mblidhja të të tërë gjiroksatritë në një thes.
Relativisht,- më tha një ditë Skënderi,- ke të drejtë. NJë burrë i thoshte të shoqes:- Grua, bëmë gati bukën e drekës se do iki në punë. Dhe e shoqja:- Mirë bukën, por halli është për gjellë.
Të thashë për bukën,- ia preu i shoqi. Merrte bukën me vete dhe, kur vinte kohë e drekës, shkonte në pazar. Afrohej tek kioska me ullinj:
-Kafshonte një copë bukë dhe i drejtohej shitsit:-I ka zënë kripa këta a jo? Më tej, porovonte djathin (në ishte dhie a lope), por gjithmonë duke kafshuar një copë bukë dhe i dilte tej matan.
* * *
Me të ndjerin, Arshi Ganaj, qemë jo vetëm kolegë, por gati miq. Qe më i madh se unë dhe kishte qenë partizan. Me të ndjerin, më kish njohur miku im, Zenel Sallata që e kish patur Arshinin kujdesstar konvikti në Teknikumin Bujqësor të Fierit. Arshin Ganaj qe njeri qelibar nga shpirti dhe pak fatkeq: i binte të kujdessje për dy vëllezër inavlidë dhe ky detyrim që e kreu askush si ai, bëri që të martohej paksa vonë. Gjithmonë shkëmbenim kafe me të dhe kurrë as unë dhe as Zeneli nuke linim që të paguante. Një ditë vere e takuam me vajzën ( e kishte të vetme) dhe, meqë vajza sapo kishte mabruar klasën e shtatë, na ftoi për të na qerasur. U ulëm që të katër: të tre morëm nga një kafe e arnaxhatë, kurse e bija një akullore. Kur erdhi kamerieri, Arshini futi dorën në xhep, por, në atë çast, e bija iu var mbi vesh dhe diçka i tha. Natyrisht, as unë dhe as Zeneli ( të më falë se dhe Zeneli ka shkuar në amshim), nuk u bëmë kurioz se çfarë i tha e bija në vesh. Por,Arshi Ganaj, kish shpirtin e pastër si të një fëmije. Ku dinte që të mbante të fshehat mes miqësh?
E dini seç më tha,- tregoi duke qeshur. Më tha:- Babi, bëj sikur kërkon nëpër xhepa,që t'i paguajnë këta!!!
Unë e Zeneli u shkulëm së qeshuri dhe, tek u ndamë me mikun tonë të mirë, e përqafuam dhe më ngrohtë.