E enjte, 03.10.2024, 11:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: Hall me qe e hall me buaj

E enjte, 27.10.2016, 11:24 AM


Hall me qe e hall me buaj

Nga Shyqyri Fejzo

Qyteti yne i vogël i kishte katër Like. Ai i lagjes të sipërme dallonte

nga tre të tjerët. Jo se e kishte trupin më të bëshëm, as se i kalonte të

pesëdhjetat, jo se nuk i kishte rënë një dhëmb ende, nuk i qenë rralluar

flokët. Jo nga këto. Likja ynë e kishte mendjen të hollë, halë. Ai ishte nga

ata që nuk e kapte as lima as sharra. Në monizëm ishte nga të vetmit qe

me ah e me bah, i a la shëndenë zborit. Aq e saktë ishte kjo sa disa nga

shokët e tij, që kërkonin halën në përpeq, hapën dhe fjalë se valla

vetëm Likja dhe gomerët e fshatit nuk shkonin në zbor. Por nuk e lanë të

livadhisë gjatë. Fronti, që aso kohe të bënte gjëmën, një ditë ia futi

të dyja këmbët në një këpucë dhe e lidhi shkurt.

Edhe tani që kanë kaluar vite, Likja kujton me nostalgji  se në

zbor pati mësuar të dhënat taktiko-teknike të karabinës vetëmbushëse

„Simonova“.Për ta mbajtur mend më lehtë në mësim, ai e quajti „karabina vetë-

mbushëse e Selman Hoxhës“. Ama, për qitje, qerratai qëllonte ne xixëllonjë.

Në rreshtore nuk hpnepste dot komandat „paramarsh“ dhe „me vrap marsh“.

Sa për komandat “majtas ktheu” apo “djathtas ktheu“ i bëri shpejt të tijat.

Bile, ato i përsosi më tej se i shërbyen në vitet e demokracisë. Se pozicioni

i Likes nuk u muar vesh kurrë në ishte me të majtët apo me të djathtët.

Ai kishte për borxh që ato të uruara komanda ti zbatonte allaminut.

Ngrysej i majtë dhe ndodhte që në mëngjes të gëdhihej i djathtë. Me

një fjalë e dridhte si gjethe lofate. Kjo gjendje atë e shoqëroi dhe përtej

viteve dymijë. Tani që ishte mbi pesëdhjetë bukësh, në këtë fushë

u poq goxha dhe fitoi përvojë. Ishte në gjendje ta rrëmbente fjalën

nga goja, e kur e donte puna, një sy e qërronte e një vesh e shurdhonte.

Por në thelb, ndizte „stopat“  majtas dhe kthesën e merrte djathtas dhe

e kundërta po ta kërkonte situata.

-„Hë! Shejtani! Ku e ka gjetur...! „Qingji i urtë pi dy nëna, po ju

nuk dini më të renë, se servili pi kopenë…” Shejtan fabulist! Me dajak

e me shajak na e nxjerr kallain. Po, në fund të fundi, unë nuk do bëj si

delja qorre mbas këmborës.” Këto mendonte Likja kur i thanë se e

kishin caktuar në komisionin e zgjedhjeve për të përfaqësuar partinë

e një krahu. Likja shtrydhi kujtesën dhe i kaloi në ekranin e mendjes së

tij të gjitha ndodhitë. U cudit edhe vete se i cilit krah paska qënë kohët

e fundit. Kur dëgjoi lajmin e marrjes pjesë ne një komision zgjedhor, e

vendosi me të tijën ti vinte kycin gojës, se është më mirë të shkasë

këmba dy herë se gjuha njëherë. Jo se ai mbahej më të madh, por

i a dinte vlerën vehtes. Pastaj, njeriu kur has mirësi, ndjen siguri. Atë

ndjente dhe Likja duke e menduar  vehten në ditën e zgjedhjeve, në

tavolinën e madhe, pranë kutive të votimit, me kartën e identitetit

varur në xhepin e majtë të kostumit, lart afër supit, tamam aty ku i

kishin ngjitur lulkën, kur u bë dhëndërr. Jo, po ta dinin ata që nuk e

duan, se Likja të rrëmben vezën nën kllockë. „Vërtet po caj baltrat

për të tjerët, po këtu ja vlen“, thoshte me vehte, i kënaqur si

kungull vjeshte komisioneri ynë.

Opozita e qytetit tonë në këto zgjedhje e kishte mbushur

mendjen top, që do i fitonte se s’bën. Ajo kishte kohë që studjonte

se ku e ka dhëmbin e prishur pozita dhe ta bënte palë kur ta gjente

shtegun hapur. Por edhe kjo nuk mjaftonte. Strategjia ishte përcaktuar

që lufta të bëhej në disa fronte. „Ne duhet të durojmë në dëgjim

dhe të mos gabojmë në gjykim. Duhet ta vëmë pozitën nën hijen

e rigonit. Tu duket atyre se ne jemi shkalafitur dhe përsëri pozita

do të fitojë shumë lehtë, sikur të hante qofte tek daja. “C’i kemi

ne ata ore!” dominonte mendimi. Këto tha shkurt edhe i pari i

tyre që i kishte hipur atij kali. Por, ky kalorës prej aty ishte rrëzuar

disa herë, ndaj nuk ishte më nga ata që mbahen me erën e mollës.

Pasi foli me fjalë të gëdhendura mirë, dha porosi dhe kur iu duk se

si e donte rradha e kreu punën e tij, ai i shpërndau njerzit. Mbajti 

zyrë vetëm dy vetë, për të cilët e dinte mirë, se ata mendjen e

kishin të hollë, si fije peri.

-Dëgjoni, të dashur miq! Edhe sikur të bëhen të gjitha

ato që thashë unë, e ndjej se do të dalë në fund  se kemi punuar

për shpirtin e gomarit. Po mbetëm vetëm me ato që thashë unë,

një ditë pas votimeve do ta gjejmë lëmin e shirë. Që të mos na

mbijë sherri në mes të hairit, si herët e tjera, ta dredhim si vida

ta lyejmë qerren, u shtiu kripën e bisedës  në brumin e gostisë së madhe

që kishte nisur për së mbari. Kështu thoshin qiqrat. Më pas, ata të tre,

kokë më kokë, ndanë dhe morën disa detyra tepër delikate dhe konkrete.

-Bëni për vete Liken e lagjes së sipërme dhe e bluam karroqen,-

foli i pari i punës.

-Ju e dini se ai është arrë gungë që thyen cekanin,- u hodh tjetri.

Ksisoj, biseda për disa caste mbeti pezull.

-Ama atë kini problem? Liken ma lini mua,-rrahu gjoksin një tjetër..

..-se ju deri tani u kini treguar uthullën atij dhe të tjerëve. T’u japim mjaltin.

Në mjaltë ngjitet cdo mizë...-përfundoi ai.

Opozita duket se e kishte gjetur vaun. Një natë, nga ato pa hënë

celulari i Likes ra disa herë rrjesht.

-Jam Zenua I Krojeve,-dëgjoi folësin.

-Urdhëro! Likja i lagjes së Sipërme jam. Mos ke gabuar gjë numur

e adresë?-foli pritësi.

-Jo i dashur, jo. Edhe unë Liken desha.

-Atëhere, urdhëro e folë, i dashur.

-Sikur të propozoja të pimë një kafe tek klubi i blirëve, nuk e di se

si do e prisje?-dëgjohej ne celular zëri kumbues  i Zenos. Likja për pak

sekonda nuk i u përgjigj. Pastaj psheretiu, u mbush me frymë, perëndoi sytë,

gjë që e bënte në prag të cdo deliri dhe foli.

-Po dysheme e cati një u bëfshin,-tha më në fund.

Pas një gjysëm ore në tavolinën e qoshes tek klubi I blireve ata të dy

rrufitnin kafenë dhe muhabeti dukej se shkonte fjollë.

-Kali I mirë në të përpjetë, miku i mirë në të tatëpjetë,o zoti Like,-

foli Zenua. Likja dëgjonte me sy gjysëm të mbullur, si dhelpra kur dremit dhe

dorën e kishte vënë në mjekër. Thellë po e vriste të tijën se ku do të dalë

ky miku. Ndaj, në cast I tha vehtes “Like, përcillu dy herë dhe folë njëherë,

se më duket kësmeti të erdhi në derë.” Ksisoj, kësaj here, nuk doli si piperi mbi

pilaf, kur I thonë.

-Urdhëro e folë. Bjeri drejt. Si e ke hallin?- i hapi shtegun e bisedës

tjetrit.

-Ti je i ndershëm nga fije e flokut tek thoi i këmbës. Ke punuar nga

fillimi deri sot si kalë. Po në kuletë, o derëzi, të ka fryrë era e Moravës,-

filloi të tjerrë thekun e bisedës  Zenua.

-E pastaj?- u përgjigj me pyetje Likja, për ti treguar tjetrit se ai nuk

hipën kollaj në degë të hollë.

-Ti je antar I komisionit të votimeve për pozitën. Na ndihmo që

pozita të ndërrojë portën me opozitën kësaj here. Ti, po të duash, e bën

sa i luan fenë. Pastaj nuk dyshon njeri tek ti...-nisi të flasë për uthullën

dhe kapërxeu tek qumështi miku. Likja ra në të thella. Fërkoi pak hundën

e pastaj foli.

-Tu heqim dushkun fjalëve, barrë të rëndë dashkeni të më ngarkoni.-

tha Likja duke psheretirë.

-Ashtu është ore mik, ndaj barra ka qera të rëndë.-foli Zenua kur e

pikasi se po e kthente ujin në vijën e tij. Likja u duk se po bëhej uthull. Mirpo

thonë se vampire e njeh lugatin.

-Sa?-pyeti gjithë sy e veshë Likja.

-E di ajo cantë që është këtu tek këmbëza e tavolinës se sa ka

brenda. Janë të tuat. Do të mbetesh i kënaqur,-gurgullonte dhe ia bëri

tepsi Zenua.

Se cfarë u tha më tej na të tavolinë, aty qofshin e u rrëfefshin.

Mbasi u bë pazari i flamurëve, miqtë dolën një e nga një për ti treguar

njerëzisë se nuk kishin të bënin fare me njëri tjetrin. Likja, që doli i fundit,

fiku diktofonin e vogël, e futi në cantë dhe i shkoi dorën cantës  së fryrë

që i dhuroi miku. Zemra filloi ti rrihte më me forcë se zakonisht dhe kurioziteti

e brente se sa ishte cmimi i asaj firme që do të vinte ne process-verbalet

ditën e zgjedhjeve. Aty nuk mund ta shikonte cfarë mori e sa mori, ndaj “me

derr në thes”, kur i thonë, nxitonte si për të shpëtuar nga zjarri.

Me zgjedhjet ndodhi ajo  që pritej. Pozita e dinte se e kishte boulevard

ndaj bëri gjumin e shqerrave mbi dafina. Opozita i u bë akrep zgjedhjeve. Një

pjesë të njerëzisë media dhe partitë mendjen ua bënë carcaf dhe një pjesë

u a bënë luadh. Punën më të madhe e bënë kanalet e padukshme. Shushunjëz

i u bë opozita atyre që e dinin „ku ngordh derri“. Pa përfunduar zgjedhjet, opozita

e mori vesh mirë  se kundërshtari e kishte thurur fort livadhin, por  shtegun e

kishte lënë hapur. Opozita fitoi.

Por Likja ishte nga ata që vërtet u rrinte koka, por ama u lëvizte gjuha.

