E hene, 07.10.2024, 10:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Ndërvarësi

E merkure, 26.10.2016, 08:04 AM


NDËRVARËSI

 

QAZIM SHEHU

 

Mijëra vjet me bërryl shtyn

Brigjet lumë i ndërkryer,

Afshe dionisiake shfryn

Si të qe me verë

Dhe jo me ujë të turbulluar…

 

Në vitet e mia gjithnjë e pashë

Si shtynte i turfulluar,

Si rrezikziu që vë kokën në trastë

Mos ftohë djersën e dikuar

Që i humb në lot të patravajë.

 

Ikën tutje dhe derdhet

Në det të harbimit,

Pa ndjerë mallin që i shkimet,

Inatin për brigjet.

 

Të cilat,po t`i shtynte dhe më

Ata do e hapnin krejt,

Veç ai do mbetej pa zë,

Pa rënë në det…

 

PISHTARËT E KËSHTJELLAVE

 

Pishtarët e kështjellave më kujtojnë

Ç`mister mban dashuria,

Gjithë deliret aty mbarojnë

Kthehen në çaste të mpira.

 

Dhe mbahet fryma,ankthe

Kërkime, dredhi, pabesi,

Përmbushen në ato çaste,

Fsheh dashuria të vërtetën që e zhbi.

 

Pasion i ikur që tradhton

Gabimin e shkuar të saj,

Në terr të pishtarit ndriçon,

Të vërtetën në psherëtimëvaj.

 

Sot dashuria shfaqet

Në refleksin e saj bullaq,

Dhe përherë në fundbarqe

Mblidhet gjarpër kutullaç.

 

Një gjarpër që pickon

Dhe pikë helmi nuk derdh,

Pishtarët vijnë si fiksion

Dhe mendjen terr drita e tyre më mbledh…

 

BLERIM I PYJEVE

 

Dhjetori erdh,blerim i pyjeve

Si vashë përtace zhvishet

Shamitë e reve u fshijnë yjeve

Sklepët në mungesë të dritës.

 

Në erë, breshër ,bore, stuhi

Ia kreh mjekrën e rralluar

Ndërsa ranë gjethet e tij

Në trup të tokës kafengjëruar..

 

Kjo shtrojë tokën e mban ngrohtë

Nga hidhësi stuhish mos ftohet

Dhe hijeshi e zhveshjes na thotë

Kush ka hijeshi sakrifikohet…

 

EDHE VRASËSI KA ATDHE

 

Edhe vrasësi ka atdhe

Vrasësi atdhe s`duhet të ketë,

Mendonte i penduar Odise

Dhjetë vjet nëpër det.

 

Edhe vrasësin e ndjek një Circe

E josh atë kjo jetë,

Edhe pse shtiu në dhe

Një qytet e toka mbet shkretë.

 

Edhe vrasësi ka një grua

Një Penelopë a Helenë,

Edhe atij i dridhet në thua

Ndjenja që drithmon dhenë.

 

Penolopa ,ç`bën kjo grua

Vallë do jetë plakur,

Dhjet vjet dhe Demodoku

Nëpër tela afron flakët.

 

Pastaj telat vesh me flakë

Në ishull të Feakëve ,në ishull,

Edhe vrasësi ka atdhe sadopak,

Po ai s`mund të jetë idhull…

 

DALJE NGA JETA

 

Lajmet na nxjerrin nga jeta

Jeta pa joshje i afron,

Akullohen pamjet e nxehta

Pamjet e ftohta përvëlojnë.

 

Në kumte-ahte,ahte –kumte,

Klithin gjer në vrimë të ozonit,

Si kometa të unshme

Që sa vijnë, pendohen.

 

Anash nesh,poshtë, përbri,

Herë me vrull drejtpërdrejt,

Vijnë me syrin e zi

Të djallit shndrruar në shenjt.

 

Noprane, bizare shkundullojnë

Në thagmë të pushtë të së zezës,

Të hyjmë në jetë na largojnë,

Mos qoftë thënë,

Po na nxjerrin prej jetës…

 

VAJZAT NË DET…

 

Tepsi e diellit shoshet

Në rreze ledhatim,

Breza dallgësh bukuroshet

Belin hollak ua përfshijnë.

 

Në klithma deliri ekstazë,

Qeshin shpërqëndrohen,

Ç`shtërngim të jep një dallgë

Kur në ujë afshet përçohen?

 

Brezaunazuar dallgët

Tërhiqen dhe shtyjnë,

Dhe s`e dinë sa të madhe

Shkrehjen e ndjenjave teshtijnë.

 

Dhe deti vetë se di

Ç`qelqe ëndrrash u thërmuan,

Në hone shkojnë dallgët gri

Vuajn.

 

Ëndrrat shkarë në thellësi,

Në tepsi dielli i merr

Për t`i pjekur me tepri,

Me afshin që nuk del…

 

SHPËRPJESËTIM

 

Me plakjen e njeriut ëndrrat nuk plaken,

Si në dashurinë e parë përflaken.

Në deje guxim i rinisë

Erdh edhe pse rinia iku,

U vërshon limfë e dashurisë,

Me pak heml arseniku.

Ky shpërjestim paranonjak

Kur esëll të bën e të tundon,

E jep shpresën si farmak

Sëmundjen e moshës mbase shëron…

 

KËTO ARA

 

Me zjarrin e misprit të bardhë

Me bukën e çerepit,

Me ca tinguj pa radhë

Që iu afruan djepit

Dhe muzgjet si mullarë

Qeleshe në krye të plepit

E lisat komandantë

Që urdhëronin heshtjen,

Më mbrujtën këto ara,

Duke gëzuar vjeshtën

Me prodhime të mbara.

Ato ishin të përjetshme

Ashtu janë dhe sot,

Me heshtjen e ngeshme

Dhe drurët pikëçuditëse

Në çdo lëvizje jete.

Mungojnë hapat e mi

Pika retiçence…

 

PËRKUFIZIME PËR KËNGËN

 

Qepshqep buzët e dallgëve

Dallgët me të flasin,

Tund fushat dhe malet

Këngë e paplakur.

 

Në inkubator qelqurish

Ëndrrat i klonon,

Pastaj në hap djalërish

Kalë muzgu trokon.

 

Me ledh nxjerr nga guacka

Perlën e dëshëruar

Hapësirash me afsh flakësh

O këngë e kënduar…

 

Dhe me përrenj dritash

Ajo vërsho nën to,

Dhe e ngre sërish digash

Dëshirën që përço…

 

E ndan botën dysh

Dhe s`e bashkon dot,

Dhe vjen mrekullish

Si në rubin një lot…

 

Dhe për çfarë thashë,

Më duket gjeti fillin,

  tingiu ndjeva, pashë

Barotin e trëndafilin.

 

Gjer e gjeta shqiptare

Me tinguj grimca dheu

Me zë Adem Jashari

Në gjoks Skënderbeu…

 

FJONGO YLBERI

 

O ju lumenj të Shqipërisë

Litar malli të bekuar,

Në trup kjo tokë u ka lidhur

Fjongo ylberi ylberuar..

 

Kur Vjosa hapin nis

Hapin nis Drin i Zi,

Edhe pse jashtë Shqipërisë

Edhe pse në Shqipëri…

 

Kryeturfulluar shtriqni

Në lugina,gryka,

Dhe trilet seç i mpini

Nëpër diga.

 

Të shtrydhur në hidrocentrale

Në liqene u kthejnë,

Dhe kreshtat nëpër male

Mbi ju mallëngjejnë.

 

Shoh Fanin si braktisi

Shtratin e tij shekullor

U ndry në tunele dhe vaisi

Kokën në një tërthor.

 

Edhe Devolli po ashtu,

Një lumë tjetër i panjohur,

E braktisi ngjyrën blu

Shtrirë në tuba i lodhur.

 

O ju lumenj të bekuar

Me litar malli kullosin

Sa drurë fletëshkruar

Sa bimë dhe kaproj…

 

Tani veç në ëndrra

Do kujtojmë ç`na dhatë,

Fjongo ylberi ,fjongo

Shirita të zi u kemi fat…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora