Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Duke i ledhatuar shekujt
E merkure, 26.10.2016, 06:11 PM
Cikël poezish: Duke i ledhatuar shekujt, këta hileqarë të historisë...
Sejdi BERISHA:
NDOSHTA SOT VJEN KUJTIMI...
Ndoshta
Tash vesa e vjeshtës
I tradhton gjethet
E rrugët u ngjajnë
Kurorave me lule të vyshkura
Lisat duken si përcjellës të amaneteve
Degët e tyre mashtrues të stinëve
Ndoshta
Sot gështenjat
Do t’i braktisin boçat me gjemba
E ketri do t’i mbulojë lënat
Për ushqim dimëror
Ndoshta
Sot trenat ndërrojnë itinerarin
Edhe binarët t’i kthejnë kah atdheu
Ndoshta
Sot do të lindet një fëmijë
Me emër të ri
Se njerëzit janë plakur
Duke jetuar me këngën e etjes
Duke kërkuar urtësinë
E duke pritur pritjet
Ndoshta
Sot vjen kujtimi
Asgjë për të mos harruar...
Ndoshta...
NDOSHTA NË JUG...
(Brenda hidhërimit të Sarandës)
1.
Atje diku në fund të Sarandës
Aty ku deti ka aromë toke
Aty ku ka ngrohtësi dielli
Atje buzë detit
Me pak valë dhembjeje
Mu buzë dallgëve të serta
E gjeta një shishe të vjetër
Të përlarë shekujsh
Të mbyllur me tapë
Që marinarët
Kushedi
Në luftëra të pakuptimta
Në det e kishin hedhur
Ndoshta atje diku
Në veri të tokës
Ndoshta në oqeanet e mëdha
Ndoshta edhe në jug të globit
Në jug të atdheut
2.
E mora atë shishe
I lakmoja madhështisë së saj
Edhe errësirës në te
Që i ishte shtresuar ndër mote
Edhe misterit që e mbante brenda
Të fshehur e të ndrydhur
Ia hoqa tapën
Nga shishja doli një zë
Jemi eshtra njerëzish
Tha duke fluturuar si zog në qiell
Nuk di se nga jemi
E shikova shishen
Si mallin e njeriut pa atdhe
Si lotin në syrin e vashës
Si hartën e moçme
Të historisë pa data
3.
Sërish ai zë
Si dihamë u kthye
Qëndronte pranë grykës së shishes
Ngujohu brenda i thash
Furishëm hyri në gastare
Duke m’i spërkatur sytë
Ndoshta me kripën e detit
4.
Tash
Shishes ia vura tapën
E hodha në det
Edhe më tutje
Kështu le ta shëtisë botën
Sa shumë më kishin kapluar djersët
Për shishen-varr
Dhe për një letër aty brenda saj
Çfarë nuk ishte shkruar
Në letrën e vjetër ngjyrë dylli
5.
Shishja
Kështu prapë vazhdoi rrugëtimin e saj
Unë sërish ktheva
Tek vargu im
Tek Trirema e Poezisë Joniane
Ku këndohet në të gjitha gjuhët...
TREGONI KUR TREGONI...
...Kur tregoni
Edhe qiellit i tregoni
Edhe tokës i rrëfeni
Tregoni kur tregoni
Se shekujt janë rënduar
Edhe vitet janë moçnisur
Tregoni kur tregoni
Më mirë është
Rrugët dritë për t'i bërë...
SI VENDLINDJE E MOHUAR...!
Në atë këndimin e rapsodëve
E kisha zënë dhembjen
Edhe dashurinë fshehurazi
Vetëm lirinë gjithnjë të zvarrur
Dhe ninullat në djep
Kurrë deri në fund nuk i përjetova
As nuk i kuptova
Nuk e kuptova
As këngën e zjarrtë të gjelit
Mbi grumbullin e plehut
Edhe pse ma krijonte
Një idil të pashlyer fshati
Ma ngacmonte dashurinë
Për vendlindjen e mohuar...
Me këto gjëra
Vjeshta çdo gjë ma përcëllon
E pranvera tërësisht më trenon...
DIELLI EDHE NË PIKTURË KA ETJE...
Po po
Do lind e lind dielli
Dikush ngrohet
E dikush akull bëhet
Ky diell
Sa madhështor...
Edhe në pikturë
Ka etje...
NJË PASQYRË...!
Tri herë jam hedhur nga qielli
Dhe drejt në tokën time kam rënë
Tri herë jam fundosur në dete
Dhe rënë kam në thellësitë
E fshehtësive të atdheut
Tri herë jam djegur në flakë
Dhe shndërruar jam
Në hirin e vatanit
Sa herë që jam gëzuar
Pragun e derës së shtëpisë
Puthur e kam
Tri herë rrast jam hidhëruar
Dhe shumë vuajtje
Më kanë kapërthyer
Sa herë nënën e kam uruar
Që ndoshta kur nuk duhej
Më solli në jetë
E heroizmin e babait
Gjithnjë me qëndresë e kam praruar
Ç’është kjo
Asgjë
Pos reliev i jetës sime
Dhe një pikëpyetje e atdheut
E unë rri
Duke qeshur e duke qarë
Duke i shprushur
Dhe duke i ledhatuar shekujt
Këta hileqarë të historisë...
TE NJË GUR SI ISHULL...
Në mëngjes
Ama shumë herët
Diku thellë në det
Një gur si ishull
Mbi te qëndronte ulur
Një plak
Ama shumë i moçnisur
Dhe
Vetëm vështronte detin
E murmuriste:
Deri ku e ka hudutin
I tërë ky ujë
Deri ku e ka kufirin
Toka ime
Plaku
Vetëm vështronte
Por të njëjtën pyetje
Gjithnjë e përsëriste
Plaku
Me mjekër të bardhë
Si Heminguei dukej
Ndoshta edhe rebel si ai...
(Sarandë, 02 tetor 2016)
MUZE I TRADITËS, THANË...!
1.
Në një mulli fshati
Mulli që bluante...
Tash nuk punon
Po hyre brenda tij
Era vjen histori
Kundërmon edhe baltë
Në dritare
Rrjetë merimangash
Në lugun e ujit
Asnjë pikë nuk rrjedhë
Por nga pak
Shija e miellit hetohet
Edhe pesha e misrit
Që kujtojnë ujemin e mullisit
Thasët plotë arna
Të mbërthyer me kunja thane
2.
Çdo gjë
Mendjen në shekuj ma shndërroi
Që shtresojnë e shpalosin kallëzime
Tmerre, dhembje e trimëri
Ndoshta askush nuk i di
Nuk i heton
Në të çarat e murit
Ne letrat e grisura të dashurisë
Të fshehura
Nëpër bira dërrasash
3.
Pyesja
Po çfarë është kjo terrinë
Është muzeu i traditës
Si në sarkazëm
Më tha lëkura e një miu
Që trupi i ishte tharë
Miell duke vjedhur
4.
Ky mulli fshati
Muze i traditës, thanë...
TE AJO DARDHA HASI...
Në atë bahçen e vjetër
Të babait tim
Kishte plotë pemë
Që i kishin qëndruar kohërave
Në vend buke
Fëmijët ishin ushqyer
Me mollët lalçe
Edhe me ato vizejke
Në atë qoshkun e vogël
Te gardhi kurorë
Që fortë e kishte thurë gjyshi
Ende qëndron kryelartë
Ajo dardha me kokrra të vogla
Dardhë hasi i thoshin
Ishte shumë e dashur për fëmijët
Sepse
Deri vonë në vjeshtë
Në kurorën e saj
I ruante nga disa kokrra dardhe
Të pikëluara nga vesa
Që vetëm sa ua shtonte shijen
Ndoshta pse isha fëmijë
Dardhat hasi
Shumë i adhuroja
Rrënjët e trungun
Edhe kurorën e saj
Përherë i bekoja
Për madhështinë e bereqetit
Për amanetin e gjyshit...
VETËM NJË GOTË UJË PEJE...
Sot
Vetëm një gotë ujë Peje
Që freskon kur bën vapë
Që shkrumbon kur kam mall
Që madhështon
Kur kujtimet rëndojnë
Dhe, shkruaj histori
Me ujin e kthjelltë
Kurse ditët e rinisë
Më sillën vërdallë rreth meje
Duke m'i përkëdhelur thinjat
Duke m'i thelluar rrudhat
Në lëkurën time
Ndoshta të trashë...
Sot
Në këtë mëngjes
Në këtë ditë vjeshte
Vetëm një gotë ujë Peje
Dhe asgjë tjetër...