Ai vetëm kur sëmurej i a vinte ganxhën gojës. Nga këto rrjedhje të fjalëve,

shoku i vet në komisionin e zgjedhjeve, ku përfaqësonte me të pozitën, po e

ndjente erën e dredhisë. “Budallain mos e pyet se ai të kallxon vetë”, ishte

parimi dhe praktika e tij në këto punë. Kështu, vetë Kocit i kishte ardhur në

majë të hundës mërzitia. Kur mbaronin zgjedhjet, kali i belarave harrohej

deri në zgjedhjet e tjera, ashtu sic harrohen mblesët, që zakonisht, pas fejese

a dasme „e ngjyenin“ vetëm me një palë këpucë. Koci kishte kaluar shtatë

herë në napë dhe kur e do puna, “ngre plihur në llac”, thoshte udhëheqja e

partisë që e delegonte në këtë punë tepër delikate. Vërtet ashtu ishte,

por kuleta gjithnjë i mbeti bosh. Këtë e ndjente Koci. Premtime merrte

vërtet pa masë, por në  asnjë fushatë zgjedhjesh nuk i pati rënë pjergulla

në fik. Sa kohë kalonte, Koci e kuptonte se shoku i tij, Likja, ishte nga ata që

përzihet lehtë me krundet dhe me të pastaj kanë punë vetëm pulat.

Tani  dukej cdo ditë e më shumë se Likja qënkësh nga ata që ditën

të lëpinte këmbët dhe natën të ngulte pa teklif dhëmbët. „Ai dolli ortaku

më i pabesë në cdo batkcillëk të drejtë“, mendonte Koci. Ai, kushedi se sa

do të kishte vuajtur me këto hamendje pot ë mos i ishin ngatërruar disa

kaseta të tij me ato të Likes. Duke kërkuar një kasetë me këngë popullore

përmetare, ai kishte marrë pa dashur kasetën e Likes. Ku ishte incizuar

plotësisht pazarllëku i bërë me opozitën. Kur  Koci e dëgjoi nga fillimi në fund,

në fillim shfryu, shau veten që ishte treguar më shumë se buf. “Cudi se si nuk e

pikasa! Unë sytë i mbajta hapur, dollap dhe i bëra gozhdë, ashtu si më kishin

thënë, po nuk di ku më rrodhi“, i kërceu keq damar i ballit. Por, më pas,pa

pritur i shpërtheu një rreze drite.

„Ajo që u bë, tani nuk zhbëhet më. Ama u thye poci! Nobare të fitoj

dicka nga kjo. Ti jap dhe një shuplakë Likes. E ka bërë hak. “E preve për vete,

urdhëro e vishma mua tani“ do i them. Kështu, iu bë mendja livadh e mori

zemër kolegu i Likes. Tani ai ishte gati „ti vinte majën mullarit“. Nuk e zgjati

dhe nga frika se mos I dilte inati, me gjak të nxehtë e me mendjen halë

(kuptohet, kur me inat I kishte kthyer dy dopje raki), ai i kërkon takim

urgjent  Zenos të ish opozitës.

-Sa rreh minuti, erdha!- iu përgjigj tjetri takimit, vendit dhe orës që

përcaktoi Koci.

Takimi u bë te klubi i blireve, tamam aty ku Likja  një javë më parë

kishte blojtur killën e tij pa pyetur fare për karroqen e Kocit. Mbasi e uroi për

zgjedhjet kundërshtarin, ai u fut drejt e në temë. Nxori magnetofonin nga

canta e vogël dhe i futi atë kasetën aq të shtrenjtë. Duart i punonin me

kujdesin e një teraqiu të duhanit që e pi vetëm të dredhur. Kur sosi kaseta

Zenua mbeti si ai kau me një bri. Por kjo ishte befasia e fillimit, se njeriu i ish

opozitës nuk e pinte kurrë kilon për okë dhe nuk e niste preshin nga bishti.

Zenua kishte ca marifete në të folur, që aty për aty, ta bënte murrizin

hardhi.

-Mbarove, zotrote?- e pyeti kundërshtarin.

-Po, or, po!- ia kthen tjetri tashmë kaluar.

-Ti, ore mik, i dashke kocekët në mal dhe stanet në vërri!- ia fillon

Zenua mbasi ofshani thellë. Ai e kishte kuptuar tashmë se sa më shumë të

rrinin  dhe  ta zgjatnin muhabetin, aq më shumë kërkesa do ti shtronin

minutat e ardhëshme. Mirpo dhe Koci nuk e hante thatë. Kur pikasi

mundësinë e lëvizjes së kundëeshtarit, ai ia hoqi shkallët.

-Bëj si të duash, po kjo është gjendja- foli duke përveshur buzët,

Koci dhe shikimin tryelë  nuk u hiqte nga magnetofoni.

-A e shet atë send?-pyeti krejt pa pritur Zenua.

-E kam për qejfin tim. Ama, po më doli ndonjë pazar i mbarë, edhe

mund ta shes,-ishte përgjigja e tjetrit.

-Po ta blej unë. Ja ku i ke paratë. Numuroi po të duash.-foli si i

cliruar nga një barrë e rëndë Zenua. Magnetofoni me kaseten e shtrenjte

brenda u be prone e tij.

+

Koci shpiu këmbët, pastaj krahët. Ndjeu se në qeli bënte pak

ftohtë dhe mbante erë lagështi. „Hë! Kur ha djathë nga ai i hoxhës, pëlcet

për ujë” ka thënë ai i lashti. Mendimet i vinin vrënduj vrënduj, si ato retë e

hirta në ditë të dimrit. “Mot i përzier dhe ky i sivjetmi. Vite  të vështirë…”

i erdhi vetëtimthi mendimi i ri. Vërtet kërkoi avokat kur do të pyetej, por

hetuesi i vuri qysqinë të drejtave të njeriut vetëm me një pyetje.

-          A e di se paratë që të zumë dje  janë të gjitha fallco? Do na tregosh,

ku i gjete? Vec bjeri shkurt se ne i dimë të gjitha. Seritë  e parave të tua

vazhdonin dhe në cantën e kuletën e Likes- I a mballosi njeriu

i drejtësisë.

-Hej! Djall o punë! Hall me qe e hall me buaj!- foli me vete Koci. Koka

i dhimbëte sikur  ta kishte goditur dikush me ndonjë varre. Nga qelia

fqinjë u ndie një lëvizje, pastaj një trokitje e lehtë.

-Te pata thënë o i dashur koleg. Te shtiu miza, nuk të nxjerr as bualli-

thoshte gjyshi im-

-Të zgjuar e paske patur gjyshin. E pate pyetur në se e kishin kllaposur

ndonjëherë brenda dhe a ka ndejtur në këto saraje pa qera, ku po mërzejmë ne sot?

-A e di cfarë ke ti? A ja marrim këngës?-propozoi Likja nga qelia fqinjë dhe

filloi.

-Dhe sivjet që bëre drithë…oji, oji,oji.

-Tu dogj xhixhoja në b..- I a priti me një zë melodioz e pak të cjerrë Koci.

-Mos u bëj merak, koleg! Ty të hëngri vetë prapanica. Doje të gjeje

vendin e kërpudhave ku kisha mbledhur unë.

-Pse të bëhem merak? Bukuri jemi këtu.- ia priti Koci.

-Duke ardhur janë dhe ata „ustallarët“ e opoizitës së djeshme dhe

do na mbajnë ison,-vazhdoi Likja.

-Ëndrrat janë të këqia, koleg. E ndërruan para kohe prokuroren

këta. Kushedi se cfarë mysybeti do të vijë në të ardhmen! Hajde e gjeja

anën prokurorëve të rinj. E hëngërm ne. Pas kater vjetësh prit zgjedhjet

e reja tani,- përgjigjet Koci.

-Cfarë thua ti ore?  Ku na këndohet ne pa iso dhe katër vjet?-tha

me zë të vargëzuar  Likja

-Hajde, hajde.Thuaja këngës, se tani po miratohen dhe ligjet e

Reformës në drejtësi- I erdhi zëri nga matanë murit.

-A, o derëzi që e ke mendjen mbi qeleshe. Po u miratua ajo reformë

do na mbajnë këtu sa të na shkojë mjekra në bel- foli vajtueshëm Likja.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora